R. SH. – Vatikan(Radio Vatikani)
Por para Nënë Terezës, një kujtim tjetër, plot entuziazëm:
“Dje, në Catamarca të Argjentinës u lumnua Mamero Esquiú, frat i vogël e ipeshkëv i Cordobës. Më në fund, edhe një i lum argjentias, e! Qe kumtues i zellshëm i Fjalës së Zotit për krijimin e bashkësisë kishtare e edhe të asaj civile. Shembulli i tij na ndihmoftë ta bashkojmë gjithnjë lutjen me apostullimin e t’i shërbejmë paqes e vëllazërimit. Një duartrokitje për të Lumin e ri!”.
Më pas, kujtimi për Nënë Terezën, që Papa e nisi me një përshëndetje:
“I drejtoj përshëndetjen time Misionareve të Bamirësisë, të angazhuara në mbarë botën në një shërbim shpesh heroik dhe mendoj, në mënyrë të veçantë, për Motrat e Dhuratës së Marisë, këtu, në Vatikan”.
Nuk është hera e parë që Françesku e kujton Shën Terezën.
Ndërmjet shumë rastesh, e pati kujtuar posaçërisht gjatë udhëtimit të tij të 29-të apostolik, në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, ndërsa vizitonte Shtëpinë-Memorial të Nënë Terezës. Prej asaj shtëpie i pati drejtuar Shenjtes shqiptare të bamirësisë, lutjen, të cilën po jua e rikujtojmë në pesëvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës:
O Zot, Atë i Mëshirës dhe i çdo të mire
të falenderojmë për dhuratën e jetës
dhe të karizmës së shën Nënë Terezës.
Përmes Provanisë tënde të pamasë e thirre
të dëshmojë dashurinë hyjnore
ndër më të varfërit e Indisë e të botës.
Ajo diti të bëjë të mira për më nevojtarët,
sepse pa në çdo burrë e në çdo grua
fytyrën e Birit Tënd.
E butë dhe e përvujtë ndaj dikimit të Shpirtit Tënd,
u kthye në zë lutës i të varfërve
dhe i të gjithë atyre
që kanë uri dhe etje për drejtësi.
Duke e bërë të vetën britmën e Jezusit në kryq,
“Kam etje”,
Nënë Tereza ia shuajti
etjen Jezusit në kryq,
me vepra dashurie të mëshirshme.
Të lutemi ty, o shën Nënë Terezë,
o nëna e të varfërve,
të lutemi për ndërmjetsim të veçantë e për ndihmë,
këtu, në qytetin tënd të lindjes,
ku e kishe shtëpinë.
Këtu more dhuratën e rilindjes
në sakramentet e besimit të krishterë.
Këtu i dëgjove fjalët e para të fesë
në familje dhe në bashkësinë e besimtarëve.
Këtu fillove t’i shohësh
e t’i njohësh njerëzit nevojtarë,
të varfërit e të vegjlit.
Këtu mësove nga prindërit t’i duash
më nevojtarët e t’i ndihmosh.
Këtu, në heshtjen e kishës
dëgjove thirrjen e Jezusit për ta ndjekur
në misione si rregulltare.
E këtu po të lutemi: ndërhy pranë Krishtit
që edhe ne të marrim dhuratë hirin
për të dëgjuar me vëmendje dhe kujdes britmën e të varfërve,
të atyre, që privohen nga çdo e drejtë:
të sëmurët, të mënjanuarit, të fundmit.
Ai i Lumi na dhashtë hirin ta shohim
në sytë e atyre, që na vështrojnë
sepse kanë nevojë për ne.
Na dhashtë një zemër, që di ta dojë Zotin
e pranishëm në çdo burrë e në çdo grua,
që di ta njohë ndër ata
të cilët pësojnë vuajtje dhe padrejtësi.
Na dhashtë hirin të jemi, edhe ne,
shenjë dashurie e shprese në kohën tonë,
që ka kaq nevojtarë, kaq të braktisur,
kaq të harruar e kaq emigrantë.
Bëj që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë,
por të jetë e frytshme dhe e vërtetë,
që të mund të japim
dëshmi të besueshme në Kishë,
e cila e ka për detyrë
t’u predikojë Ungjillin të varfërve,
çlirimin të burgosurve, gëzimin të pikëlluarve,
hirin e shëlbimit, të gjithëve.
O Shën Nënë Tereza lutu për këtë qytet,
për këtë popull, për Kishën e tij
e për të gjithë ata, që duan ta ndjekin Krishtin
si dishepuj të Atij Bariu të Mirë,
duke bërë vepra drejtësie, dashurie,
mëshire, paqeje dhe duke shërbyer,
si Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer,
por për të shërbyer e për të dhuruar jetën për shumëkënd,
Krishti, Zoti ynë.
Amen