PËRFUNDOI EDICIONI I XXV I FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DITËT E NAIMIT”

Prej 21–24 tetor 2021, në Tetovë u mbajt Edicioni i 25-të Jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kama Syvor Kamanda (Kongo), Nivedita Lakhera (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Chad Norman (Kanada), Jorge Medina (Kolumbi), Jona Burghart dhe Esteban Charpantier (Argjentinë), Erling Kitelsen (Norvegji), Rati Raksena (Indi), Mohamed al Amroi (Maroko), Metin Çengiz (Turqi), Atila F. Balazs (Rumani), Triin Somets (Lituani), Tobias Burghart (Gjermani), Mehmet Ismail (Azarbajxhan), Endre Kukureli (Rumani), Agneshka Herman dhe Alicja Kuberska (Poloni), Rosana (Bullgari), Olimbi Velaj dhe Viola Isufaj (Shqipëri), Naime Beqiraj dhe Shqipe Malushi (Kosovë), Marta Markoska, Salajdin Salihu dhe Isuf Sherifi (Maqedonia e Veriut),
Hapja festive e Edicionit Jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati Kama Kamanda vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minute heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.
Edicionin e 25-të Jubilar të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, ‘Ishte sfidë e madhe ngritja e një operatori poetik e kulturor ndërkombëtar. U deshtë një energji, këmbëngulësi dhe një punë e jashtëzakonshme për të ardhë deri në këtë ditë festive të mbushur me plot emocione dhe gëzimi dhe vazhdoi, “Ditët e Naimit” janë operatori letrar dhe kulturor që për një çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën tonë, poetin Naim Frashëri jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër njerëz të letrave, të artit, të kulturës dhe mediumeve nga mbarë bota.
Ky projektshenjues i artit poetik, muzikor dhe pamor u ngrit në një përvjetor të tij, me emrin e tij, para një çerekshekulli në një nga cepet e gjeokulturës sonë, Tetovë. Në fillim si një manifestim poetik, që shenjoi ditëvdekjen e tij, e më pas si një projektshenjues me nivele e formate të shumta dialogimi. Ideja, ishte se, vetëm një figurë shumdimensionale si kjo e Naimit ishte e domethënëse për një kohë dhe hapsirë shqiptare, ku arsimimi dhe qenia e tij ishte rrezikuar… dhe punohej parreshtur për t’u instaluar institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Ishte koha, kur gjithnjë e më shumë ndjehej nevoja për të besuar në thënien lapidare të tij “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Mësimet e tij, në Tetovën e trazuar ishin më të dobishmet në vitet e trazuara të dekadës së fundit të mijëvjeçarit që lamë pas. Krijuesit shqiptarë që kishin dalë nga getoja e totalitarizmit komunist dhe ajo e hegjemonizmit sllav, gjetën një kuvend promovimi të fjalës së tyre poetike, një vend takimi e rinjohjeje me njëri-tjetrin, me artin e tyre etj.
Nëse në krye të herës, “Ditët e Naimit” shenjoi arenën e dialogimit të poezisë shqipe, një vit më vonë, ai prezentoi ndërkomunikimin me poezinë dhe kulturën e huaj. Ne jetonim një periudhë, ku ndjenim nevojë të flisnim me të tjerët. Gjykonim se, kishim çka ju thoshim me vlerat tona…, dhe ndjenim etjen të njihnim vlerat e tyre.
Kështu ishte në të shkuarën… I tillë do të mbetet për sa kohë poezia/letërsia do t’i duhet njerëzimit.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, 25 poetë lexuan poezitë e tyre me prezencë fizike, ndërsa 7 poetë në mënyrë virtuale.
Aty, në atë skenë të bukur të mbushur me publik, laureatit Kama Kamanda iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri”, dhe iu akordua titulli i lartë Anëtar Nderi, nga ana e drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Laureati me këtë rast falenderoj për ketë nder që iu bë poezisë, veprës së tij duke thënë se, ndjehet i nderuar dhe i vlerësuar, si dhe falenderoi Drejtorinë e Festivalit. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli.
Në ditën e dytë të Programit, poetët vizituan qytetin e Strugës dhe të Pogradecit, ku në odeonin e bukur buzë liqenit mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”.
Sipas programit, në ditën e tretë u bë hapja e ekspozitës me fotografi të titulluar “25 vjet Ditët e Naimit”, ndërkaq me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së poetes Silke Liria Blumbah, u dha filmi dokumentar i Narta Emërllahut, “Një vit pas vdekjes sime”.
Në kuadër të programit, u bë edhe përurimi i pesë titujve të Sh. B. “Ditët e Naimit”: “Tash dhe këtu” i laureates maqedone Lidija Dimkovska, libri me punime shkencore “Naim Frashëri dhe atdheu”, i studjusve të huaj dhe shqiptarë, antologjia me poezi e poetëve pjesëmarrës “Simfonia e erës” e përgatitur nga Shaip Emërllahu, vëllimin me poezi “Frymë” i poetit Isuf Sherifi dhe libri poetik dy gjuhësh shqip/anglisht “Fjala e gjymtë” i poetit Bujar Plloshtani.
Gjithashtu, me rastin e Edicionit të 25-të Jubilar u mbajt Konferenca shkencore ,,Ditët e Naimit, Naim Frashëri dhe Silke Liria Blumbach”, ku studjues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan dhe depozituan kumtesat e tyre, si; profesori dhe laureati amerikan Xhorxh Vallas nga SHBA, Xhuzepe Napolitano nga Italia, Mr. Jasmina Salija nga Sllovakia, Prof.dr. Ymer Çiraku, Prof. dr. Olimbi Velaj, Prof. dr. Begzat Baliu, Prof. Dr. Myrvete Dreshaj, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Flamur Shala, Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Arjan Kallço, poetja Puntorie Muça Ziba, Prof. Xhelal Zejneli, poeti Remzi Salihu, poeti Iljaz Osmani, poeti Bujar Plloshtani, etj.
Ndërkaq,
Në mbrëmjen e natës së tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit norvegjez, Erlin Kitersen, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit turk Metin Çengiz, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Kosova, Naime Beqiraj, çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja, Viola Isufaj dhe çmimin letrar “Silke/Liria që jepet për shprehjen poetike iu dha poetes polake, Alicja Kuberska.
Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja shqiptaro-sllovake, Jasmina Salia, me flautë performoi Emine Sumeja, ndërsa kitaristi Granit Vela përcolli leximin e poezive të poetëve.
Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, ndërsa e sponzorizoi restorant “Kurtishi”.
Si hapja e Festivalit, ashtu edhe mbyllja e Festivalit, është transmetuar drejtëpërdrejtë (Live Stream) në FB.
D. Hadri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here