Per  vëllimin me poezi “Nën qiellin e parë” të autores Laureta Rexha. Nga Engjëll I. BERISHA

DERI ATY KU MATET FUQIA E BESIMIT

 

 

Poezitë e Laureta Rexhës, nuk shkojnë asnjë milimetër përtej paqes së saj me vetveten. Kur ke paqe me vetveten, je drita e të tjerëve. Kjo dlirësi, e bën poezinë e saj uratë prej nga ajo lutet për të mirën e të tjerëve. Ky kumt që bën dialog në të shumtën a rasteve, shndërrohet në shëmbëllim sikur kemi të gjithë nga një rol për ta luajtur, dikush të na i shtojë shpresat e dikush të na kujtojë vetveten, kush jemi dhe kah shkojmë. Përse them kështu? Ngase edhe të mbijetosh, të duhet disiplinë, si në vargjet: “Gjithmonë ecim/ në kërkim të asaj drite që pamë/prej të parës herë kur hapëm sytë/rruga jonë, ëndrra jonë/ për sa më shumë dritë”.

Duke ia njohur autores shkrimet e kohëpaskohëshme si dhe parimet jetësore, tipare të saj që nuk ia fsheh as syri as sjellja, krijojnë moral e ndërgjegje të një individi në marrëdhënie mendësish, shpirtërisht e emocionalisht me të tjerët, e me dukuritë që e rrethojnë. Emocionalisht, autorja duket e lënduar, reflektim ky edhe në poezi, e që nuk është lëndim fizik, por ajo dëshiron t’i ndryshojë gjërat për t’u dhënë personazheve më shumë besim e paqe. Nganjëherë emocionet na bëhen aventurë, ngase jeta i sjell ato me bollëk, por Laureta me shprehjen e saj në poezi, nuk do asgjë më shumë dhe asgjë më pak, se sa shpresë, besim e frymë njerëzore. Kështu del e tërë poezia e saj. Këto janë Urdhnime të Krijuesit. Janë ligje të së drejtës. Janë parime që i kërkojmë nga besimi, e që dëshirojmë të na i bëjë dikush.

Ka menduar shumë të prezantohet me blen poetik, ngase sikur e pohon, e lente shpresën ta nxisë për të marrë hapin e guximshëm. Kjo është veçoria e një njeriu me tipare që bën kompromis vetëm me arsyen.

Laureta, nuk e lejon dyshimin t’i hyjë në zemër, as kur turma bie në përsiatje, ngase asgjë që adhurohet nuk duhet t’i dorëzohet çastit. Këtë e shpreh në poezinë “Para syve të mi”: – Para syve të mi/ bota merr vrapin/ gjithçka ikën, zbrazet / e unë hesht…”Çka është kjo heshtje! Kur të përballeni me autoren, e lexoni në sytë e saj.      Ajo e nxjerr vetveten ashtu sikur jeton, sikur komunikon e sikur e ka qetësinë e shpirtit.

Ja një klithmë e një doze tundimi, prej të cilës trazohemi që të gjithë. Kushedi sa herë ndjehemi të plogësht në zemër dhe sikur s’mund t’i mbajmë aq shtrëngueshëm vlerat tona. “Dëshira paralele”: – Nuk më mbeti asgjë në duar/ ndaj kokën e vura qetësisht/ mbi tokën e lodhur e të shkriftë/ si një gur me dhimbje/ numërova vija paralele/ të gjakut ndër deje/ dëshirën time paralele/ për të ecur/ për tu ngrit! Do të binim ndesh me ngulmimet si më lart të karakterit të saj krijues, po ta pranonim se autoren shpesh e udhëheqin mendime paralele. Ajo, poezitë si kjo, i ka dialog me heshtjen e vet, se gjithmonë ekzistojnë dy botë. Bota që të udhëheq pa dashur ti, dhe ajo që e krijon vetë e nuk epesh për asnjë çmim. Pra, nga i tërë opusi i saj, vërtetohet se Laureta nuk e lejon provokimin e shpirtit, ngase e ka limitin deri aty ku e lejon paqja me vetveten.

Pse e kemi kaq në vrojtim paqen në poezinë e Lauretës? Sepse, ajo nuk ka mallkim në poezinë e saj. Ajo mban shënim gjërat që i ndjen, e që e përtërijnë kah lumturia.

“E tashmë e bukur” – Provoj të mendoj më pak/ të ndjej më shumë/ dhe koha ec…/ s’e di përse në shpirtin tim/ sot u derdh një lumë/  të gjithë lumenjtë e jetës/ përnjëherë”.

Meditimi i saj nuk nënshtron. Ajo, sikur thamë është tolerante, as nuk nënshtrohet vetë, as nuk kërkon përkufizime refuzuese.

Pos dialogut, në këtë vepër poetike ka dhe përkushtime. Si mos t’i kushtohet tokës ku jeton e që është vendlindja. Nënës, e që është gjithçka për të. Pastaj dhe disa personave që i mban të veçantë.

Poetja, Laureta, ka zgjedhur rrugën t’i thotë gjërat që ajo ndjen, me plot vullnet të lirë, të mirë e të përshpirtshëm. Ndonëse, është libri i parë i saj, nuk paraqet asnjë dyshim se mund të zbehet, vetëm nëse i mbyll mendimet në vetvete. Besoj se kjo nuk do t’i shërbejë për të mirë, se shpresa bëhet duke e thirrur me zë. Sikurse është një zë premtues kjo poete.

 

 

Gjakovë, korrik 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here