Presidenti Trump testohet sërish për COVID-19, SHBA 100 mijë teste në ditë

 

Gjatë seancës së sotme informuese të task forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Presidenti Donald Trump njoftoi se sapo kishte bërë një nga testet që nxjerrin rezultatin për koronavirusin brenda pak minutash dhe se rezultati ishte negativ.

Ndërsa ekonomia amerikane po vazhdon të ndjejë pasojat e krizës së koronavirusit, seanca e sotme informuese në Shtëpinë e Bardhë u përqëndrua fillimisht tek masat për të mbështetur financiarisht amerikanët dhe ekonominë e vendit.

 

Sekretari i Thesarit Mnuchin iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për vonesat në disbursimin e fondeve të asistencës për çdo amerikan, apo për sistemin bankar që do të mundësojë transferimin e fondeve tek kompanitë private. Sipas Sekretarit Mnuchin, pikësynimi është që fondet të mbërrijnë në destinacion gjatë javëve në vazhdim.

“Gati 350 miliardë dollarë në kredi do të jenë të disponueshme për bizneset e vogla… Njëqind përqind e këtyre kredive nuk do të shoqërohen me asnjë masë shtrënguese, për sa kohë që punëdhënësit kujdesen për punonjësit e tyre…” , informoi Sekretari Mnuchin. “Qytetarëve amerikanë, Thesari do t’u depozitojë një çek drejtpërdrejt në llogarinë e tyre bankare”.

Presidenti Donald Trump informoi se qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka autorizuar korporata të mëdha amerikane të fillojnë prodhimin masiv të respiratorëve dhe paisjeve të tjera mjekësore, ndërsa është rritur shumë niveli i testimit.

“Po zhvillojmë tashmë mbi 100 mijë teste për koronavirusin në ditë. Pra, janë njëqind mijë çdo ditë, janë shumë të sakta dhe po kryhen më shpejt se në çdo vend tjetër të botës”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, Agjensia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) po vazhdon të ofrojë shtretër spitalorë dhe staf mjekësor për shtetet e prekura rëndë nga koronavirusi, si shteti i Nju Jorkut, Luiziana, Miçigani dhe Teksasi.

Krahas pikave të tjera të nxehta, Presidenti Trump tha se vëmendje të veçantë po merr qyteti i Nju Jorkut, me të cilin qëndrojnë tashmë të gjithë amerikanët.

“E gjithë Amerika qëndron përkrah popullit të Nju Jorkut në këtë kohë nevoje. Është absolutisht një pikë e nxehtë, por kemi edhe pika të tjera të nxehta për të cilat po kujdesemi”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump dënoi sulmet politike, të cilat i quajti “gjueti shtrigash” që vazhdojnë edhe në kulmin e kësaj krize të paprecedentë.

“…Kryerja e këtyre investigimeve partiake, në mesin e një pandemie, është vërtet një shpërdorim burimesh, kohe dhe vëmendjeje. Ne duam të luftojmë për jetët e amerikanëve dhe jo të humbasim kohë…”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë që pritej të ndryshonte udhëzimi për përdorimin e maskave për publikun, task forca informoi se u janë dërguar tashmë shteteve amerikane 27.1 milionë maska kirurgjie, 19.5 milionë maska të tipit N95, 22.4 milionë palë dorezash mbrojtëse, 5.2 milionë mburoja mbrojtëse të fytyrës, si dhe mbi 7600 respiratorë.

Nënpresidenti Mike Pence njoftoi se udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për mbulimin e fytyrës dhe përdorimin e maskave do të bëhen të ditura në ditët në vazhdim.

VOA

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here