PROF ALEKS BUDA – PAGËZUES I BOTIMIT TË MONOGRAFIVE PËR EDITH DURHAMIN DHE EUGENE DHE HELENE PITTARD
(NOWLLE ROGER)
Takim me disa patriotë të shquar shqiptarë në rrugët e Gjenevës
Gjenevë. 16 nëntor 1889
Ditën e shtunë rreth orës 9 paradite shkoj në rrugën Paquis 23 ku kisha lënë takim me Andon Zako Cajupin për shkak se ai kishte marrë një dhomë me qira në një pallat aty afër. Evgenia më tha se Andoni kishte dalë herët në mëngjes dhe do të shkonte në Universitetin e Gjenevës. Nxitova hapat dhe arrita para godinës së Universitetit. Andon Zako, po më priste në vendin ku takoheshim zakonisht me një zarf të bardhë në duar. Ai më kishte parë që së largu dhe sapo u afrova më tha : Do të jap një lajm të mirë. Jam regjistruar në fakultetin e drejtësisë. Babai do gëzohet që do të bëhem avokat.
Gjenevë. 15 tetor 1903
Eci rrugëve të Gjenevës dhe nga stacioni i trenit Cornavin zbres në parkun Bastion. Eshtë ditë e enjte. Dy hapa më tutje dal në rrugën Conseil General. Hedh vështrimin në godinën me numër 12 dhe ngjis shkallët me hapa të shpejtë. Në katin e katërt trokas në portë dhe hyj brenda. Përballë më del Dervish Hima me bashkëpunëtorët e tij, të cilët sapo kishin nxjerrë numrin e ri të gazetës «L’Albanie» e cila botohej shqip, frengjisht dhe turqisht. Para se të largohesha, Dervish Hima më dha një tufë me gazeta për t’i dërguar fshehurazi në Shqipëri.
Lozanë. 1 tetor 1915
Ditën e premte në orën 11 marr trenin në stacionin Cornavin dhe nisem në Lozanë. Pasi shëtis pak në bregun e liqenit, kërkoj në hartë bulevardin Beauregard se në godinën numër 5 ndodhet redaksia e gazetës «L’Albanie». Trokas në portën e saj dhe sapo hyj brenda shoh mbi tavolinë bocat e numrit të ri dhe një artikull me titull
«Gjuha shqipe», i cili hapej me një citat të Gabriel Jarray. Aty takoj botuesit e gazetës
Sotir Kolean, Pandeli Calen dhe Dr Mihal Turtullin, i cili në vitin 1921 në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Naltë të shtetit shqiptar do të propozonte kandidaturën e Prof Eugène Pittard si konsull i përgjithshëm nderi i shtetit shqiptar në Gjenevë.
Gjenevë, 1 mars 1917
Në datën 1 mars, ditën e enjte në orën 6 pasdite u takova me një frashërli, me bakteriologun Gjergj Adamidi Frashëri në lokalin e grenadierëve të vjetër në Gjenevë. Ai është diplomuar në Universitetin e Lozanës. Dr Adamidi më dha të lexoj një studim që kishte shkruar për pellazgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët, të cilin pasi e kishte paraqitur në institutin kombëtar të Kajros në vitin 1902 e kishte botuar në një revistë shkencore të botuar nga ky institut. Një referat të përmbledhur të këtij studimi mbi rrënjët pellazgjike të shqipes, ai do ta mbante në shoqatën gjeografike të Gjenevës, president i së cilës ishte Prof Eugène Pittard.
Gjenevë. 17 dhjetor 1920
Atë të premte në mëngjes, pasi kalova bri monumentit Brunswick, vijova udhën mbi urën Mont-Blanc dhe dola në rrugën e Ronës. Nxitova hapat për të mbërritur në Hotel Metropol në sallonin e të cilit pronari, mik i Shqipërisë kishte vënë një flamur të madh shqiptar. Në atë hotel e kishte rezidencën delegacioni shqiptar. Kur i thashë sportelistit që dua të takoj me Fan Nolin, ai m’u përgjigj që Monsinjor Fan Noli me anëtarët e tjerë të delegacionit ishin nisur për të marrë pjesë në seancën plenare të Lidhjes së Kombeve. Atë ditë Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve.
Gjenevë. 26 prill 1924
Ditën e shtunë në orën 14 pasdite i hipa biçikletës dhe u nisa drejt shtëpisë së Prof Eugène Pittard në rrugën Cottages 36. Kryeredaktori i gazetës Journal de Genève më kishte ngarkuar t’i merrja një intervistë Prof Eugène Pittard-it, të deleguarit të Lidhjes së Kombeve pas përfundimit të fazës së parë të operacionit humanitar në Shqipëri. Prof Eugène Pittard sapo më pa tek porta më tha : Jam shumë i zënë. Nuk kam kohë. Kam ende shumë dokumente që duhet t’i dorëzoj në Lidhjen e Kombeve. Megjithatë, meqenëse erdhe deri këtu po të jap një tufë me lule nga Shqipëria që m’i dhuruan në portin e Durrësit. Intervistën eja ta marrësh një ditë tjetër.
Gjenevë. 7 korrik 1926
Pasi kalova bulevardin George Favon u ktheva në të majtë dhe hyra në rrugën Stand. Eshtë ditë e mërkurë. Në krahun e majtë të rrugës me numër 48 shoh një godinë gjashtëkatëshe në të cilën e ka redaksinë gazeta «Liria Kombëtare». Po cilin pashë në ballkon ? Pashë drejtorin e saj Omer Nishanin dhe Halim Xhelon, i cili përpos aktivitetit të tij politik për Shqipërinë, do të pranohej më pas anëtar i partisë komuniste zvicerane. Kur ngjita shkallët dhe hyra brenda, redaksia m’u duk si një babiloni e vërtetë, por babilonasit e saj i dinin ku i kishin artikujt e gazetës dhe dorëshkrimet që prisnin të botoheshin. Pasi biseduam pak për situatën politike në atdhe, Omer Nishani më dha një tufë me gazeta duke më thënë: Do të shkosh në Bari, do të marrësh anijen dhe këto gazeta do t’i kalosh në mënyrë klandestine në Shqipëri.
Plotësimi i porosive dhe i amaneteve të Prof Aleks Budës
Ndjej një emocion të veçantë që ndodhem sot në sallën Aleks Buda dhe dëshiroj t’ju pohoj që dy librat e mij e kanë pikënisjen, e kanë zanafillën e tyre pikërisht në Akademinë e Shkencave, e kanë zanafillën tek idea largpamëse e Prof Aleks Budës. Në vitin 1987, kur isha kryeredaktor i revistës Shkenca dhe Jeta, i kërkova Prof Aleks Budës të më sugjeronte një temë nga fusha e albanologjisë. Profesori më sugjeroi të merresha me Edith Durhamin. Kështu që së bashku me Prof Dr Xhevat Lloshin, i cili e kishte «takuar» Mis Durhamin që në vitin 1972 kur bënte kërkime me Prof Arben Puton në shoqërinë biblike të Londrës dhe kishte dashur prej kohësh ta botonte Edith Durhamin, i a nisëm punës për botimin e një libri me pjesë të zgjedhura nga veprat e saj « ad usum Delphini», libër i cili u botua nga shtëpia botuese 8 nëntori në janar të vitit 1991 me titullin Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët me një tirazh prej 15. 000 kopjesh. Në vitin 1989, shkoj një ditë në Akademinë e Shkencave, e cila ndodhej dy hapa larg redaksisë së revistës Shkenca dhe jeta dhe takoj me Prof Aleks Budën. Pasi më shpjegoi disa tipare të albanologjisë gjermane dhe franceze dhe se si revista Shkenca dhe jeta duhej t’i njihte lexuesit me disa nga përfaqësuesit më të njohur të saj, iu luta Profesorit të nderuar të më sugjeronte një temë tjetër nga fusha albanologjike, meqenëse 80 % e punës përgatitore për botimin e Edith Durhamit kishte përfunduar dhe përkthyesit ishin duke bërë redaktimet e fundit. Prof Aleks Buda më tha : Do të bësh mirë të shkruash për një zviceran, për Eugene Pittard-in dhe gruan e tij, të cilët i kanë takuar shqiptarët më së pari në Dobruzha të Rumanisë në vitin 1902 dhe më pas në vitin 1921 për tre muaj me rradhë kanë bërë eksplorime antropologjike dhe antropometrike në veri dhe në jug të Shqipërisë. Kur u botua libri Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët në janar të vitit 1991, unë doja me gjithë zemër që
Profesori i nderuar të shkruante parathënien dhe t’i dhuroja një libër me dedikas duke i thënë në dialektin e Elbasanit : « Lal Leksi. Mis Durhami u ba ». Me botimin shqip të librit për Eugène dhe Helene Pittard-in dhe versionin frengjisht të sponsorizuar nga ambasada zvicerane në Tiranë, të cilën e falenderoj përzemërsisht, dëshiroj t’i them Prof Aleks Budës në dialektin e Elbasanit : «Lal Leksi. Eugène dhe Helene Pittard u ba ». Për fat të keq nuk munda ta realizoja këtë dëshirë timen në vitin 1991 për shkak se në atë kohë Prof Aleks Buda ishte në shtrat dhe ishte shumë i sëmurë. Eshtë pikërisht kjo arsyeja që unë në koshiencën dhe në subkoshiencën time ndjehem në borxh me Prof Aleks Budën, i kam borxh dy libra, një për Edith Durhamin që e botova së bashku me Prof Xhevat Lloshin në janar të vitit 1991 dhe një libër tjetër për çiftin zviceran Eugène dhe Helene Pittard, të cilin e botova shqip në Tiranë në vitin 2023 dhe frengjisht në vitin 2024.
Kjo monografi kushtuar dy miqve të shquar zviceranë, nga Gjeneva, Eugène Pittard dhe Hélène Pittard(Dufour) e njohur me pseudonimin Noëlle Roger, e pranoj me sinqeritet që ka zgjatur shumë në kohë, gjersa erdhi dita që të shohë sot dritën e botimit. Vërtetësia e kësaj date mund të konfirmohet nga dy këndvështrime të ndryshme. Nëse do të marrim për bazë vitin 1989, kur Prof Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më propozoi që pas botimit të librit Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët kushtuar udhëpërshkrueses dhe antropologes britanike Edith Durham, të cilin e përgatitëm së bashku me Prof. Dr. Xhevat Lloshin, të gërmoja në arkivat zvicerane dhe shqiptare për të zbuluar lidhjet e Eugène dhe Hélène Pittard me Shqipërinë dhe të mbërrijmë në vitin 2023 kur libri u botua shqip nga botuesi Luan Rama, llogaritë më dalin që kanë kaluar plot
34 vjet. Nëse do të marrim për bazë vitin 2006-2007, kur pak kohë pasi kisha mbërritur në Gjenevë me bashkëshorten time Besa, Klodianën dhe Holtin nga qyteti i St.Gallen-it ku banoja më parë dhe do të nisja gërmimet e mia fillestare në arkivat dhe në bibliotekat e Gjenevës, llogaritë më dalin që kanë kaluar plot 15 vjet.
Gjeneva është një qytet sa i lashtë aq dhe piktoresk, ku turistëve ju propozohet të vizitojnë muzetë, kështjellat, shatërvanin e ujit, orën me lule, Kombet e Bashkuara dhe ata e kanë të vështirë t’u rezistojnë çokollatave dhe orëve zvicerane që shiten nëpër dyqane. Turistët nuk janë të interesuar të dinë se në cilën gjykatë të Gjenevës është bërë gjyqi i një oligarku rus në vitin 2014, të cilin gjykata e detyroi që pas divorcit t’i paguante ish -bashkëshortes së tij 4 miliard franga zvicerane. Ciceronët e Gjenevës, krahas pyetjeve standarte ju bëjnë turistëve një pyetje, e cila nuk bën pjesë në doracakun zyrtar të turizmit. Pyetja shtrohet në formën : A doni të shihni vendin ku liqeni Leman ka bërë divorc dhe është ndarë me lumin Rona në Jonction ?
Lemani është natyrë e butë dhe poetike, ndërsa Rona është natyrë sanguine, e rrëmbyer. Nëse do të përdornim një terminologji juridike do të pohonim që Lemani me Ronën u ndanë me njëri me tjetrin për mospërputhje karakteresh. Gjeneva është një ndër vendet e rralla ku pas gjysmës së dytë të muajit mars, sapo çel lulja e parë e një gështenje që ndodhet në bulevardin La Treille, bashkia shpall zyrtarisht vendimin për ardhjen e pranverës në Gjenevë. Meqenëse po flasim për Gjenevën më lejoni që të citoj një fragment nga fjala e ish-rektorit të Universitetit të Gjenevës, Prof Eugène Pittard me rastin e 25 vjetorit të Fakultetit të Shkencave në datën 9 maj të vitit 1942.
«…Unë rrjedh nga një familje që i përket asaj që ne e quanim, Fabrika e Gjenevës. Dhe unë kam jetuar fundin e kësaj periudhe të lumtur ku orëndreqësit dhe argjendarët aq të dashur për zotin Babel, i cili ka shkruar një libër për ta, ishin të gjithë zanatçinj dhe artistë dhe jo punëtorë krahu. Këta njerëz përbënin një lloj aristokracie punëtore më e kultivuar se ajo që mund të hasje diku tjetër. Në këto punishte, pas vetratave prej xhami , në katin e fundit të shtëpisë, lexonim Rusoin dhe komentonim kontratën, diskutonim për Monteskjenë, e dinim cili ishte Burlamaki. Në çdo familje kishte nga një bibliotekë dhe ju lutem më besoni që në raftet e saj nuk kishte romane që vlenin katër grosh. Në këndonim Beranzhenë dhe jo «Eja Pupule». Ne ishim romantikë, ishim sentimentalë. Ne recitonim Mussenë, lexonim me emocion «Të mjerët». Secili në mënyrën e tij besonte tek Jezusi. Ju siguroj se këta njerëz, meditimet e të cilëve nganjëherë ishin të thella, kishin shpirt kritik. Këta burra, të cilët ishin njerëz të lirë, të cilët skllavëria e makinave ende nuk i kishte prekur, ishin të fiksuar në atë që quhet : «ndjenja e barazisë»…Ata tek ne kanë bërë revolucione sepse kërkonin më shumë drejtësi.Ata kanë krijuar nën këtë copë qiell që mbulon Gjenevën një gjendje shpirtërore që nuk e gjen asgjëkundi…Të mos harrojmë që ne në Gjenevë ne kemi dashur gjithmonë të mësojmë të tjerët. Ne jemi pedagogë të lindur…».
Të kërkoj ndjesë gjysma ime më e mirë
Në fillimet e mia të para hulumtuese dhe kërkimore, pas kthimit nga puna e përditshme, mbyllesha një herë në javë në arkivat e Gjenevës si ata murgjit e dikurshëm të manastireve, abstragoja nga bota reale, hipja mbi kalin e Pegasit dhe fluturoja herë mbi qiellin helvetik, herë mbi qiellin ilirian dhe zhytesha në bodrumet e thella të nëndheshme si qelia e Robinson Kruzoit ku ruheshin dorëshkrime të vjetra shtatëqind vjeçare zvicerane. Fillimisht për shumë vite me rradhë, kam harxhuar shumë kohë dhe energji duke kërkuar si gjilpërën në kashtë dokumente për Shqipërinë dhe shqiptarët në arkivat dhe në bibliotekat zvicerane. Dalëngadalë dhe vit pas viti duke u njohur dhe krijuar miqësi me arkivistë të vjetër të arkivave të
Gjenevës, të cilët i njihnin të fshehtat dhe misteret e arkivit siç njeh një botanist emrat e luleve, fillova të kuptoj kleçkat dhe teknikat e hulumtimit që përdoren në institucione të tilla shkencore dhe kulturore ndërkombëtare dhe të punoj në mënyrë të pavarur. Pa njohur më parë këto mekanizma, skema, udhërrëfyes, metodologji dhe rregullore të përpikta ishte krejtësisht e pamundur të punoja në mënyrë independente se më dukej vetja sikur nuk kisha mbaruar abetaren. Tashmë nuk kisha më nevojë që skedat e arkivave të m’i mbushnin arkivistët se dokumentet që më interesonin mund t’i gjeja vetë në kompjuter. Eshtë fjala për ato dokumente që mund të kompjuterizohen dhe janë hedhur në versionin numerik, se ka me mijëra dokumente dhe harta të vjetra qindra vjeçare në arkivat dhe në bibliotekat e Gjenevës, të cilat legjislacioni zviceran i mbron me ligj. Kur rrëmoja nëpër tregjet e librave të vjetër në Gjenevë të «peshkoja» ndonjë libër për Shqipërinë, ndonjëherë isha me fat, ndonjëherë më shkonte lodhja dhe mundimi kot. Procedura ishte e thjeshtë por të hante kohë se duhej t’i shihje dhe t’i shfletoje librat një nga një dhe nëse kishe pak fat të gjeje ndonjë libër albanologjik, do të bëje «pazar» me shitësin e librave për çmimin. Duke gërmuar vazhdimisht nëpër tregjet e librave në Gjenevë kam rënë në gjurmë dhe kam blerë herë pas here romane të Noëlle Roger-it, bashkëshortes së Prof Eugène Pittard, autore e 54 romaneve të botuara në Zvicër dhe në Francë. Kujtoj këtu sot para jush me nderim dhe respekt të veçantë që 14 ditë më parë në datën 25 shtator të këtij viti, Hélène Pittard(Dufour),bashkëshortja e Prof Eugène Pittard ka patur 150 vjetorin e lindjes së saj. Claire Pittard, mbesa e Prof Eugène Pittard më ka dhuruar herë pas here romane të Noëlle Roger-it dhe dokumente të tjera të vyera, për të cilat i jam mirënjohës. Kam «gjuajtur» dhe «gjuaj» prej shumë vitesh libra të vjetër antikuarë dhe albanologjikë, sa ky hob u bë sporti im i preferuar, sa kur shkoja në tregjet e librave të vjetër në Plain-Palais apo në rrugën e Konfederatës, librashitësit më konsideronin si njërin prej tyre, aq sa nuk ishin të rralla rastet kur midis njëri tjetrit bënim «pazare» të tilla : Kam një botim të hershëm të Kandid-it të Volterit ? Unë po kërkoj një botim të vjetër të Kontratës sociale të Zhan-Zhak Rusoit. Do të shohësh një botim të rrallë të biografisë së Skënderbeut të Marin Barletit ? Unë po kërkoj një libër incunable gjermanisht të vitit 1493, ku flitet për Shqipërinë. Dhjetë vjet më parë, kam njohur një nga librarët më emblematikë të Gjenevës, zotin Barbey. Libraria e tij ndodhej në qendër të qytetit, pranë universitetit dhe unë kaloja shpesh aty për të «peshkuar» libra antikuarë, sidomos libra të profilit albanologjik. Në atë librari më kishin mbetur sytë tek disa romane të Noëlle Roger-it, pseudonimi i Hélène Pittard, bashkëshortes së Prof Eugène Pittard. Aty kisha parë gjithashtu dy romane të Germaine de Stal, filozofes dhe romancieres gjenevase, njëri me titull : Delphine dhe tjetri me titull : Corine ose Itali, të cilët më tërhiqnin për tematikën e tyre. Sa për kuriozitet, Germaine de Stal ishte e bija e Jacques Necker-it, ministrit të Financave të
mbretit të Francës, Luigjit të XVI -të, i cili ishte martuar me Maria Antuanetën, mbretëreshën e fundit të Francës para revolucionit francez. Zoti Barbey për këto romane kishte vënë çmime të kripura dhe sado që kisha bërë «pazar» me të, ai rezistonte heroikisht. Kur shkova një ditë gushti në librarinë e tij vura re që në banak shërbente një librar tjetër për shkak se zoti Barbey ndodhej me pushime në Itali. Pa humbur kohë, i propozova librarit që t’i blija romanet e lartpërmendura me gjysmë çmimi. Pasi u mendua pak, ai m’i dha librat. Kur zoti Barbey u kthye nga pushimet, një pasdite po hyja në librarinë e tij. Sapo më pa, ai u ngrit në këmbë i nervozuar dhe më tha : «Po hyre në librarinë time, do të thërras policinë. Më ke grabitur romanet e Germaine de Stal dhe të Noëlle Roger-it». Shkëmbimet që bënim në tregjet e librave të Gjenevës më kujtonin kohën e fëminisë kur luanim me pulla dhe i ruanim ato si thesare në albumet tona. Sigurisht që ne ishim të vegjël dhe nuk ia dinim vlerën pullave. Megjithatë, kur u rritëm, disa prej nesh që e vazhduan pasionin e pullave lidhën letërkëmbim me filatelistë të huaj ende pa u ndryshuar sistemi politik në Shqipëri, madje filluan të bëjnë shkëmbime pullash me çmime të larta. Eshtë i njohur dhe fakti që disa filatelistë dhe koleksionistë shqiptarë në fillim të viteve 90-të, me koleksionin e tyre të pikturave dhe të pullave të rralla blenë apartamente në Shqipëri.
Dokumentet e para për Eugène Pittard-in dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger i kam gjetur në muzeun etnografik të qytetit të Gjenevës në vitin 2010. Por si i gjeta këto dokumente – do të pyesni ju me të drejtë ? Këto dokumente unë i gjeta të mbyllura brenda një thesi ngjyrë kafe, i cili rrinte i heshtur në një raft bashkë me dhjetëra thasë të tjerë dhe që askush më parë nuk ia kishte hapur grykën të shihte ç’pasuri kishte brenda. Të mjerat dokumente kishin gati 50 vjet që nga vdekja e Eugène Pittard në vitin 1962 që dremisnin në bodrumet e thella, të lëna shkret, të vetmuara dhe të painventarizuara. Sa më shumë që zhytesha në thellësitë e arkivave dhe të bibliotekave të Gjenevës, aq më tepër puna e kërkimit të dokumenteve për Eugène dhe Hélène Pittard-in më linte pa gjumë, m’u bë fantazëm sa më dilte në ëndërr dhe në zhgjëndër, m’u bë ves, m’u bë sëmundje, m’u bë nokël sa kur dilja nga shtëpia dhe merrja udhën për të shkuar në arkiv, kisha maninë të bëja zigzake, të fshihesha nëpër rrugë dhe nëpër rrugica se më dukej se po bëja mëkat, më dukej sikur po tradhtoja bashkëshorten time, më dukej se po shkoja tek «dashnorja». E kisha vërtetë një ndjesi të tillë dhe më vriste ndërgjegja për këtë, ndonëse isha një fajtor pa faj dhe nuk më kishin kapur asnjëherë në flagrancë. Një hop herë e ngushëlloja veten duke lexuar poezi të hershme dashurie të dy shkrimtarëve më të shquar dhe më të lexuar shqiptarë. Për shembull, më shkonte mendja te Ismail Kadareja, i cili nuk ia kishte mbajtur të fshehtë Helenës emrat e të dashurave që ka patur në kohën kur ka qenë student në Institutin e Letërsisë Maksim
Gorki në Moskë. Kadareja nuk e ka konsideruar për turp nga i cili duhej të fshihej dhe as që i ka shkuar ndonjëherë ndër mend që poezitë e dashurisë me tituj : Ljuba, Tana, Llora dhe të tjera të dashura, t’i botonte të çensuruara në veprat e tij. Madje po t’i lexosh vargjet që Kadareja ju ka kushtuar të dashurave të tij moskovite, edhe sot e kësaj dite të përshkojnë drithërima në trup. Megjithatë duhet pohuar me të drejtë që shtojzovallja, e cila i qëndroi pranë dhe e dashuroi Ismailin me të njëjtin zjarr dhe pasion gjithë jetën ishte gjimnazistja Elena Gushi, së cilës Ismaili kur ishte student në Moskë i dërgoi tre rreshta letër duke e falenderuar për një tregim që kishte botuar në gazetën «Zëri i rinisë». Ajo letër- balonë që përshkoi në qiell mijëra kilometra do të bëhej në mënyrë të natyrshme shembëlltyra e shtërgut vetësakrifikues që i mbajti kurmet dhe zemrat e tyre pranë e pranë gjithë jetën dhe ato pak rreshta do të ishin preludi i një dashurie që nuk do të fikej asnjëherë. Dritëro Agolli gjithashtu, gjatë gjithë jetës së tij asnjëherë nuk e harroi Ninën, gruan e tij të parë ruse dhe djalin e tij, Arianin, të cilët i takoi bashkë me Sadijen, Artanin dhe Elonën, pas 50 vjetësh në Shën Peterburg në vitin 1991. Nëse për Dritëroin ishte krejt e natyrshme t’i thurte vargje Ninës, bashkëshortes së tij të parë ruse, Sadije Agolli që në çastet e para kur u njoh dhe e dashuroi Dritëroin e saj u ngrit në një lartësi të atillë ku ngjiteshin perënditë dhe nuk mund të afroheshin dot xhelozitë. Në një farë kuptimi figurativ dhe jo vetëm, a nuk janë Helena dhe Sadija të vetësakrifikuarat e heshtura të Ismailit dhe të Dritëroit ! A kemi të drejtë ne të shtrojmë hipotezën, sipas së cilës pas çdo romani a vepre letrare të Ismailit dhe të Dritëroit «fshihej» një Helenë dhe një Sadije. A nuk janë të vetësakrifikuara të heshtura gjithashtu bashkëshortet e shkrimtarëve, të artistëve dhe të shkencëtarëve më të shquar të vendit, të cilat me vullnetin e tyre pranuan të qëndrojnë në hije për hir të dashurisë së pamatshshme për bashkëshortët e tyre ! A ka dedikas më të bukur për sakrificat e tyre sublime se sa vargjet e Ismail Kadaresë : « Ato të urtat gjer në dhëmbje/ Të thjeshtat gjer në madhështi». Ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti fillova t’i dendësoja vajtje ardhjet e mia në arkivat dhe në bibliotekat e Gjenevës, sa më ishte krijuar iluzioni se e kisha lënë
«dashnoren» vetëm, se «dashnorja» mërzitej pa mua dhe unë nuk mund të jetoja dot pa e parë me sy dhe pa e përkëdhelur me dorë. Kur i thashë njëherë «dashnores» që do të largohem për një javë nga Gjeneva për çështje pune, «dashnorja» nisi të qajë me ngashërime, sa i rridhnin lotët rrëke dhe unë nuk arrija dot t’ia qetësoja gulshet.
«Dashnorja» ime nuk donte që ta lija vetëm dhe më përgjërohej që të mos ta bëja këtë krim dhe të zija dashnore të tjera. Kisha frikë se «dashnorja» ndonjë ditë do të bënte harakiri siç bëjnë femrat e dëshpëruara japoneze, kisha frikë se ndonjë ditë do të hidhej te shinat e trenit si Ana Karenina. Kushedi sa net pa gjumë kalova duke vrarë mendjen në koshiencën dhe subkoshiencën time për të gjetur një zgjidhje, e cila do t’i mbyllte plagët që ishin hapur në zemrat tona. Vitet e fundit, ngaqë nuk mundesha
dot për shkak të orareve të punës apo për shkaqe të tjera subjektive të shkoja çdo ditë të hulumtoja nëpër arkiva, fillova t’i merrja «dashnoret» fshehurazi në apartamentin ku banoja, sipërfaqja e të cilit nuk ishte më shumë se 120 metra katror, përfshi këtu një dhomë matrimoniale dhe dy dhoma për fëmijët, Klodianën dhe Holtin. Ime shoqe Besa filloi të alarmohet me të drejtë : «Ku do t’i mbajmë gjithë këto libra dhe dokumente të vjetra të pluhurosura ? Nga letrat e zverdhura do të dalin krimba. Do të na zërë alergjia nga pluhurat. Do ta bëjmë rrogën ilaçe për alergjinë. Do të na kapë ndonjë sëmundje. Po na e bën shtëpinë bibliotekë. Po na e bën shtëpinë arkiv». Ndërkohë «dashnoret» e mia pa zhurmë dhe pa bujë dhe me çapa të lehtë kishin filluar mësymjen e tyre duke bërë një pushtim të butë të sipërfaqes së apartamentit. Ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji dhe vit pas viti «dashnoret» e mia me durimin e grafistëve kinezë që bëjnë gravura mbi kokrrën e orizit, kishin përgatitur shtratin në studion time të punës, e cila tashmë kishte marrë konturet e kullës së Babelit dhe etazheri që ndodhej në koridorin e apartamentit ishte mufatur aq shumë nga pesha e librave dhe e dokumenteve, sa gati nuk po binte në tokë. «Dashnoret» e mia platonike fluturonin si atomet në ajër, Migjeni shkruante : n’ajri në Poemën e Mjerimit, ndërsa trajtat e kurmeve të brishta të «dashnoreve» të mia mund t’i shihja vetëm unë, ndërkohë që ato ishin të padukshme, për të tjerët, përfshirë këtu edhe time shoqe, megjithëse gjysma ime më e mirë, tashmë ishte plotësisht e sigurtë që
«dashnoret» e mia fshiheshin nëpër faqet e librave të bibliotekës. Megjithatë,
«dashnoret» e mia të pafata përgjithësisht ishin të kujdesshme dhe përpiqeshin që të mos binin në sy haptazi në mënyrë që ime shoqe Besa të mos rrinte pa gjumë, të mos shihte ëndërra të këqia dhe të mos torturohej nga dyshimet. Nganjëherë më brente dyshimi që ime shoqe Besa luante lojën e së verbërës që nuk ishte e verbër dhe i shihte me xhelozi dashnoret e mia dhe mua më dukej që nga çasti në çast do të më vinte para ultimatumit : ose unë ose «.ato» duke copëtuar nëpër dhëmbë atë fjalë që nuk donte ta shqiptonte. Tek e mbramja, për gjysmën time më të mirë, tashmë nuk ekzistonte as dilema më e vogël kur më shihte të përpëlitesha në shtrat dhe nuk më merrte gjumi as me kamomil, as me Dalmadorm. Gjysma ime më e mirë e dinte që herët a vonë, pas mesit të natës, unë do të ngrihesha me hapa të lehtë që të mos e zgjoja dhe t’i prishja gjumin, do të hyja në studio dhe do ta kaloja natën me
«dashnoret» e mia për t’u rikthyer në shtrat në orët e para të mëngjesit.
Pas botimit të librit shqip në fund të majit të vitit 2023, u mblodhëm një mbrëmje me disa miq të vjetër për të pirë një gotë verë dhe për të festuar daljen e librit për Eugène dhe Hélène Pittard-in në librarinë Adrion në Tiranë. Një prej miqve të mij, një nga ata tipa që i bien drejt dhe nuk i bëjnë dredha fjalës më tha atë natë : Për 15
vjet ke shkruar 1000 faqe. Më thuaj të drejtën miku im : Si të ka duruar bashkëshortja jote ?
Të kërkoj ndjesë. gjysma ime më e mirë
Përshëndetje Muj
Që të kesh një ide konkrete në lidhje me artikullin po ta dërgoj tani që ta lexosh kur të kesh kohë.
Të kam dërguar edhe katër foto, të cilat duhen zvogëluar në përshtatje me faqen e gazetës. Po të jap diçiturat e fotove:
Diçitura në fq 10: Biblioteka e Gjenevës
Diçitura në fq 11: Portret i Prof Eugène Pittard
Diçitura në fq 12: Hélène Pittard(Noëlle Roger) dalë buzë lumit Rona në vitin 1922.
Diçitura në fq 13: Prof Aleks Buda. Ish – Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
11
12
13