25.12.2020
Partia Agrare Ambientaliste: Aelita Xhuveli Mani – Kryetare e Lidhjes së Gruas Ambientaliste.Për perspektivat e munguara të gruas në fshat!
Jemi në shekullin e 21-të dhe detyrohemi ende të bëjmë opozitë duke kundërshtuar për fenomene kaq bazike por edhe të rëndësishme si barazia gjinore dhe mbështetja social ekonomike dhe financiare për gratë në përgjithësi dhe ato fermere në veçanti, të cilat janë lënë pas dore dhe të pambështetura në përpjekjet e zhvillimit.
Pas tre dekadash në tranzicion, sot me keqardhje ne shohim që situata e gruas dhe diversifikimi ekonomik në zonat rurale të Shqipërisë, qeveri pas qeverie, dhe sidomos nën qeverisjen Rama në pesëvjeçarin e fundit, ka ardhur duke u përkeqësuar. Janë rritur në masë problemet e dhunës, aspektit të së drejtave dhe mundësive të barabarta, vazhdon problemi i pabarazisë së të drejtave mbi tokën, sipërmarrjes së gruas nëzonat rurale e cila vazhdon të jete ende e dobët, me shkallëtë ulët të pjesëmarrjes në tregun rural të punës, përballjes me mungesën apo nivel të ulët të edukimit dhe pjesëmarrjes në trajnime.
Tendenca e arsimimit të grave në zonat rurale sipas (INSTAT) sa vjen e ulet me rritjen e moshës së tyre, duke pësuar rënie pas vitit të 5-të të shkollimit.Shto këtu edhe fenomenin e mbylljes së shumë shkollave.
Prej vitit 1990, sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30%, ku gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes Rama në total janë mbyllur 149 shkolla në zonat rurale në të gjithë Shqipërinë – në masën dërrmuese të ciklit fillor dhe arsimit bazë, ku edhe atje ku janënë zonat rurale shpesh funksionojnë me klasa kolektive, me bullizmin si problem verbal në rritje.Më të prekurat nga këto fakte dhe probleme janë vajzat në zonat rurale dhe të thella malore. Nga kjo situatë e përkeqësuar pa akses në shkollim ato e nisin jetën të diskriminuara pa mbështetje social ekonomike, duke rritur pasigurinë e tyre për jetën, gjë që ka çuar edhe në uljen e lindjeve dhe rritjen e migracionit, kryesisht të meshkujve të pamartuar (me përqindje emigrimi potencial prej 64.6% në vitin 2018). Këtij faktori i shtohet edhe numri më i lartë i emigrimit të personave të mirëarsimuar në vendet ku kërkohen punonjës të kualifikuar.
Ky shpopullim i fshatit kryesisht nga meshkujt dhe mungesa e perspektivës së zhvillimit për femrat e lëna pas, duhet t’i tingëllojë këmbanat e alarmit qeverisë shqiptare për hartimin dhe implementimin e politikave realiste sociale për vajzat dhe gratë e këtyre zonave, të cilat duhet të shihen si potencial zhvillimi i bujqësisë, këtij sektori strategjik të ekonomisë në këto kohëra mungese alternativash zhvillimi, dhe jo të lihen si një grup i marxhinalizuar, për të cilin trumbetohen herë pas here mbështetje të cilat nuk shkojnë në thelb të problematikave të tyre sociale, të cilat i kanë rrënjët të thella në padrejtësitë që në rritjen e tyre me një mentalitet maskilist të prapambetur dhe shkollimin e tyre të mangët.
Por jo vetëm kaq, gruaja rurale dhe ajo fermere kaakses të ulët për mos të thënë aspak ndaj mbështetjes financiare të shtetit apo donatorëve. Kështu Programi IPARD, skemëmbështetëse financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, trumbetoi ndihmë të grave fermere, por është për të ardhur keq që mbështetja për to nuk shkoi as në 1,7 % të totalit prej 94 milionë euro tëfondit deri në 9 mujorin e parë të 2019-tës. Gratë rurale mund të mos luajnë një rol kaq të rëndësishëm në shumë ferma të mëdha tregtare, por pa to në fermat e vogla lokale nuk do të mbijetonim.
Gratë janë shtylla kurrizore e ekonomisë rurale, te cilat krahas detyrave per rritjen e fëmijëve, shpesh luajnë një rol kryesor per sigurimin e ushqimit per familjet e tyre dhe atë të komunitetit. Fermeret femra gjithashtu përjetojnë stres dhe lodhje të shtuar dhe janë të pambështetura me politika sociale dhe skema financiare mbështetëse. Natyrshëm ato janë lidhja njerëzore midis fermës dhe tryezës.
Në ketë rol, gratë mund të jenë nxiteset e ndryshimit për bujqësinë, ushqimindhe zhvillimin rural, duke qenë miqësor me mjedisin.
Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 e ka vështirësuar dhe rritur edhe më shumësituatën dhe problematikat. Në zonat rurale është evidente pabarazia gjinore, punësimi joformal, angazhimi i papaguar në punët familjare bujqësore si dhe në aktivitete të tjera shtëpiake dhe prodhuese, dhe me të drejtë mund ti quajmë “Menaxheret e papaguara”.
Ky kalvar diskriminimi indirekt social edhe si pasojë e mos-ndërhyrjes institucionale efektive në ndihmë të femrave në zonat rurale, i cili fillon që në hapat e para për këto vajza, vazhdon edhe kur ato rriten dhe krijojnë familjet e tyre. Jetesa e gruas në fshat praktikisht vazhdon e vështirësohet duke bërë që ajo të strapacohet e të ndajë kohën dhe fuqitë e veta ndërmjet punëve të shtëpisë, përkujdesit për fëmijët, të moshuarit, apo punimeve për konsum personal të ndonjë copë toke private prapa shtëpisë.
Sipas shkrimtarit Harv Eker, nëse dëshironi të ndryshoni frytet, do t’ju duhet fillimisht të ndryshoni rrënjët. Nëse doni që të ndryshoni të dukshmen, duhet të ndryshoni fillimisht të padukshmen. E pra, gratë e sidomos ato fermere në fshatrat tona të bukura e me halle, janë ajo shtresë e popullsisë nga e cila vjen jeta, nga ku i kemi rrënjët tona të padukshme, por të cilat na duhet t’i ujisim më shumë me programe që fillojnë që në fazat e hershme, me ndërtimin e infrastrukturës arsimore, të transportit, të trajnimit të mësuesve, të psikologëve në zonat rurale me projekte të përshtatura për mentalitetin e fshatit lidhur me rritjen e vajzave, duke vazhduar më tej me projekte për integrimin e tyre shoqëror dhe në ekonomi, si kontribuese kryesore në punën e brendshme të papaguar (INSTAT: 5:43 orë).
Në një kohë kur bujqësia shihet si një sektor strategjik për hapjen e negociatave me BE dhe kyç për kalimin sa më të lehtë të krizës së ekonomisë botërore si pasojë e pandemisë së COVID-19, është deçizive që Shqipëria të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këtë drejtim duke ofruar skema ndihme të posaçme jo vetëm për fermerët në përgjithësi por për gratë fermere në veçanti.
Pervoja e vendeve te zhvilluara ka treguar se strategjitë e mbështetjes së grave në përgjithesi dhe në zonat rurale dhe të thella malore në veҫanti, për më shumë mundësi financiare dhe akses edukimi dhe shkollimi ka dhënë impakte pozitive dhe ndikim në zhvillimin ekonomik, social, politik të një vendi, në favor të mirëqënies afatgjatë të shoqërisë.
Partia Agrare Ambientaliste (PAA) dhe Lidhja e Gruas Ambientaliste (LGA) e njohin dhe vlerësojnë rolin kritik dhe kontributin e grave rurale, në rritjen e zhvillimit bujqësor dhe rural, përfshirë përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe çrrënjosjen e varfërisë rurale. Ato zënë vend të rëndësishëm në programin për mbështetje dhe zhvillim të Partisë Agrare Ambientaliste.