Nurie Maliqi Baduni: Libri “KAMBANAT E ZGJIMIT” I BARDHYL MALIQIT, NJË VEPËR MADHORE ME ESE DHE KRITIKA LETRARE POST MORTUM

Ky studjues i rrallë i letërsisë, ky poet i përkthyer në disa gjuhë të huaja është një univers brenda të cilit lindin yje të shumtë. Vepra e tij “KAMBANAT E ZGJIMIT” është një thirrje madhore e një poeti që i kushtoi jetën e tij letërsisë dhe kritikës letrare.”

Po bien “kambanat” për ne vëllazërinë, qytetarët e Konispolit, të Sarandës, por dhe gjithë atyre që e njohën, bashkëpunuan, e lexuan e u frymëzuan nga veprat e tij apo morën një dozë vlerësimi kritik të vlefshëm për punimet e tyre, se po bëhet një vit nga shkuarja në amëshim e figurës shumëdimensionale të Doktorit të shkencave, psikologut, mësuesit të gjuhë-letërsisë, pedagogut, poetit, kritikut letrar, esseistit, publicistit, studiuesit Bardhyl Maliqi.
Kam nëpër duar vazhdimisht që nga maji 2024, një vepër madhore letrare nga më të dashurat, më të pritshmet, më të pasurat në vlera letrare. Pesha e saj është disa kilogramshe, po pesha e përmbajtjes së saj është e pallogaritshme, sepse ai libër është vetë shpirti i vëllait tim të shtrenjtë, në një punë disa vjeçare. Pesha e pritjes prej atij vetë është tepër e rëndë, sepse kur ai shihte rëndesë në trupin e tij, ankthi për ta parë librin ndër duar ishte edhe më i madh…por pengesat që vijnë nga asrye të ndryshme nuk llogaritin dot kohën e daljes së librit e aq më pak ikjen e tij pa e gëzuar dot frytin e tij më të madh të krijimtarisë në vite…

Do ta nisja këtë shkrim me :
-“Requiem për Bardhyl Maliqin –
nga botuesi i veprës Fatmir Minguli.
Bardhyl Maliqi u lind në qytetin e Konispolit më 19 Korrik 1955.
Bardhyl Maliqi ka qënë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh kur ishte student në Shkodër dhe një ndër themeluesit dhe drejtuesit e Degës së Sarandës. Pas viteve 90 ka qënë një ndër themeluesit dhe drejtuesit për shumë vite i Klubit të Krijuesve Jonianë të Sarandës.
Thoma Nika ka shkruar se: “Duke menduar sot të gjitha ato që ia doli të japë Bardhyl Maliqi, nuk ka dyshim se Saranda, pa Bardhyl Maliqin, do të na duket e varfëruar në vlera.”
Libri i tij “KËMBANAT E ZGJIMIT” dhe dy librat e tjerë të botuar nga Shtëpia Botuese 2M janë testament për familjen dhe miqtë e tij në Sarandë, Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare e më gjerë. Ky studjues i rrallë i letërsisë, ky poet i përkthyer në disa gjuhë të huaja është një univers brenda të cilit lindin yje të shumtë, idetë e tij mbi jetën dhe shoqërinë. Vepra e tij është një thirrje madhore e një poeti që i kushtoi jetën e tij letërsisë dhe kritikës letrare.
Esetë e librit “Këmbanat e zgjimit” tashmë e kanë zgjidhur dilemën se “për kë bien këto këmbana” sepse jo vetëm ata dhjetra autorë që Bardhyl Maliqi u ka bërë anamnezën e gjejnë veten aty por shumë kush do të kuptojë se analizat e këtij autori brilant kanë kaluar në lojrat psiko-analitike. Ato janë herë sinfonia dhe herë trumpeta që transmetojnë dhimbjen e madhe të popullit të tij.
Libri “Këmbanat e zgjimit“ është një enciklopedi e kritikës letrare e cila e gërshetuar me esetë përbën një enciklopedi origjinale ku gjejnë veten e tyre autorë sarandiotë, të tjerë nga Shqipëria e trojet shqiptare por pasuar me shumë poetë e shkrimtarë të huaj. Në të gjithë librin ndihet shpirti poetik i Bardhyl Maliqit çka e bën atë një kritik letrar kozmogonik, ku vetë këto shkrime dhe ese shkojnë drejt prozës poetike.
Por krahas këtij shpirti poetik plot ngarkesa emocionale Bardhyl Maliqi shfaq tendencën mbi një lloj kritike ndryshe, një kritikë që shkel në udhë të reja pa shikuar as anash e as poshtë por drejt lartësive të panjohura në analizat e veprave të autorve që ai analizon.
Përcaktimet që ai bën për veprën e Kadaresë nuk ndeshen në asnjë lloj botimi kritik për këtë shkrimtar të madh. Gjatë kohës që redaktoja librin “Këmbanat e zgjimit” i thoja se ke sjellë vlerësime të reja dhe të fuqishme për artin e Kadaresë, ai me atë qetësinë e tij proverbiale më thoshte se dhe analistët kroatë këtë anë kanë dalluar.
Bardhyl Maliqi mbetet i gjallë mes nesh dhe me veprat e tij ai është bashkë me ne në tavolinën e thjeshtë të një kafeneje buzë detit këtu, pranë Limanit. U largua shpejt nga jeta por qe një ikje e papritur dhe ai kishte parandjenjën e shpejtimit të botimit të “Këmbanave të zgjimit”. Janë këmbana që oshëtijnë hapësirave sarandiote deri në Konispol, hapësirave shqiptare e kudo tjetër ku ka shklelur këmba e tij dhe ku ka ngjyer penën me mellanin e atyre vendeve.
E filloi me “Perandorinë e zogjve” dhe “Ankthin e statujave” vepra që e njohën ne nivele ndërkomëtare dhe e vazhdoi krahas veprave studimore me ”Vrasjen e heshtjes”. Kjo e fundit ishte rezymeja e përvojës së tij mbi psiko socialen, ku ai njeh dhe drejtimin e njësisë psiko sociale në Sarandë, duke u bërë kështu një simbiozë mes psiko analistit dhe shpirtit të poetit.
Vepra e Bardhyl Maliqit është nderuar me shumë çmime e vlerësime kombëtare dhe ndërkombëare. Po sa i heshtur qe ky njeri për çdo çmim që merrte! Çmime që nuk i ka kërkuar asnjëhërë, çmime që i ka merituar kurdoherë. E shoh portrtein e tij serjoz dhe duket sikur më flet: duhen “këmbanat e zgjimit” mik, duhen për Shqipërinë, e brenda saj për Çamërinë…”

Më poshtë po sjell disa prej shkrimeve të veçanta që Bardhyli ka përfshirë në këtë vepër:
LIGJËRATË PËR KADARENË, ARDHJA TEK NE E POETIT ALI PODRIMJA, BASHKËJETESË E SHNDRITSHME E NAIMIT ME ATDHEUN, NJË KRESHTË EPIKE NË NJË RELIEV LIRIK – PËR “KRASTAKRAUS” TË BILAL XHAFERRIT, ESE MBI LIBRIN E JUSUF BUXHOVIT “SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZIT”, LIMOZ DIZDARI SI NJERI HUMAN DHE SI ARTIST I PENTAGRAMIT, FILOZOFIA MUZIKORE E BET’HOVENIT, MUHRREM RUSHITI – NJË PËRMENDORE
Disa tituj të eseve që janë krijime sipas këndvështrimeve të tij, pak prej teksteve të tyre, ku aftësia e përdorimit të fjalës, aftësia profesionale e ndërtimit të tyre, i bëjnë ato të arrira. Gjithsesi, vazhimi i leximit mrekullon në të gjitha…
LETËRSIA DHE DEMOKRACIA
Proceset demokratike-hop cilësor në zhvillimin e letërsisë dhe arteve në vendin tonë dhe ndikimi i tyre në krijimtarinë e nxënësve. Kjo temë paraqet vështirësi dhe ndërlikime të disaanshme sepse proceset pluraliste e demokratike në Shqipëri, nga njera anë janë në fazat e veta embrionale, pra kanë nevojë të thellohen e të zgjerohen, të ligjëzohen e institucionalizohen, e nga ana tjetër këto paraqesin premisa pozitive, për një hop cilësor, por edhe mundësi për të prodhuar vepra plagjature dhe skarcitete letrare…
BRENGË E SHPALLUR EPOETËVE
Sa më shumë njeriu shtyhet në moshë, aq më nostalgjik bëhet. Dëshiron të kthehet pas. A thua se është në kërkim të rrënjëve të veta të origjinës dhe identitetit, në kërkim të asaj çfarë nuk realizoi dot përsosmërisht në kohën e vet, në pjerrësinë e mundimshme të daljes nga vetmija apo harresa kolektive, në labirintet e kohës së mbetur apo në kërkim të kohës së humbur, në përpjekje për të sendërtuar ide iracionale. Veç harron një detaj të vogël, pamundësinë fizike për të qenë ai që dëshiron të bëhet, ndaj dhe mendimet e tij vijnë si ujërat e përrenjve në çaste vërshimesh, të papërmbajtshëm, të turbullt, duke humbur konturet e brigjeve, duke thyer normat sintaksore të ligjërimeve dhe duke u zhvendosur në mënyrë kaotike nëpër regjistra gjuhësorë…
ETIKA E STUDJUESIT NË ETNOKULTURË
Pranimi i vlerave diverse dhe respektimi i të drejtave të njeriut në fokusin e etnokulturës së trevës së Konispolit dhe në tej…
NË QAFË, ATY KU MITET PREKEN ME DORË…
“Ja Qafa e Botës, Grykë e Likojanit, Histori Legjendash i pëshpërisin Nartës…”
Gjeografia antike, historia, mitologjia dhe letërsia kanë gati tre mijë vjet që janë në kërkim të vendndodhjes së saktë të Mbretërisë së Botës së Hijeve. Në Greqi, rajoni malor i Peloponezit, Tanereoni, mbahet sikur është pikërisht ky vend. Atje, Tezeu i çliruar nga Herakliu, shkel më në fund në zotërimin e Hadit. Homeri përkundrazi e hefh Odisenë drejt perëndimit, përtej lumit të madh oqean, për ta kërkuar hyrjen e Botës së Përtejme, atje ku perëndon dielli. Kjo përkon me vendndodhjen e Qafës së Botës…
FILOZOFIA DHE POETIKA E KËMBANAVE TË ZGJIMIT
Një vajzë 19 vjeçare u bie këmbanave të zgjimit. Tingujt e tyre i ndien në thellësinë e qenies. Ajo kërkon që këmbanat e zgjimit ta shkundin veten nga rrënojat e gjumit gjysmëshekullor, nga ritmi i harrimit. Ajo kërkon që gjithë kurmet tona të gjëmojnë prej këmbanave të zgjimit. Ajo kërkon të flaket tej ndryshku, skleroza, e keqja jonë morale, shoqërore dhe politike, shkaktarët realë dhe potencialë tragjedive tona të dhimbshme…
Disa tituj esesh vetiake apo të dedikuara që më lanë më shumë mbresë në këtë libër do të veçoj:
Në këtë qiell klithmash heshtja është virtyt
“Deti nuk ka portë”, por unë e gjeta portën e shpirtit tënd Aleksandër!
E kam ëndërruar pa brigje detin njerëzor
Gabimet perceptive në një stinë të thatë
Mos ma lëndoni fjalën që dhëmb
“Monumenti i hijeve”- e kundruar si polifoni shumëshkrimore kundër vesit
“Troja e kalit” si poezi e inversioneve dhe e modernitetit
Shkrimtari që thyen koracën e vlerave të diktuara
Timo Mlrkuri di si t’i vendosë gurët në mozaikun e shumëngjyrësh të baladave tona
Nga “damkosja e ëngjëjve” te “damkosja e djajve”
Unë jam në lotin tënd
“Një thesar” me vlera polivalente
Kur fati njerëzor rrokullis gurë
Një “psherëtimë ere” apo një vrundull ndjenjash njerëzore?!
Udhëkryq i përhënur i profetësive metaforike

Në këtë vepër madhore është përfshirë edhe vështrimi kritik që im vëlla i kushtoi librit tim “Do t’i vesh hiret me dritë” dhe siç theksonte atëherë, ishte analiza më silketshme, më e vështirë, për faktin që ai libër ishte i njeriut të afërt, por pasi lexoi librin me kujdes, jo vetëm që bëri një analizë të plotë, por harroi lidhjen me autoren, aq mirë u ndie. Kjo esse e lexuar në promovimin e librit tim, përloti gjithë sa ishin aty, aq bukur ishte bërë lidhja e poezive me njera tjetrën me një analizë të jashtëzakonshme, ku vargjet e poezive, lidhjet me jetën e aspiratat e poetes e bënë atë esse krejt të veçantë.

-Ese nga Pajtim Çaushi
(tre librat post mortium* të Bardhyl Maliqit)
Fati i krijuesve i tillë ka qënë në gjithëkohësi. Ata i lënë jashtë banesës së përjetshme shenjat e jetësimit përgjatë segmentit jetë.
Dhe s’janë shenja dosido.
Janë shenja të bukura arti.
Ato as ndryshken, as vyshken, as treten, as prishen..
Jetojnë dhe mbeten përsa të ketë njerëz mbi Dhé.
Shkrimtari, poeti dhe studiuesi Doktor Bardhyl Maliqi po bën vitin e largimit nga jeta
Në këta muaj i ka munguar familjes së vet.
U ka munguar motrave e vëllezërve që e respektonin për shumëçka..
Përgjatë shetitores së Sarandës s’është shikuar profili i tij i përhitur me dituri dhe jetë aktive në disa fusha.
Në sallat e veprimtarive letrare nuk është dëgjuar zëri i tij i qetë, i fortë, tingëllues e argumentues për autorë dhe tekste të prodhuar rishtas.
Në baret e anëdetit të qytetit nuk ka qënë tek tavolinat e kafeve e diskutimeve, të debateve e të “gërnjave” mes shokësh e miqsh krijues…
Pra, fizikisht nuk ka qënë në asnjerin prej këtyre mjediseve realë…
Por ndonëse Bardhyli ka ndërruar mjedis banimi, nuk ka rreshtur së qëni këtu me ne mbi Tokë.
Ai vetëm në pak kohë mungese ka dërguar në jetë tre foshnja të bukura.
“Se librat si fëmijët janë dhe autorët prindërve u ngjajnë…”
Ata quhen “Këmbanat e zgjimit” – ese dhe kritika letrare.
“Muzeu i miqësive të vdekura” – poezi me kripë e piper.
“Gjendu, gjendu gjëri i huaj…” – fabula e gjëegjëza.
I pari, libër me esse dhe kritika letrare, gjashtëqind e pesëdhjetë faqe ka vlerësime individuale për dukuri të artit, kategori estetike, lojë të ndryshme të artit, vepra dhe autorë nga Jugu, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare…
Janë shkrime të hedhura me dashuri njerëzore, aftësi profesionale, saktësi shkencore e pastërti gjuhësore.
Mendoj se ky libër përbën jo vetëm arritje të autorit, por edhe një risi për botimet e sotme të këtij lloji në Shqipërinë e cunguar londineze.
Vëreni reklamat e ekraneve apo të shtëpive botuese.
Ka qindra tituj vëllimesh me poezi e tregime, dhjetra tituj romanesh e udhëpërshkrimesh, mijëra të ftuar të paemër e të pavlerë nëpër studiot
sikur të pavaruara dhe…
Asnjë libër i botuar për vëzhgime letrare, për dukuri estetike, për risi apo prurje krijuesish…
Por libri i Doktor Bardhyl Maliqit i ka këto që s’i kanë ekrane e reklamat boshe. Ai na dërgon nga atje ku është fjalën e mendimin e tij për të gjitha ato që i ka patur në zemër e shpirt gjatë jetës reale.
I dyti është vëllimi poetik “Muzeu i miqësive të vdekura”. Janë poezi të ngjizura me kritikë e këshillë, revoltë e indinjatë, ironi e satirë, por asnjëherë me sharje, denigrimëe e vulgaritete pijetoresh.
Poeti ndihet ligsht nga prapësitë e pushtetarëve, ndaj i kritikon…
Nga padrejtësitë e konferencave të Perëndimit për coptimin e trojeve tona, ndai indinjohet…
Ndaj madhështisë hipoktite e të rreme të hierarkive drejtuese të vendeve të botës…
Ndaj boshësisë së një femre për të cilën ndien keqardhe që harxhoi kohën kot…
Një tufë poezish flasin për botën e brendshme plot kundërshti, por të pasur në ndjeshmëri dhe në alarm të përhershëm shpirtëror.
Ndjesitë e pasura janë shpirti i tij poetik.
Alarmi i përhershëm është produkt i mosdurimit të padrejtësive nga të sipërmit pushtetarë.
I treti është pagëzuar me vargun aq të njohur të gjëegjëzave çame “Gjendu, gjendu gjëri i huaj…”
Eshtë një vepër dinjitoze që një krijues i rritur ua jep si dhuratë brezave pasardhës, fëmijë e të rinj. S’është një dhuratë lëndore për stomakun, por dhuratë shpirtërore për inteligjencën.
Bardhi duket sikur, sipas profesionit të mësuesit që ka patur, ka thirrur në ulësen e provimit brezat me të cilët jetoi dhe ata që do të vinë pas tyre.
Gjëegjëzat janë krijuar mbi bazën e një strukture rigoroze. Pikërisht, kjo përbën edhe strukturën e vëllimit. Gjëegjëzat janë një prodhim i bukur që ai ua servir falas bashkatdhetarëve për t’u nxitur mprehtësinë e vëzhgimit dhe të zbulimit të së fshehtës.
Le të mos harrojmë…
Edhe botimet me gjëegjëza serioze e të bukura janë një produkt letrar që mungon disi për lexuest e vegjël të vendit tonë.
Dhe krijuesi Bardhyl Maliqi mundohet që ta mbush edhe këtë vakuum…
Kështu pra, ndonëse i ikur nga të gjallët e përkohshëm, krijuesi e lë litarin jashtë në kuptimin përkushtimit dhe përjetësisë.
Bardhyl Maliqi s’është mes nesh…
Megjithatë ai është brenda nesh me veprat e tij të bukura e me vlera të shumëfishta.

Por duhen këmbanat e zgjimit dhe për autorët e përfshirë, për ta kujtuar atë për çka ai shkroi me profesionalizëm ndaj tyre.
-Ibrahim Didani Sarandë, shkruan me zemër në dorë për librin e ri të Bardhyl Maliqit, por unë po sjell një pjesë të shkrimit të gjatë të tij.
“Këmbanat e zgjimit” është një libër voluminoz me 645 faqe, ku përfshihen, skica, ese dhe analiza të librave të mbi 100 autorëve Sarandiot dhe të huaj, të para në këndvështrimin analitik-profesional të Bardhylit si redaktor dhe kritik letrar.
Do të thosha se “Këmbanat e zgjimit”, është një libër me vlerë, me peshë dhe cilësi krijuese të lartë për temat që trajton, të shtrira në vite e dekada të gjata. Shihet dora dhe aftësia e lartë profesionale e profesorit, jo vetëm nga mënyra si i trajton këto tema të rëndësishme, por tek lexon sesi ka derdhur në to, stilin dhe mjeshtërinë artistike të një profesori krijues që e njeh mirë artin e të shkruarit e të ngrihet mbi ato që kanë çfaqur e botuar të tjerët.
“Këmbanat e zgjimit” është një libër dinjitoz.
Në çdo krijim, në çdo analizë të librit të çdo autori, ai bën skanerin artistik, analizën psiko-letrare, shfaq gjykimin e tij profesional.
Pa marrë përsipër të bëj analizën dhe të jap mendime për të gjithë krijuesit që përfshihen në këtë vepër letrare voluminoze, do të sjell vlerësime të çmueshme për tre librat e mi të redaktuar nga vetë ai e të përfshirë në këtë përmbledhje.
“Nuk them se poezitë e Ibrahimit, po ashtu dhe proza e tij e botuar për të rritur dhe fëmijë është krijimtaria e fateve të përcaktuara, por s’mund t’i kërkosh një krijuesi të ri, modest, thurin poetik të Dritëro Agollit, mesazhet filozofike dhe të vërtetat letrare të Ismail Kadaresë, simbiozën artistike të trdidicionales me modernitetit, si në veprat e Martin Camajt.
Ibrahimi ka një shkollim modest dhe ka hyrë paksa vonë në rrugën e letërsisë e krijimtarisë, ndaj krijimet e tij, nuk e kanë parzmën e pretendimeve të firmave dhe individualiteteve të spikatura artistike, por vjen me më të thjeshtët, më njerëzorët, më dinjitozët.
Në qoftë se do huaja diçka nga
“Lulëkuqja” e Asdrenit, do të thoshja se krijimtaria e tij, mbiu vetvetiu e dorë ndihme s’pa!….”
E thënë ndryshe poeti nuk ka patur as kushte, as mundësi për të marrë arsimin e duhur dhe kulturën profesionale të krijimtarisë,
por falë talentit dhe aftësive krijuese filloi të shkruaj qysh në rini nëpër gazeta, të botojë cikle poezish, skica, tregime, në shtypin periodik letrar të paraviteve 90.
Tek libri “Udhë dhe psherëtima ” tregime e novela vjen i kthjellët e plot fantazi krijuese.
Tregon për 40 furrat dhe 40 shënjtorët…që mund të jenë në kufirin e gojëdhënave, histori, apo ngjarje sporadike që shkojnë në boshtet e tregimit imagjinar, por të besueshëm. Tregimtari, me aftësinë dhe talentin e tij të veçantë arrin të depërtojë në mendimin dhe psikologjinë e çdo lexuesi.”

-Ja çfarë shkruan Mexhid Mehmeti nga Prishtina:
“Lajmi i ikjes në amëshim të mikut tim të shtrenjtë Dr. Bardhyl Maliqi, ma ndali frymën dhe më la pa fjalë. Njohja me të zë fill para më shumë se një dekade kur u takuam si pjesmarrës në Maratonën poetike të Sarajevës. Që atëherë nuk i ndërpremë kontaktet dhe bashkëpunimin, duke u takuar herë në Sarandë, ku i kaloja pushimet si mysafir i tij, herë në Prishtinë e gjetiu në manifestime të ndryshme letrare. Si fryt i një bashkëpunimi të tillë janë tri vepra letrare e studimore që Bardhi ia kushtoi krijimtarisë sime, për çka i jam mirënjohës përjetë. Ishte poet brilant, i shpërblyer me dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ishte edhe studjues i mrekullueshëm që dha kontribut të çmueshëm në studimin e shumë fenomeneve letrare dhe krijimtarisë së shumë autorëve që kanë bërë emër në letërsinë tonë kombëtare dhe jo vetëm. Me ikjen e tij, unë mbeta pa krahun tim të djathtë.”

-Bilal M. Maliqi nga Presheva shkruan:
Sapo mora ndër duar librin e Dr.sc. Bardhyl Maliqi, me titull “Këmbanat e zgjimit”, 2024. Aty u prezantova me kritikën letrare e cila i kushtohej krijimtarisë sime letrare. Autori e ka titulluar këtë shkrim: “Bilali di ta kapërcejë vetveten”.
Ndërsa me po të njëjtin titull, autori ka bërë një vlerësim të thukët për librin tim me poezi “Shkreptimë dashurie”.

-Arjana Fetahu Gaba nga Amerika e largët shkruan:
E si të mos gezohem kur në përmbledhjen e shkrimtarëve dhe poetëve, emri im të jetë në librin ” Këmbanat e Zgjimit”, shkruar nga miku im i ndjerë Dr. Bardhyl Maliqi.
M’u mbushen syte me lot, tek lexoja çfarë shkruante per mua, per vete faktin se ky libër u botua pas vdekjes së tij.
Do të doja ta falenderoja personalisht, por jeta keshtu e ka, një rrugë plot nyje e të papritura.
Do ti mungojë kombit, sepse Ishte dhe është vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare, djali nga Konispoli që shkroi për Çamërinë parreshtur, njeriu pakompromise gjithë jetës së vetë.

-Neviana Shehi nga Italia shkruan:
Emocionet janë ndryshe kur papritmas të vjen ndonjë lajm i mirë nga Atdheu. Janë emocione që të japin vetëbesim, të lumturojnë, por edhe të nxjerrin ndonjë lot gëzimi. Dhe ja, mora lajmin se paska dalë libri i të ndjerit Bardhyl Maliqi, “KËMBANAT E ZGJIMIT”, një libër me ese dhe kritika letrare, në të cilin libër Bardhyli bën fjalë edhe për krijimtarinë time, kurse shkrimi mban titullin MANXURANIA E KONISPOLIT, një titull ky jo vetëm që ka simbolikë të veçantë, por edhe që më nderon jashtë mase.
Ndonëse Bardhyli fizikisht nuk është midis nesh, megjithatë sado pak këtë boshllëk e plotëson vepra e tij, përfshi edhe këtë të fundit. Veprat e shkruara janë vepra shpirti dhe ato përjetohen vetëm shpirtërisht.