Gazeta Nacional Albania

   Një trandje e bukur. Tregim nga Bajame Hoxha – Çeliku

 

 

                                            

 

Kur ngrihet njeriu në mëngjes nuk e di përveçse planeve, se çfarë tjetër i del përpara papritur. Kjo botë është e mbushur me surpriza të gëzueshme, por nga një herë dhe nga ndonjë surprizë jo e pëlqyeshme, që s’do ta doja kurrë në se ajo do më shqetësonte sadopak, apo të më ri sillte një dhimbje tashmë të larguar.

Ecja me hap të lehtë e futur në botën time mbase dhe po meditoja për të harruar vetminë e asaj dite të nxehtë. Ashtu dashje pa dashje, të shoqërojnë shumë kujtime të cilat mbartin hidhërime apo poshtërsi që njeriun e dëmtojnë keq.Por ka të tjerë që t’i lehtësojnë dhimbjet, të largojnë stresin, dhe ti pikërisht për këtë ke aq shumë nevojë. Shpirti do sinqeritetin, të bukurën, humanen, bujarinë e shumë gjëra të tjera të cilat janë pjesë e jetës. E futur në vetminë time, veshi s’po reagonte ndaj zhurmave që më rrethonin. Rrugët e baret ishin të mbushura plot nga të rinjtë që gumëzhinin atë ditë grupe, grupe.

– Ama, Ama, Ama Çeliku!

Ndalova. Pa e kthyer kokën ndjeva një dorë të binte mbi supin tim e dora tjetër e personit kishte nën sqetull një libër që nga vështrimi im rrëshqitës munda të lexojë një pjesë të kopertinës aq sa dukej jashtë sqetullës së të panjohurës.

– Dhe surpriza s’kanë të sosur ia ktheva unë, akoma pa e parë në fytyrë.

– Çfarë ke? S’po më njeh?

E vështrova, ishte një grua e re, e shkathët dhe dukej shumë e dashur se çdo çast e shoqëronte me një buzëqeshje të ëmbël. Sakaq librin që kishte nën sqetull me vrull ma futi në çantë sikur e kishte të vjedhur e mos ta shikonte tjetër njeri.

– Jo, po kaq në befasi më ke kapur sa… s’po e mbledh dot mendjen. Gjërat rrodhën kaq shpejt sa…nuk po kap dot kohën ku jemi njohur…

– Mos e vra mendjen, – më tha – dhe më qëlloi lehtë në shpatull- jam Lida, më harrove se sa herë kemi udhëtuar në të njëjtin autobus? Ti rrije gjithmonë me Ketën. Të kujtohet provimi i letërsisë kur profesori na shkroi një poezi në dërrasë, pastaj u kthye nga ne dhe tha:

– Ky është provimi për sot! Gjeni çfarë ka dashur të thotë autori.- Ne ngrimë të gjithë.Unë sidomos nuk ja thosha poezisë po diçka bëra sa për të marrë një notë kaluese. Nuk e harroj kurrë, në atë provim mora shtatë. Por ama mbeta shumë e kënaqur. Ah! Ishte vërtetë një ditë e bukur tamam si sot me plot surpriza! Si e dhamë provimin zbritëm poshtë në katin përdhes të godinës së universitetit dhe si gjithmonë u bëmë tok të gjitha ne Lushnjaret. Filluam diskutimet rreth provimeve ku mua s’po më hiqej nga mendja provimi. Frika se ndoshta nuk kisha katranosur gjë dhe e fundit, nuk e dija se çfarë kisha shkruar. E mbaj mend mirë, vetëm unë flisja,  flisja vetëm për provimin tim. Pikërisht për poezinë. Koha po ikte dhe unë s’po pushoja, isha kthyer në një potere të padurueshme. Atëherë ti Ami, kur vure re se unë e teprova, më pyete:

– Si e kishte titullin poezia, se na vdiqe?

– “Dimër ”- t’u përgjigja unë.- por ti s’e shtyve më tej por unë u bëra aq pengesë sa midis euforisë sime u ngrit diskutimi në qiell. Secila nga vajzat donte ta merrte fjalën, e të tregonte diçka nga klasa e saj, sepse nuk ishim as të një viti e kështu provimet i kishim të ndryshme. Por unë kisha mësuar aq shumë sa u demoralizova një çast,  se kurrë nuk më kishte shkuar mendja se profesor Dulla, do t’na jepte provim një poezi, e çuditshme! Pa pritur mes asaj zhurme të madhe ti mu drejtove përsëri:

– Moj na çmende! Ndryshotemë! Po na thuaj të paktën, kush ishte autori i asaj poezie? Dua të them: kush e ka shkruar.Të lutem, ma përsërit edhe një herë titullin?

 

– “Dimër 91”. Ti përsëri heshte dhe po mateshe të niseshe duke tërhequr Ketën, nga e cila nuk ndaheshe. Por kur e pe se dhe Keta, po pengohej prej meje e s’po të ndiqte dot, ti u ktheve përsëri dhe mu drejtove:

– S’na the moj vajzë e mirë…autorin e poezisë së famshme që të paska ngacmuar kaq fort…

– Një…një… Bajame Hoxha – Çeliku. Po, po,jam e sigurt, nuk gaboj.E njeh ti?

Ti në vend që të më thoshe: po ose jo, ia shkrepe një të qeshure me të madhe sa kishe në kokë:

– Hahahaha!- u dëgjove në të gjithë ambientin. Ne ngrimë të tëra, ç’ishte me ty kështu? Çfarë të bëri të shpërtheje papritur në një të qeshur kaq të pakontrolluar? Por që e qeshura është një shenjë e mirë, këtë e dinim.

Ç‘ kishte ndodhur? E qeshura jote çuditërisht nuk mbaronte, përfshiu të gjithë auditorin po edhe ne pas teje nisëm të qeshnim ashtu kot, pa ditur pse. Por Keta që ishte në krahun tënd të djathtë, midis atij gazit tonë, kishte ngritur gishtin e madh të dorës së djathtë dhe po e tundte në drejtimin tënd. Askush s’po fliste, askush nuk kuptonte. Po qeshnim pa pushim dhe po vështronim Ketën, e cila për minuta të tëra vazhdonte të tundte gishtin drejt gjoksit tënd. Në momentin kur edhe gishti i Ketës u lodh, mblodha mendjen e t’u drejtova me ton e me çudi:

– Moj! Ti je Bajamja?! Ti je… Bajame Hoxha? Uau! Po pse moj nuk na tregove gjatë udhëtimit në mëngjes?

Unë të pyesja por ti s’më përgjigjeshe sepse s’të linte gazi, qeshje me zë e me lot. Por Keta, po e aprovonte me kokë që ishe vërtet ti. Ishte bukur, ishte një surprizë e bukur, apo jo Ami?

– Epo më mëso emrin e vërtetë, jo gjithnjë më hyn në punë një emër anonim.

– Oh, po, kështu të thërrasin mbesat, kështu të thërras edhe unë. Të kujtohen të gjitha këto?

Pas gjithë këtyre kujtimeve u ulëm diku dhe porositëm nga një kafe. Kur gjuhët tona u zgjidhën edhe bisedat aq të ngrohta morën drejtime të ndryshme, u ndjemë rehat në praninë e njëra tjetrës. Aty kujtuam me nostalgji vitet e shkollës, të shoqërisë, të punës e mbi të gjitha biseda jonë u përqendrua më në fund rreth qytetit të Lushnjës, kunë të cilin, ishim rritur e formuar.

B.H