Poezi nga MATSUO BASHO, Japoni. Perktheu: Anton Papleka

VJESHTË

Emri i vërtetë i Bashos është Macuo (Matsuo) Munefusa. Pa dyshim, ai është më i përmenduri nga autorët e haikut. Pikërisht ai i dha një hov të ri dhe një thellësi të re këtij arti.
Basho-ja lindi më 1644, në Coge, një fshat pranë Uenos. Ai ishte djali i dytë i një samurai.
Pasi humbi të atin, ai hyri në shërbim të djalit të kështjellarit të vendit Todo Joshitada, i cili ishte dy vjet më i madh. Shumë shpejt, ata u bënë miq të ngushtë. Meqenëse Joshitada shkruante haikai nën drejtimin e një mjeshtri të shkollës TEIMON, ai i dha njohuritë e para për këtë art Munefusas së ri.
Dy vjet më vonë, pas vdekjes së mikut të tij, Basho-ja i ardhshëm u kthye të jetonte në shtëpinë e të vëllait, në Ueno, para se të vendosej në Edo më 1672, sepse kryeqyteti ishte bërë qendra e haikait të shkollës DENRIN.
Ai ishte i talentuar. U dallua shumë shpejt dhe, ndonëse ishte në moshë të re, u pranua në rrethin e “të vjetërve”.
Meqenëse tashmë ishte i përmendur, ai mund të kishte kaluar një jetë të mirë duke u dhënë mësime të tjerëve për artin e haikait, por ngaqë nuk pranoi të bënte kompromise, parapëlqeu të punonte si ndihmës kontrollor i ujërave të qytetit. Këtë funksion e mbajti nga viti 1677deri më 1680.
Në të njëjtën kohë, disa amatorë të pasur u mblodhën rreth tij për të përsosur artin e haikait. Kështu u formua ajo bërthamë e nxënësve dhe e miqve si Kaiku apo Sanpu, një tregtar i pasur që merrej me tregtinë e drurit, të cilët i qëndruan besnikë përherë.
Më 1680, me këtë grup nxënësish, ai hartoi tekstin themelues të një shkolle të re të haikut, e cila nuk ishte as Teimon-i, as Denrin-i: shkollën Shonan.
Po këtë vit, ai u vendos në një ermitazh që ia kishte dhënë miku i tij Sanpu, pranë lagjeve të jashtme të Fu-Kagava-s. Pikërisht në këtë kohë, në vend të emrit Macuo Munefusa, ai përdori emrin Basho-an: “an” do të thoshte ermitazh dhe “Basho”, druri i bananes. Ky emër kishte lidhje me një dru bananeje, të mbjellë nga një nxënës i tij.
Ai rronte i tërhequr nga bota dhe përfitoi nga kjo gjendje për të njohur doktrinën Zen pranë mjeshtrit dhe mikut të tij Buço.
Më vonë, ai do të mburrej se kishte pasur mjeshtër taoistë Çuang Ce-në, Lie Ce-në dhe poetë kinezë Li Po, Du Fu apo Han Shan, të ndikuar shumë nga doktrina budiste apo taoiste. Po aq shumë, ai admironte poetin Saigo, të cilin e mbante si model, piktorin Sesshin dhe Dogi-n, mjeshtrin e Rengas.
Ai mbeti gjithmonë laik, por qysh nga kjo kohë, bëri një jetë të rreptë, të tërhequr, të ndërprerë nga udhëtime të gjata. Atëherë ai kaloi nga një vis në tjetrin, i veshur si murg.
Udhëtimin e parë e bëri për të shkuar te varri i nënës së tij, së bashku me mikun e tij Shiri.
Për të soditur hënën e plotë të vjeshtës në hieroren e Kashinas dhe për t’i shkuar për vizitë mjeshtrit të tij Buço, më 1687, ai bëri një udhëtim të dytë në veri të Edos.
Pikërisht në fund të pranverës së vitit 1689, ai do të bëjë shtegtimin e tij më të madh me mikun e tij Sora: një udhëtim prej 2340 km deri në Hiraizumi, në veri të gadishullit. Iu deshën pesë muaj për ta kryer këtë udhëtim.
Duke kaluar përmes maleve të qendrës së vendit, ai zbuloi një natyrë të virgjër që e frymëzoi më shumë sesa çdo peizazh tjetër. Aty, ai hartoi haikut e tij më të bukur. Që andej, solli udhëpërshkrimin e tij më të famshëm dhe pa dyshim më të përkryer: ”Shtegu i ngushtë në fund të botës”, të cilin e përpunoi gjatë, para se t’ua linte në dorë nxënësve disa muaj para se të vdiste.
Më 1692, ndodhej në Edo, kur ra i sëmurë për herë të parë.
Në Saga, mori lajmin për vdekjen e Jute-s, bashkëshortes së tij qysh prej shumë vitesh.
Megjithatë ai donte të ishte në harmoni me “lëvizjen e kulluar të jetës” dhe do të vazhdonte të udhëtonte pareshtur derisa vdiq më 1694, në Osaka.
U varros në manastirin e Gishu-ji në Ziji. Nxënësit e tij mbollën një dru bananeje te kryet e varrit të tij.

VJESHTË

Kur ia beh agu
Si vorbullat e mjegullës
Zëri i kambanës

Vjeshta po afrohet:
Zemra ime gjakon
Ngrohtësinë e dhomës.

Aty-këtu
Zëra ujëvarash
Dhe gjethe që shkunden

Ende jam në jetë.
Fundi i udhëtimit.
Pasdite vjeshte.

Në shijen e athët të rrepës
Unë e ndiej
Erën e vjeshtës

Shkunden gjethet e shelgut:
Mjeshtri dhe unë
Dëgjojmë kambanën që bie

Në kopsht dergjet
Një shekull
Gjethesh të rëna!

Mbi çatinë e pjerrët
Pak diell i zbehtë:
Feski mbrëmjeje

Në këtë shteg
Vetëm mugëtira e vjeshtës
Ecën ende

Perëndim vjeshte:
Thua se këtu gjindet
Vendi i hijeve

Më e bardhë se gurët e zhveshur
Të malit shkëmbor:
Era e vjeshtës

Këtë vjeshtë
E ndiej peshën e pleqërisë:
Përtej ka zogj, re

Mos harro kurrsesi
Shijen vetmitare
Të brymës

Supë orizi:
Dëgjoj si bie instrumenti
Bulkthat cinxërojnë mbi çati

Asnjë pikë vesë nuk bie
Nga gjethet
E krizantemave të ngrira

Kurrila krrokàt
Me një zë
Që mud të çajë bananen

Pas një kërpudhe kapet fort
Gjethja
E një peme të panjohur

Në një degë të zhveshur
Një korb:
Mbrëmje vjeshte

Në këtë shteg nuk ecën
Askush veç perëndimit
Të diellit të vjeshtës

Të djeg ende
Dielli i purpurt:
Por fryn erë vjeshte

Vjeshtë e vonë:
Fqinji im
Vallë, si rron?

Në Lindje a në Perëndim ndesh
Të njëjtin trishtim:
Erë vjeshte

Tingulli i kambanës vërtitet
Nëpër mjegull
Në të zbardhur të dritës

Hënë vjeshte:
Tërë natën brodha
Rreth liqenit

Nganjëherë
Retë i lënë të pushojnë
Ata që kundrojnë hënën

Një gështenjë bie nga lart:
Kandrrat heshtin
Midis barit

Pas meje
Rruga mbetet e zbrazët:
Erë vjeshte

I njëjti peizazh
Dëgjon këngën
E sheh vdekjen e gjinkallës

Me ç’zë do t’ia thoshte këngës
Ç’këngë do të këndonte merimanga
Në puhinë e vjeshtës

Pilivesa më kot orvatet
Të ulet
Në një fije bari

Një zemër
E zbardhur nga shiu:
Skelet i rrahur nga erërat!

Mbi detin e errët
Klithma e mekur
E një rose të egër

Një mullagë
Buzë rrugës:
Atë e ka ngrënë një kalë

Fryn era e vjeshtës
Por eshkat e gështenjave
Janë të gjelbra

Krizantema të bardha:
As njollën me të vogël
Syri nuk takon përballë

Shturat rrahin flatrat e shpejta:
Caraca shkund frutat
Stuhi mëngjesi

Në majën e një peme
Lëvozhga
E një gjinkalle të vdekur

Një natë duke mbajtur vesh
Shiun që kullon në legen:
Banania përkulet nga era.

Terratiset deti:
Zëri i patave të egra
Është i bardhemë

Era e vjeshtës fryn:
Fytyra e një njeriu
Të sëmurë nga shytat

Krimbat në gështenja
Lëvizin natën
Në dritën e hënës

Stuhia vjeshtake
Fryn përmes gurëve
Të malit Asama.

Nuk kam as kapele
Dhe u bëra qull:
E çë?

Këtu shelgu luhatet:
Çdo urrejtje dhe çdo dëshirë
Rri larg zemrës sate.
Natë e errët:
Këmbëgjata qan
Në kërkim të folesë

Karabullaku merret me peshkim:
Çfarë bukurie,
Çfarë trishtimi.

Duke kalëruar në dritën e hënës
Ca i përgjumur, ca në ëndërrime:
Tymi i çajit të mëngjesit.

Çerdhja
E braktisur nga korbat:
Një dru me pendë.

Vjeshtë:
Ngjajnë të moshuar
Edhe zogjtë e retë.

Po të flas me dikë
Më mërdhijnë buzët:
Erë vjeshte

Në ujëvarën kristaline
Shpërndahen
Gjilpërat e blerta të pishave

Zërat e njerëzve
Vijnë deri te rruga:
Erë vjeshte

Vetëtima e zjarrtë
Që çan natën e zezë:
Klithma e gatës

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here