POEZIA E POETIT DALAN LUZAJ. STUDIM NGA SHIRE CAKA

Emri i poetit Dalan Luzaj është i njohur tashmë në letrat shqipe, pasi ai ka botuar mbi katërmbëdhjetë libra me poezi dy nga të cilat janë poema.
E ka filluar të shkruarit me librin “Jeta më gjeti vetëm”, ndërsa i fundit mban titullin “Me zërin e zemrës”, botim i vitit 2021.
Me Dalan Luzajn, Xhevahir Spahiun, Veli Hodën, Novruz Abilekën e të tjerë, kemi qenë bashkë në shkollën pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Që atëherë talenti i tyre ishte i dukshëm, por, ndërsa disa bën përpara dhe fluturuan në drejtim të poezisë, Dalani jo…Dalanit ia vranë atë që dinte të bënte më mirë se çdo gjë, atë që i gurgullonte në shpirt, poezinë!
Dalanit ia prenë këngën, pa nisur mirë të këndonte…ia prenë vargun në buzë e sy, ia thanë zjarrin e zemrës së ndezur flakë!
Kaluan shumë vite me këngë të prerë dhe duar të lidhura për Dalanin, ditë këto që e trandën dhe i trazuan shpirtin e bukur rinor, por Dalani nuk u dha, nuk u dorëzua. Mbase këto vite të zymtë lanë vragë e mbollën tek ai edhe më thellë vargun, fjalën, ndjenjën, mendimet aq sa të thjeshta, po dhe aq filozofike.
… Dhe erdhën vitet dritë të demokracisë dhe poeti ngadhnjeu.
E ai ngadhnjeu atje, në Amerikën e largët, ngadhnjeu atje në Çikagon e akullt, jo në Vlorën dhe Atdheun e tij të dashur dhe të ngrohtë, për të cilin i ka dhembur dhe i dhemb gjithmonë shpirti.
Dalani ngadhnjeu dhe na vjen aq i plotë dhe i veçantë, aq origjinal dhe i parë në llojin e vet, sa të bën ta lexosh me ëndje dhe të emocionohesh deri në vargun e fundit.
Dalan Luzaj është poet me sharm dhe elegancë, me varg dinjitoz, me pasuri të madhe trajtash e ngjyrash, me diapazon të shumëllojshëm, tematikë të larmishme, atdhetare, historike, filozofike, familjare dhe erotike, tematika këto që i pashë të mirërealizuara sidomos në dy veprat e fundit të poetit :”Me zërin e zemrës” dhe “Poema 2”.

Dalan Luzaj do mbamendet si poet i një peisazhi të dhimbshëm në vargjet për mëmëdheun dhe për familjen.

Ja, pak vargje nga poema : “Nisja”

“Më ndiqte horizonti pas,
Përballë toka po më rritej,
Ç’po ndodh ?Harrova dhe të flas,
Një lëmsh në grykë po më ngjitej…”

Le të shikojmë dhe vargje nga poema për Ali Pashë Tepelenën, Kullën e Haklajve, Festim Laton e Çamësisë etj, për të kuptuar, ndër të tjera sa krenar e bëjnë poetin trimat e Atdheut.

Thotë Sulltani:
“S’kam ushtri e s’kam tabor
Për t’u ndeshur me Alinë…
Rri dhe sot para kalasë,
I ngurosur nga tradhëtia.
Shekujt zvarrë tërheq pas,
Ballit ndritur historia !”

“Kulla e Haklajve qiejve monument,
Balli i saj nderi i trimërisë.
Rrugën e paqes kishin zgjedhur djemtë,
Jeta zgjedh diellin e dashurisë.”

“Na e vranë Festimin, të mos kemi festë,
E fikën pishtarin,të mos bënte dritë.
Në shekuj i gjallë për ne do të jetë,
Monument plot dritë në mes Çamërisë…!

Ja dhe trimëria e zgjedhur prej poetit, vargjet, vargjet trimëri, adhurim, respekt dhe plot fisnikëri!

Dalani është poet i imazhit, i gjendjes së trallisur poetike, i një lirizmi të beftë dhe të plotë që e merr nektarin e poezisë nga problemet e kohës dhe përvojës.
Si artist i penës, e punon vargun me mjeshtëri të rrallë e me durim dhe bën të zgjojë, atë që nuk fle, në vargjet e tij peshërënda e me tematikë urbane.

“Më thuaj me dhimbje ,o muza ime,
Vështron ç’po ndodh nëpër botë?
Çbiron me sy ti labirinthe,
Sa plagë, sa dhimbje, fsheh në lot”

Ç’vështron, o ëngjëll, thellë në terr?
Sa gradë zien globi që rritet?
Temperaturat shtojnë pa prerë,
Mes vlimit akujt tej fashiten ”

Poeti operon saktë me të pathënën, të nënkuptuarën, të fshehura në figuracion dhe në filozofinë e të shprehurit. Fantazia e tij shkon deri në horizontet e padukshme dhe arrin të hedh dritë mbi errësirën e brendshme.

“Mijëra djem ushtarë të vrarë,
Kaq qytete të shkretuar,
Vdekja s’gjedh, kur nis të marrë,
Turpi zgjedh për të jetuar.
Gjeneralë që fituat,
Thoni mbretit, humba rëndë.
Kam një vajzë të shenjtëruar,
Plagë e fundit që më dhemb”
………………………..
Rrënqethëse,drithëronjëse janë vargjet për nënën, Dritën e tij të shtrenjtë, të cilën jeta e solli ta kishte nënë e baba.

“Dhembja e gjakut dhemb gjer në palcë,
Bashkë me trishtimin zbres për në Vlorë,
Gjysma e plagëve, nënë, mbeti jashtë
Për t’u thurur ballit një kurorë…”

Pothuaj në gjithë tematikën familjare të poetit mëma e tij , Drita, trajtohet me dhimbje dhe elegancë që bën të të dridhet çdo qelizë e trupit.

“Asnjë plagë s’kuroi Drita në jetë.
Internimi ia mbushi kupën plot.
Sot, moj e shtrenjtë, mbushe tridhjetë vjet,
E zbukurove dheun si asnjë në botë”…

Jo më pak të dhimbshme vargjet për Betin, motrën e dashur e halleshumë:

“Vjen nga larg shpirttrazuar
Herë flet ti, herë zemra flet,
Motër, nënë e dhembshuruar,
Helmi yt sot vdes një det ! ”

Vargjet për babanë na e sjellin të gjallë para syve eruditin, filozofin e madh të kombit, që nuk zgjodhi të pasurohej botës ku emigroi, por zgjodhi të pasurojë mendjen dhe shpirtin, zgjodhi të mbetet i përjetshëm si figurë madhore për Kombin e më gjerë.

“Kohën e kishte më të kursyer,
Ishte zëngjin im atë, pa pasuri,
Me ajkën e dijes trurin kish ushqyer
Peshojeni saktë,- thoshte, kur jepni dhe merrni dashuri ”

Poeti ka një imagjinatë idilike të veçantë dhe një penelatë të hollë plot dritë, kur shkruan për dashurinë, tematikë kjo që i ka kushtuar mjaft poezi e poema.
Mund të them, se në erotikë poeti lulon më bukur me fantazinë e tij dhe na thotë përmes vargjeve aq të ndjera, se dashuria është ndjenja më e bukur, e cila ka nevojë për pasion e drithërima shpirti.
Poezia e Dalanit të bën të përjetosh çdo fjalë e varg, të marrësh emocione deri në rrënqethje dhe të ndihesh personazh kryesor i tyre.

“Të luajmë kur shirat bien litar,
Kur qelqet thyhen vetëtima,
Kur ti dhe unë si dy të marrë,
Të luajmë me zjarr nën shkrepëtima…”

Ose:

“Ju desha me shpirt, jo me fjalë,
Para teje çdo fjalë është e zbehtë,
Një zemër që kam do të ta fal,
Në çdo zemër rob është një mbret.”

Me ndjenjën e dashurisë dhe respektit, por edhe të dhimbjes, poeti shkruan për Kosovën, Çamërinë dhe problemet e tyre.

Le të lexojmë vargjet:

“Gëzuar vëllezër kosovarë!
Adem Jashari bën apelin e lirisë.
Këtu, përgjigjen të gjallë dhe të vrarë,
Himni Kombëtar uli flamurin gjysmështizë.
…….………………………
“Gëzuar Kosovë! Një trastë dhe’, apo me plumba?
Peshores së lirisë janë të barabartë,
Djepi i zbrazët, dhimbjet më të rënda,
Flladisin lulekuqe, bozhurë dhe zambak.”

“Shpirtrave të brengosur rëndon dhimbja çame
I njoh si kosovarët, arpiciotët, voliotët.
Kush nga këta më të mirët janë?
Vëllezërit e mi, pa i tharë i kanë lotët”

Në mjaft shkrime të poetit është e pranishme Itaka e tij, Kanina, Uji i Ftohtë, Sazani, Karaburuni, e gjithë Vlora e tij e dashur, që e ka aq të shtrenjtë.

“Vendet e zemrës mbi krahët e ëndrrës,
Një tjetër far qiellor përballë mbi ndërtesë.
Nga Uji i Ftohtë vijnë rrahjet e zemrës,
Mësuar është Atdheu mall, dhimbje të presë.
Batic-zbaticat marrin frymë,
Sa larg janë me zogjtë shtegtarë?
Gjaku im me rrënjë e degë në Kaninë,
Po ia kthej Atdheut, ç’ka i kisha marrë! ”

Por akoma më domethënëse është strofa e poezisë së kohëve të fundit:

“Adresa ime është Kaninë -Vlorë
Qindra shekuj buzët Kaninën po pinë,
Gishtat që mbirë kanë në dorë,
Firmosin ADN, laboratorit në Kaninë”

Siç e shihni dhe vetë gjatë leximit të vargjeve, i veçantë është poeti në përdorimin me vend të metaforave, siç e kërkon vargu i tij elegant që tashmë është ngjitur lart dhe e ka vendin e tij të merituar në katin e epërm, jo vetëm në letërsinë shqipe e kosovare, por deri në Amerikë, ku për një kohë të gjatë poeti ka qenë drejtues i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë.
Dalan Luzaj, ky emër i ri-vjetër, ky vargpeshërëndë në letrat shqipe e më gjerë, befasuesiorigjinalorebel, ky zëhijshëmtingullëmbëlsues, me udhëtimin e fundit poetik të tij, sjell tek lexuesi thirrje universale, drithëruese, adhuruese, deri në madhështi për jetën, dashurinë, natyrën,atdheun, Vloren dhe Kaninën që siç thotë i mban jastëkë nën kresë!
Lexojini librat dhe do të kënaqeni !

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here