ODET DHE ELEGJIA E RRUGËVE
Hapat e kalimtarit të parë,
të të parit shitës,të gjallat kërcitje,
të hapjes së dritareve të para,
të portës së parë-janë odet lirike,
që kanë rrugët në agim.
Hapat e kalimtarit të fundit,
të të fundit shitës,e fundit zhurmërimë,
e mbylljes së portave dhe dritareve,
janë ofshama e elegjisë,
që kanë rrugët në mbrëmje.
NË HYRJE TË KAFENESË
Vëmendjen time,për diçka që thanë pranë meje,
ma tërhoqi hyrja e kafenesë.
Dhe pashë një trup,që ngjante,
si i ndërtuar nga mjeshtëria e rrallë e Erosit-
duke i zgjeruar hareshëm pjesët e tij simetrike,
duke i lartësuar shtatin si statujë,
duke i zgjeruar me emocion fytyrën,
duke lënë nga prekja e duarve të tij,
një ndjenjë në ballë,në sy,në buzë.
ZËRAT
———–
Zëra të arrirë,zëra të dashur,
të atyre që vdiqën ose të atyre,
që për ne janë të humbur si të vdekurit.
Dikur na flisnin nëpër ëndrra
dhe truri i dëgjonte në mendimin e vet.
Me tingullin e tyre na risjellin një çast,
zëra nga poezia e parë e jetës,
si një muzikë të largët nate,që shuhet.
SHTËPI ME KOPËSHT
Do doja të kisha një shtëpi jashtë qytetit,
me një kopësht shumë të madh-jo aq
për lule,pemë e blerishte,
(sigurisht të jenë edhe ato është bukuri),
por të kem kafshë.Ah,të kem kafshë !
të paktën shtatë mace-dy pis të zeza
dhe dy të bardha si borë,për kontrast.
Një papagall të mësuar,që ta dëgjoj,
të thotë gjëra me peshë dhe bindje.
Qen,besoj se do më mjaftonin tre.
Do doja edhedy kuaj,(të mirë janë kuajt e vegjël).
Dhe veç tyre,tre,katër nga të vlefshmit,
nga ato kafshë simpatike,gomerët,
të rrinë ngathësisht dhe të kënaqen.
NË TRYEZËN PRANË
Sapo do ketë mbushur njëzetedy vjeçe.
Por unë jam i bindur se dikur,
pothuajse të njëjtën moshë,të njëjtin trup shijova.
Nuk është aspak përndezje dashurie.
Vetëm para pak çastesh hyra në kazino
dhe nuk kisha as kohë për të pirë shumë.
Të njëjtin trup shijova.
Dhe nëse nuk më kujtohet se ku-një harresë e imja s’prish punë.
Ah,tani që u ul në tryezën pranë,
njoh çdo lëvizje që bën-dhe nën roba,
rishoh të zhveshur vendet e dëshiruar.
TRUP,SILL NDËRMEND
Trup,sill ndërmend jo vetëm sa dashurove,
jo vetëm shtratet ku u shtrive,
por edhe dëshirat,që për ty,
shkëlqenin dukshëm mes syve të tu
dhe dridheshin brenda zërit-dhe ndonjë pengesë
e rastësishme nuk i la të realizoheshin.
Tani,që të gjitha i përkasin së shkuarës,
duket sikur edhe në dëshirat,
sikur u dhe-si shkëlqenin,
kujto si të shikonin në dritë të syrit,
si dridheshin mes zërit,pa kujtohu,trup !
DITË TË VITIT 1909, ’10 dhe ’11
Ishte i biri i një marinari të tiranizuar,të këputur,
(nga ishujt e Egjeut).
Punonte në hekura.Vishte rroba të vjetra.
Këpucët i kish të shqyera,brashnja.
Duart të ndotura me vajra dhe ndryshk.
Në mbrëmje,kur mbyllej dyqani,
nëse kish diçka që e dëshironte me zjarr,
ndonjë kollare paksa të shtrenjtë,
ndonjë kollare për të dielën,
ose nëse kish parë në vitrina
dhe i pëlqente ndonjë këmishë mavi,
trupin e tij,për një apo dy dhrahmi, e shiste.
Pyes veten:nëse në kohët e lashta,
(Aleksandria krenohej se kish të rinjtë më të bukur),
djalosh më të përkorë se ai-që shkoi dëm,
nuk kish parë,kuptohet:shtati i tij pikturë,
në dyqanin e vjetër,një hekurpunues i rëndomtë,
aq shpejt nga puna e mundimshme
dhe nga shoqëria e lëshuar,e shthurrur,ishte rrënuar.
AFATI I NERONIT
Nuk u shqetësua Neroni kur dëgjoi,
Orakullin e Delfit,profetin:
”73 vjetëve t’u trembej !”
Kish ende kohë të gëzonte.
Ish vetëm tridhjetë vjeç.Tepër i largët,
afati,që zoti i kish dhënë,
për t’u dalë përpara rreziqeve të ardhshëm.
Tani do të kthehej në Romë pakëz i këputur,
nga lodhja e këndshme e atij udhëtimi,
që ishte dëfrim i përditshëm,
në teatro,kopshtije,vendstërvitje…
mbrëmjet në qytetet e Ahajasë…
e mbi gjithshka kënaqësia e trupave të zhveshur…
Me këto merrej Neroni.Në Spanjë,
ushtrinë e tij afronte dhe stërviste fshehur,
Galvasi,plaku shtatëdhjetë e tre vjeçar.
EMILIANO MONAI, ALEKSANDRI 620-655
————————————————————–
Me fjalë,me pamje,me mjeshtëri,
do vesh një armatim të rëndë,të veçantë,
do përballoj kështu njerzit e këqinj,
frikë dhe dobësi nuk do kem aspak.
Do duan të më dëmtojnë.Por askush vesh s’do ta marrë,
prej atyre që afër meje do të vijnë,
ku fshihen plagët e mia,të hershmet plagë,
me hile,mjeshtërisht do t’i mbuloj dobësitë.
Të kota mburrjet e Emiliano Monait,
të jetë armatosur ndonjëherë kaq rëndë ai ?
Dhe po ta ketë bërë,s’e ka përdorur shumë,
njëzet e shtatë vjeç,vdiq në Siqeli.
NË TË NJËJTIN VEND
———————————
Mjedis shtëpie,qendre,lagjeje,
e shoh dhe ecij vite dhe vite.
Të krijova mes gëzimeve dhe hidhërimeve,
me kaq ndodhi,me kaq gjëra.
Dhe u bëre i gjithë i ndjeshëm,për mua.
PASQYRA NË HYRJE
———————————-
Shtëpia e pasur kishte në hyrje,
një pasqyrë të madhe,të vjetër shumë,
blerë,të paktën,para tetëdhjetë vjetësh.
Një djalë i bukur,nëpunës tek rrobaqepësi,
(të dielat sportist amator),
priste me një pako në duar.Ia dorëzoi
një njeriu të shtëpisë dhe ai e çoi brenda,
për të sjellë faturën.Nëpunësi i rrobaqepësit,
mbeti i vetëm dhe priste.
Iu afrua pasqyrës dhe u pa,
rregulloi kollaren.Pas pesë minutash
ia sollën faturën.E mori dhe iku.
Po pasqyra e vjetër,që kish parë,
gjatë jetës së saj shumëvjeçare,
mijra gjëra dhe fytyra,
pasqyra e vjetër tani gëzohej
dhe krenohej që kish ndjerë mbi vete,
bukurinë e rrallë për pak minuta.
NË SHTËPINË E SHPIRTIT
—————————————-
Në shtëpinë e Shpirtit vërtiten pasionet,
gratë e bukura,veshur me mëndafsh
dhe gurë zafiri deri në majë të flokëve.
Që nga porta e shtëpisë,gjer tej në thellësi
i përdorin të gjitha sallat.Në më të madhen,
mbrëmjeve,gjakndezur zjarr e valë,
flokëlëshuar,kërcejnë dhe pijnë me afsh.
Jashtë sallave të zbehta,të veshura
me modën e një kohe në harrim,
enden virtytet dhe me dhimbje dëgjojnë
festën që bëjnë njerzit e dehur.
Në xhamat e dritareve afrojnë fytyrat
dhe shohin të heshtur,të menduar,
xhevahirët,dritat,vallen në harbim.
QIRINJTË
————–
Ditët e ardhshme rrinë para nesh,
si një radhë qirinjsh të ndezur,
qirinj të artë,të ngrohtë,të gjallë.
Ditët e shkuara mbeten pas,
një radhë e pikëlluar qirinjsh të shuar,
më të afërmit tymojnë ende,
qirinj të ftohtë,të shkrirë,të përthyer.
Nuk dua t’i shoh,më brengos forma e tyre,
brengosem të kujtoj dritën e tyre të parë,
vështroj përpara,tek qirinjtë e ndezur.
S’dua të kthej sytë,të ndjehem i frikuar,
duke parë sa shpejt zgjatet vija e errët,
sa shpejt shtohen qirinjtë e shuar.
LE TË PËRKUJDESESHIN
—————————————-
Kam mbetur pothuajse pa strehë,pa një dyshkë,
ky qytet fatkeq,Andioqia,
m’i hëngri të gjitha të hollat,
ky qytet fatkeq,me jetën e tij të shtrenjtë.
Po jam i ri dhe me shëndet të plotë,
zotërues i mrekullisë greke.
(Njoh shumë mirë Aristotelin,Platonin,
oratorinë,poetikën dhe gjithshka që mund të thuash).
Për njohuritë ushtarake,kam njëfarë ideje
dhe kam miqësi me udhëheqës e mercenarë.
Kam njëlloj informimi si administrator.
Në Aleksandri,vjet ndenja gjashtë muaj,
diçka njoh (dhe kjo është e nevojshme ),edhe aty,
synimet e keqbërësve,ligësitë njerëzore e të tjera.
Aty ku mendoj se jam plotësisht i aftë,
është t’i shërbej këtij vendi,
atdheut tim të shtrenjtë,Sirisë.
Në çdo punë që do më caktojnë,do përkujdesem,
të jem i dobishëm për vendin,ky është qëllimi im.
Nëse do më pengojnë sërish me metodat e tyre,-
jua dimë aftësinë:ç’mund të themi tjetër ?
nëqoftëse më pengojnë,ç’faj kam unë ?
Do t’i drejtohem të parit Zavinës
dhe po qe se ai i marrë nuk do më çmojë,
do shkoj tek kundërshtari i tij Gripo’.
Dhe nëse edhe ai torrollak nuk do më pranojë,
do shkoj me një frymë tek Ingrano’.
Njeri prej të treve do të më çmojë.
Ndërgjegjja ime do jetë e qetë
dhe nëse asnjeri s’do më pranojë,
Sirinë e dëmtojnë të tre njëlloj.
Po ç’faj kam unë,njeriu i këputur,
unë i cfilituri,që kërkoj të arnohem.
Nëse do përkujdeseshin zotat fuqiplotë,
të krijonin një të mirë të katërt,
do shkoja aty me gëzim të plotë.
NJË PLAK
—————–
Në kafenenë e zhurmshme,tej në thellësi,
përkulur mbi tryezë,një plak i vjetër rri,
me një gazetë para,i vetëm fillikat.
Përbuzjen i ndjen të mjerës pleqëri,
mendon:sa pak gëzoi në rini,
kur kish forcë,fjalë,bukuri pa cak.
E di,u plak shumë,e shikon,e ndjen,
kohë e rinisë i duket e afërt si dje,
sa kohë e shkurtër,shkurtaqe kohë.
Mendon si e mashtronte dinakja Urtësi
dhe gjithnjë e besonte:-Eh,ç’marrëzi !
Gënjeshtarja i thosh:-Nesër ke shumë kohë.
Vrrullimet e hershme,mendimit i zënë vend,
sa gëzim flijoi,sa njohje të pamend,
çdo rast të humbur tani e tall,përqesh.
Nga mendimet e gjatë,kujtimet e pafund,
plaku u trallis,u lëshua në gjumë,
aty në kafene,mbështetur mbi tryezë.
Përktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ

















