Ngurrëza. Tregim nga Sulejman Mato

Sa herë shoh përmbi tavolina shishe uji me etiketat “Ujë Trebeshine”, “Ujë Gline” ose “Ujë Tepelene”, mendja më shkon te Ngurrëza ime, të cilën kam 23 vjet pa e parë. Një ditë vendosa: u ula dhe hodha në letër vetëm fjalinë e parë të një tregimi: “Ngurrëza ime e dashur! “ Në çast më iku frymëzimi duke menduar se kështu mund të nisë vetëm për një letër dashurie. E grisa letrën copë-copë dhe e hodha në kosh.
Tani kam ndër mend rrjedhën e saj të qetë nën reflekset diellore, në atë fshat të braktisur dhe të panjohur nga bota . E heshtur dhe pa lavdi gurgullon ajo nën fikun plak të Matajve (në qoftë se ende nuk është tharë…) zbret poshtë duke kënduar, për t’u bashkuar me burimet e tjera të fshatit tim që rrjedhin pa lavdi, ditë e natë, drejt detit.
Gurgullon pa bujë nga thellësirat e shkëmbit, si mbush plot për plot me ujë të ftohtë qelibar një rrethore qarkuar me gurë të lashtë e të mbuluar me myshk, lëshon një shushurimë të këndshme nën gurë dhe fletë.

* * *
Fshati ynë shquhet për burime, 23 burime dhe gurra dalin nga zgavrat e shkëmbinjve si një bekim i Zotit, për këto vende të begata. Por uji i Ngurrëzës dallon krejtësisht nga ujërat e tjera, , ai është ujë shkëmbinjsh dhe ka disa cilësi kurative. Ky ujë mbretëron në kujtesën tonë, prej tij mund të pish sa të duash dhe s’ ngopesh kurrë, ndërsa në fyt ndien shijen e papërsëritshme të një uji të rrallë. Mbase dhe e ekzagjeroj pak, fare pak, nëse nuk do të më besoni, ju këshilloj ta provoni vetë, nëse iu bie rruga nga fshati im, Ftera. Nëse ju bie rruga të kaloni në ato anë, mos e shuani etjen as në burimet e Llogorasë, as në atë të Himarës dhe të Borshit, as te burimi i Zonjës…rezistoni, gjersa të gjendeni te Ngurrëza ime e dashur, atëherë ejani e më thoni, kam apo s’kam të drejtë.
Një mëngjes takova një fshatarin tim. Kishte qenë disa ditë te vëllai i vogël në fshat dhe ishte kthyer. “E more vesh? Ujin e Ngurrëzës do ta marrin italianët..!. Kanë bërë analizat dhe paska dalë uji më i mirë në Shqipëri…” Mos u çuditni, kur është fjala për të ngritur vlerat e fshatit, kështu flasin të gjithë fshatarët e mi. Lajmi ishte befasues. E kemi zakon ne, kur dëgjojmë që nga fshati ynë del një profesor i zoti, një mjek i zoti ose një shkrimtar i zoti lumturohemi dhe bëhemi llafazanë. Figura intelektualësh fshati ka boll, Ngurrëz ka vetëm një. Ama, për të tjera burime bëhen reklama , shtypen poste, ngrihen banderola të stërmëdha në kodrat ndanë autostradës e hidhen paratë në erë në kokteje të ndryshme ku tavolinat mbushen me shishe uji: “Selite”,
”Trebeshine”, “Tepelene”, “Nepravishte”, “Lajthize”, “Qafështame”, i cili quhet edhe si një ujë mbretëror, ndërkohë që uji i vërtetë mbretëror i Shqipërisë është uji i fshatit tim, mund të shtoja dhe Ujin e Zonjës, në krizë, afër Borshit, por s’e them dot. Dhe të mendosh, për Ngurrëzën time nuk është bërë asnjë reportazh, ndërkohë që Ngurrëza e ka bërë punën e vet pa bujë dhe pa lavdi…Sa e sa gjallesa ka mbajtur gjallë, sa e sa pemë ka vaditur, sa kuaj e mushka, qe dhe gomarë, dele e dhi, zogj e pula kanë shuar etjen te ai burim, sa udhëtarë kanë ndalur të shuajnë lodhjen…

* * *
Një ditë maji bashkësia jonë primitive, “gjaku ynë i shprishur”, me banim në Tiranë, vendosi të bëjë një ditë përkujtimi. Vendi i takimit u la te kodrat e Tiranës, pranë sheshit të frashërllinjve. Erdhi dhe dita e takimit me përqafime, të qara e përmallime, një gëzim i rrejshëm vezullonte në sytë e të pranishmëve, sidomos më të rinjve. Në një çast nga tavolina e presidiumit u ngrit kryeplaku i fshatit me dy shishe në duar: “A ju ka marrë malli për ujin e Ngurrëzës?” “Pooo!” thirrën të gjithë njëzëri. . U sulëm drejt tavolinës së tij me gota plastike në duar, gati sa s’e mbytëm. Të parët që ia mbërritën të mbushin gotat shkonin nëpër tavolinat e tjera duke përplasur gotat me ujë “bromb! me ata që kishin nisur rakinë. Ia mbërrita dhe unë të mbush një çerek gote, e vura në buzë, mirëpo, duke parë shikimin dinak të kryeplakut, m’u prish çehrja, nuk m’u duk si uji i Ngurrëzës. Mos ndoshta, duke ardhur për në Tiranë ai ishte kujtuar në Lushnjë për të na e bërë këtë surprizë? Largqoftë nëse i ka shkuar mendja të ketë blerë ujë Kavaje i cili ka një shije dheu. Prej këtij qyteti unë ruaja një kujtim të trishtë, gjatë kohës së zborit shkova të mbushja ujë te çezma e repartit, kur ç’të shoh? Një bretkosë e vogël kish rrëshqitur nga çezma dhe kishte rënë në gavetën time.

* * *
E mblodha mendjen. Do ta nisesha në fshat për të bërë një kronikë televizive, me këtë rast do të merrja dhe një sekuencë filmike nga Ngurrëza. Bisedova me shefin e zyrës, ai e priti me interes propozimin tim, lashë ditën e nisjes me kameromanin, mirëpo, për fatin tim të keq, atë ditë bëhej varrimi i shkrimtarit të njohur, H.D. Kishte vdekur në orët e fundit të mbrëmjes, nga një infarkt miokardi, në çastin që po zbriste nga avioni, në aeroportin e Rinasit. Lajmin e dhanë të gjitha stacionet televizive. Komiteti i nderimit të figurave u mblodh në mesnatë. Ceremonia e varrimit do të bëhej të nesërmen në ora 11.00 në sallën e Akademisë së Shkencave. “Vate dhe kronika për Ngurrëzën.”- thashë me vete. Në të vërtetë isha kureshtar për të parë si përcilleshin për në botën e përtejme figurat e mëdha. Trupi i shkrimtarit të madh ishte vendosur në mes të sallës, para kamerave dhe personaliteteve shtetërore, të cilët ishin veshur me kostume të zinj dhe dukeshin shumë të pikëlluar.
‘Po Ngurrëza?, -thashë me vete me keqardhje. Ngurrëza ime që rridhte pa lavdi
Tri ditë më u bëmë gati të niseshin drejt fshatit tim ,por s’qenkej e thënë. Në Televizionin Shtetëror kishin ndodhur ndryshime. Kishin pushuar drejtorin nga puna, në vend të tij ishte emëruar një drejtor i ri i cili e kishte nisur ditën me planet e punës të redaksive. Kur kishte lexuar “Reportazh për fshatin Fterë” kishte kapsallitur sytë: “Ku bie ky fshat, dhe pse duhet ta pasqyrojmë në kronikën televizive?” Shefi im nuk kishte ditur si t’i përgjigjej. “Kështu i paskeni hedhur në erë paratë e shtetit?!” Me një të rënë lapsi ftohu Ngurrëza. Teksa nëpërmend Ngurrëzën time më ngushëllon fakti që ajo është atje, le të mos e njohë askush, ajo është atje, gurgullon ditë e natë. Gurgullimën e saj e bekojnë kopshtet dhe arat , e bekon dielli me reflekse ylberesh, e bekojnë barinjtë dhe stanet e bagëtive, e bekon deti që e pret me mall, e bekojnë retë që e presin me padurim dhe e bekon toka që e pret me brohori, sa herë zbresin nga qielli ujërat e saj në formë shirash, sikur të zbriste vetë Zoti mbi tokë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here