POSTBLLOKU: Tregim nga Adem Nimani

( Dialog i zhvilluar disa orë para së forcat pushtuese serbe të fillonin ndërtimin e postbllokut në hyrje të ambulancës së fshatit.)
-Di ti doktor çka është heqimi?
-Jo!
-Heqim i thoshin mjekut në gjuhën osmane.
-Doktor, të duket sikur je rehatuar mirë? Ke banesë këtu nën një kulm me ambulanten? Ke edhe oborr për një kopsht ku mund të mbjellësh edhe perime e lule për të kaluar kohën e lirë. Ke qenë nxënës e student i shkëlqyeshëm.
E njeh ti këtë Grremçin, që e larguan nga puna?
-Nuk dua të merrem me politikë!
-Jemi robër, o doktor! Nuk ke çare pa parë, se çka po ndodhë para syve tanë!
Pasi heshti gjatë kohë, doktori gjëmoi thellë, por prapë nuk foli asgjë.
-E lexon ti ndonjë gazetë doktor? Dëgjon lajmet ditore?
-Ka diçka që nuk ka shkruar ai gazetari, ai Grremçi! Ka fakte, ka emra e mbiemra, ka data, ka vite, por atij nuk ja mban të shkruaj me fakte e emra!- foli doktori.
– Ai gazetari e pranon, se akoma ka frikë të shkruaj me fakte për ngjarjet reale. Ai radhitë akoma dhjetëra metafora duke u përpjekur ta fsheh të vërtetën. Duket sikur përpiqet që përmes metaforave ta varrosë sa më thellë të vërtetën, por ajo del edhe nga pusi! Përpiqet të lë ndonjë shteg për lexuesit, që ata ta zgjidhin enigmën, por pak kush thellohet aq shumë. Ai, përmes metaforave po e varrosë të vërtetën. Nëse nuk shkruan më konkretisht, shkrimet e tija zor se do ti kuptoj ndokush. Kështu, ajo e vërteta që e fsheh gazetari, mund t’u mbetet vetëm arkeologëve, në mënyrë që ata, në të ardhmen, ta nxjerrin nga dheu.
Pasi e kishin larguar nga puna, Grremçi më nuk mund të shkruante as me metafora, as pa to.
Duke përdorur tërfurkun për të rrotulluar e hulumtuar disa ngjarje të rënda që kishin ndodhur në Zezë, Grremçi kishte zbuluar se zijoshët nuk pajtoheshin mes veti që të hapnin toka të reja edhe kur kishin nevojë për bukë. Kishte parë ai, sesi mburreshin zijoshët me ndonjë cukël që rastësisht dikujt prej tyre, dikur ia kishte dhuruar padishahu. Tregtarët, shpejt harronin edhe gjuhën amtare. Merrnin ndonjë rrogëtar, shegert, krejt me qellim që t’u shërbente si ndërmjetës(përkthyes) me myshterinjtë fshatarë, të cilët nuk dinin asnjë fjalë të hyqymetit.

-Ke dëgjuar doktor, se si edhe vetë ai mbreti i parë i zijoshëve, me mend zogu, në vend që të merrte kredi për të zbutur varfërinë që po shfaroste popullin e mjerë, ata dollarë i përdorte për të blerë lira ari për tua varë në qafë zonjave të haremit. Kishte blerë ai edhe basma mëndafshi nga Damasku për shallvaret e gjithë stafit të tij.
Nuk kishte blerë mbreti plisa të bardhë, që ishin më lirë e mund të gjendeshin në çdo han, por kishte sjellë fesa të leshit të devesë nga Kajro.
-Doktor!
Të duket tallje ky tregim, por për varfërinë që mbretëronte në Zezë, kishin dëgjuar edhe popujt më të largët të botës. Këta zijoshët e Zezës, jo që nuk shihnin se çka po ndodhë përtej Bjeshkëve të Nëmura, por ata nuk pashin as çka po ndodhë para syve të tyre, në pik të ditës!
Kishte ardhur ndonjë shoqatë mjekesh nga larg, me pak ilaçe, për të ndihmuar ndonjë njeri të këtij vendi, që dukej sikur e ka braktisur edhe vetë zoti.
Ishte shpallur njëfarë demokracie e hurit dhe litarit!
Ndoshta e di ti more doktor, se afër fshatit Gurishtë është një lagje e vjetër e populluar moti me raje. Ndoshta nuk ke dëgjuar kurrë për atë lagjen e Maksimit buzë Gurishtës?! Krejt ajo lagje është e rrethuar me mure guri. Edhe gjuha e tyre dallon nga ajo e kolonëve. Ai Maksimi, flet perfekt gjuhën e zijoshëve dhe sillet më mirë me ta, se këta mes veti. Edhe kur ishin mbajtur do farë votimesh sipas kutit të krajlit serb, ai Maksimi kishte ftuar zijoshët që të votojnë për idetë e tija.
-Doktor! Njerëzit tanë as nuk e kishin idenë se çka po fliste ai. Shumica e zijoshëve, atij ia kishin qitë kokrrat, por, pak kush prej tyre kuptonte të zezat që ziente pushtuesi.
Ke dëgjuar për atë mësuesin serb që e kishte vrarë dikush fill pas përfundimit të LDB-së? I kishin torturuar me qindra zijoshë, por vrasësin nuk e kishin gjetur kurrë. Askush nuk guxonte të thoshte se UDB-a e kishte vrarë mësuesin!
Ke dëgjuar doktor, për njëfarë krisme pushke, që ishte dëgjuar gjatë natës në Gurishtë?
-Jo, nuk kam dëgjuar!-Nga pesëdhjeteshtatë familje të Gurishtës, nuk mund e gjeje një njeri që ka dëgjuar atë krismë, por, në mëngjes, fshatin e kishin sulmuar paramilitarët serbë. Kishin vrarë shtatë fshatarë dhe kishin marr peng të gjithë të tjerët duke i dërguar në kishën e Gurishtës.
-Jo, more!
– Po more doktor! Po!
-Paramilitarët kishin marrë peng gra e fëmijë, pleq e plaka të Gurishtës dhe i kishin ngujuar në kishë, prej nga, pas disa ditësh i kishin depërtuar në Shqipëri. Dikush nga lagjja Maksimit, e kishte gjetur një plakë, e cila ishte ndarë nga kolona dhe kishte mbetur skaj rrugës. E kishte marrë dhe e kishte strehuar në shtëpi të vetë për disa muaj, derisa janë kthyer fshatarët e Gurishtës nga Shqipëria.
Ishte pranverë. Disa barinj i kishin qitë delet në kullosë, në bjeshkë. Njëfarë Sulo kishte njëqindepesëdhjetë krerë dele, por kur sheh rrezikun, kishte braktisur kopenë dhe kishte ikur në Shqipëri. Delet kishin mbetur pa të zotin. Koloni serb, fqinj i Sulos, ishte kujdesur për ato dele. Ato kishin pjellë të gjitha dhe ishin bërë treqind krerë dele.
Kur kishte ardhur Sulo nga Shqipëria, fqinji serb ja kishte kthye delet, por ato ishin shtuar e ishin bërë treqind krerë. Koloni donte t’ia kthente të gjitha delet Sulos. Jo njëqindepesëdhjetë, por treqind?! Sipas kanunit, që akoma është ligji më i vjetër në këtë nahijen tonë: “atij që gjithë verën është kujdesur për delet, i takojnë të gjithë qengjat”. Kështu mbaroi kjo punë. Sulo mori delet e tija, ndërsa fqinjit i takuan qengjat.
E di ti doktor, çka është politika e çka njerëzia?!
Popujt e ndryshëm kanë jetuar me shekuj në këto toka dhe kanë pasur marrëdhënie njerëzore mes veti, por më vonë, politika ua ka nxi jetën.
Ke dëgjuar ti për mësuesin Byl?! Ai kishte vu re diçka të veçantë në Shtrojerë, por kurrë nuk i kishe thënë askujt një fjalë. Ai Byli që ka vdekur moti, ishte i pari që ia dha këtë emër fshatit. Askush nuk e di nga i erdhi kjo ide, kur dihet mirë se këtë fshat e rrahin të gjitha erërat. Ai Mësuesi la testament dhjetë vepra të shkruara e të botuara, por zor se mund ta gjendet dikush nga zijoshët që ka lexuar një prej tyre.
Në Shtrojerë, vetëm ai mësuesi shihte diçka që të tjerët nuk e përfytyronin dot. Vetë ky Grremçi, të cilin e njeh gjithë Zeza, kishte lexuar e dëgjuar nga goja e mësuesit Byl, se mësuesin serb e vrau UDB-a për qëllimet e saj. Doktor, me ditë me i lexua librat që ka lënë Byli, aty diku nder rreshta, fshihet enigma e vrasjes së atij mësuesit serb.
Në vitin 1990 shkolla e Shtrojerës u mbyll. Merre me mend doktor, shkolla u mbyll me një fjalë serbisht. Tetëqindepesëdhjetë nxënës shqiptarë të shkollës fillore i larguan nga bankat shkollore. Aty vijuan mësimin vetëm nëntëmbëdhjetë nxënës serbë.
-A kishte fol dikush nga mësuesit serbë, o doktor?
-Po! Kishte fol ajo mësuesja serbe!
– Çka kishte thënë?
– Nuk pajtohem me këtë veprim?
-Tjetër?
– Asgjë!
– Po, ndonjë mësues tjetër serb, kishte thënë ndonjë fjalë?
– Milluni kishte thënë se më nuk do të punojë këtu!
– A sheh doktor, se punët po shkojnë mbrapsht? A mund të durojmë edhe më tutje?
Doktori kishte rrudhur krihet!
– Nuk di!
Në të vetmen çajtore të Zezës, kënga nga radio nuk ndalej për asnjë çast. Askush nuk ndërpriste lojën me gurë, për të parë kush hynë e kush del nga çajtorja.
-A sheh ndonjë ndryshim që po ndodhë, o Doktor?
Doktori nuk bëri vër me gojë. Sikur nuk e dëgjoi pyetjen. Të dy dolën nga çajtorja për të shkuar drejt ambulancës. Mu para hyrjes kishin ndaluar dy automjete “picgauer” me milicë. Doktori e Grremçi kishin kaluar pranë tyre sikur nuk po shihnin asgjë. Secili ndjente ndopak frikë. Pa u bërë edhe dy minuta, dy kamion ushtarak kishin zbarkuar një togë ushtarësh më uniforma oficerësh. Ata ishin shpërndarë në të dy anët e rrugës për të vëzhguar terrenin. Doktori, në vend se të shkonte të vazhdonte punën, më nuk u kthye atje. Kaluan edhe një orë të plotë duke biseduar me Grremçin për atë që po shihnin. Pas një ore, dy kamionë të rendë sollën thasë me rërë dhe filluan të ndërtojnë postbllokun e parë në Shtrojerë.
Kënga në çajtore dëgjohej akoma. Njerëzit shikonin ushtarakët duke ngritur mure me thasët me rërë në të dy anët e rrugës. Një mur me thasë e vendosën edhe në mes të rrugës. Pastaj filluan të vendosin trarët për të mbuluar postbllokun.
-Athua, ku jemi ne? sikur pyeti pa lidhje doktori!
-Nuk po kuptoj më shumë se që po shoh!- kishte fol Grremçi.
-O doktor! Di të them se ky postbllok nuk hiqet pa bomba të mëdha!
***
Të nesërmen edhe ata pak nxënës që kishin ardhur në shkollë, ishin kthye nëpër shtëpi pa mbajtur mësim. Doktori e Grremçi, të shëtisnin andej nga mali, sikur ndjenin frike. Të dy sikur thoshin me një zë; diçka e ligë, diçka e keqe, diçka e zezë, po ndodhë këtu!
-Ke mësuar diçka nga historia, doktor?
– Di diçka vetëm për të gjallët !
-E more doktor, duhet të dini pak edhe për të vdekurit!
-A sheh zhvillimet e reja në Kazanë tonë?
– As që më intereson politika, o Grremç!
– E di ti prej nga erdhi familja juaj këtu ku jeton? Këtu jetoi edhe babai e gjyshi juaj. Pse ajo mëhalla në Gurishtë, quhet Lagjja e Boshnjakëve?
– Mbiemri i tyre nuk më bën përshtypje!
– E po si nuk të bën përshtypje ky mbiemër, kur ajo lagje, këtu njihet se paku tash njëqind vjet?
– As që më ka shkuar mendja një herë!
– Këtë lagjen që keni afër, e njeh ti mirë?! Gjyshja e krejt familjeve të kësaj lagjeje ishte nga Pas Bjeshka. Edhe ky doktori, me të cilin punoni bashkë në këtë spital, është nip i asaj gjyshes. Vajzën e vetme të asaj gjyshes e pat marr për nuse vetë Kryetrimi i Nahijes tonë. Ai nuk kishte shtëpi ku ta dërgonte nusen. Kryetrimi kishte shtëpi e konak vetëm malet tona. Ai e strehoi nusen diku, por konaku nuk u zbulua kurrë.
Doktor, hiq më pak se nëntë nëna nga Pas Bjeshka, janë të gjalla edhe sot në Zezë.
-O Grremç! Mua nuk më intereson kjo temë fare. Krejt këta, për mua janë njerëz, dhe çdo pacient që vjen tek unë në ordinancë, e shoh dhe e kontrolloj si njeri, pa dallim kombësie, gjinie apo race.
-Duhet të dini më shumë për këta njerëz, o doktor!
Ai Bardhi, të cilit kolonët ia vranë gjysmën e familjes dhe ja dhunuan tri vasha të rritura kishte ardhur aty në fshatin Gurishtë nga Pas Bjeshka! Ato vashat e dhunuara, askush nuk i kishte përmendur për plot njëqind vjet
E more doktor!
Krejt skenën e krimit e kishin parë drejtpërdrejt edhe katër gra të martuara, tri nëna të atyre vashave të dhunuara e të çejzuara, dhe një nuse e re akoma pa fëmijë. Sa serbë kishin marrë pjesë në këtë krim, nuk është kuptuar kurrë. Ndonjëherë, shumë larg gojëkëqijve është përfolur, se krimin e ka ndihmuar edhe ndonjë shqipfolës.
– Sa arka me pajë janë grabitur atë natë? Çka ju duhej atyre çejzi i vashave shqiptare, mund të pyeste dikush?!
– Këtu qëndron krejt enigma, doktor!
Krejt plaçka ju duhej dëshmi para klerit. A e di ti more doktor, se çfarë feste bënë kleri kur i shpalosin ato arkë, dëng me veshje të punuara me kërrabëza, e të qëndisura me grep e gjilpërë?!
Pse nuk i rrëmbyen fare vashat, mbeti enigmë e pazgjidhur edhe pas një shekulli. Pëshpëritet, se në krejt atë masakër, ka pasur edhe ndonjë dialog të dhunshëm në përpjekje që të mos behej edhe më keq. Sulmi kishte zgjatur me orë të tëra. Shumë më vonë, dikush kishte thënë: sikur Bardhi të kishte fqinj Ahmet Delinë, ndoshta do ta kishte penguar masakrën?!
– Kurrë nuk kam dëgjuar për këtë rast!
Doktor, a më tregon sinqerisht? Kur dikush prej tyre vjen të kontrollohet tek ti, a i quani boshnjak?
-Ha, ha, ha! – qeshi doktori!
-Jo një herë, por sa herë vijnë tek unë, të paren fjalë u them- urdhëroni boshnjak!
-Ha, ha, ha! E sheh, doktor!
-Të gjithë duhet të mësojmë më tepër. Doktor, duhet të mësojmë nga faktet e gjalla. Krejt çka folëm janë fakte, që i shohim e i prekim përditë. Përditë jetojmë këtu, dhe akoma i nënçmojmë fqinjët tanë, gjoja ata nuk qenkan si na.
-Doktor! Ata shpëtuan pa u asimiluar. Atyre nuk ju vjen mirë që ne akoma i quajmë boshnjakë!
-Luftën e fundit e mbani mend mirë, apo jo, doktor?
-Doktori heshti! Dukej sikur filloi të mendonte, si është e mundur të mos ishte interesuar kurrë për një temë të tillë. Krejt këto pyetje mund të ja bëni edhe shumë rapsodëve që nuk e trazojnë mendjen kur thurin vargje pa menduar fare, për emrin boshnjak me të cilin i quajnë, vëllezërit e tyre.
Nuk ishin krejt serbët të këqij, o doktor?! Në këtë luftën e fundit, ashtu sikur edhe gjatë pushtimit të parë e të dytë serb të Kosovës, disa prej tyre nuk u pajtuan kurrë me politiken vrastare të Beogradit.
E ke njohur atë fqinjin e Sulos, qe dinte mirë shqip? Ai një ditë i kishte thënë nënës së Grremçit: thuaj djalit të largohet diku. Zeza është mbushur paramilitarë dhe mund t’i ndodhë ndonjë e ligë. Ashtu Grremçi ishte larguar për disa muaj.
Kishte shpëtuar pa djegur ajo shtëpia e vogël e atij mësuesit tonë. Pa hak e hile të mësuesit, zijoshët kishin filluar ta quajnë spiun, vetëm pse shtëpinë e tij nuk e kishte fshi zjarri.
Ky kasapi kishte parë me sy plaçkitjen e fshatit nga paramilitarët. Para se ti digjnin shtëpitë, kishin plaçkitur çdo gjë me vlerë, e pastaj ua kishin vu zjarrin..
Kur u kthyen zijoshët pas mbarimit të luftës, të gjitha shtëpitë i gjetën shkrumb e hi, ndërsa kolonët akoma po jetonin aty.
Doktor! E mban mend Postbllokun?
I sheh këto dy gropat e mëdha, plot ujë, midis Zezës? Ato dëshmojnë shpërthimin e atyre bombave, për të cilat patëm fol atë ditë kur filloi vendosja e Postbllokut.
E more doktor, ka edhe shumë fakte të prekshme nga historia reale, por për të rrotulluar e gjurmuar ato, nuk mjafton një tërfurk.