Poezi nga AGOTA KRISTOF(1935-2011). Përktheu : Anton PAPLEKA

GJITHÇKA ËSHTË LARG

Poezi nga AGOTA KRISTOF(1935-2011)
Përktheu : Anton PAPLEKA
Agota Kristof, lindi në Hungari më 1935. Në vitin 1956 ai largohet nga Hungaria dhe vendoset në Neuchatel, në Zvicër. Agota Kristof e filloi krijimtarinë duke shkruar disa pjesë teatrale, pastaj nisi trologjinë e tij romanore, në gjuhën frënge. Për romanin « Gënjeshtra e tretë » ka fituar Çmimin e Librit Inter më 1992.U nda nga jeta më 2011.

Marlyse Pietri

Në tregimin autobiografik « Analfabeti », Agota Kristof tregon fillimet e krijimtarisë së saj poetike në vitet e shkollës së mesme, kur ishte në Internatin e Szombathey-it. « Une lexoj ende, në qoftë se kam çfarë të lexoj, në dritën e fenerit të rrugës, pastaj në kohën që përpiqem të fle me sy të përlotur, vargjet lindin nëpër natë. Ato sillen rreth meje, këndojnë, bëhen poema. »
Poemat në gjuhën hungareze i ka rishkruar ashtu siç i mbante mend ose i ka krijuar në fillim të ekzilit në Zvicër, në mes të viteve 1960. Ajo ishte tridhjetë vjeç dhe nuk e zotëronte ende frëngjishten. Në vitet tetëdhjetë, ajo shkruan disa poema të reja në hungarisht dhe në frëngjisht. Më 2003, Agota Kristof nënshkroi një marrëveshje me arkivat letrare zvicerane të Bibliotekës Kombëtare në Bernë ku u krijua fondi i saj. Në pranverën e vitit 2011, disa muaj para se të vdiste, kur i shkova për vizitë, me një gjest të heshtur, ajo më zgjati një dosje : kopjet e poemave të saj. Më në fund, ajo i kishte quajtur si të denja për t’u botuar.
Në to, lexuesi zbulon një stil pa lulka, të drejtpërdrejtë, temat që janë karakteristike për veprën e saj : humbja, largimi dhe vdekja, por edhe natyra e dashuria. Atij i bën përshtypje ritmi i krijimeve të autores, toni i prerë dhe i zymtë si ai që ka vënë re në romanin « Radhori i Madh », në romanet e tjera dhe në novela.
Si në hungarisht ashtu dhe në frëngjisht, vepra e Agota Kristof-it ka filluar me poema dhe me pjesë teatrale. Para se të botohej « Trilogjia e binjakëve », disa nga pjesët e saj teatrale u bënë të njohura përmes valëve të Radios së Zvicrës romande.
Përdorimi me kursim i fjalëve dhe dramaturgjia efikase, dy veçori që përforcojnë njëra-tjetrën dhe që vihen re në romanin « Trilogjia e binjakëve », i cili u bë i njohur në të gjithë botën, e kanë zanafillën te fillimet e krijimtarisë së saj letrare.

Maria Maïlat

Të palidhura me një kohë të caktuar, poemat e Agota Kristof-it janë të skalitura e të limuara nga dallgët dhe shtrëngatat e Historisë së madhe dhe të historisë së vogël. Për t’i përkthyer ato, kam synuar të jap kuptimin e thjeshtë, me jehona të shumta, siç ndodh në pjesët e Mikrokosmos-it të Béla Bartok-ut dhe në Sonatën për violonçel të Zlotan Kodaly-së. Ritmi dhe muzikaliteti dalin në pah sidomos kur poemat lexohen me zë të lartë në të dy gjuhët.
Çdo poemë zë vend në një faqe të veçantë dhe në të njëjtën kohë ajo ka lidhje me të gjitha poemat e tjera. Vetmia e tyre është gdhendur në gur nga një trup që hepohet, gjen drejtpeshimin në një të dalë shkëmbi, rrëshqet, rrezikon të rroposet dhe ngrihet përsëri me buzë në gaz. Në këto vargje hapen sytë e një zogu që fluturon shumë lart dhe vallon botën me vështrimin e tij.
Çdo poemë çliron një burim ajri dhe drite.

PËRQAFIME TË JASHTËZAKONSHME

Unë nuk mund t’i ul më krahët
Qëkurse të kam përqafuar ty
Unë e di gjithmonë ti je këtu

Dera u mbyll pas teje
Megjithatë unë e mbaj në krahët e mi
Trupin tënd
Unë e di gjithmonë ti je këtu i palëvizshëm
Unë rri në këmbë flatra e zezë e kohës
Ka kaluar përmes viteve

Kalimi saj i errët
Le të bjerë një minutë
Me këtë përqafim të jashtëzakoshëm
Qëkurse të kam përqafuar
Unë nuk mund t’i ul krahët e mi
Rri në këmbë statujë njëqindvjeçare
E rrokur nga krahët e mi prej guri
Unë e di gjithmonë ti je këtu

NUK KAM ASNJË ARSYE PËR TË NDËRRUAR TROTUAR

Në muzg duke humbur ekuilibrin
Një zog i lirë fluturon shtrembër
Në tokë ka veç të mbjella
Heshtje të parrëfyeshme
Dhe pritje
Të padurueshme

Dje gjithçka ishte më e bukur
Muzika në drurë
Era në flokët e mi
Dhe dielli
Në duart e tua të shtrira

Tashti bie borë mbi qepallat e mia
Trupi im
Është i rëndë si një shkëmb
Por unë nuk kam asnjë arsye
Për të ndërruar trotuar
Dhe asnjë arsye
Për të ikur në male

BARI

Tashmë
Ai ishte i tharë e i thyer
E vura se si ai kishte mbirë
Midis gurëve të braktisur

Sepse nuk donte të rronte fillikat
E të shihte pelën e reve me krifa ari

Në mesditë dielli e vështroi me dashaligësi
Me sytë e tij zhuritës
Të nesërmen
Uria e sfiliti ai u përkul dhe vdiq

Në të nëjtën kohë
Era e përkëdheli ngrohtësisht e ëmbëlsisht

NINULLË

Shtroje shtratin dhe fli
Dhe vështro nga dritarja
Se si rriten përjashta
Pranvera dhe trishtimi
Qielli është veç një trishtim i pamasë
I kaltër
Dhe pemët shpërthejnë në dënesa
Sa herë që çelin lulet.
Mos qaj zhvishi rrobat e tua
Zhvishe jetën tënde,
Turru përpara lakuriq dhe gëzohu
Që je fillikat
Në pranverë
Në qiell në pemë
Në dritë
Gëzohu që nuk do të ngrihesh më
Për të folur për t’u përgjigjur
Për të ecur.
Mos mendo për të ftohtit mos lëviz
Mbi trupin tënd të bardhë
Do të zbresë dielli
Kur shtëpitë përballë
Do të jenë shembur përtokë
Do të jenë zhdukur oxhakët
Dhe antenat e televizionit.

UNË TË PRITA

Unë të prita në fund të rrugës me shi
Duke ecur kokulur madje edhe kështu të shihja
Por nuk ta prekja dot dorën

Unë të prita në një stol hijet e drurëve
Binin mbi zhavorin e ftohur
Si hija jote kur ti afroheshe

Unë të prita natën lart në mal
Degët kërcitën kur i hape ti
Para fytyrës sate e më the se nuk mund të rrije

Unë të prita në breg me veshin e mbështetur në tokë
Dëgjova trokëllimën e hapave të tu
Në rërën e butë pastaj ra heshtja

Unë të prita kur mbërrinin trenat e largët
Dhe të gjithë njerëzit u kthyen në shtëpi
Ti ma bëre me shenjë nga dritarja treni nuk u ndal

PA JU

Me retë e saj të lodhura e të përlotura
Kështu erdhi vera
Si ai që e di se kjo gjë është e kotë
Të mbushura me pluhur e me lule ishin rrugët e dikurshme
Për mua diku
Vëllezërit e mi rrojnë në një botë ireale si të vdekurit

Edhe unë pa ju

Dhe njerëzit pyetin
Kush ishe ti para se të lindje
Ca pleq të irun me sy të ligj
Rrinë ulur në kopshte të kositura e thonë
Ne nuk po të prisnim ty

Ku ta hedh vështrimin tim prej të penduari
Që të mos i takojë fytyrat
Me pamje të rrepta si lumenjtë
Ata vijnë nga larg kalojnë poshtë ylberit
Dhe tashti e shoh vjeshtën se si kthehet përsëri

VETMITARË

Ca njerëz çapiteshin midis drurëve
Ata nuk flisnin me njëri-tjetrin
Vërenin lotët e maleve në lumenjtë e ftohtë
Dhe vazhdonin rrugën

Aty ku kryqëzohen dy shtigje
Rrinte në këmbë një plak me flokë të gjatë e të bardhë
Dhe ai këndonte por kaq qetë e kaq ëmbël
Sa të gjithë i kaploi trishtimi

Kokat u ulën deri në tokë te guralecat
Ata që bridhnin mbështetën ballin
Përse nuk vjen ti tha njeriu
Dhe drejt tij u nis dikush
Por atë e këputi lodhja u ndal nën yjet
Që binin rreth tij

GOZHDË

Sipër shtëpive dhe jetëve
Një mjegull e hirtë e lehtë

Me sytë plot gjethe
Që do të çelin në drurë
Unë prisja verën

Në verën e bardhë
Mbi të gjitha doja
Pluhurin e nxehtë
Aty mbyteshin kandrrat e bretkosat
Kur nuk binte shi
Me javë të tëra

Fusha dhe mbi fusha puplat ngjyrëvjollcë
Rriten
Çikirikët e puseve dhe qafat e zogjve
Era i shtrin nën një sharrë.

Gozhdë
Të çunguara të mprehta
Mbyllin dyert gozhdojnë purteka
Në dritare për së gjati e për së gjeri
Kështu sajohen vitet kështu sajohet
Vdekja

GJITHÇKA ËSHTË LARG

Dje vajta buzë liqenit
Në këtë çast uji është sterrë i zi
Dhe çdo mbrëmje hipin në anije
Disa ditë të harruara

Gurët flenë
Nganjëherë liqeni i godet befasisht
Por deti është larg së këndejmi

Gjithçka është larg në mjegull
Fenerët e rrugës mbyten
Dhe në ngricën e bregut të hirtë
Larzohen zogjtë e mëdhenj e të bardhë

TË RROSH

Të lindësh
Të qash të mëndesh të pish të flesh të kesh frikë
Të dashurosh
Të luash të ecësh të flasësh të shkosh përpara të qeshësh
Të dashurosh
Të mësosh të shkruash të lexosh të numërosh
Të përleshesh të gënjesh të vjedhësh të ikësh të kthehesh
Të vallëzosh të këndosh të shpresosh
Të dashurosh
Të ngrihesh të flesh të punosh të prodhosh
Të ujitësh të mbjellësh pemë të korrësh të gatuash
Të lash të hekurosësh të pastrosh të lindësh fëmijë
Të dashurosh
Të rritësh të edukosh të kujdesesh të ndëshkosh të përqafosh
Të falësh të shërosh të kesh ankth të presësh
Të dashurosh
Të ndahesh të vuash të udhëtosh të harrosh
Të mbushesh me rrudha ta ndiesh veten të zbrazët të lodhesh
Të vdesësh.

KURRË MË KJO RRUGË…

Kurrë më kjo rrugë
Kurrë më ky shteg
Kurrë më ky qytet
Kurrë më kjo shtëpi

Mos trokit më
Shiu troket mbi çati
Përse duhet bukuria e maleve
E hënës

Sy me rrathë të zinj
Sy me rrathë lodhjeje
Diçka më e rëndë më pret
Rrethuar nga vdekja

Në drejtimin tjetër
Më i vagëlluar më i kotë
Një dëshpërim më i madh
(Një dëshpërim që lidhet me fundin e gjithçkaje)
Më i vërtetë sesa ti

Unë po të braktis.

NUK DO TË VDES…

Nuk do të vdes
Ende nuk do të vdes
Tepër herët thika
Ende e dua veten
I dua duart e mia me të cilat pi duhan
Me të cilat shkruaj
Duart e mia që mbajnë cigaren
Penën
Gotën
I dua duart e mia që dridhen
E megjithatë e pastrojnë shtëpinë
Në to ende rriten thonjtë
Duart e mia
I vënë syzet në vend
Që të shkruaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here