Poezi nga GJERMANIA. Përktheu: Anton Papleka

POEMË DASHURIE

Përktheu: Anton Papleka

Gottfried Benn, 1886-1956

KAM TAKUAR VAJZA…

Kam takuar vajza
Që ishin rritur me prindërit dhe me katër
Vëllezërit e motrat e tyre në një kthinë të vetme,
Të cilat, natën, duke mbyllur veshët me gishta,
Mësonin pranë furnelës.
Ato qenë rritur të bukura e ladylike si kontesha,
Shpirtërisht ishin të ëmbla e kurajoze
Si Nausika,
Kishin ballë të dëlirë engjëjsh.
Shpeshherë kam pyetur veten
Nga u vinte ëmbëlsia dhe mirësia,
Nuk e kam gjetur dot përgjigjen,
Nuk e di ende as sot, kur më duhet të nisem.

Peter Huchel, 1903-1981

EKZIL

Kur vjen mbrëmja, afrohen miqtë e mi,
Hijet e kodrinave,
E kapërcejnë pragun ngadalë,
E terratisin kripën,
E terratisin bukën,
Dhe zënë të kuvendojnë me heshtjen time.

Jashtë
Te panja fërgëllon era
Dhe motra ime, pikëza e shiut
E burgosur
Në gropën e gurit gëlqeror
Ndjek me sy retë.

Dhe hijet më thanë:
Ikë bashkë me erën,
Sepse vera e la draprin e hekurt
Të peshojë mbi zemrën tënde.

Nisu para se gjethja e panjës
Të përflaket
Nga stigmatat e vjeshtës.

Dhe guri më tha: Ji besnik.
Ja ku po zbardhëllon agu,
Çasti kur drita
Banon te gjethnaja
Dhe kur vegimi
Zhduket te flaka.

Karl Krolow, 1919

POEMË DASHURIE

Me gjysmë zëri të flas :
A do të më dëgjosh përtej fytyrës së pelintë
Të hënës që zbret tatëpjetë?
Nën bukurinë qiellore të ajrit,
Kur zbardh drita,
Kur agu është një peshk i kuqërremë
Me pendë të dridhshme?

Ti je e bukur.
Këtë ua them fushave plot bimë të gjelbra.
Të freskët e të thatë e ke lëkurën. Këtë e them
Midis kubave të shtëpive të qytetit ku rroj.
Vështrimi yt është i ëmbël e i sigurt si vështrim zogu.
Këtë ia them erës që lëviz si kolovajzë.
Zverku yt – a më dëgjon- është prej ajri
Që rrëshqet si pëllumbeshë
Midis syrseve të gjethnajës së kaltër.

Ti e ngre lart fytyrën.
Në murin me tulla, ajo duket edhe një herë si hije.
Ti je e bukur. Sa e bukur që je !
I freskët si ujë burimi qe gjumi im pranë teje.
Me gjysmë zëri të flas.
Dhe nata shkërmoqet si sodë, e zezë dhe e kaltër.

Hans Magnus Enzensberger, 1929

VIZITË TE MJEKU

Ju e dini, Doktor,
Në atë kohë, unë e doja si marrë.
Çfarë nuk kam bërë
Nga dashuria për të.
Ja epikriza ime. Me kalimin e kohës,
Arrita të kuptoja
Se budallai isha unë.
Ajo nuk i pranonte asnjëherë kërkesat e mia.
Për muaj të tërë, jeta m’u duk fushë me lule,
Pastaj pa pritur e pa kujtuar
Filluan të qarat dhe kërcëllimat e dhëmbëve.
Ajo po luan teatër, thosha me vete.
Ajo don të më frikësojë me ngërdheshjet e saj. Kaq.
Unë ia flaka tuje të gjitha tabletat.
Le të mos i zëmë ngoje tekat e saj.
Ajo nuk vinte kurrë në takim në orën e caktuar!
Mirëpo, Doktor, me gjithë të metat që kishte,
Kisha një dobësi të madhe për të.
Oreksi më është kthyer përsëri.
Sigurisht, nuk ka njeri pa të cilin nuk mund të rrosh.
Kështu, unë do ta shtyj jetën edhe pa të.
Por qysh nga dita që ajo iku, u zhduk,
Qysh nga dita që e kam humbur,
Të flas me zemër në dorë, Doktor,
Qysh nga ajo ditë më mungon diçka.
Ju do të qeshni :
Mua më pëlqen të sjell ndër mend ardhmërinë.

Günter Grass, 1927

HISTORI FAMILJARE

Në muezun tonë – aty shkojmë çdo të diel-
Sapo kanë hapur ca salla të reja.
Fëmijët tanë të dështuar, embrione mavi dhe serioze
Qëndrojnë aty në bokale të thjeshta
Dhe brengosen për ardhmërinë e prindërve të tyre.

Walter Helmut Fritz, 1929

ATLANTIDA

Një vend
Që nuk ka ekzistuar kurrë.

Por nuk është e lehtë
Të heqësh dorë prej tij.

Ia behin ca rrugë të ndritshme
Që të çojnë te horizonti.

Pa kurrfarë lodhjeje.

Nuk duhet t’i shohësh gjërat
Sikur ato të kishin qenë më parë.

Në port
Kanë hedhur hekurin anijet :
Sa herë që nisen
Ato e bëjnë detin të lindë.

Werner Dürson, 1932

DASHURI

Si të ishte kështu
Dhe jo ndryshe

Flokët e tu
Të përzier me të mitë

Fytyra jote
Një gojë pranë një goje

Temperatura
E përbashkët

Ndjesia
Se dy herë një
Bëjnë një

Lumturi
E lagët, e zjarrtë, e egër
Me katër këmbë

Befas
Të shkëputur nga njëri-tjetri
Copa e llokma

Fragmente
Si ti dhe unë

Reiner Kunze, 1933

MOMENT POETIK POLONEZ

Në sallën e çlodhjes, në restorantin SAVOY në Lodz
Tri motra që i kishin kaluar të shtatëdhjetat
Po i bënin tualet
Nënës së tyre

Në buzët e saj që dikur
Për dikë kishin qenë qielli,
Ato ravijëzonin, duke korrigjuar Zotin,
Të kuqtë e perëndimit të diellit.

Sarah Kirsch, 1935

DRITARJA

Gjithë këta qiej
Mbi këtë vend krejt të sheshtë ! Në qiellin e parë,
Fluturojnë laraskat, në të dytin

Grumbullohen retë. I treti
U takon laureshave. Në të katërtin
Unë pashë një avion.

Në të pestin ndrit një yll.
Ca flutura të vdekura dergjen në dyshemé.
Shtëpinë e shesin para se të shembet.

Christoph Meckel, 1935

LIGJËRATË PËR POEMËN

Poema nuk është vendi ku mjekohet bukuria.
Këtu bëhet fjalë për kripën që i djeg plagët.
Këtu bëhet fjalë për vdekjen, për gjuhët e helmatisura.
Për atdherat që u ngjajnë këpucëve të hekurta.

Poema nuk është vendi ku zbukurohet e vërteta.
Këtu bëhet fjalë për gjakun që rrjedh nga plagët.
Për ankthin, për ankthin, për ankthin e ëndrrës.
Për shkatërrime dhe të pëgëra, për utopi që marrakëmben.

Poema nuk është vendi ku shërohen dhimbjet.
Këtu bëhet fjalë për tërbimin, mashtrimin dhe urinë.
(Këtu nuk do të këndohet për stadet e ngopjes).
Këtu bëhet fjalë për gllabërues dhe për të gllabëruar,
Për lodhje dhe për dyshim, kjo është kronika e vuajtjeve.
Poema nuk është vendi ku bie në fashë vdekja,
Ku shuhet uria, ku i thuret lavdi shpresës.

Poema është vendi i të vërtetës së habitur për vdekje.
Flatra! Flatra! Engjëlli rrokulliset. Të shpërndara
E të përgjakura, puplat fluturojnë në shtrëngatën e historisë !

Poema nuk është vendi ku i kursehet jeta engjëllit.

Ulla Hahn, 1946

PËRPUNIM POETIK

Kur vendosa
Të zëvendësoja ty me ai
Unë të dorëzova te letra

Kur thashë ti
Sepse ai nuk tingëllonte mirë
Unë të bëra të padukshëm

Kur shkrova ai
As ai as unë nuk e vumë re
Se çfarë po ndodhte vërtet

Thomas Brasch

AI 27 SHTATOR I BUKUR

Atë ditë nuk lexova asnjë gazetë.
Nuk e ktheva kokën për të parë asnjë grua.
Nuk e hapa kutinë e letrave.
Nuk i thashë tungjatjeta askujt.
Nuk ia hodh sytë pasqyrës.
Nuk fola me askënd për kohët e vjetra
Dhe nuk fola me askënd për kohët e reja.
Nuk e vrava mendjen për vetveten.
Nuk shkrova asnjë rresht.
Nuk e rrokullisa poshtë asnjë gur të vetëm.

Gerhard Wolf

ARTI

Grupe artistësh
Që ndryshojnë prore,
Jo më jetëgjata
Sesa një kristal bore…

Por përmes shumë e shumë breznish,
Arti ecën përpara,
Ndryshon,
Lind
Rrezen e një vështrimi të ri.

Thorsten Brandt, 1967

LUMI E LË POEMËN NË BREG

Qielli i ndragur me një të kuqe tulle, po
Përsipër urës, luhatet
Një re e rastit, ura
Një sy, jo, nuk ka
Një qerpik të vetëm. Po prapa ? Një anë me diell
Një anë me hije. Në breg (lumi
Me regjim të plotë & si rastësisht
Mu poshtë urës, luhatet
Një re e rastit, ura
Një sy, jo, nuk ka
Një qerpik të vetëm. Po prapa ? Një anë me diell
Një anë me hije, qielli
I ndragur me një të kuqe tulle, po)
Një vinçier shëndetplotë, rreth të tridhjetave, media vita
Me forma të fuqishme, para ca livadheve
Me një të gjelbër që bie në sy
Gropë, gurë, fluga, vinçi
Rulo & litarë forma të fuqishme, ca llaç
Që bie si rrebesh mbi lumë (qielli
I ndragur me një të kuqe tulle, po
Përsipër urës, luhatet
Një re e rastit, ura
Një sy, jo, nuk ka
Një qerpik të vetëm. Po prapa ? Një anë me diell
Një anë me hije. Në breg
Lumi dhe në breg, lumi

Përktheu : Anton PAPLEKA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here