Petrit ZENELI : TRASHËGIMIA ETNOKULTURORE NË VESHJET POPULLORE TË MALËSISË SË GJAKOVËS

Veshja popullore tradicionale është një nga elementet a përbërësit më të rëndësishëm të kulturës dhe të trashëgimisë materiale popullore. Të tillë e bëjnë funksioni që ato kanë, si dhe shumëllojshmëria e tyre me zbukurimet dekorative, me motivet ornamentale të shumta dhe ngjyrat e ëmbla e të pasura. Populli i ka kushtuar rëndësi dhe kujdes të veçantë vazhdimisht veshjes. Ajo ka qenë e ndryshme sipas krahinave dhe ndryshonte edhe sipas moshës a gjinisë, është përdorur e ndërruar sipas stinëve të vitit dhe kushteve klimaterike, por edhe sipas kapaciteteve ekonomike. Shqiptari ndryshe është veshur në raste gëzimesh e ndryshe në raste fatkeqësish. Ndryshe gjatë festave e ndryshe gjatë punës. Ai gjithnjë ka qenë krenar e sqimëtar në veshje.“…Qeleshet e bardha si bora të vërbonin në diell, – shkruante Edit Durham,– xhamadanët e kuq të artë dhe jelekët, xhurditë e shkurtëra të zeza, gajtanët e zinj të ndritshëm që zbukuronin çakshirët ( pantallonat ) të ngjishur pas trupit,… u japin atyre trupave të lidhur një pamje nga më të hijshmet ”. 1) E. Durham “Brenga e Ballkanit”, Tiranë, 1990, f.129.
Veshjet popullore tradicionale të këtyre trevave janë shumë të larmishme.Veshja e burrave në Malësinë e Gjakovës është veshja me“tirq“, të cilët punoheshin prej leshit të deles në vegjë, por më shumë shkelej në vajavicë duke u kthyer në zhgun, zakonisht të bardhë me dy lisa (gajtana) ose me shumë “lisa“ (gajtana) të zinj, në dyliq ose në katërliq. Përdoreshin edhe tirqit e zinj ose të murrmë. Tirqit kishin dy “shtjeka“ (xhepa pa astar) përpara. Ata ngjisheshin pak poshtë belit. Burrat gjithashtu vishnin këmishë të bardhë me mëngë të gjata dhe të gjera. Në pjesën e përparme “gryka“ e saj ishte e hapur ose me jakë të vogël. Jaka dhe mëngët ishin të “kokrrisura“ (të qëndisura kokërr), qëndisje ishte e thjeshtë, shoqërohej me disa leqarë (iva, tegela) të bukur, leqarët ishin me ngjyrë të bardhë, në ngjyrë të këmishës. Ajo në fillim ishte prej leshit të butë të dhenve të punuar në vegjë, më vonë prej pëlhure, bezeje. Mbi këmishë vishej mitani, jeleku ose xhamadani etj, sipas stinës, rasteve, festave. Në këto treva në periudhën e dimrit visheshin edhe “kallçinat“ mbi tirq (çorape të leshta ose prej shajaku pa shputa, të gjata deri te gjunjët).
Poshtë tirqve vishnin “tlinat“quheshin edhe “klina“. Herët edhe këto bëheshin prej leshi. Më vonë ishin prej pëlhure “bezi“ (bezeje) dhe shkonin deri në zog të këmbës, ishin të ngushta me qëllim që të visheshin lehtë poshtë tirqve, në fund të këmbëve në “këmbëza“ mbërtheheshin me “eshtën” (pulla). Në pjesën e sipërme u kthehej “tuni“ nëpër të cilin shkonte “balçi“, “ushkuri“ për t’i lidhur, shtrënguar pas trupit.
Në mes mbi tirq ngjishej “shoka“ (brezi) e cila punohej në vegjë me penj të leshtë në ngjyrë të kuqe, të verdhë, të kaltër dhe jeshile, pothuajse në ngjyrat e ylberit. Ishte e gjatë sa të mbështillej 4 –5 herë rreth belit (brezit) të burrit, ngjishej mbi shtjekat e tirqve. Në të ngjishej edhe arma e brezit.
Në kokë bartnin kapuç të bardhë “plis“ gjysmësferik. Rreth plisit burrat e moshuar të këtyre trevave shpesh lidhnin edhe “rubë“ (shallë) rreth fundit të kapuçit duke mbuluar edhe veshët. Shalli ishte prej pëlhure dhe ishte në ngjyrë të bardhë, të zezë, të kuqe (Nikaj – Mërtur) ose me vija a me ngjyra të ndryshme.
Në këmbë vishnin çorape të cilat punoheshin me thurje prej leshit të deleve, ishin të gjata deri në pulpë të këmbës dhe në ngjyrë të zezë. Ato përbëheshin prej “kputës”, ”shputës”dhe “kallmës”, ”grykës”. Më vonë filluan të thureshin edhe prej penjve të pambuktë “penj qenarë” nga morën edhe emrin “çorape qenari ”. Ishin edhe të qëndisura, kryesisht çorapet e dhëndrit. Ndonjëherë mbi çorape visheshin edhe “mestet” (çorape pa gryka), kishin vetëm shputat dhe zbukuroheshin me lule a shirita të ndryshëm. Në këmbë mbathnin “opanga” (opinga) të cilat i punonin vetë prej lëkurës së lopës a të kaut, “fytyrat” pjesa e sipërme e tyre
bëhej nga lëkura e bagëtive të imëta ose me penj të thurur dhe quheshin “opanga gogishte”.
Më vonë u përdor goma në vend të lëkurës së bagëtive, fytyra e tyre bëhej me penj të fortë dhe quheshin “opanga me përkryesa”. Bëheshin edhe me “penj qenari” dhe quheshin “opanga me qenar”.
E njëjtë ishte edhe veshja dimërore në këto treva:”guja”(guna) një veshjet e sipërme dimërore, zakonisht veshje barinjsh, e gjatë deri poshtë gjunjëve, në formë pelerine, pa mëngë,e
bërë me lesh dhie. ”Zhguni i gjatë” edhe ky ishte një lloj gune e leshtë burrash,veshje e sipërme, e bërë me zhgun në katërliq. ”Tallagani“ një lloj gune e leshtë burrash, me jakë, me mëngë të rreme e cila hidhej shpinës. ”Xhurdia” ishte një lloj veshje e sipërme burrash prej shajaku të zi, e gjatë deri në mes, me mëngë të gjata deri në bërryla, me një pjesë të lëshuar mbi shpinë me thekë të qepura skajeve të saj. ”Japanxha” një lloj veshje barinjsh prej zhguni të bardhë në katërliq, pa mëngë, e gjatë deri te këmbët dhe me kapuç. ”Herka” punohej prej zhguni katërliqsh ose dyliqsh, ishte e gjatë deri në bërryla. Mbi supe kishte një shtesë të lëshuar e cila kthehej si kapole kur koha ishte e keqe, ishte e bardhë me gajtana të zinj ose edhe e zezë. ”Kopurani” (koporane), ishe një lloj xhakete prej zhguni me mëngë të shkurtëra dhe me kapuç zhguni, zakonisht ishte e bardhë dhe e stolisur me gajtana. ”Goxhufi” (goxhupi) bëhej me lëkurë dashi ose qengji të regjur dhe mbyllej përpara me ”mbërtheca”, ”kamca” (sumbulla druri ose kocke), ishte pa mëngë, zakonisht vishej me lesh nga brenda, por edhe në të kundërt.”Kapulaçi” kishte formën e një kapuçi, por që vinte duke u zgjatur nga prapa që të mbulonte edhe qafën, përdorej mbi këto veshje që nuk kishin kapuç.
Veshja popullore e grave paraqit shumë variacione në këto treva. Për Malësinë e Gjakovës është karakteristike se përmbledh një shumëllojshmëri veshjesh si rrallë ndonjë krahinë tjetër në Shqipëri a në Kosovë, ato janë: ”veshja e ngushtë”;“veshja e gjanë” ose “veshja me pështjellakë të gjanë”, “vesha e nuses”,; “veshja me xhubletë”; “veshja e çikave”; ”veshja me kotulll”; “veshja me xhupetë”; “veshja me lidhc e mërhamë” . “Veshja e ngushtë” ishte veshje me këmishë të gjatë e të gjerë, këmisha gjithnjë duhej të ishte e bardhë dhe me kinda, kindat ishin në mes e poshtë, këmisha duhej të kishte jo më pak se 10 kinda, gryka e këmishës qëndisej me kokërrzime rruazash ose me penj me ngjyra të ndryshme ose me xhixha, me mangë të gjëra, të shkurtëra deri te bërrylat në fundin e tyre mangët qarkoheshin me ojna të cilat punoheshin me dorë, ajo duhej të shoqërohej me ”pështjellakë të ngushtë”. Mbi këmishë përpara lidhej “pështjellaku i përparmë”),“zaprega“ ose (paraniku). “Pështjellaku i përparmë” për gra bëhej me shajak ose endej në vegjë, kishte formën e trapezit, ishte i zi ose me ngjyrë kafe dhe kombinohej me gajtana rreth e qark ose zbukurohej me shirita dhe me qëndisje të ndryshme, në fund i vihej si dantellë një ojna sipas ngjyrës së sfondit ose tufa të ndryshme, në të dy anët i viheshin dy toja të dredhura të cilat lidheshin nga prapa. Prapa lidhej ”pështjellaku i mbrapmë ” ose “ pështjellaku i ngushtë ” (prapaniku) edhe ky ka formën e paranikut, por është shumë më i vogël edhe ky bëhej me shajak ose endej në vegjë, ishte i zi ose në ngjyrë kafe, me një kuadrat katërkëndor në mes të punuar në vegjë ose të qëndisur në mënyrë dekorative, lidhej me toja të dredhura në vithe prapa. Në mes poshtë belit pak pjerrtas mbi krisa ngjishej (lidhej) shoka, (një rrip i qëndisur me rruaza, xhixha, farna, penj me ngjyra, tehri). Përmbi këmishë vishej mitani,”krahoça”, jeleku ose një lloj xhakete, në duar, në parakrahë vinin mangët, nga zogu i dorës deri të bërrylat, ato ishin me ngjura që të binin në kontrast me këmishën edhe këto ishin të zbukuruara me ojna, në bërryla mbuloheshin nga pjesa e këmishës që vinte nga supet deri të bërrylat ku bashkohej me mangët, mangët te zogu i dorës mbërtheheshin me (pullaceke) kopse të vogla që mbërtheheshin njëra mbi tjetren dhe ishin të zbukuruara me qëndisje me rruaza ose tehri. Çorapet ishi prej leshi të thurura me kërrabëza (shtiza), ato ishin në ngjyrë kafe, jeshile ose blu, për gratë e moshuara çorapet ishin në ngjyrë të zezë ose kafe. Opingat ishin prej lëkure lope ose prej llastiku, të cilat në pjesën e sipërme punoheshin me thurje dekorative me penj pambuku. Në kokë vinin shami mëndafshi të kuqe, të verdhë ose blu, sfundi i të cilave mbullohej me lule me ngjyra të ndezura.
“Veshja e gjanë“ , “vesha e nuses”, ishte veshje me“ pështjellakun e gjanë“një lloj fundi i leshtë i bërë me shajak ose i endur në vegjë, në ngjyrë të kuqe, ndonjëherë edhe jeshile pështjellaku ishte i bërë i tëri me pala të ngushta dhe i qëndisur në të gjithë sipërfaqen e tij me rruaza shumë të voglame dhe vezulluese ose me xhixha. Vishej me një këmishë të shkurtër, mbi të ngjisheshin, viheshin “rizat“ e “qafëshokat“. “Rizat“ ishin dy shamia të mëndafshta në ngjyrë të kuqe, por edhe me ngjyra dekorative, të cilat viheshin të palosura në të dy anët e brezit dhe lëshoheshin sa gjatësia e “pështjellakut të gjanë“. “Qafëshokat” ishin shamia të mëdha, me thekë të gjata, në ngjyrë të verdhë, jeshile etj. me lule të shumta në kombinim me ngjyrën e sfondit të tyre.Viheshin në formë trekëndëshi në mes të rizave mbi “pështjellakun e gjanë“ me thekë të lëshuara poshtë. Në mes poshtë belit pak pjerrtas mbi krisa ngjishej (lidhej) shoka e cila ishte edhe kjo e qëndisur e tëra me rruaza. Mbi këmishë vishej mitani pa mëngë, i cili punohej me copë të zezë ose kafe, nuk kishte mëngë dhe nuk mbërthehej, ishte i shkurtër, më shunë vishej edhe jeleku ose“ krahoça“, në duar viheshin mëngët deri në bërryla edhe këto ishin të qëndisura e të zbukuruara me rruaza. Në kokë vihej një shami e kuqe ose e verdhë, jeshile etj. edhe këto ishin me lule shumëngjyrëshe (shami mëndafshi). Çorapet ishin në ngjyrë jeshile ose në ngjyrë blu të bera me penj pambuku dhe të qëndisura në dy anët e zogut të këmbës me rruaza vezulluese që shkëlqenin. Opingat ishin të thurura bukur dhe të zbukuruara me ojna në pjesën e sipërme. Në gjoks si stoli vareshin “taftat“ një gjerdan i argjendtë i cili përbëhej nga disa “groshatarë“ (monedha të vjetra argjendi), të cilat bashkë me disa zbukurime të argjendta shkonin (futeshin) në një zinxhir po të argjendtë edhe vathët, unazat dhe byzylykët ishin të argjendë, në duar vinin edhe hallëhalla (një byzylyk i qëndisur i tëri me rruaza shumëngjyrëshe ose me xhixha).
“Veshja e çikave“ ose “veshja e ngushtë e çikave“ ishte veshje vetëm për vajzat, përbëhej nga një këmishë e gjatë dhe e gjerë dhe “pështjellakët e çikave“ ose “pështjellakët e ngushtë të çikave“, mbi këmishë para lidhej pështjellaku i përparmë,i cili ishte prej shajaku ose prej leshi i endur në vegjë, gjithnjë ishte i bardhë dhe me shirita të zinj anash ose me gajtana dhe me një ojna (ojme) si dantellë në fund, prapa vihej pështjellaku i prapmë edhe ky ishte prej shajaku ose prej leshi i endur në vegjë me shirita të zinj anash ose me gajtana dhe me një kuadrat të zi në mes, mbi këmishë vishej një jelek çikash i zi ose i bardhë me të zi ose një triko leshi. Në kokë mbahej “mafezi“ (shami e bardhë). Çorapet ishin të gjata, prej leshi të thurura me kërrabëza (shtiza), ishin të bardha dhe në mes kishin disa shirita të zinj. Opingat ishin po ato si te veshjet e tjera, veçse në pjesën e sipëme punoheshin me penj leshi.
Në zonën Nikaj – Mërtur veshja e grave ndryshon nga pjesa tjetër e Malësisë së Gjjakovës, “Veshja me xhubletë“ ishte karakteristike për këtë zonën të Malësisës së Gjakovës, si dhe në Rrogam të Shalës fshat në pjesën veriperëndimore të fshatit Valbonë, e cila ishte e tillë edhe në Malësinë e Madhe, në Dukagjin si dhe në disa banime shqiptare në Mal të Zi. Xhubleta përbëhej prej dy pjesësh: trungut dhe pjesës fundore, ajo kishte formën e këmborës në pjesën fundore të saj. Bëhej prej rripash të ngushtë “rrokëzima“ dhe copa shajaku ose prej fijesh leshi të endura në vegjë, të cilat qepeshin horizontalisht dhe ndërthureshin edhe me breza gajtanash çka i jepnin një formë dhe pamje të jashtëzakonshme, zakonisht ishin në ngjyrë të zezë ose me ngjyra të ndryshme për gratë dhe bardh e zi për vajzat. Në pjesën e sipërme të trungut të saj i qepenin dy rripa të gjerë shajaku për t’u mbajtur e varur në supe. Ajo vishej mbi një këmishë të shkurtër ose mbi gjoks vinin “grykën”, sipër këmishës ose “grykës” vishej një mitan me mëngë dhe mbi të “kraholin”, i cili ishte prej shajaku në ngjyrë të zezë, para mbështillej (vihej) pështjellaku i përparmë (paraniku), i cili edhe ky punohej me shajak ose me fije leshi të endura në vegjë dhe ishte i gjatë reth 50 cm në formën e trapezit, në pjesën fundore i viheshin thekë, prapa vihej pështjellaku i prapmë (prapaniku) dhe ky i punuar me shajak ose i endur në vegjë. Në mes ngjishej shoka (brezi) e cila endej në vegjë me ngjyra të ndryshme, në mes shpesh në vend saj vihej edhe rripi, një rrip lëkure 6-7 cm i gjerë me togëz bronzi a argjendi, në të cilën skalitej me derdhje ose me rrahje një shqiponjë dykrenare, rripi zbukurohej në të gjithë gjatësinë e tij me pafta ose me përçina. Mbulesa e kokës ishte prej pëlhure leshi të endur në vegjë, por për nuset ishte shami mëndafshi e kuqe, jeshile, e verdhë, blu ose me lule të ndryshme, e cila lidhej nën gushë, në ditë festash a dasmash shamia lëshohej mbi supe pasi kapej me kapse në në dy anë e kokës. Çorapet ishin prej leshi në ngjyrë të zezë, ndërsa për nuset ishin me ngjyra të ndryshme, nuk ishin shumë të gjata dhe ngjasonin me kallçinjtë, mbi çorape mbatheshin shputat. Opingat ishin prej lëkure lope a llastiku,të cilat sipër punoheshin me penj. Stolitë ishin vathët,unazat dhe gjërdani të gjitha prej argjendi. Vetë tipologjia e xhubletës dhe simbolet ornamentike të saj janë unikale dhe janë dëshmi që vërtetojnë se ajo ka një traditë të lashtë mijëravjeçare dhe se është një kostum iliro – shqiptar, e cila ka mbijetuare dhe ka ardhur deri në ditët tona dhe vazhdon të jetë e gjallë edhe sot ashtu madhështore.
Veshja me “xhupetë“ ishte një veshje e hershme edhe në Nikaj – Mërtur për stinën e ngrohtë. Përbëhej nga një këmishë e gjatë dhe e ngushtë e bërë prej leshi, mbi këmishë përpara
ngjishej “pështjellaku i përparmë“ (paraniku), ndërsa prapa ngjishej “ pështjellaku i prapmë “ (prapaniku). Njëherësh në pjesën e prapme nga beli ngjishej edhe “kërdhokulla“(një lloj
përparëseje) a një brez i gjerë.
Veshja me “kotull“, është një lloj veshje tjetër në zonën e Nikaj – Mërturit në vend të xhubletës në vitet ‘40 të shek.XX filloi të përdoret si veshje e përditshme një lloj fundi prej stofi, bezeje ose atlasi në ngjyrë të zezë, me shumë pala të gjera ose me rrudha e cila quhej “kotull”, ose “veshje me kotull” sipër mbi këmishë vishej “kraholi“ ose një xhaketë shajaku, kadifeje etj. Në mes ngjishej rripi si në veshjet me xhubletë.
Veshja me “lidhc e mërhamë”, ishte një veshje e grave, e cila përdorej në zonën e fshatit Zogaj të Malësisë së Gjakovë, quhet edhe veshje me “hotoz” , në fakt kjo ishte e huazuar nga veshje e grave në Rrafshin e Dukagjinit, e cila ishte veshja me këmishë të bardhë, të gjatë dhe të gjerë ose me vija në ngjyrë tulle duke lidhur përpara një pështjellak të gjatë, ndërsa prapa një pështjellak të shkurtër. Përmbi këmishë vishej mitani ose jeleku, ndërsa në kokë mbanin“ lidhc me mërhamë”. (M.Krasniqi,Krahinat etnografike të Kosovës,”Gjurmë e gjurmime”,Tiranë,1982,f.24) Kjo veshje shumë e përhapur njihet ndryshe edhe “veshje reke“, veshja me “lidhc e merhamë“ , e cila përdorej në disa zona gjatë brigjeve të Drinit te Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit quhej edhe veshje me “hotoz”, ndërsa bishti i mërhamës i lëshuar përpara quhej “mbasdorja“. Në veshjet dimërore përdorej guna (guja) e cila ishte e ngjashme me atë të burrave.
Petrit ZENELI

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here