Poetja Irma Kurti boton në Itali librin me poezi në gjuhën italiane dhe serbe titulluar: “Nella mia anima piove” (Në shpirtin tim bie shi). Nostalgjia për vendlindjen dhe kujtimet e largëta në një të përditshme frenetike ku njerëzit e kanë të vështirë të komunikojnë me njëri-tjetrin, gjendja e vetmisë apo kërkimi shpeshherë i pafat i miqësive, ndjenja e dashurisë së konceptuar në kuptimin universal përbëjnë lejtmotivin kryesor të përmbledhjes poetike.
Poezitë janë përkthyer nga italishtja në serbisht nga Vesna Andrejevic, përkthyese, pedagoge e gjuhës dhe letërsisë italiane e serbe në Beograd. Imazhi i kopertinës është pjesë e albumit të fotografit Sevdail Sulejmani, banues në Zvicër.
Ky është libri i trembëdhjetë i poetes Irma Kurti në gjuhën italiane, edhe pse kësaj radhe në një dimension të ri, në dy gjuhë. Së shpejti, libri “do të udhëtojë” për në Serbi si pjesë e bibliotekave të ndryshme si dhe për lexuesin e gjerë.
Librat e poetes dhe shkrimtares Irma Kurti janë përkthyer gjithashtu në gjuhën angleze, rumene, spanjolle etj.
Ndërsa për poeten letërsia nuk njeh kufij, ajo vazhdon të jetë e lidhur me gjuhën shqipe, prej së cilës e kanë origjinën njëzet libra, ndër të cilat poezi, tregime e romane.
Irma Kurti është fituese e shumë çmimeve të para në konkurse të ndryshme ndërkombëtare në Itali e në Zvicër. Së fundi, poetja shqiptare u shpall Akademike dhe presidente nderi e Enciklopedisë Italiane të Poezisë për kontributin dhe meritat e saj në lëvrimin e poezisë.