Në ty u rrita
Në ty fëmijërinë e kalova
Në ty me rininë u mashtrova
Në ty krijova familje
Në ty Zoti jetën ma stolisi
Me gjashtë fëmijët engjëj
Në ty djersa e babait
La gjurmë të përjetshme
Në ty nëna fshihte
Dhembjen për rriten time
Në ty tash babai pushon
Në tokën e trembur
Aty tash edhe nëna sipër ka
Gjelbërimin që përcëllon
Pejë
Me ty rashë dhe u zgjova
Me ëndrrat e ndrydhura
Më ty kudo që shkova
Në zemër të mora
Pejë
Me ty u gëzova
Me ty u pajtuam e nuk u pajtuam
Më ty në mëngjes
Gjithmonë të përqafuar u zgjuam
Me ty u hidhërova e gjatë nuk fola
Me ty botës së shurdhër
Ia kënduam e historinë ia shpjeguam
Pejë
Çfarë të bëjmë tash
Shumë letra kemi shpaluar e shfletuar
Shumë defterë të vjetër e të rinj
Dhe prapë sikur jemi aty në fillim
Aty ku dikur jemi zgjuar të përqafuar
Pejë
Sido që të jetë
Në këtë kohë e në këtë moshë
Malli dhembja e dashuria
M’u kanë shtuar më shumë se kurrë
Të rrimë edhe tash të përqafuar
Nën ato pishat të Livadhi i Sakës
Të freskohemi pak
Me ujin e kroit të Mulla Dërvishit
Dhe nga aty
Të digjemi e përcëllohemi
Duke e parë nga lartë qytetin
Pejë
Po kush ka fuqi të na shpalojë historinë
Që është në një libër të veçantë e të pahapur
Edhe fare të pashkruar
Kush ka fuqi të na ndajë ne të dyve
Pejë
Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime
Ndoshta ndër vite të kam bezdisur
Me këto shkrimet e mia
Edhe me vargjet e serta
Por nuk bën të mos shkruhet
Për Dudin Plak në Patrikanë
Për Jarinën e përgjakur e të heshtur
Ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu
Pejë
S’ka si të mos shkruaj
Për varrezat edhe në Karagaq
Edhe te Xhamia e Deftedarit
Edhe për varrezat te Hamam Xhamia
Edhe për varrezat te Kalaja
Edhe për ato të Shehitëve e të Mortajës
S’ka si të mos shkruaj
Edhe për Varrezat e Gjata
Për ato të Kakariqit e të Hallaqës
Pejë
Pra, si të mos këndohet për këtë histori
E cila sipër tokës pak ka gjurmë
Kurse eshtrat flasin e kuvendojnë
Për ty Pejë
Që Bjeshkët e Nemuna të rrethojnë
Flasin e kuvendojnë për Kosovën
Për atdheun e shkapërderdhur
Pejë
Nuk ka si të mos shkruhet
Për shenjat e historisë që pak të kanë ngelur
Se nuk i kemi ruajtur
Pak i kemi hedhur dritë dhembjes e krenarisë
Pejë
Shkrumb e kam të flas
Edhe për rrugët e kalldrëmin
Edhe për krojet e mëhallëve me ujë të freskët
Edhe për mullinjtë
Ku bluanim miellin e bukës së gojës
Pejë
E di edhe ti
Nallanet e nënave dhe të nuseve
Madhështonin me rrak-taket e tyre
Edhe të vashave
Të cilat me padurim prisnin akshamin
Për t’i mbushur kënatat dhe bakallët me ujë
Pejë
Si të mos shkruaj për djemtë e tu
Që u bënë shtyllë e lirisë
Si të mos thurë vargje
Edhe për Çarshinë e Gjatë
Që katër herë u dogj e u bë shkrumb
Nga pushtuesit e armiqtë e kësaj toke
Që ishte themel i ekonomisë e i trashëgimisë
I vlerave shpirtërore dhe kulturore
Pejë
Si të mos shkruaj për këngën tënde të bukur
“…n’Çarshi t’Vogël te ‘i dugojë e vjetër, aty rrishin tre pejonë…prejshin tirq me gërshonë…”
Pejë
Kam për të kënduar
Edhe për Kullën e Sheremetit si burg e histori
Për Hamamin e qytetit
Ku edhe sot të ngujuara janë edhe shumë dëshmi
Pejë
Më dhemb edhe tradhtia për ty
Nuk di si të shpjegohet kjo
Por, historianët le ta mbledhin mendjen
Le t’i mprehin lapsat
E dhembshme është kjo
Por duhet të thuhet e të ndriçohet
Pejë
Një ditë vetëm ty do të tregoj
Për do njerëz që aq shumë i desha
Që shpirtin ma lënduan
Me poshtërsitë dhe tradhtitë e tyre
Do të jetë i dhembshëm edhe ky rrëfim
Dhe nëse unë qajë duke rrëfyer
Pejë, të lutem ti mos qaj por vetëm regjistro
Pastaj atë histori të fjalës
Varrose në shtatë palë tokë
Aty ku nuk del bar as nuk mbijnë lule
Pejë
Si të mos këndoj edhe për Spitalin e Mushkërive
Ku janë kalbur dhe dergjur
Mushkëritë e të rinjve nga Peja e Kosova
Por, edhe për këtë
As ti as unë nuk do të tregojmë gjë
As për dhembjet dhe mallin e nënave
Për fëmijët e tyre
Pejë
Edhe do përmendore i ke
I ke tash edhe do të tjera
Por njëherë le të ulemi pranë Shatërvanit
E të shlodhemi e pak të pushojmë
Se kemi edhe shumë për të thënë
Të vazhdojmë sërish:
Ti Pejë dhembja dhe krenaria ime
E si të mos shkruaj
Edhe për liqenin e Karagaqit
Me ulëset valë nga dashnorët
Pejë
Si të mos shkruaj për Dulinë
Si port deti për të mbushur qytetin
Me mallra e me qytetarë nga rrethina
Për ta bërë madhështor tregun
Pejë
Po lagjja Dardania
Të kujtohet tragjedia më e re e saj
Që u djeg e u shkrumbua
Që banorët e saj armiku i vrau
E shumë të tjerë nga trojet i dëboi
Pejë
Po shkojmë pak pa rend
Por a të kujtohen Netët e Dukagjinit
Ku jehonte kënga dhe zëri
I vashave dhe i djemve tanë
Pejë
E për teatër
Nuk ka letër as defterë
Historinë për t’ia shkruar
Pejë
Nata në ty është e gjatë
E dita shumë e shkurtër
Se ti nuk e duron gjumin e parehatshëm
Por nuk e duron as heshtjen
Kurrë nuk ke qenë memece
Pejë
Si të mos shkruaj për Rexhep Gjykën*
Për Ademin* e Monin*
Për “Shaban Arushën”*
Dhe për “Palën”* simpatik të qytetit
Të gjithë këta ishin karakteristikë e qytetit
Pejë
Si të mos shkruaj
Për Haxhi Mevlanë* që si Khajami
E kishte në qejf rakinë
E pa te zejtarët dot nuk merrnin frymë
Pejë
Ka edhe shumë gjëra të tjera
Që ty të madhështojnë
Por duke i lexuar këto vargje
Edhe juve shumë thesare të tretura ua përkujtojnë
Pejë
A i mbanë mend të gjitha këto fjalë
Që ndoshta duken pa vlerë e fantazi
Por kjo nuk është me rëndësi
Peshë ka ajo
Që duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti Pejë dhembja dhe krenaria ime…
(©S. B.)
*Rexhep Gjyka, Ademi, Moni, Shaban Arusha, Pala, ishin njerëz me handikape të ndryshme, por që ishin “hijeshia” e qytetit dhe e Çarshisë së Madhe.
*Haxhi Mevlaja, ishte haxhi, por alkoolin e kishte në qejf, si Khajami, kurse zejtarët e Pejës e konsideronin për njeri të mbërrimë, dhe shpesh kërkonin këshilla dhe lypnin qare nga ai. Ishte nga Vushtrria, por Pejën e kishte vendbanim të përhershëm. Varri i tij gjendet në Vushtrri, dhe sot e kësaj dite në festa të ndryshme fetare e vizitojnë varrin e tij.