FITORJA E SAMOTRAKËS
Ajo fluturon drejt fitores
E fisme, kryelartë, madhështore, e pushtetshme
Duke mbajtur
Pa dyshim
Në dorën e saj të fuqishme
Hakmarrëse
Një shpatë të çeliktë
Me të cilën ajo do të mund të godiste
Armikun
Duke e bërë copë e çikë
(Po qe se ajo do të kishte krahë).
Mbasi
Që prej shumë kohësh
Ajo nuk merr pjesë në beteja,
Disa gojë të liga thonë
Se duart e saj
Do të jenë gjithmonë të pastra.
(Po qe se ajo do ta kishte duar).
NË MBROJTJE TË VULLKANEVE
Vullkani është i llahtarshëm.
Kur shpërthen,
Ai shkatërron gjithçka që i del përpara.
Kushedi sa gjëra i varros në hi.
Megjithatë rrafshina është kaq pjellore
Falë hirit të tij.
SHQIPONJA
Richard Bohringer-it
Shqiponja qëndron në lartësira,
Ajo ka një shikim tetë herë më të mprehtë
Sesa shumica e njerëzve
Ajo ravijëzon rrathë të mëdhenj në qiell
Para se të lëshohet pingulthi
Me një shpejtësi prej 300 km në orë
Mbi prenë e saj
Ajo është monogame
Tërë jetën rron në çift…
(Jo,
Ne nuk jemi shqiponja të gjithë…)
BUSULLA
I dashuruari
Është si gjilpëra e busullës
Mund ta tundësh fort
Ta hallakatësh
Besnike ndaj vetvetes
Gjithnjë ajo kthehet
Në vendin e saj
Për të treguar Veriun.
ARDHMËRIA
Dyert e adhmërisë janë të hapura
Përballë ditës dhe përballë natës
Përballë stuhisë së rërës që është fundi ynë
Apo përballë stinëve të përhershme të buzëqeshjes.
Ende nuk është shkruar gjë në librin e madh e të ardhshëm.
Në të mirë ashtu si në të keq,
Ne kemi ende dhuntinë për t’u befasuar,
Ti dhe unë,
Ata që do të vijnë pas nesh
Dhe që nuk do t’i njohim,
Ne të gjithë…Historia jonë nuk merr fund këtu.
Një gjë është e sigurt :
Nëse duam që ardhmëria
T’i mbajë pretimet e të kaluarës,
Ne duhet të merremi me të tanishmen.
LETËR DASHURIE PËR NJË AMAZONË
A e di legjendën e amazonave
Të cilat e prisnin një gji
Për të qëlluar më mirë me hark
Kur i hipnin kalit ?
Ti, amazona ime,
Të lutem,
Mos vepro si ato.
Ti më pëlqen më shumë kështu siç je e tëra
Madje edhe me dy gjinj
Shigjetat e tua
Më qëllojnë mu në zemër.
PEMA E JETËS
Dallëndyshet po bëhen gati të nisen…
Ndoshta ka mundësi
Që ato të kenë ikur
Ndonjëherë ti do të doje t’i ndiqje pas
Të bëje ende disa rrathë në qiell
Por ti kthehesh
Duke fluturuar si shigjetë
Te Pema jote e jetës
Te pema e dashurive të tua,
Sepse ti je njëherësh
Zogu që fluturon
Dhe dega ku ai ulet.
MBRËMË RA BORË
Kur u zgjova, peizazhi farfurinte
Si një shtrat i madh, i papërlyer.
Natyra është mbështjellë
Me çarçafë të bardhë e të akullt
Midis të cilëve nuk fle asnjë grua
E zhveshur
Që nuk mban
As edhe një këmishë nate.
Vetëm fluturojnë andej-këndej
Ca zogj të pacipë
Që nuk çajnë kokën aspak
Për virgjërinë e saj.
YLLI I DETIT
Ti je si ylli i detit
Një mrekulli e gjallë e natyrës
Që pushon mbi rërë
Në fund të ujit
Dhe mban gjurmët e kozmosit
Në arkitekturën e cepave të tij
Por yjtë e detit
Nuk kanë tru
Kurse ti e ke një të tillë
Dhe ti ndrit në mes të ditës
Kur ke dëshirë
Me një dritë që ndizet e shuhet
Me e gjallë e më e djallëzuar
Sesa një yll në qiell.
PYETJE
Po qe se një trëndafil do ta dinte
Se është i vdekshëm
A do ta shihnim duke u zbehur ?
Po qe se trëndafili do ta dinte
Se është i vdekshëm
Vallë, a do të ishte më pak i bukur ?
A do të reshte së çeluri lule ?