PEMËVE. POEZI NGA ARBER AHMETAJ

PEMEVE

Pemëve
ua shoh molekulat e ujit,
rrezet e diellit nëpër qeliza,
uzinën e vogël të fotosintezës,
kripërat minerale,
pompat qelizore që prodhojnë oksigjen
dhe djersët në formë arome,
si vargje dashurie për fluturat!
Gëzohen kur shëtis nën to,
më flasin si një të afërmi,
ma njohin dashurinë!

Në vrullin e lumit
shoh etjen e tokave,
shtëpitë e peshqve,
llamba të ndezura diku!
Është miku im i ujët, lumi
bashkë me gurëzat shtratit të tij.

Mirëmëngjesi
djali i ujit, mjegullave dhe vesës së yjeve!

E di lumi se kush dhe i kujt jam!
E di edhe pylli,
me banorët e vet të panumërt!

Duke u moshuar më zvogëlohet trupi,
u afrohem përmasave të insekteve,
i këqyr në sy e ato më premtojnë duke qeshur:
Do merremi seriozisht me trupin tënd,
sapo t’na e japësh në dorëzim!


***
Bie shi,
ti tretesh nga pak dhe shkon drejt lumit,
ku pijnë ujë zogjtë!
Përmes lotëve të tyre,
derdhesh në pyll
e bëhesh pjesë e klorofilit,
e diellit!

Me dritë e me ujë bëhet klorofili
dhe vajzat si ti!
Gjethet bien në vjeshtë
e fshehin thesarin e ketrave,
që mbin në pranverë,
shpërthim filizash e lulesh.
I mbledh e vij tek ti një ditë marsi.
Shiu të lag e nis pjesë të tretura prej teje drejt lumenjve.

GJITHÇKA NGA E PARA

Unë vij në fund,
thuajse i panevojshëm!
Por ti më do,
kjo më fut në cikël,
deshi, s’deshi Zoti!

***
Kishim errësirë me shumicë
për t’u fshehur,
verbuar.
Të gjeja me nuhatje.
Të puthja e qaja nga
trishtimi,
që s’të shquaja dot,
prapë i gëzohesha thesarit,
pa ia ditur vlerën.
As kur dilje në diell s’arrija të të shihja,
më verbonte drita e hijeshisë;
mbyllja sytë e të puthja nga larg, në terr!


***
Me vesë yjesh i mbushja sytë mëngjeseve,
pas ëndrrave erotike,
e shpërndaja si farë zjarri në sytë e vajzave,
me shpresë të shihja flakë!
Ato ndoshta më përqeshnin pas krahëve,
por nuk më bëhej vonë,
punën e bujkut të çuditshëm,
që hedh farë yjesh,
qiejve të syve të vajzave,
e bëja me pasion.
Edhe atëherë e dija që zjarri ndizet me fërkim
ose u vidhet fshehtas perëndive,
por Prometeu brenda meje
nuk ishte aq trim.
S’kuptoja pse s’më donin,
mua që i doja aq fort,
për to digjesha,
pastrohesha në një mijë zjarre,
ato më iknin si udhëtarit të vetmuar,
që i bie rruga natën nëpër varre!
Lypja tërfil me katër gjethe,
u fryja luleradhiqeve të leshta:
Më do, s’më do!
Burrë s’qesh bërë akoma,
Imago!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here