Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmet, rrëfen rrugëtimin 25-vjeçar të saj

Bisedoi: Dr. Mujë Buçpapaj

 

Një çerek shekulli në shërbim të fjalës shqipe në diasporë

i: Letërsia shqiptare në Amerikë, një identitet që jeton dhe frymëzon


“Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë rrëfen rrugëtimin 25-vjeçar, sfidat, arritjet dhe misionin për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në SHBA”.

 

 

Hyrje:
Në prag të 25-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në diasporë, gazeta Nacional sjell një bisedë të veçantë me shkrimtarin, poetin dhe studiuesin e njohur të letërsisë, Adnan Mehmeti  President i kësaj  shoqate. Si një nga figurat kyçe që ka kontribuar në mbajtjen gjallë dhe zhvillimin e kësaj shoqate, ai ndan me lexuesin një rrëfim të thellë mbi historinë, sfidat dhe arritjet e saj ndër vite. Intervista ndalet në rolin e shoqatës në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në kontributin e figurave themeluese, si dhe në rëndësinë e botimeve dhe aktiviteteve që kanë ndikuar në pasurimin e jetës letrare të diasporës dhe forcimin e maredhenjeve shqiptaro-amerikane dhe shkembimet e perbashketa kulturore. Një reflektim i çmuar mbi të shkuarën, të tashmen dhe perspektivën e letërsisë shqipe në një botë gjithnjë e më globale.

 

 

 

 

-Zoti Mehmeti, a mund të na riktheni shkurtimisht në momentet e themelimit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: cilat ishin rrethanat e krijimit të saj dhe cili ishte roli i Gjekë Marinajt në këtë proces, duke qenë se ai njihet edhe si një poet me famë ndërkombëtare?

-Në vitin 2001 u themelua Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në një periudhë kur ishte e domosdoshme të krijohej një lidhje e organizuar për shkrimtarët shqiptarë në Amerikë, e cila t’u jepte atyre një zë të përbashkët dhe t’i bashkonte krijuesit e shpërndarë në shtete të ndryshme.

Në këtë proces, Gjekë Marinaj pati një rol qendror, duke qenë themelues i Shoqatës dhe njëkohësisht presidenti i saj i parë; roli i tij ishte thelbësor, pasi si nxitës i kësaj nisme ai jo vetëm që hodhi themelet organizative, por edhe i dha Shoqatës një vizion të qartë për bashkimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në Amerikë, ndërsa përtej këtij angazhimi, Marinaj njihet gjerësisht si një poet me famë ndërkombëtare, duke e bërë figurën e tij edhe më përfaqësuese për kulturën shqiptare në botë.

 

 

 

-25 vjet janë një rrugëtim i gjatë. Si do ta përkufizonit në pak fjalë historinë dhe evolucionin e shoqatës dhe rolin e kryetarëve të saj?

– Shoqata jonë u ndërtua mbi një parim të qartë: rotacionin e drejtimit, si një formë e sinqertë dhe transparente e organizimit dhe bashkëpunimit. Që në themel, drejtimi ka kaluar nga njëri brez tek tjetri, duke ruajtur vazhdimësinë dhe duke sjellë energji të reja në çdo etapë. Kryetari i parë ishte Naum Prifti. Më pas, shoqata u drejtua nga Ramiz Gjini për dy mandate, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu, si dhe Mëhill Velaj. Që nga viti 2024, në krye të shoqatës është zgjedhur Yllka Filipi.

Si anëtar që nga themelimi dhe si president që nga viti 2009, kam vazhduar së bashku me shoqatën këtë rrugëtim krijues, duke qenë dëshmitar dhe bashkëndërtues i zhvillimit të saj ndër vite. Ky evolucion i qëndrueshëm dëshmon se shoqata ka ditur të ndërtojë një traditë të shëndetshme drejtimi, ku përvoja dhe vizioni ndërthuren për të forcuar më tej misionin e saj kulturor dhe letrar.

 

-Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në vitet e para të themelimit dhe si janë kapërcyer ato?

-Në vitet e para, sfidat kryesore ishin mungesa e adresave dhe distanca gjeografike mes shkrimtarëve, që e bënte njohjen dhe komunikimin të vështirë. Megjithatë, takimet fizike dhe shkrimet në gazeta na dhanë mundësinë të njiheshim më mirë. Me kujtohet takimi i parë, më 14 mars 2003 në New York, i cili u kthye në një festë letrare, dhe më pas takimet vazhduan më 7 gusht 2005 në Dallas, më 25 gusht në Chicago… dhe më vonë anembanë Amerikës. Këto përvoja jo vetëm që kapërcyen sfidat e fillimit, por edhe krijuan një komunitet të gjallë, të bashkuar dhe frymëzues për shkrimtarët tanë.

 

 

 

-Çfarë roli ka luajtur kjo shoqatë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor shqiptar në SHBA?

 

-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka qenë një vend takimi dhe frymëzimi për të gjithë ata që duan të mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë. Përmes botimeve, leximeve, takimeve dhe aktiviteteve kulturore, ne krijojmë një hapësirë ku shkrimtarët e rinj dhe të vjetër mund të ndajnë ide, të frymëzohen dhe të lidhen me rrënjët e tyre shqiptare.

Misioni ynë është t’i sjellim komunitetit tonë një krijimtari letrare të pasur dhe të ndjekim gjithmonë rrjedhat e letërsisë botërore, duke ruajtur njëkohësisht gjuhën dhe traditat tona. Kjo nuk është thjesht letërsi; është një mënyrë për të mbajtur gjallë identitetin tonë dhe për të ndarë me botën pasurinë e kulturës shqiptare.

Ky është misioni ynë dhe do të vazhdojmë ta ndjekim me përkushtim, për të siguruar që gjuha dhe kultura jonë të jetojnë dhe të frymëzojnë brezat që vijnë pas nesh.

 

 

 

-Cilat janë disa nga aktivitetet më të rëndësishme që kanë shënuar jetën e Shoqatës gjatë këtyre viteve?

-Historia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është e pasur me veprimtari që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore të diasporës. Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet një aktivitet i vetëm si më i rëndësishmi, pasi çdo organizim ka pasur peshën dhe ndikimin e vet, në varësi të kohës, vendit dhe audiencës që ka arritur të përfshijë.

Nga promovimet e librave te konferencat shkencore, si ajo me temë “Letërsia dhe roli i saj në diasporë”, mbajtur më 22 dhjetor 2013 në New York, Shoqata ka dëshmuar një angazhim të vazhdueshëm për të mbajtur gjallë frymën krijuese dhe debatin intelektual.

Një ndër momentet më domethënëse mbetet udhëtimi i 21 marsit 2009 drejt Bostonit. Rreth 50 anëtarë të Shoqatës, të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës, u nisën nga New York me një autobus për të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Katedralen e Shën Gjergjit, në nder të dy figurave madhore të kulturës shqiptare, Fan Noli dhe Faik Konica.

Ky organizim, i cili u përsërit edhe një vit më pas, u kthye në një simbol të bashkimit dhe përkushtimit të komunitetit letrar shqiptar në diasporë, duke hyrë kështu në historinë e Shoqatës si një nga nismat më frymëzuese të saj.

 

-Çfarë përfaqësonte ekspozita e librit “20 vite krijimtari letrare në SHBA” dhe cilat ishin veçoritë e saj kryesore për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe komunitetin shqiptar në SHBA?

 

-Ekspozita “20 vite krijimtari letrare në SHBA” përfaqësonte një moment të veçantë dhe festues për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe komunitetin shqiptar në diasporë. Ajo ekspozonte botimet që lidhnin dy dekadat e historisë së Shoqatës, si dhe veprat e shumtë të anëtarëve të saj anembanë Amerikës. Lexuesit kishin mundësinë të njiheshin nga afër me librin shqip, t’i preknin botimet dhe të siguronin kopje të tyre.

Në këtë hapësirë të përkohshme në Stamford, promovoheshin monografitë voluminoze në dy vëllime “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2001–2011)” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (2012–2021)”, si dhe botimi “Autorë dhe vepra”. Prezantoheshin gjithashtu revista “PENA” me të gjitha numrat e saj, botimet nga Shtëpia Botuese “Adriatic Press” dhe botime të tjera që lidhnin Shoqatën dhe krijimtarinë e anëtarëve.

Ekspozita ishte e hapur nga 25 shtatori deri më 10 tetor 2021, gjatë fundjavave ose sipas kohës së përshtatshme të shkrimtarëve, ndërsa zyra mbetej e hapur për takime me anëtarët. Edhe pse modeste në hapësirë, ajo përfaqësonte një portë të re drejt realizimit të ëndrrës së Shoqatës për “Shtëpinë e Librit Shqip”, një vatër institucionale për librin dhe autorët shqiptarë.

Përmes kësaj nisme, Shoqata përcillte kulturën dhe civilizimin shqiptar te publiku amerikan dhe forconte lidhjen mes shkrimtarëve dhe lexuesve. Madje, disa kishin shprehur dëshirën për të kontribuar si vullnetarë, duke u afruar më shumë me librin dhe autorët. Kjo iniciativë vazhdoi deri në festimin solemn të 20-vjetorit të Shoqatës, duke nderuar përkushtimin e të gjithë anëtarëve dhe duke synuar që libri shqip të kishte jetë të gjatë në SHBA.

 

 

-Sa ndikim kane pasur panairet e librit dhe promovimet në afrimin e lexuesit me autorë Shqiptare në SHBA?

-Panairet dhe promovimet e librit shqip në SHBA kanë pasur një ndikim shumë të rëndësishëm në afrimin e lexuesit me autorët shqiptarë dhe në forcimin e jetës kulturore të diasporës. Që nga Panairi i Parë në Nju Jork, më 2009, këto ngjarje krijuan një hapësirë të përbashkët ku shkrimtarët, poetët, përkthyesit dhe krijuesit shqiptarë mund të prezantonin veprat e tyre, të ndanin përvojat dhe kujtimet, dhe të ruanin gjuhën dhe trashëgiminë kulturore jashtë trojeve të atdheut. Panairet u shndërruan në tribuna të gjalla për të dëshmuar historinë e emigrimit, identitetin kombëtar dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë fjalën shqipe.

Çdo edicion, nga 2009 e deri me 2025, solli pjesëmarrje të gjerë të autorëve dhe lexuesve nga shtete të ndryshme të Amerikës, duke bashkuar komunitetin shqiptar përreth kulturës dhe letërsisë. Ngjarjet ishin jo vetëm ekspozime librash, por edhe festa të fjalës shqipe, ku lexuesit kishin mundësinë të takonin autorët, të merrnin autografe, dhe të ndanin ide dhe përvoja. Panairet shërbyen gjithashtu si frymëzim për autorët e rinj dhe si motiv për ata që nuk kishin botuar ende librin e tyre të parë.

Përmes këtyre aktiviteteve, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë arriti të ndërtonte ura midis autorëve dhe lexuesve, midis diasporës dhe vendlindjes, dhe të pasuronte jetën letrare shqiptare jashtë Shqipërisë. Tetori u bë simbolikisht muaji i librit dhe kulturës shqiptare në SHBA, dhe këto panaire treguan se fjala shqipe nuk shuhet, por mbetet gjallë, duke lidhur brezat dhe komunitetet përmes letërsisë. Në këtë mënyrë, promovimet e librit dhe panairet kanë forcuar identitetin kulturor shqiptar në Amerikë dhe kanë krijuar një traditë të fortë bashkëpunimi letrar dhe artistik.

 

-Ju keni botuar dy libra që dokumentojnë veprimtarinë e Shoqates dhe krijimtarine e anetareve. Çfarë rendesie kane keto botime per historine e letersise së diaspores?

 

-Botimet që dokumentojnë veprimtaritë e Shoqatës dhe krijimtarinë e anëtarëve kanë një rëndësi të madhe për historinë e letërsisë shqiptare në diasporë, sepse ato ofrojnë një pasqyrë të plotë dhe të strukturuar të veprimtarisë kulturore dhe letrare të komunitetit shqiptar në SHBA. Monografia e dy vëllimeve, që mbulon periudhat 2001–2011 dhe 2012–2021, përshkruan kronologjikisht aktivitetet e Shoqatës dhe ngjarjet më të rëndësishme letrare, duke i shoqëruar me fotografi dhe dokumente që tregojnë pjesëmarrësit, botimet dhe atmosferën e secilës ngjarje.

Botimi “Autorë dhe vepra” përmbledh bibliografinë e plotë të anëtarëve të Shoqatës, duke e bërë të qartë ndikimin e secilit krijues në zhvillimin e letërsisë shqipe jashtë trojeve të atdheut. Këto libra nuk janë vetëm dokumente historike; ato shërbejnë si mjete të dobishme për studiuesit, pedagogët, studentët dhe lexuesit e interesuar, duke lehtësuar studimin, njohjen dhe analizën e rrugëtimit letrar në diasporë.

Përmes këtyre botimeve, historia e veprimtarisë së Shoqatës, përpjekjet e shkrimtarëve dhe vlerat e krijimtarisë shqipe ruhen dhe bëhen të aksesueshme për brezat e ardhshëm. Ato gjithashtu theksojnë rëndësinë e Shoqatës si një vatër kulturore që ruan identitetin, gjuhën dhe trashëgiminë letrare shqiptare në SHBA, duke e bërë letërsinë e diasporës një pjesë të dukshme dhe të njohur të historisë së kulturës shqiptare jashtë vendit.

 

-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë boton revistën letrare PENA, organin e saj zyrtar. Ju si kryeredaktor, si kontribuoni në ruajtjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të revistës?

 

-Me formimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, u mendua që menjëherë edhe për organin e saj zyrtar, Revistën PENA, si një mjet të domosdoshëm për dokumentimin dhe promovimin e krijimtarisë shqipe në diasporë. Si kryeredaktor i saj, angazhimi im ka qenë që revista të ruajë një disiplinë profesionale në përzgjedhjen e botimeve, duke siguruar që çdo numër të pasqyrojë me korrektësi dhe kujdes veprat më të mira të anëtarëve.

Në faqet e PENA-s janë prezantuar poezi, prozë, ese, përkthime dhe studime, që dokumentojnë zhvillimet letrare, temat kulturore dhe identitetin shqiptar jashtë trojeve të atdheut. Kjo i jep lexuesit mundësinë të ndjekë rrugëtimin e shkrimtarëve, të kuptojë përpjekjet e tyre krijuese dhe të njohë frymën e një komuniteti që mbetet i lidhur me kulturën dhe gjuhën shqipe.

Revista nuk është thjesht një publikim; ajo është një platformë për dialog mes autorëve dhe lexuesve, një tribunë për ide dhe reflektime, dhe një mjet që nxit angazhimin e brezave të rinj drejt krijimit dhe ruajtjes së trashëgimisë letrare. Falë saj, plejada e shkrimtarëve shqiptarë në SHBA gjendet e dokumentuar dhe e njohur, duke forcuar lidhjen midis diasporës dhe atdheut dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të letërsisë shqipe jashtë vendit.

 

-Me 12 prill do te kremtoni 25-vjetorin e themelimit. Çfarë parashikohet në kete veprimtari jubilare, a mund te na jepni ndonje detaj per interesin e lexuesve tane?

 

-Kemi kohë që punojmë me shumë përkushtim dhe entuziazëm, në bashkëpunim të ngushtë me Kryesinë e Shoqatës, e cila udhëhiqet nga Kryetarja Dr. Yllka Filipi, si dhe me këshillin organizativ, për përgatitjen e 12 prillit, ditës kur do të kremtojmë 25-vjetorin e themelimit të Shoqatës. Ky jubile shënon një etapë të rëndësishme në historinë tonë, duke përmbledhur një çerek shekulli krijimtari, përkushtimi dhe pune të palodhur për ruajtjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në diasporë.

Njëkohësisht, kjo është edhe një festë që synon të bashkojë krijuesit dhe dashamirësit e fjalës së shkruar në një atmosferë miqësore dhe frymëzuese. Veprimtaria do të zhvillohet në formën e një dreke gala me karakter njëkohësisht festiv dhe akademik, ku do të marrin pjesë shkrimtarë, poetë, artistë, këngëtarë dhe miq të librit nga e gjithë Amerika, duke e kthyer këtë në një mundësi të rrallë për të takuar dhe bashkuar në një hapësirë të përbashkët zërat më përfaqësues të krijimtarisë sonë letrare.

Një nga momentet kulmore të kësaj dite do të jetë shpallja e Anëtares së Nderit për poeten e njohur ndërkombëtarisht Luljeta Lleshanaku, si një vlerësim i merituar për kontributin e saj të çmuar në letërsinë shqipe dhe në afirmimin e saj përtej kufijve. Ky vlerësim vjen në vazhden e një tradite nderimi që Shoqata ka ndërtuar ndër vite, duke shpallur më parë Anetare Nderi personalitete të shquara si Sami Repishti, Carrie Hooper dhe Visar Zhiti. Gjatë programit do të ndahen gjithashtu çmime letrare dhe mirënjohje për autorë, anëtarë të Kryesisë dhe aktivistë të shquar, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë të rëndësishme në jetën kulturore të komunitetit tonë.

Atmosfera do të pasurohet me muzikë live, si dhe me surpriza të përgatitura enkas për këtë jubile, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një dimension artistik dhe emocional. Në thelb, kjo veprimtari nuk është vetëm një festë për Shoqatën, por një moment reflektimi, bashkimi dhe mirënjohjeje për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në mbajtjen gjallë dhe zhvillimin e letërsisë shqipe në Amerikë.

 

-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, gjatë këtyre viteve, përveç aktiviteteve të shumta letrare, ka botuar edhe disa antologji të rëndësishme. Çfarë vendi zënë këto botime në veprimtarinë e Shoqatës dhe sa kanë ndikuar ato në promovimin e autorëve, në veçanti të grave krijuese, në hapësirën letrare shqiptare dhe më gjerë?

 

-Antologjitë zënë një vend kyç në veprimtarinë e Shoqatës sonë, pasi përmes tyre kemi arritur të evidentojmë dhe promovojmë krijimtarinë më të mirë të anëtarëve tanë, duke krijuar një platformë të fuqishme për afirmimin e autorëve shqiptarë brenda dhe jashtë diasporës. Antologjitë shërbejnë si ura lidhëse mes lexuesit dhe veprës letrare, duke ofruar mundësinë për të shprehur individualitetin dhe perspektivat artistike të secilit autor. Në këtë kuadër, antologjia “Pena e gruas” është pritur shumë mirë nga lexuesi dhe komuniteti letrar, duke u vlerësuar si një nga botimet më serioze të Shoqatës në vitet e fundit. Reagimet pozitive pas botimit tregojnë se përmbledhja ishte e domosdoshme, duke evidentuar zërin e grave krijuese dhe rolin e tyre në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kjo antologji përfshin krijimtarinë e 57 autoreve, secila me stilin, ndjeshmërinë dhe eksperiencat e veta, duke sjellë një panoramë të pasur të botës shpirtërore dhe tematike të grave shqiptare në Amerikë. Shoqata ka pasur gjithmonë në fokus figurën e gruas dhe kontributin e saj të veçantë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Në këtë kontekst u përgatit edhe antologjia “Zemra prindërore”, e dedikuar nënës, si simbol i dashurisë dhe sakrificës, duke i dhënë një dimension më të thellë emocional dhe njerëzor krijimtarisë sonë kolektive. Një tjetër moment i rëndësishëm është botimi në gjuhën angleze “Rozafa’s Milk”, përgatitur nga profesoresha amerikane Diane Durant dhe publikuar nga Mundus Artium Press në Dallas, në vitin 2017. Ky botim përbën një hap të veçantë në ndërkombëtarizimin e letërsisë shqiptare, duke prezantuar anëtarët e Shoqatës për një audiencë ndërkombëtare dhe duke shpërndarë vlera kulturore, historike dhe emocionale të trashëgimisë shqiptare. Titulli simbolizon lidhjen e ngushtë mes historisë dhe traditës, duke theksuar motivin e sakrificës dhe dashurisë në letërsinë tonë. Përmes këtij botimi, Shoqata ka hapur rrugën për projekte të tjera ndërkombëtare dhe ka forcuar pozitën e saj si përfaqësuese e letërsisë shqiptare jashtë vendit. Antologjia “Perëndim i përmalluar” shënoi gjithashtu një hap të rëndësishëm, duke krijuar një model për botimet e mëvonshme dhe duke hapur rrugën për afirmimin e autorëve të rinj dhe të afirmuar. Dua të ndalem te dy botime të rëndësishme të Shoqatës suaj: libri dygjuhësh shqip-anglisht “Piktura në fjalë” i poetes amerikane Carrie Hooper, si dhe ribotimi i veprës “Albumi” të Fan Nolit. Çfarë përfaqësojnë këto botime për ju dhe çfarë rëndësie kanë ato në kuadër të bashkëpunimit kulturor dhe promovimit të vlerave letrare shqiptare dhe amerikane? Botimi i librit dygjuhësh “Piktura në fjalë” i poetes amerikane Carrie Hooper përfaqëson një moment të veçantë në veprimtarinë tonë, pasi sjell një lidhje të drejtpërdrejtë mes kulturës shqiptare dhe asaj amerikane. Carrie Hooper është një autore e veçantë, e cila, megjithëse nuk është shqiptare, ka arritur të depërtojë thellë në shpirtin e gjuhës dhe kulturës sonë. Përmes poezisë së saj, ajo shpreh një dashuri të sinqertë për gjuhën shqipe dhe për botën shqiptare, duke e bërë këtë libër një urë komunikimi mes dy kulturave. “Piktura në fjalë” vjen si një botim dygjuhësh, duke u ofruar mundësinë lexuesve shqiptarë ta shijojnë në gjuhën amtare, por edhe lexuesve shqiptaro-amerikanë dhe të huaj ta lexojnë në anglisht. Poezia e saj karakterizohet nga një ndjeshmëri e thellë dhe një muzikalitet i veçantë, ku fjala dhe tingulli ndërthuren natyrshëm, duke krijuar një përjetim artistik të veçantë. Në mënyrë të veçantë, ciklet kushtuar shpirtit shqiptar reflektojnë një përkushtim dhe dashuri që rrallë haset tek një autore e huaj. Ndërkohë, ribotimi i veprës “Albumi” të Fan Nolit përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore. Shoqata e Shkrimtarëve e ribotoi këtë vepër për herë të parë pas 75 vitesh, duke e rikthyer në vëmendje një nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare. Promovimi i “Albumit” u zhvillua në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, një vend me simbolikë të veçantë për komunitetin shqiptar, duke besuar se Noli e meriton një nderim të tillë. Ky ribotim nuk është vetëm një akt botues, por edhe një shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj trashëgimisë së tij të jashtëzakonshme, si dhe një mundësi për brezat e rinj që të njihen më nga afër me veprën dhe mendimin e tij. Ribotimi për SHBA ka gjithashtu rëndësi në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e vlerave letrare shqiptare dhe amerikane.

 

 

 

-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, gjatë këtyre viteve, përveç aktiviteteve të shumta letrare, ka botuar edhe disa antologji të rëndësishme. Çfarë vendi zënë këto botime në veprimtarinë e Shoqatës dhe sa kanë ndikuar ato në promovimin e autorëve, në veçanti të grave krijuese, në hapësirën letrare shqiptare dhe më gjerë?

 

-Antologjitë zënë një vend kyç në veprimtarinë e Shoqatës sonë, pasi përmes tyre kemi arritur të evidentojmë dhe promovojmë krijimtarinë më të mirë të anëtarëve tanë, duke krijuar një platformë të fuqishme për afirmimin e autorëve shqiptarë brenda dhe jashtë diasporës. Antologjitë shërbejnë si ura lidhëse mes lexuesit dhe veprës letrare, duke ofruar mundësinë për të shprehur individualitetin dhe perspektivat artistike të secilit autor.

Në këtë kuadër, antologjia “Pena e gruas” është pritur shumë mirë nga lexuesi dhe komuniteti letrar, duke u vlerësuar si një nga botimet më serioze të Shoqatës në vitet e fundit. Reagimet pozitive pas botimit tregojnë se përmbledhja ishte e domosdoshme, duke evidentuar zërin e grave krijuese dhe rolin e tyre në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Kjo antologji përfshin krijimtarinë e 57 autoreve, secila me stilin, ndjeshmërinë dhe eksperiencat e veta, duke sjellë një panoramë të pasur të botës shpirtërore dhe tematike të grave shqiptare në Amerikë.

 

-Shoqata ka pasur gjithmonë në fokus figurën e gruas dhe kontributin e saj të veçantë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Në këtë kontekst u përgatit edhe antologjia “Zemra prindërore”, e dedikuar nënës, si simbol i dashurisë dhe sakrificës, duke i dhënë një dimension më të thellë emocional dhe njerëzor krijimtarisë sonë kolektive.

 

-Një tjetër moment i rëndësishëm është botimi në gjuhën angleze “Rozafa’s Milk”, përgatitur nga profesoresha amerikane Diane Durant dhe publikuar nga Mundus Artium Press në Dallas, në vitin 2017. Ky botim përbën një hap të veçantë në ndërkombëtarizimin e letërsisë shqiptare, duke prezantuar anëtarët e Shoqatës për një audiencë ndërkombëtare dhe duke shpërndarë vlera kulturore, historike dhe emocionale të trashëgimisë shqiptare. Titulli simbolizon lidhjen e ngushtë mes historisë dhe traditës, duke theksuar motivin e sakrificës dhe dashurisë në letërsinë tonë. Përmes këtij botimi, Shoqata ka hapur rrugën për projekte të tjera ndërkombëtare dhe ka forcuar pozitën e saj si përfaqësuese e letërsisë shqiptare jashtë vendit.

Antologjia “Perëndim i përmalluar” shënoi gjithashtu një hap të rëndësishëm, duke krijuar një model për botimet e mëvonshme dhe duke hapur rrugën për afirmimin e autorëve të rinj dhe të afirmuar.

 

-Dua të ndalem te dy botime të rëndësishme të Shoqatës suaj: libri dygjuhësh shqip-anglisht “Piktura në fjalë” i poetes amerikane Carrie Hooper, si dhe ribotimi i veprës “Albumi” të Fan Nolit. Çfarë përfaqësojnë këto botime për ju dhe çfarë rëndësie kanë ato në kuadër të bashkëpunimit kulturor dhe promovimit të vlerave letrare shqiptare dhe amerikane?

-Botimi i librit dygjuhësh “Piktura në fjalë” i poetes amerikane Carrie Hooper përfaqëson një moment të veçantë në veprimtarinë tonë, pasi sjell një lidhje të drejtpërdrejtë mes kulturës shqiptare dhe asaj amerikane. Carrie Hooper është një autore e veçantë, e cila, megjithëse nuk është shqiptare, ka arritur të depërtojë thellë në shpirtin e gjuhës dhe kulturës sonë. Përmes poezisë së saj, ajo shpreh një dashuri të sinqertë për gjuhën shqipe dhe për botën shqiptare, duke e bërë këtë libër një urë komunikimi mes dy kulturave.

“Piktura në fjalë” vjen si një botim dygjuhësh, duke u ofruar mundësinë lexuesve shqiptarë ta shijojnë në gjuhën amtare, por edhe lexuesve shqiptaro-amerikanë dhe të huaj ta lexojnë në anglisht. Poezia e saj karakterizohet nga një ndjeshmëri e thellë dhe një muzikalitet i veçantë, ku fjala dhe tingulli ndërthuren natyrshëm, duke krijuar një përjetim artistik të veçantë. Në mënyrë të veçantë, ciklet kushtuar shpirtit shqiptar reflektojnë një përkushtim dhe dashuri që rrallë haset tek një autore e huaj.

Ndërkohë, ribotimi i veprës “Albumi” të Fan Nolit përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore. Shoqata e Shkrimtarëve e ribotoi këtë vepër për herë të parë pas 75 vitesh, duke e rikthyer në vëmendje një nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare. Promovimi i “Albumit” u zhvillua në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, një vend me simbolikë të veçantë për komunitetin shqiptar, duke besuar se Noli e meriton një nderim të tillë. Ky ribotim nuk është vetëm një akt botues, por edhe një shenjë respekti dhe mirënjohjeje ndaj trashëgimisë së tij të jashtëzakonshme, si dhe një mundësi për brezat e rinj që të njihen më nga afër me veprën dhe mendimin e tij. Ribotimi për SHBA ka gjithashtu rëndësi në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe promovimin e vlerave letrare shqiptare dhe amerikane.

 

– Sa ka ndikuar dashamiresia e SHBA-ve dhe institucionve Amerikane per t’i krijuar keto kushte Shoqates se Shkrimtarve Shqiptaro-Amerikanë, por edhe shqiptarve që jetojne në Amerike, si një vend mik i shqiptareve, vend i lirisë dhe mundesive?

-Dashamirësia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetja e institucioneve amerikane kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e jetës kulturore dhe letrare të diasporës shqiptare. SHBA ka qenë dhe mbetet një vend i lirisë, ku fjala e lirë, organizimi i pavarur dhe iniciativa kulturore gjejnë hapësirë të plotë për t’u shprehur dhe për t’u zhvilluar.

Në këtë kontekst, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka përfituar nga një klimë demokratike dhe mbështetëse, ku institucionet kulturore, komunitetet lokale dhe vetë fryma amerikane e diversitetit kanë inkurajuar ruajtjen dhe promovimin e identiteteve kombëtare. Kjo ka bërë të mundur që shkrimtarët shqiptarë jo vetëm të ruajnë gjuhën dhe traditën e tyre, por edhe ta prezantojnë atë me dinjitet në një mjedis ndërkombëtar dhe ta pasurojne jeten kulturore amerikane.

Për shqiptarët në Amerikë në përgjithësi, kjo dashamirësi është shndërruar në mundësi konkrete: për arsimim, botim, bashkëpunim dhe integrim pa humbur rrënjët. SHBA ka qenë dhe jane një aleat historik dhe një vend mik për shqiptarët, duke i dhënë diasporës jo vetëm siguri dhe mirëqenie, por edhe një platformë të fuqishme për të ndërtuar ura mes kulturave dhe për të afirmuar vlerat shqiptare në botë.U jemi shume mirenjohes SHBA-ve.