NJË KUJTIM PËR LAZGUSH PORADECIN.  Nga Rudolf Marku

 

“Nje postim mbreselenes nga pr. Gezim Basha rreth figures se Lazgushit u be shtyse qe te kujtohem per kete qe shkrojta me poshte. Flm e mia per te gjithe shkrimet e Zotit Gezim Basha- per driten e pozitivitetit dhe erudicionin e gjere.”

 

Është një ditë e butë Tetori, me një diell që të mbështjellë me rrezet e tij vjeshtore. Gjethet janë mbuluar me atë përskuqje, që i ndihmon aq shumë poetët e rinj për të gjetur pa ndonjë zor të madh metaforat e para të poezive të tyre. Takoj në shkallët e Godinës së Lidhjes Natasha Lakon.- Pse të mos i bëjmë një vizitë Lazgushit në shtëpi? – më thotë ajo, me atë shkujdesjen e saj karekteristike gjithë përkujdesje .- Po si ? – e pyes i çuditur- a nuk jeton Lazgushi në Pogradec?

Jo, më siguron Natasha, është në shtëpinë e tij, këtu, në Tiranë. E di me afërsi se ku jeton. Le të vemi të dy që ta takojmë. Që t’ia shprehim admirimin tonë për poezinë e tij. Fundja a nuk është dhe Tetori Muaji i Poezisë ?- shton, me një vështrim sarkastik !

Ideja e Natashës me entuziazmoi. Lazgush Poradeci ishte një Poet aq i vetë-mërguar dhe aq i izoluar zyrtarisht , sa shumë kush nuk ish i sigurt nëse jetonte prapë a kishte ndërruar jetë shumë e shumë vite më parë. Kishte kohë që jetonte më tepër si një Mit se sa si një njeri real. Edhe gjatë viteve studentore, ne, studentët e letersisë, dëgjonin me kurreshtje historitë mitike që qarkullonin rreth tij . Atë historinë me një shef të fuqishëm të Kritikës dhe të Studimeve zyrtare të Letersisë, i cili, për fatin e tij të keq, çalonte keqas. Dhe ja një ditë Lazgushi ndodhet përballë tij. Nuk e kishte parë ndonjëherë dhe as nuk e njihte. Shefi i Kritikës, duke çaluar, i afrohet Lazgushit dhe i thotë se kush është. Pret reagimin e Poetit. I thotë Lazgushi- Aha, tani po e marr vesh për herë të parë përse kritika shqiptare çalon!..Apo dhe takimin tjetër të tij me një shkrimtar ndër më të njohurit zyrtarisht të asaj kohe, i cili i flet Lazgushit që nga trotuari ( Lazgushi qe poshtë, në nivelin e rrugës)- Dëgjo, Lasgush. Do të bëj një vërejtje. Ti shkruan- Drini e nis udhën ’’ … nga Shën Naumi, mespërmes Shqipërisë…”. Një lajthitje gjeografike. Si qënka Shën Naumi mesi i Shqipërisë? Ju poetët nuk jeni dhe aq të fortë në gjeografi!,

Ja kthen Lazgushi, duke e arritur ta kap nga jaka e xhaketës- Që të flasim së bashku, duhesh të jesh në një nivel me mua!- Dhe, për t’i dhënë iluzionin se nuk e kishte fjalën për nivelet e personaliteteve , e tërheq në nivelin e rrugës ku po qëndrone ai vetë- Dhe vazhdon- Ti më akuzon se poetët nuk dinë gjeografi, kurse ju prozatorët e shquar nuk dini Histori. Me vërejtjen tënde harron se Shqipëria nuk është veç ky 28 mijë kilometra katrorë që ke ti në atë kokën tënde bosh!

Letersia zyrtare kishte menduar te hakmerrej me Poetin hyjnor te yjeve. Lidhja e Shkrimtareve ia kishte mohuar deri dhe te drejten e Pensionit! E kishte braktisur per turpin e vet. Dhe vete koleget ia kishin kthyer shpinen. Nje poet i njohur pat botuar nje pseudo- studim per poezine lazgushjane, ne te cilin ai spjegonte mangesite e poezise se tij me ane te origjines se Poetit – nje zhdanovizem i artikuluar si akademizem fratern!

Po i kujtonim të gjitha këto, e plot historira të tjera te Lasgushit, tek ecnim në drejtimin e Rrugës ‘Bardhyl’ , pranë Ministrisë së Jashtme, atje ku afërsisht Natasha mendonte se e kishte shtëpinë Lazgushi. U futëm pas MInistrisë së Jashme, në një labyrinth rrugicash dhe shtëpish përdhese, shpërndarë në kaosin urbanistik të periferive të Tiranës. Natasha u dorëzua- Duhet të pyesin njerëzit përreth se ku është shtëpija e Lazgushit- ramë dakort të dy. Por ajo që na u duk më e lëhta (‘ e kush nuk e di se ku jeton Lazgushi, Liriku më i madh i gjuhës shqipe, na pëshpëriste ana optimiste jona!) shumë shpejt u bë e qartë se qënkësh dhe pjesa më e vështirë. Nuk e di. Nuk e kam dëgjuar. Ku di unë, mor v’lla, shko pyet shitësen e bukës!

Sugjerimi i fundit na u duk me vënd. Shkuam me të shpejt te dyqani i bukës. Por dhe Shitësja e Bukës tha se nuk e njihte Lazgush Poradecin. Na kapi një dëshpërim i thellë!..Tek po i humbnim të gjitha shpresat se do ta gjenim shtëpinë e Poetit, papritur na arfrohet një fëmijë nja dymëbëdhjetë vjeç, me dhëmbë të rënë a të thyer, me rroba githë pluhur dhe me një palë llastiqe të vënë si tejkqyrese në qafë. Figura e vagabondit të Lagjes, Gavroshi i rrugicave, ai që me siguri i linte pa gjumë veteranët e nderuar dhe mësuesit e respektuar…Erdhi pranë nesh dhe tha- Atë plakun që shkruan libra? Për atë po pyesni? Ja ku është shtëpia e tij!.. dhe na udhëhoqi drejt një shtëpie përdhese, fare pranë. Natasha dhe unë mbetëm të mahnitur. Ai, rrugaçi i Lagjës, me dhëmbë të rënë dhe me kërrabë llastiqesh në qafë ishte i vetmi që dinte atë që asnjëri nga intelektualët e nderuar , asnjë nga veteranët a profesorët a diplomatët e shquar (sepse ishim fare pranë Ministrisë së Jashtme) -duke perfshire dhe shitesen e dyqanit te bukes- që kishim pyetur, nuk e kishin ditur : që shtepija e Lazgushit kishte qënë fare pranë tyre. Kurreshtar, e pyes- Po si e di shtëpinë e tij!…Sytë e tij shkëlqyen nga një djallëzi fëminore- Ai m’i ka thyer një herë llastiqet, kur pata vrarë një zog! Më tha- Mos vrit zogj, dhe nuk t’i thyej kurrë llastiqet! Dritaret nuk quhen! Dhe as dhe ndonjë kokë e goditur pa dashje! – kështu më ka thënë. Dhe nga ajo ditë nuk kam vra më zogj!

Ngjitëm shkallët e pakta të verandës dhe trokitëm në derë. Asnjë përgjigje. Duhet të trokasim më fort, më thotë Natasha. Trokitëm prapë. E nderpremë duke menduar se kishim qënë pa fat, sepse në shtëpi dukesh se nuk kishte njeri. Papritur dëgjuam ca hapa përtej deres, nga ana e brendshme. U afruam.- Kush ështëëëëë!- Një zë i thellë, si një zë fantazme, një zë misterioz, që dukej se vinte nga larg, shumë e shumë larg (dhe kjo largësi nuk ishte gjeografike) vazhdonte të thosh- Kuuush ëëëështëëë! U afruam edhe më dhe Natasha tha- Zoti Lazgush. Jemi dy admirues tuaj. Kemi ardhur veç t’Ju përshendesim! Ju lutemi, a mund të na hapni derën!

 

Për një çast asnjë përgjigje. Dukej se Lazgushi po mblidhte forcat që të fliste. Më së fundi tha- Nuk mund ta hap. Nuk kam çelës. Çelësin e shtepisë ma ka marrë Nafia! Po, po, ajo ma ka marrë. Ka harruar dhe e ka marrë me vete!

Pashë nga Natasha. I pëshpëris- Kush është Nafia? Më thotë nën zë- E shoqja. Ka pak ditë që ka vdekur!

Që prapa deres, dëgjuam hapat e lehtë që largoheshin deri në zhdukje. E kuptuam se Lasgushi kishte filluar të vdiste nga pak (‘shkoi të vdiste pak,- thotë Soresku për Shekspirin në poezinë e vet të famshme). Kishte filluar ate Fazen, kur njeriu, sapo ndjen vdekjen, fillon te apeloje te vdekurit me te aferm te vet, qe t’i dalin perpara ne rrugen e veshtire te perjetesise. Dhe Lazgushi, Poeti i Yjeve, kishte filluar të komunikonte me të vdekurit, me gruan e vet, me Homerin, Eskilin, me Getën, Emineskun, La Martinin, Pushkinin, Asdrenin dhe Naimin, me Fishten dhe mikun e vet, Mitrush Kutelin…Natasha Lako dhe unë, për një koinçidencë fatlume, kishim qene dy njerëzit e fundit që kishim dëgjuar zërin e Lazgushit per se gjalli.

U larguam. Dy ditë më vonë Aurel Plasari, me lotë në sy, më thotë i tronditur se sapo ka dëgjuar lajmin e trishë të vdekjes së Lazgush Poradecit !

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here