ANDRIJA RADULLOVIQ
(Podgoricë, 1970), është autor i katërmbëdhjetë librave me poezi, nga të cilët veçojmë: “Brinja e zjarrit” (1998), “Alfabeti prej bore” (2007), “Bleta e Bardhë e Walt Whitman-it” (2015), “Sikur të qaja si vresht” (2018), “Gjenerali dhe dallëndyshja” (2021), “Shpengimi” (2023), “Plaku dhe Argjentina” (2024). Poezia e Raduloviqit është përkthyer në gjuhën angleze, ruse, bullgare, italiane, rumune, spanjolle, greke, hungareze, polake, suedeze, arabe, daneze, maqedonase, sllovene, polake, ukrainase, frënge, bjelloruse, gjermane, hebraike, çeke, sllovake, suahili, bengalishte, turke, armene dhe tatare, i përfaqësuar në antologji, përzgjedhje, recensione dhe atlase të shumta vendase dhe ndërkombëtare të poezisë bashkëkohore, si dhe në revista dhe gazeta kryesore evropiane dhe botërore për letërsinë dhe kulturën. Ka fituar mbi njëzet çmime letrare në vend dhe jashtë vendit. Gjithashtu mori çmimin më të lartë shtetëror të Malit të Zi për krijimtari, Çmimin Trembëdhjetë Korriku.
Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi i dha statusin e Krijuesit të Shquar Kulturor të Malit të Zi. Jeton në Podgoricë.
SHOQËRIA E LARTË
Hapa një konservë
Me sardele të klasës së parë
Dhe një shishe verë të kuqe
Cërmnice
Nxora nga biblioteka
Vitmanin
Blokun
Lotreamontin
Pasternakun
Kuazimodon
Dhe u recitova
Poezitë e pabotuara
Ashtu si Nikolai Rubcov
Në fluturimin e tij të lartë
Me kojrrilat
Dhe para se të paloseshin
Faqet si krahët
Përnjëherë
Dëgjova pëshpëritjen
E mësuesit
Fjala mbi të gjitha
e bukur si qielli
(Vera Cërmnice – një verë e kuqe e famshme me cilësi të lartë
në Mal të Zi e emëruar sipas rajonit Cërmnicaë pranë Liqenit të Shkodrës)
POEZIA
Kallajxhinjtë e laruan fushën
Me çadra dhe zjarr
Një hije kalon
Pranë kazanëve të nxirë
Që janë bosh
Si dita e tyre
Pa Poezi
Zgjon babanë e vet të verbër
Dhe e çon te lumi
Grizli në zinxhirë bërtet
Për zotërinë e tij të vjetër
Vjen erë kallaji
Pranverë
Gruaja i bie sitës
Dhe fillon këngën
ËNDRRA E GURËZUAR
Pres një amshim të tërë
I mbështjellë me gjak dhe gjethe
E njoh nga rrënja
Kthetrat nga kërthiza
Dhe nga koka e ngrirë
Në borë
Ujkonja dashuria ime
Në fërfëllizë gjunjëzohet
Ndërsa ujqërit
Shndërrohen në gurë
Dhe tani nuk e di
Vallë jam ujk
Apo gur
URIA E UJKUT
Fjala duhet të jetë pishë
E imja është vetëm një kujtim i zjarrit
Duhet pasur krahë
E një pyll të zi dushkaje
Të dëgjosh muzikën e thellësive
Të kesh dritën
E brinjës së zjarrtë
Si ujku i çalë
Që mban mend hekurat
Lexoj dhe heq
Nga shkronjat blozën
I dërmuar nga bukuri e fjalës
Dhe uria antike
RETË
Ka të drejtë Adi
Dhe shoqëria e tij
Sot poezitë i shkruajnë
Njerëzit familjarë
Si të qëndrojnë
Para luanëve të uritur
Ulërimën e të cilëve
E kthejnë në ngjyrë
Dhe bar të gjelbër
Mësuesi i vjetër i guximit
E hap këngën
Si shiun
Nga i cili këndojnë
Retë
BUKOVSKI
Engjëlli im
Është në pushime
Fundja
Kush do t’më duronte
Mua
Pafund herë
Të hapte krahët
Të bëhej velë
Në det të hapur
Më mbante frymëmarrjen
Kur zhytesha
Te banaku
Më jepte frymë
Mbi humnerë
Tani i ka ardhur në majë të hundës
Gjithçka
GJENERALI
Lëmonte vitet çizmet biografinë
Kishte vilë kalë gardë
Dhe gjithçka që kanë gjeneralët
Një ditë ashtu të pafuqishëm
Tashmë bletë e bardhë
Topçiu oxhakfshirësi i tij
Do t’ua dorëzonte përmes oxhakut
Pa epoleta
Pa barut
Pa përshëndetje
Disa njerëzve çunakë
Lotët që ua kishte derdhur të tjerëve
Tani janë një shi që spërkat hartën dhe pogaçen
Flamurin kufirin dhe pyllin ku lindi
Ujit ferrën gungën dhe varrin
E dekoratat e tij në tregun e plaçkave i shesin lirë
Bijtë e tij si kashtën e kumtërit
Thjesht për disa kacidhe
Ndërsa një pardesy leshi të trashë grombi
E këmbejnë për diç më shumë
Për brekë të qëndisura jargavan
Të njëjtat një tip kaçurrel
Në një serial të lirë me theks spanjoll
Ia hoqi gruas së një koloneli
Qetë
Në mënyrë të mëndafshtë
Pa gjëmë
Bien yjet e tij nga mëngët
Fushat dhe retë
Beteja e tij janë pulat pa koka
Gjenerali pa ushtri është flluskë sapuni
Nga çizmet e tij rritet majdanozi
DON KISHOTI NË ULQIN
Qoftë e bekuar ajo ditë
Ai çast e minutë
Kur më rrëmbyen
Nga kuverta
Dhe më zbritën
Në burgjet e zeza
Dhe të kaltra
Për të ëndërruar faqet
E Don Kishotit
Që më lindi
Dhe më çliroi
Në këtë
Qytet të princave
Të luanëve të detit
Yjeve dhe kandilave
Ku njerëzit heshtin
Si peshqit
Ndërsa gurët flasin
Dhe qajnë
(Besohet se Servantesi në fund të shekullit XVI
ka qenë i burgosur brenda mureve të Kalasë në
qytetin bregdetar – Ulqin)
SIKUR TË QAJA SI VRESHT
Sikur të mundja
T’ua falja hajdutëve
Që nën hënën e turbullt
Mësynë në shtëpinë time
Në observator
Sikur të mundja
Të mbroja të tjerët nga vetja
Siç na mësuan
Paraardhësit e lavdishëm
Sikur të mundja
Të pranoja fatkeqësinë e tjetrit
Si timen
Dhe ta ndaja pikëllimin
Si bukën
Sikur të mundja
Të bëja një velanije
Nga shkronjat dhe ëndrrat
E të bëheshin
Valë e stuhi
Sikur të mundja
Të mbështesja rrufenë
Pëshpëritjen e bimëve
Dhe t’u përkushtohesha zogjve
Që më zgjojnë
E t’i lutesha Qiellit të parë
Për shiun
për të mbjellat
Për barin dhe pemët
Sikur të mundja
Ta ktheja fëmijërinë
Mbretërinë time të dikurshme
Plot luleradhiqe e diell
Dhe t’i shkrija zemrat
Për Poezinë
Sikur të qaja
Si vreshti
Dhe si kojrrilat
T’i hapja krahët e mi
Lart
Lart
Lart
Nga libri “Vuçja glava” (Koka e ujkut)
Nga gjuha malazeze: Qazim Muja


















