Përktheu: Anton PAPLEKA
BARBAROZAT
Ditë e hirtë, jetë e trishtë
Por të varura në ballkon, atje tutje
Kanë çelur barbarozat e kuqe
Dhe bëjnë qëndresë qetësisht.
JETA PARIZIANE
Në të hyrë të Parajsës latine
Një institucion i njohur
Për valltaret e tij të zhveshura,
Është vendosur një tabelë me këtë mbishkrim
« Kërkohet veshje korrekte ».
NJË VIZATIM
Pilivesë e hipur në biçikletë
Një vajzë e re
Nget nëpër Paris.
Floknaja e saj kaçurrele
Valëvitet si velat e një anijeje
Në diellin ngjyrë aguliçe.
Kjo vajzë jashtëzakonshme
E mban trupin
Si një mbretëreshë
Ajo as që do t’ia dijë
Për veturat që ngasin përreth.
STINË E BARDHË
Stinë e bardhë
Vendi i mbuluar nga bora
Duket sikur i kanë bërë anestezi
Zogjtë kanë ikur në vendbanimet dimërore
(Nuk dihet mirë ku kanë shkuar)
Në Paris vetëm lypsarët
Që nuk gjejnë dot ca thërrime
Ngrijnë para dritave të kuqe të semaforëve
Ata kërcejnë në vend udhëkryqeve
Dhe ua shtrijnë dorën në acar
Veturave që nuk hapen.
LULE MOLLE
Qielli nxin si në nëntor
Shiu më fshikullon ; qeni shkundet
Uji çurgon nga kapela ime
Dhe rend midis guracokëve
Tashmë janë rrëzuar shumë petale
Por e mbërthyer fort mu në majë të degës
Lulja e mollës i bën ballë erës.
TRINIA
Fytyra e rumbullakët e hënës
Përmbi shtëpi
Goja e pusit
E fshehur në hije
Dhe rruzulli i alabastërt i gruas
Që heq këmishën
E ulur galiç në barin e zi
Misteri i bukurisë
Që për një çast të shfaqet para syve.
PULËBARDHA E MADHE
Në kopshtin e Depos së Ujit
Në shëtitore
Midis lëndinave dhe kafeneve
Ku jemi ulur në tryezë
Bredh një shpend i madh i bardhë.
Ai e ndien veten krenar,
Sikur të qe rojtari i parkut
Apo sikur sapo të kishte botuar
Përmbledhjen e tij të parë
Te Gallimard-i.
(Ah, sa gjë e lehtë është antropomorfizmi…
Ti përfiton nga fakti
Se pulëbardhat nuk dinë të lexojnë
Dhe nuk mund të të përgjigjen…
Kjo është e vërtetë…
Por poetët e bëjnë këtë gjë kaherë…)
Ndoshta
Kësaj pulëbardhe të madhe
Thjesht i duket vetja si albatros…
GURI I HËNËS
Vezullim i ylbertë
Dritë hëne qiellore
E ngujuar në një gur
I nxjerrë nga nata e tokës.
Sigurisht, ai gur ka veti magjike
Dhe do të ishte mirë për ekuilibrin bashkëshortor
(Sidomos kur atë ta dhurojnë
Në trajtë vathësh a unazash…)
Dashuria
Poezia
Gurët e çmuar
Dhe bukuria e botës…
Këto janë hëna të vjetra
Por këto hëna të vjetra
Na ndriçojnë gjithmonë.
*
Ti,
Ti je ylli im ogurmirë.
Por ty nuk të zbeh drita e agimit
Dhe
Në mes të ditës
Ti nuk zhdukesh nga qielli im.
Korrik 2010
MBRËMJE NË VAR
Mbrëmje, në bregun me guraleca
Deti kërcëllon dhëmbët,
Qetësisht, si një bishë në kafaz
Apo si një fëmijë që nuk do të flejë
Dhe sheh ëndrra të këqija
Sepse ka frikë nga dita
Po për ç’dhimbje na flet deti?
Dhe qyshkur deti sheh ëndrra të këqija?
Kanë qenë poetët e kohës së shkuar
Që e paraqitnin Natyrën me ndjesi.
Ne, ne po e dëbojmë të mrekullishmen
Nga poemat tona
Dhe e ndiejmë veten fillikatë…
Megjithatë
Mali që ndodhet pas kurrizit tonë
Mrekullisht, nga gjiri i tij lind natën
Dhe erëmim mimoze.
Sa për bilbilin, qëmenatë, ai këndon gjithmonë
Pa ndonjë arsye,
Krejt ashtu si ne, siç thonë.
NJË KËNGË FRANCE
Pas shiut, u sajua një rrëké
Në asfalt
Dhe në të pasqyrohet dielli.
Rruga e vogël e fshatit vezullon
Si një fustan me temina
Si një peshk që fërgëllon.
Dhe ja ku ngrihet në qiell
Një ylber
E bukura që kalon
Vallë a ka ndonjë të dashur?
A lundron ai me një galerë
Apo ndoshta është në ara.
Në fushat e gjera
Përsëri mbijnë
Lulëkuqe dhe kokoçelë.
E bukura kaloi
Është e kotë ta ndjekësh
Ajo bredh atje ku ka dëshirë
Ajo iku si kënga
Mbi flatrat e trishtilit
Ndoshta ajo do të kthehet
Në ditët e bukura
E thekur nga dielli i ndryshimit të përhershëm
E bukura që këndonte me gjithë shpirt
Për dashurinë, për lumturinë
Dhe për lirinë.