Erinë Rrahmani, “NATËN E MIRË HËNË“, vjersha, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2010, faqe 128. ISBN 978-9951-06-310-4
PROLOGU:
Sa herë vendos të lexoj libra me vjersha dhe poezi për fëmijë, më kujtohet një shqetësim i bardit kosovar të letërsisë për fëmijë Rifat Kukaj, që e pat thënë me mjaftë dëshpërim se: “Nuk thuhet, por mendohet se poetët për fëmijë nuk janë shkrimtar?!”. Fatkeqësisht sintagma e atij mendimi sikur është ngulitur thellë në mendjen time, prandaj librin e Erinë Rrahmanit e nisa për ta lexuar po me atë paragjykim, gjë që nuk është mirë. Libri me vjersha, “NATËN E MIRË HËNË“, më doli i mrekullueshëm, dhe bëra mirë që e lexova me pasion.
Ky libër është ndarë në tre njësi ciklike: “SY NË ZEMËR”, “ËNDËRR NË AKUAREL” dhe cikli “OREKSI PO(ETIK)”. Në secilin cikël shpaloset një imagjinatë që ka plot fantazi, ironi, porosi dhe mendime të vyeshme, sa që mendjen ta kthen në moshën e re, përkatësisht tek imagjinata e fëmijës.
Cikli: “SY NË ZEMËR”
Libri dhe ky cikël nisin me poezinë kushtuar “Flamujve”, në të cilën shprehet një dashuri e çiltëri për flamurin tonë për të cilin autorja ka admirim, madje me përjetime sentimentale, emocione që qesin në pah aspekte edukative e pedagogjike, pasi me të “pavarësia na i mbushi zemrat” dhe asaj i vjen një ndjesi “sa herë atë e mban në duar” ndonëse edhe në këtë poezi shprehet një nostalgji për flamurin që kishim me shqiponjë sepse me atë flamur “dashuria për atdheun mbante erë”, përkatësisht ai flamur “kushtrim i luftës ishte për ne”,faqe 10.
Motivet e poezive janë nga më të ndryshmet, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me botën e fëmijës, me sendet përreth, me përditshmërinë, me raportet ndërnjerëzore, me zhvillimet teknike e teknologjike, pra me ato gjëra që i ka imagjinata e një fëmije, përkatësisht imagjinata e poeteshes që ka depërtuar thellë në botën krijuese të fëmijve, ndonëse edhe vet është e re. Në këtë plan ajo shkruan për hartën gjeografike në të cilën bëhet një bisedë – rrëfim mjaftë interesant. Pastaj vjershë e bukur është ajo “Mëso të falësh”, e cila është një poezi edukative dhe me porosi të qarta:
T’gjithë mund të bëjmë gabime
Askush s’është i përkryer
Por një gjë duhet ditur mirë
Tjetrin asnjëherë s’duhet fyer
Faqe 13.
Vjersha “Si ta bësh një poezi?”, sikur i qet poshtë të gjitha teoritë e letërsisë të cilat kanë bërë shumë interpretime, por Erinë Rrahmani me këtë poezi hynë thellë në psikologjinë e fëmijës, duke mos qarë kokën fare për teori e interpretime ajo shkruan:
Gjithçka në këtë botë
Të dashur fëmijë
Kur e prek shpirtin
Bëhet lehtë poezi
Faqe 14.
Duke shkuar më tutje në labirintet e mendimit psikologjik të cilën ua përshtat imagjinatës së fëmijëve, me ç´rast ka krijuar një peizazh të bukur, sepse poezia është fëmija, është dashuria, toka, uji e qielli. Pra, gjithçka përreth duke përfshirë edhe gjithësinë është poezi. Një imagjinatë e mirë ku buzëqeshjen do t’ia ngritë edhe atij që ndjehet mbret i poezisë sepse vetëm thjeshtësia dhe mirësia për të bukuren e bëjnë poezinë, shkruan ajo, ashtu sikurse tek vjersha “Ura që lidh zemra”, kemi një motiv human me porosi të qarta edhe në raportet ndërnjerëzore, pasi nga përfundimi i saj del se:
Disa bashkojnë ëndrra
Apo ndajnë momente
…
Por mbi të gjitha ato ura
Zemrat tona kur bashkojnë
Janë të larta e të forta
Erërat nuk mund t´i rrënojnë
Faqe 15.
Po ky motiv, por në një formë tjetër është i paraqitur edhe tek poezia “S´blihet gjithçka me para?”, në të cilën poetesha shprehet:
Nuk ka çmim që ta vlerësojë
Lumturinë dhe shëndetin
Se asgjë s´do të ndryshojë
Nëse n´para e shndërrojmë detin
Faqe 17.
Poetesha Erinë Rrahmani, ka një imagjinatë për ta zgjeruar fantazinë kudo dhe kahëdo, madje ajo shkruan vjersha për shkollarët e rinj, ta zëmë se çfarë mund të ndodhë “Për një minutë”, qoftë kjo si inspirim, por në aspektin pedagogjik është poezi që ndikon në vetëdijesim dhe cyt imagjinatën e fëmijës:
Për një minutë
Vjen me vonesë
Minutës i bie faji
Që t´i merr mungesë
Ndërsa vjershën e përmbyll me porosi të qartë, që të mos humbim kohën kot për kohën e shkuar, për gjërat e ndodhura më parë pasi:
Koha është thesar
Mos ta humbim miq
Minutën që ikën
Lëre mos e ndiq
Faqe 21.
Erinë Rrahmani, shkruan për hënën, për gjumin dhe ëndrrat, për raportet e vajzës me prindërit, me nënën dhe gjyshen, për ndejat duke pi çaj e kafe, për mysafirët, për gratë llafazane e për shumë gjëra të tjera. Po ashtu ajo shkruan poezi edhe për veset në shtëpi, për politikën e cila ndikon edhe në marrëdhëniet e brendshme familjare, sidomos atëherë kur babi shikon në televizion mbledhjet e gjata, kurse ajo ka dëshirë të përcjell një lojë futbolli, etj. Këto qasje bëhen herë me ironi e herë me humor, pak drejtpërdrejt më shumë tërthorazi, gjithsesi me nota edukative i përmbyll poezitë të cilat manifestohen si ndjenjë optimiste, duke sugjeruar për t´i lënë veset e këqija, kurse fëmijët patjetër duhet të përmirësohen.
Duket sikur poetesha s’ka lënë pore të jetës pa prekur imagjinata e saj?! Ta zëmë, ajo ka shkruar për rrëmbimin emocional të shokëve dhe shoqeve të klasës të cilët shkojnë në bibliotekë, aty ku zakonisht mësojnë studentët. Ja si e përshkruan një situatë të tillë:
Ne si zhurmaxhi
Hymë si me të drejtë
Brenda kish qetësi
Mu si det i qetë
Ndërsa në strofën vijuese ajo me konsekuencë e paraqet urtësinë e bibliotekistit, sjelljen e tij dhe kulturën edukativoarsimore që rrezaton në këtë tempull kulturor:
Mos bëni shumë zhurmë
Tha xhaxha Agroni
Vetëm rrini urtë
Lexoni çfarë të doni!
Faqe 25.
Një dialog mjaftë interesant bëhet me tabelën e shkrimit, (dërrasën e zezë), me penën, stilolapsin, makinën e shkrimit, me kompjuterin e deri tek “Ora e saj që kërkon pushim”?!… Erinapasi ia përmend orës të gjitha meritat, punën që e bënë pa ndal, diku mes strofave ajo e shtron edhe këtë ide:
Tash jetojmë në demokraci
Dhe secili punëtor
E ka të drejtën që çdo ditë
Të punojë vetëm 8 orë
Faqe 31.
Një gjë që vihet re tek ky libër është ajo se të gjitha sendet, që janë figura të poezisë për Erinë Rrahmanin, flasin, ankohen, protestojnë dhe i kundërshtojnë padrejtësitë që bëhen ndaj tyre, dhe si poete e mirë që është, tamam është futur në psikologjinë e gjeneratës së re, andaj ajo bëhet avokate duke arsyetuar sendet për të cilat sjell përfundime humane dhe të dëshiruara, siç ka ndodhur edhe tek vjersha që folëm më parë:
Jo veç ajo (ora) po çdo punëtor
Që gjatë vitit shumë punon
Ka dëshirë edhe nevojë
Ndaj pushimin e meriton
Faqe 32.
Pra sipas këtij motivi edhe ora e merituaka pushimin?! Prandaj për prishjet dhe lodhjet e tyre nuk duhet me u hidhëruar, sepse edhe ato kanë shpirt, pra shpirtin e një imagjinate poetike që këtyre sendeve ua paska dhënë poetesha Erinë Rrahmani.
Në një poezi tjetër trajton hallet që kanë rrugët e qytetit. E nëse kjo poezi nuk lexohet askujt nuk do t’i shkon mendja se çfarë hallesh bartin rrugët e qytetit të saj pa lum, madje brenda poezisë janë përmendur edhe dy lagje karakteristike “Dardania” dhe Arbëria”. Por sipas Erinë Rrahmanit:
Rrugën që më qon në shkollë
E mbyt vrapi pa ndal
Se mos arrijmë me kohë
Për të zënë orën e parë
Kurse rruga e spitalit tërë ditën e kalon në ankth, pasi zakonisht bart të sëmurët, ndërsa në Lagjen Dardania, rrugët ndryshe i mbulon nata, pasi të rinjtë atje “i mbulon kënga e gallata”, ndërsa rrugët atje në Arbëri, pasi gjendet stacioni i trenit(?), vazhdimisht: “…mbytet me zë/ Ka pikëllim gjithmonë brenda/ Se të merr e s´të kthen më!”, faqe 33. Ndërsa rruga e fundit, ajo njëkahëshe, të dërgon në Lagjen e Varreve, të cilën e paskan marrë banorët që nuk u kthyen më kurrë në mesin e të gjallëve?!…
Poetesha Erinë Rrahmani nuk ka harruar të shkruan poezi edhe “për zemërimin e natyrës” por edhe kur “vera ikën me të gdhirë”, në të cilën përshkruan stinën e verës, për lule, për zogjtë që ikin, për dallëndyshet që shkojnë në dhera të nxehta, por sa interesant kur i gjithë faji bie mbi “muajin tetor”, i cili: “…vjeshtën e ka ftuar/ Mysafire për ca muaj”, faqe 35, e pastaj ajo vetëm kujtimet e verës në zemër do t´i ruajë.
Kur jemi tek rrobat e saj të cilat përveç që grinden e flasin, ato jo pak hidhërohen pse nuk i përdor këtë e atë kostum a çorape, me të cilat ka ndërtuar një bisedë alegorike, të pranueshme dhe mjaftë interesante, sepse rrobat e saj të gjitha kanë nga një histori: “Që mbetën në mua/ Dhe në poezi”, faqe 38. Po ashtu kemi dialogun e luleve, kopshtit, trëndafilave, zymbylit, sythave e petaleve, gjetheve të gjelbra të cilat prodhojnë një dialog të imagjinuar që vetëm gjuha e poeteshës mundet t´i artikulon. Këtë mendim e plotësojnë më mirë poezitë: “Protesta e çorapeve”, “Dialog kapelash” dhe poezia “Ç´thonë syzet e Vjosës”, por me një koncept tjetër ku i trajton raportet shoqërore janë poezitë “Nënë çka është filozofia” dhe “Kur përfundon politika”, të cilat sjellin atë preokupimin i cili e shfaq tërë botën krijuese, imagjinatë kjo e rrallë dhe e realizuar në aspektin poetik mjaftë mirë.
Për t’u veçuar është poezia “Parlament fëmijësh”, jo aq për imagjinatën dhe fantazinë sa për gjuhën elekuente, humorin e lehtë, pa vulgarizëm, pa sharje dhe pa mohim të strukturave politike dhe të politikajve. Natyrisht, poezia është mision edukativ e arsimor, kurse Erina si poete është e vetëdijshme se fëmijet e kësaj moshe nuk duhet mbushur me vrerë, kundër parlamentit dhe kundër udhëheqësve të vendit të tyre. Imagjinata e saj flet për lojën e fëmijve pa përdorur asnjë fjalë vulgare dhe poshtruese, gjë që është specifikë e librit si tërësi, ndërsa rima dhe ritmika, (me ndonjë përjashtim shpërifillës), janë mjaftë funksionale, për çka si poete, si nxënëse dhe krijuese e re e meriton vëmendjen e kritikës letrare!…
Cikli: “ËNDËRR NË AKUAREL”
Cikli i dytë “ËNDËRR NË AKUAREL”, në të cilin janë përfshirë 23 poezi të ndryshme, po ashtu e ka për bosht trajtimi botën e fëmijëve, vetëm se tematika zhvendoset në disa probleme të tjera të cilat lidhen kryesisht me shkollën dhe me aspekte të tjera shkencore. Poezi e parë e këtij cikli është “Matematika e Agimit gjatë një viti”, në të cilën jepen përllogari interesante: Sa qortime, trillime, të fshehta, të vërteta, mungesa, premtime se kështu:
Këto janë shënimet
e shokut Agim
që mendon për marrëzira
e fare pak për mësim
Faqe 58.
Poezi me tematikë nga matematika janë edhe “Ankesa e zeros”, “Botën e sjellin numrat”, për t’u pasuar me poezinë “Hallet e shtëpisë”, ku shfaqen përsëri problemet e llogaritjes së borxheve dhe të obligimeve komunale të cilat alterojnë kah matematika. Pastaj në poezitë tjera trajtohen raportet ndërshoqërore, problemet e ndryshme, gjendja sociale në të cilat atakohen veset e këqija, dukurit, kompromiset, krekosjet e panevojshme, ta zëmë raportet “berberi – gërshërët”, “treni – binarët”, “dielli – hëna”, deri sa dielli do ditën, hëna kërkon terrin e kështu me radhë. Poetesha nuk e ka harruar as teknologjinë e re, internetin, telefonat celular, në të cilat shprehen imazhe interesante, sidomos tek poezitë “Me telefon në xhep”, “Epidemia MSN”. Por përveç veseve të këqija dhe mënyrës tjetër të jetës, ajo ka nostalgji për të kaluarën për të cilën ka nota sentimentale, por Erinë Rrahmani është e vetëdijshme se hovi i këtyre zhvillimeve nuk ndalet, andaj ajo i numëron anët pozitive:
Tash kudo që të jesh
Përgjatë kontinentit
Miqtë i ke shumë afër
Faqe 78.
Në këtë cikël ndeshet një qasja ndaj problemeve urbane në të cilat përfundimin e nxjerr si skema të bukura dhe përplot pasion e me shumë ironizime duke e ballafaquar boten materiale me atë shpirtërore, por Erinë Rrahmani, aspekteve shpirtërore dhe atyre humane më shumë ua jep krahun. Metafora të shumta dhe të lezetshme dalin edhe te poezia “Diplomacia e një sapuni”, dialogu i të cilit është interesant, por rëndësia higjienike që ka sapuni, sikur i jep atij më shumë të drejt, kur shkruan se:
Mikrobeve pas lojës
S´iu zgjat shumë rehatia
Dhe nga një e prekur
U shuhet mbretëria
Faqe 89.
Ka edhe mjaftë gjëra të tjera të zakonshme dhe mjaftë të rëndomta për të cilat vetëm imagjinata e saj i ka vënë në poezi. Këto fenomene trajtohen tek poezia “Fqinja kureshtare” si dhe tek poezitë: “Ashensori”, “Si lidhet kravata”, “Horoskopi gënjeu edhe sot” etj. Kurse te poezia “Mikut tim jashtëtokësor”, dallohet një prirje pak më ekzotike, ca si misterioze, por ajo që bie në sy janë kritikat që ua bënë veseve të grave. Ndoshta pasi vet është femër, ajo i ndien dhe i përjeton më mirë këto dukuri të cilave si duket u ka dhënë prioritet në këtë libër, ndoshta ka pasur qëllim për t´i plotësuar standardet “demokratike” për përfaqësim më dinjitoz të grave, ku me siguri kuota mbi 50% vetëm brenda këtij libri, në këtë plan është siguruar?!…
Erinë Rrahmani, edhe në këtë cikël ka ndërtuar me shumë sukses botën e saj krijuese, duke u shquar si një poete që poezinë për fëmijë e trajton në prizmin e suksesit dhe të perspektivës.
Cikli: “OREKSI PO(ETIK)”
Këtë cikël e përbëjnë vetëm 9 poezi me tematikë, kryesisht nga shkenca e “gastronomisë”, por Erina nuk e ka hallin e përbërësve kimik a biologjik të gjërave ushqimore, ta zëmë për sheqerin dhe kripen, ajo si poete me një fantazmë dhe imagjinatë të paparashikueshme trajton raportet ndër(njerëzore?!) të këtyre substancave, aspekti i ndikimeve të tyre në organizëm, për mungesën e njërit a tjetrit sa dialogu dhe konflikti ndërmjet tyre u dashtë “gjykatësit çështjen për t’ia kaluar”. Argumente e kundër argumentet, të njërës palë, dhe palës tjetër të përfytyrojnë konfliktin partiak të ditëve tona, në kurthin e të cilit ranë naivitetet, pikërisht atëherë kur kompromisi u gjet dhe atëherë kur u kuptua se nuk ruhet baraspesha, pasi nuk bënë as pa krip e as pa sheqer, madje siç thotë ajo:
Se dhe jeta është e tillë
Ëmbëlsi me pakëz kripë
Faqe 111.
E në këtë cikël e kemi edhe një pozi të bukur ku ajo bëhet “Fli për një fli”, pastaj poezitë: “Monologu i çajit”, “Revolucioni i specave”, “Pse s´e ha piten me kungull”, “Mish dhe armiq të tjerë”, “Çamçakezi” dhe “Misteri me shumë shije”, të cilat shpalosin një botë përplot imagjinatë, kurse poezia thotë: Erinë Rrahmani ka dëpërtuar thellë në psikologjinë dhe fantazinë, andaj ngjarjet me lehtësi i kthen në poezi!
EPILOGU:
Tani po i rikthehem mendimit të bardit të letërsisë për fëmijë Rifat Kukaj, të cilin e sallo në fillim të librit ku ai kishte thënë se“Nuk thuhet, por mendohet se poetët për fëmijë nuk janë shkrimtar?!”. Pikërisht libri i Erinë Rrahmani, “NATËN E MIRË HËNË“, i heq këto dilema! Pasi ne mendojmë se shkrimtar me emër, (por që shkruajnë vetëm poezinë për të rritur), e kanë të pamundur me e zhvilluar këtë imagjinatë, kur dihet se pa të nuk sendërtohet një nivel i arrirë i poezisë për fëmijë. Erinë Rrahmani këtë e ka bërë, madje atëherë kur është në fillimet e fëllimeve të karrierës së saj, prandaj nëse i ndodhë heshtja dhe shpërfillja e kritikës letrare, ajo nuk duhet të brengoset. Kjo brengë të mos i bëhet preokupim krijues, sepse edhe shkrimtarë të mëdhenj e kanë përjetuar në shpirt: heshtjen, injorimin dhe shpërfilljen e kritikës, madje edhe injorimin se gjoja “poetët për fëmijë nuk janë shkrimtarë”.
Pa dyshim, me këtë libër, Erinë Rrahmani, është dëshmuar si një shkrimtare, e mirë, e talentuar dhe njëkohësisht e Madhe!…
Shefqet DIBRANI