Afër fillimit të shekullit të kaluar, Ezra Paund deklaroi se poezia amerikane duhet të shkruhet të paktën aq mirë sa proza. Afër fundit të së njëjtit shekull, Charles Bernstein shprehu mendimin se poezia duhet të jetë të paktën aq interesante sa programet televizive. Fjala duhet ishte kyçe, ajo shprehte pakënaqësi dhe sugjeronte ndryshime. Me fjalë të tjera, teoria dhe kërkesat e tyre për një ngritje të dukshme të nivelit të poezisë, tërthorazi, thërrisnin për eksperimente të reja poetike. Kjo situate solli reagimin e menjëhershëm të poetëve, duke e ngritur në rreth 500 numrin e formave poetike. E keqja ishte se kur format e reja paraqiteshin para publikut, shihnim të mbizotëronte heshtja. Kritikët dhe akademikët nuk ofronin gjykimet e tyre për rezultatet e ekspertimeve që kryheshin. Përkundrazi, disa nga poetët dhe teoricienët e mëdhenj të kohës shkonin aq larg sa për të nxitur poetët për një nivel edhe më të lartë në punën e tyre, amplifikonin humbjen e shpresave dhe vazhdimësinë e shqetësimit se me ata poetë që kishte Amerika nuk mund të arrihet ajo që kërkohej në poezi.
Situata e krijuar u dha poetëve mundësinë për një zë më të fuqishëm në podiumin poetik, veçanërisht krijuesve të lëvizjes avangardë—një metaforë e huazuar nga terminologjia ushtarake franceze “avant-garde”. Ata promovuan shumë nga format e reja me inovacion të dukshëm në stil, formë dhe thelbin e subjektit që trajtohej, por sulmuan gati në mënyrë të organizuar format më të pranuara të traditës letrare të kohës që ato i përkasin.
E gjithë kjo nxitje bëhej me historinë e poezisë amerikane në mendje. Ata e dinin se në mungesë të një identiteti kuptimplotë, të paktën deri në mesin e shek. XIX poezia amerikane akoma mundohej të ndiqte poezinë evropiane, në veçanti atë britanike. Nën gamën e pakënaqësive të shprehura nga forcat intelektuale të asaj kohe rreth kësaj dukurie, u bë e mundur që poezia evropiane të bëhej njëherësh problemi dhe zgjidhja e çështjes në fjalë. Amerikanët vunë në jetë një lëvizje të fuqishme letrare, e cila i vuri vetes për qëllim ndalimin e “imitimit” të kulturave të tjera dhe bërjen e poezinë amerikane, veçanërisht amerikane.
Ndoshta më i suksesshmi dhe më i fuqishmi i këtij versioni ishte poeti Walt Whitman. Ai qe në gjendje të jepte atë shkëlqim që plotësonte kërkesat e përshkruara nga ky civilizimi i ri. Në vend që të imitonte mësuesit e tij përtej Atlantikut, ai mori, mendoj unë, vargun biblik, ashtu siç dilte prej zërit të oratorëve të mëdhenj të kohës së tij dhe e ktheu atë në vargje të gjata e të lira, duke ndihmuar me to vendin e tij në krijimin e një fizionomie të re poetike.
Për fat të mirë, pas më se një shekulli, strategjia e nxitjes i solli edhe një herë rezultatet e shumëpritura Amerikës. Duke e parë se poezia e saj po fragmentohej në 500 drejtime të ndryshme pa mundur të bashkohet në një pikë të përbashkët që do të krijonte një poezi të fuqishme në përputhje me traditën e pasur që kishte, poetët më seriozë vendosën t’i përveshin mëngët dhe ta bindin botën letrare se poezia amerikane akoma ka poetë të mëdhenj. Me fillimin e mileniumit të ri ata i vunë vetës objektiva të reja në lidhje me kualitetin e poezisë që do të prodhonin: poezia amerikane duhet të jetë të paktën më e mprehtë, më intelektuale, dhe më e befasishme se ajo e tri dekadave të fundit të shekullit që kaloi, por mbi të gjitha të jetë pasqyra e shpirtit të të gjithë njerëzimit pa përjashtim.
Nëse do më duhej ta shpjegoj me vetëm një fjalë të vetme një nga pjesët më të rëndësishme të shkëlqimit të sotëm të poezisë në fjalë, ajo do të ishte diversitet (larmi). Ndryshe nga shek. XX, kur Amerika lindi një numër të madh poetësh madhështorë si Wallace Stevens, Ezra Paund, T. S. Eliot (i lindur në Amerikë), William Carlos Williams etj., në shek. XXI disa nga poetët e saj më të mëdhenj janë amerikanë të natyralizuar.
Ndonëse poezia e sotme amerikane nuk ka një apo dy poetë që e komandojnë masën e lexuesve, ajo ka një numër të konsiderueshëm poetësh të shkëlqyer që ecin pothuajse paralelisht me njëri-tjetrin. Vlen për t’u përmendur se Fredrick Turner, poeti që Amerika iu drejtua për ndihmë, pra për t’i prirë poezisë së saj drejt rikuperimit nga anemia që pësoi gjatë tri dekadave të fundit të shekullit që kaloi, nuk ka lindur në Amerikë, por në Britaninë e Madhe. Por ja se si i drejtohet atij Robin Fox, njëri nga antropologjistët më të rëndësishëm të kohës sonë: “Sa poetë mund të depërtojnë tek mendja jonë, tek dituria, dhe te ndjenjat tona më të thella, te konstruksioni i kristaltë i vetëdijes dhe të na trazojë aty sinqeritetin dhe emocionet? Vetëshprehja e tij nuk është asnjëherë më pak se një shpërthim i lëndës universale brenda nesh, dhe si e tillë ngjitet në një nivel poetik madhështor. Ai është, po të përdorim një metaforë të tij, një “shijues i egër” tek i cili të gjithë ne duhet të gravitohemi nëse mendojmë, ndjejmë, dhe jemi në gjendje ta kapim të bukurën. Ne duhet të guxojmë që nën udhëzimet e tij virgjiliane, t’i kapërcejmë këto pengesa, këta kufij liminalë që të çojnë drejt skëterrës së Hadit. Ndonëse dimë shumë gjëra, kemi harruar si t’i harmonizojmë dituritë me ndjenjat, ndaj na nevojitet me shumë dëshpërim dora udhëheqëse e poetit Frederick Turner”.
Turner, i cili gëzon nënshtetësinë amerikane që nga viti 1997, reagoi me vepra, jo me fjalë, duke i vënë gjoksin punës në të mirë të poezisë amerikane. Nën udhëzimet e Turner-it, në Amerikë filluan të zhvillohen dy lëvizje të rëndësishme poetike, “Formalizmi i ri” dhe “Narrativi i ri” që të bashkuara sot njihen si “Poezia e zgjeruar” (Expansive Poetry). Në orbitën e këtyre lëvizjeve dolën në skenë disa talente të reja dhe të fuqishme që mbajnë një peshë të madhe në poezinë e sotme amerikane, si Dana Gioia, James Merill, John Frederick Nims, Anthony Hecht etj. Turner bëri, si të thuash, të kundërtën e Whitman-it, solli edhe një herë në poezinë amerikane format e vjetra poetike. Në poezinë e tij ai lufton për një etnopoetikë, në qendër të secilës kryqëzohet përgjegjësia intelektuale e çdo poeti me aktet më të thella të personalitetit të tyre njerëzor.
I tillë, ndonëse nga një anë tjetër e spektrumit, është edhe poeti Edward H. Garcia. Ai është një figurë mjaft e pëlqyer në poezinë e tij; ai jeton me lexuesin para se t’i kthejë shqetësimet e tij në subjekte, trajton bukur dhe me emocion përvojat personale në të cilat lexuesi mund të gjejë veten dhe nuk heziton të depërtoje tek disa nga aspektet e frikshme të jetës, depërtim i cili na zgjatet deri në zemër. Poezia e tij nuk ka korridore të errëta. Nëse në paraqitje ajo duket disi e thjeshtë, kjo ndodh sepse ajo është e pastër si kristal dhe e kompozuar aq mjeshtërisht sa zhurma e mërzitshme të fjalëve “thyejnë qafën” para se te skanohen nga sytë e admiruesve të poezisë së tij. Sinqeriteti autorial është një nga pikat e forta të krijimtarisë së tij. Garcia shkruan me sensivitetin e një fëmije dhe me shpirtin e një poeti të rritur nën fatin dhe fatalitetin e të qenurit meksikan në Amerikë. Ndoshta në këtë pikë mund ta kërkojmë edhe individualitetin e stilit të tij krijues. Ai zakonisht shkruan një poezi epideiktrike që tenton të ndajë me lexuesin efektet e rasteve të veçanta që celebrohen, si një shërbim poetik ndaj kënaqësisë dhe ngritjes së tyre morale. Por që në qendër është një poezi më e thellë—ai shkruan me mësimet që ka nxjerrë nga Poetika e Aristotelit, i cili i pat dhënë retorikës tri drejtime kryesore: paramendimin për të bindur, ligjshmërinë për të dënuar apo lavdëruar veprimet, dhe epideiktrikën për të vetëvepruar në ceremonitë që e meritojnë lavdërimin.
Pastaj kemi një zë tjetër poetik që ka bërë aq shumë për njerëzimin në poezinë e saj, saqë, ndonëse mund mos lexohet nga të gjithë, është e vështirë të gjesh një njeri të shkolluar që të mos ia ketë dëgjuar emrin. Është fjala për poeten Maya Angelou. Përdorimi unik i gjuhës që ajo përdor, i jep mundësi lexuesit ta ndjejë personalitetin human në vargjet e saj. Disa nga elementet që përcaktojnë zërin e saj poetik përfshijnë strukturën, mënyrën e të shprehurit dhe tonin—qëndrimin që ajo mban kundrejt subjektit. Angelou është një aktiviste e gjithanshme. Jeta e saj është përfshirë në politikën amerikane, jo për të fituar autoritet, por për të qenë një avokate e vyer kundër prapaskenave politike, në mbrojtje të interesave të njerëzimit. Në përftim të kësaj mbushje autoriale, vërejmë se imazhet jetësore i buzëqeshin çiltër në poezi, pa nevojën për t’i kërkuar ato. Kjo e shpjegon deri diku gjoksin e saj poetik si dhe arsyet e vënies së tij, nganjëherë, “kundër” krejt Amerikës. Kjo ndodh sepse njeriu është dashuria dhe dhembja e saj, është një perde e hollë që tundet pa ndalim përpara vizionit të saj, gjë që e bën aktin e mirësjelljes, kënaqësisë, durimit, madje edhe të dashurisë së saj të shkrihet në një soj ankthi, zemërimi, e nganjëherë edhe frike, para përgjegjësisë që ajo ndjen si poete.
Kjo është një sfidë rezultateve jo vetëm për vetë karrierën e poetes Angelou, por edhe për caqet që ajo vë para poeteve të reja amerikane, siç është Andrea Witzke Leavey. Poezia e Andrea-s për lexuesin amerikan ka vlera të ngjashme me ato që kishte dikur për mua dhe banorët e Malësisë së Madhe shiu i verës. Pra poezia e saj, është një burim i jetës, i jep gjithësisë një rifreskim fondamental, i bën gjërat të rriten, të transformojnë vizionin tonë—duke i bërë ato të duken ose me të pastra ose me të baltosura—ose më pak të dukshme, ose më të zymta. Vargjet e saj janë shpesh një bukuri e rrallë, por nganjëherë janë edhe dëshpëruese. Në të njëjtën kohë, shpresoj që lexuesi shqiptar do e gjejnë poezinë e saj si një poezi elegante, që rrjedh me një intensitet të heshtur, me një përkushtim të lartë ndaj metaforës dhe çiltërsisë së komunikimit.
Në këtë sens, poetesha Alicia Suskin Ostriker është po aq autentike sa Leavey; por më e fuqishme si poete. Besimi i saj në demokracinë e shpirtit, miqësinë seksuale, dhe dalja hapur kundër luftës amerikane në Afganistan e Irak, e ka vënë emrin e saj në krye të dashurisë së lexuesve (sidomos të rinj) amerikan. Poezitë e saj janë meditative, largpamëse—ato ekzistojnë në atë pikë ku ndeshen vlerat njerëzore, natyra, dhe interesi i saj si autore. Kjo ka ndihmuar që imazhet e saj të lëvizin me lirshmëri nga observime të pastra në skena imagjinatash, ku të dyja palët, observuesi dhe të observuarit, janë të dukshëm në to. Në disa nga veprat e saj, si në atë “No Heaven”, momentet dhe skenat e izoluara bashkë-eksitojnë me një lëvizje shpirtërore të konsiderueshme. Kjo mund të ndodhë sepse nganjëherë poezia e saj reflekton të jetë provokative, profetike, ekstravagante, e më shpesh, disi cinike, erotike, e dëshpëruese. Një nga gjërat që unë, personalisht, pëlqej më shumë në poezinë e kësaj poeteshe, ka të bëjë me faktin se poezia e saj bart një energji të jashtëzakonshme emocionale, që efektet e saj mund të jenë sa frymëzuese aq edhe nervozuese.
Por poezia e sotme amerikane ka plot poetë që mund të lexohen edhe atëherë kur njeriu e ndjen nevojën për të qetësuar nervat. Njëri prej tyre është poeti Ted Kooser, i cili shkruan kryesisht për atë pjesë të publikut që nuk është veçanërisht i edukuar për ta njohur teorinë letrare, por që janë inteligjentë sa t’i kuptojnë librat që vendosin t’i lexojë. Me këtë në mendje, Kooser praktikon një stil që është njëkohësisht i përshtatshëm për të si poet edhe për lexuesin e tij. Ai, si shumica e poetëve të sotëm amerikanë, shkruan poezi të shkurtra. Poezitë e tij janë argëtuese dhe subjektet që trajton janë ngacmues dhe relevant për kohën. Kooser tenton një akt të mprehtë përshkrimi, dhe provon të depërtojë tek gjendja emocionale dhe shpirtërore e lexuesit pa e vënë atë në vështirësi në marrëdhënie me vetveten. Gati gjithçka ndjehet e lidhur me aktin e një vet-portreti në poezinë e tij. Marrja përsipër e risjelljes së nocionit të vlerave humane në vargjet që shkruan i ka dhënë një popullaritet të dukshëm në kategorinë e poetëve të mëdhenj ku ai klasifikohet.
Asgjë më pak nuk mund të thuhet për famën që ka fituar poeti Gary Snyder në poezinë bashkëkohore amerikane. Ai e konsideron poetin të lindur nga natyra si një vizionar, si një njeri me një rol të veçantë në jetë—të zgjojë dhe të ndriçojë njerëzimin. Për ta bërë përvojë në punën e vet këtë përfytyrim që ka gdhendur në mendje për misionin e poetit, ai e ndjen nevojën për t’i ndjekur me seriozitet të gjitha idetë dhe momentet që e shtyjnë atë drejt fletës së bardhë. Snyder e bën këtë përsiatje me një imagjinatë të hapur, por të mënjanuar nga shqetësimi për t’i dhënë drejtim abstrakt thelbit të poezisë që shkruan. Kjo është diçka pozitive, sepse imagjinata e tij arrin shkallën më maksimale të veprimit kur aktivizohet kundrejt detajeve konkrete që kanë të bëjnë direkt apo indirekt me subjektet poetike që trajton. Në veprat e Snyder-it forma fuqizohet nga brendësia e rritjes natyrale të secilës poezi dhe jo nga parametrat konvencionalë të poezisë klasike. Duke shkruar një poezi që gjendet më afër botës së imagjinatave dhe më larg asaj retorike, filozofia që përcjell poezia e tij ka fituar admirues të shumtë, sidomos atë pjesë të lexuesve që janë të interesuar veçanërisht në poezinë akademike. Poezia e tij konsiderohet e një niveli të lartë jo vetëm për liberalizmin e temave që trajton dhe harmoninë e brendshme ritmike që ofron, por edhe për faktin se ajo rritet në prezencën e një inteligjence të fuqishme autoriale.
Rainer Schulte është një tjetër poet, në poezinë e së cilit mund të themi se mbizotëron kultura poetike dhe ndjenja e hollë njerëzore. Në tre-katër vargjet e para poezia e tij të jep përshtypjen e një poezie të ndërtuar sipas teknikave të shkollës së surealizmit, por tek e lexon deri në fund atë, idetë dhe imazhet e atyshme sikur zënë e transformohen ngadalë në një narrativë të çuditshëm psikologjike. Schute është një tjetër poet i mirënjohur dhe i respektuar në letërsinë e sotme amerikane, që përpara se të natyralizohej si nënshtetas amerikan mbante kombësinë gjermane. E si mund të mos respektohet një talent i kalibrit të tij? Kur lexon poezitë e tij është si të shtyhesh një hap mbrapa, apo të biesh diku në një lëndinë magjike. Schulte e lidh trupin human, natyrën fizike dhe ritmet natyrale me pyetje serioze ndaj kohës dhe vetëdijes. Në poezinë e tij, ai e tjetërson imazhin njerëzor, e rikrijon atë, dhe mediton rreth kalimit të tij nga jeta tek ëndrra dhe anasjelltas. Schulte është aq mjeshtër në ndërtimin strukturor poetik, sa brenda një poezie me pak rreshta arrin të implimentojë “Britmën” e Munch-it. Për të dhembja e bën jetën të dukshme dhe interesante. Ai fiksohet në vërtetësinë e konflikteve njerëzore dhe në nevojën e përleshjes për jetën, vdekjen, marrëdhëniet njerëzore dhe të botës të së shkruarit, duke i sfiduar, në të njëjtën kohë, mënyrat se si i përkufizojmë gjumin dhe zgjimin, jetën dhe vdekjen, realitetin dhe imagjinatën. Vetë realiteti, për të si poet, është një imagjinatë dhe fjalët janë gjëja e vetme që “kurrë nuk vdesin… kurrë nuk thyhen në thërrime”. Të frymëzuar nga suksesi i tij, një numër i konsiderueshëm poetësh amerikan janë munduar që në punën e tyre me vargun ta kthejnë në poezi imagjinatën e zbardhur në ëndërr dhe ta hedhin në letër atë pa kontrollin e vetëdijes autoriale. Nga ata mund të përmendim poetët Peter Wild, John Yau, Susan Rushing Adams, James Tate, Charles Simic etj., por të gjithë (siç e kanë pranuar edhe vetë) kanë mbetur shumë larg nivelit të poezisë së Schulte-s. Shkëputja nga poetët e tjerë, është fryt i gatishmërisë së Schulte-s për të qenë përherë i gatshëm në ballafaqimin e sfidave të një bote gjithmonë ngacmuese, gjithmonë humane. Poezia e tij është dëshmitarja më e mirë që tregon se ai shkruan i merakosur për esencën e dashurisë, ndjenjave të thella, dhe në kërkim të zbulimit të një ambienti nga ku mund të realizohet mënjanimi i atij sentimentalizmi dhe i atij narrativi poetik që mund të shkaktojnë vet-zhgënjime sofomorike.
Edhe poeti Arthur Sze është nga ata poetë që deri më sot nuk e ka zhgënjyer as veten as lexuesin e tij. Sze është i ndërgjegjshëm se një nga përkufizimet e kualitetit të jetës njerëzore është tensioni në mes të rrugës që ndjekim në jetë dhe pasionit me të cilin e kërkojmë atë. Pikërisht këtë mundohet të kapë dhe të reflektojnë edhe në poezinë e tij, duke u paraqitur si një poet që shkruan saktë por ftohtë. “Nëse dëshiron ta vësh në lëvizje lexuesin, shkruaj më ftohtë,” këshillonte me letrat e tij Çehovi. Sze është plotësisht i vetëdijshëm për llojin e poezisë që shkruan. As ai vetë (as Amerika) nuk do e dëshironte poezinë e tij me të ndryshme nga ajo që është. Sepse në poezinë e tij kemi të bëjmë me një shtresë shtesë të mendimit intelektual. Ftohtësia e poezisë së tij e ngroh lexuesin më gjatë se një ekspozim eksploziv tek ngrohtësia poetike e shumë poetëve. Parë nga ana teknike, larmia e subjekteve, depërtimi për tek thelbi i problemeve shoqërore dhe rikrijimi i bukurisë natyrore që gjendet në poezinë e tij, ftohtësia e vargjeve të Sze-së është një bukuri e rrallë në poezinë e sotme amerikane. Ajo është e ngjashme me distancën emocionale që gjejmë në thellësi të tragjedive klasike, në përdorimin teknik të perspektivës në pikturat e periudhës së Rilindjes italiane etj. Poezia e tij është një art me forcë të ndjeshme intelektuale, ku bashkohen të dyja traditat e mëdha letraro-kulturore—ajo amerikane, ku poeti është lindur dhe rritur, si dhe ajo kineze, ku janë lindur dhe rritur prindërit e tij.
Në përfundim, do të ishte retorike të them se këta nëntë poetë, ndoshta më të mëdhenjtë e poezisë së sotme amerikane, do t’i gjeni të përkthyer në këtë antologji. Gjatë punës jam munduar që përkthimi im të jetë një dukuri transparente që të mos e mbulojë tekstin origjinal, por të bashkëjetojë në harmoni me të, duke hedhur një dritë të re mbi shkëlqimin që mund të gjendet aty.