TË PËRQAFOSH TË VËRTETËN
Mirëqenia nuk prodhon luftë
Papunësia nuk është luks
Defiçiti nuk është krenari
Dhuna nuk është forcë
Drejtësia nuk është anarshi
Kuvendi nuk është gallatë
Buka nuk është gur
Fëmijët nuk janë lodra
Shteti nuk është fushë sporti
Armët nuk janë bindje
Lufta nuk është paqe
Mburrja është ves
Lakmia nuk quhet sfidë
Të rrahësh nuk quhesh “hero”
Të bindësh quhesh i vlerë
Të ushqesh quhesh i dobishëm
Të ngresh në këmbë quhesh i vetëdijshëm
Njeriu nuk është monument që thyhet me kazëm
Vlera e njeriut nuk mbyllet në piramida luksi
Të përqafosh të vërtetën,
ke shpëtuar shpirtin dhe jetën
nga robëria e skllavërisë! Amen!
OSHËTIMË QË BUÇET E SHUHESH
M’u këput mendimi si gjethja e vjeshtës
E ëndrra m’u harlis si kurorë pranvere
Zbulon dritën e syve të mi në zemrën e diellit
Rrëmben shpirtin tim në vallen e yjeve.
Zëri Yt gjëmon udhës së shekujve
Qëndroj zgjuar tek të pres
Oshëtimë që buçet e shuhesh
Në shijen e buzës sime…
NUK JAM PASTHIRRMË
Nuk jam pasthirrmë
As çelës note
As kopsë e këputur
Jam thirrje që të kujtoj
Se buças kur je fjetur
Se të qetësoj kur je trembur
Se të freskoj kur ke etje
Se të dashuroj kur je tretur ……
NË FJALË NJIHET BURRI
Në fjalë njihet burri o bijtë e Mi,
në besë njihet trimi, bij në dashuri.
Në vepër vuloset burrëria, bij të Shpirtit Tim,
në tradhëti dënohet besa, bij me dashurinë!
Nuk do të thotë,
se kush e ka gojën e madhe,
e ka edhe besën e madhe o bijtë e Mi.
Por kush e ka shpirtin e madh
dhe mendjen e kthjellët,
quhet burrë për t’u dashur në besë, bij në dashuri!