O’Brien, Grenell dhe Kushner e cilësuan historike marrëveshjen Kosovë – Serbi

 

04 shtator, 2020

Këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O’Brien, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell dhe këshilltari i presidentit Trump, Jared Kushner, e cilësuan të jashtëzakonshme nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Robert O’Brien tha se marrëveshja pasoi një punë të madhe nën udhëheqjen e presidentit Trump.

“Konflikti Serbi – Kosovë po vazhdon me dekada, Ata ishin bllokuar dhe nuk mund të lëviznin përpara për shumë vjet dhe presidenti (Trump) kohë më parë vendosi që ne të provojmë diçka të re, t’i japim fund bllokadës dhe të cojmë përpara procesin e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha zoti O’Brien.

Ndërsa ambasadori Grenell tërhoqi vërejtjen në të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj tha ai, kjo çfarë ndodhi në Shtëpinë e Bardhë është historike.

“Ky është normalizim ekonomik. Është hapi i parë. Mendoj se evropianët do të jenë shumë të kënaqur. Kemi biseduar disa herë në telefon me këshilltarët për siguri në Gjermani dhe në Francë për t’i njoftuar ata”, tha zoti Grenell.

Këshilltari i presidenti Trump, Jared Kushner tha se kjo marrëveshje është një tjetër kapitull që kjo administratë ka arritur ta shkruaj për ta bërë botën më të sigurt dhe më paqësore.

“Kthesa e sotme është vërtetë historike dhe kishim shumë gjera të tilla këtë javë”, tha Kouchner duke vënë theksin tek vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Zyrtarët lartë thanë marrëveshja përfshinë një gamë çështjesh që do të krijojnë hapësirë për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori Grenell tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë detyruar asnjërën palë që të bëjnë ndonjë gjë dhe nuk kanë kërkesa dhe aq më pak ndonjë marrëveshje që do të prekte territoret.

“Kurrë nuk është diskutuar në praninë time”, tha zoti Grenell.

Ai tha se çështja e njohjes së ndërsjellë për të cilën ishte debatuar të enjten, është lënë jashtë sepse ajo do të shtrohet në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat do të vazhdojnë të hënën me 7 shtator në Bruksel.

Çfarë përmban marrëveshja?

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Beograd-Prishtinë”, të nënshkruar më 14 shkurt të këtij viti. Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për hekurudhën Beograd-Prishtinë të nënshkruar po atë ditë.

Më tej theksohet se palët do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në Adriatik.

osova (Prishtina) dhe Serbia (Beogradi) do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare amerikane për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të jetësuar: Autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdarë, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.

Po ashtu palët janë zotuar se do të hapin dhe operacionalizojnë objektin në pikëkalimin e përbashkët kufitar në Merdarë.

Të dyja palët do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vtit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet prej saj.

Të dyja palët do t’i njohin diplomat dhe certifikatat profesionale të njëra-tjetrës.

Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet mes tjerash se të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit

Po ashtu palët zotohen se do të mbrojnë dhe promovojnë liritë fetare, duke përfshirë edhe rifillimin e komunikimit ndërfetar, mbrojtjen e objekteve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore, që janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe, si dhe vazhdimin e kthimit të pronave pa trashëgimi nga periudha e Holokaustit, si dhe të pronave hebreje që nuk i ka kërkuar askush.

Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur. Palët angazhohen që të identifikojnë dhe zbatojnë zgjidhje të gjata dhe të qëndrueshme për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit.

Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë atë.

Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e asaj organizate dhe veprimtaritë financiare nën juridiksionin e tyre.

Kosova, thuhet në tekstin e marrëveshjes, pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për tërheqje e njohjeve për Kosovën dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Të tekstin e marrëveshjes thuhet se Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin, ndërsa Serbia do të zhvendos ambasadën e saj në Jerusalem.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here