Prof. dr. ANTON PAPLEKA: SKËNDERBEU DHE KRAHINA E NIKAJ-MERTURIT, STUDIM

Krahina e Nikaj-Merturit ka qenë pjesëmarrëse e epopesë skënderbejane

SKËNDERBEU DHE KRAHINA E NIKAJ-MERTURIT
„Në librin “Luftërat e turqve kundër Skënderbeut“ i shkruar nga bashkëkohësi dhe bashkëpunëtori i Gjergj Kastriotit, atë Dhimitër Frangu (1443-1525), i botuar latinisht në Venedik më 1539, pastaj i botuar në Londër më 1562, i shqipëruar nga Hysen Hidri dhe i publikuar në Tiranë, në vitin 2000.
Në këtë libwr përmenden princat shqiptarë kryesorë që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës… ku ndër të tjerë shquheshin princat Aranit Komneni, që më pas u bë vjehrri i Skënderbeut, Andrea Topia, Pal Dukagjini, Nikollë e Pjetër Spani, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia, të dërguarit e nderuar të Senatit të Venedikut…“1) Në citimin e mësipërm, në mënyrë të veçantë, ne na interson përmendja e Nikollë e Pjetër Spanit, në principatën e ose në zotërimin e të cilëve përfshihej edhe krahina e Nikaj-Merturit.“

Në shekullin XV, viset e Shqipërisë Jugore kanë qenë të pushtuara nga turqit, kurse disa zona të Shqipërisë Veriore bënin pjesë në zotërimet e Venedikut. Për këtë arsye, shteti shqiptar i Skënderbeut ka pasur një shtrirje të kufizuar, edhe po të përfshijmë në të zotërimet e aleatëve të tij që morën pjesë në Lidhjen e Kapedanëve Shqiptarë, e cila u formua në Kuvendin e Lezhës, më 1444.
Duke pasur parasysh këto kushte historike, kam qenë skeptik ndaj një lidhjeje reale, konkrete midis Skënderbeut dhe një krahine të izoluar nga malet e larta dhe nga luginat e thella, siç është Nikaj-Merturi. Gjithashtu mendoja se edhe po të kishte ekzistuar një lidhje e tillë, do të ishte tepër e vështirë të gjendeshin burime historike, të cilat, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të thërthortë, do të hidhnin dritë mbi të…
Megjithëse dokumentet e shkruara që flasin për shekullin XV janë të pakta ose fragmentare, pas një rileximi të vëmendshëm të disa botimeve që i referohen kësaj periudhe, u binda se ato mund të na ndihmojnë tê vërtetojmë se edhe krahina e Nikaj-Merturit ka qenë pjesëmarrëse e epopesë skënderbejane.
Një nga këto botime është libri “Luftërat e turqve kundër Skënderbeut“ i shkruar nga bashkëkohësi dhe bashkëpunëtori i Gjergj Kastriotit, atë Dhimitër Frangu (1443-1525), i botuar latinisht në Venedik më 1539, pastaj i botuar në Londër më 1562, i shqipëruar nga Hysen Hidri dhe i publikuar në Tiranë, në vitin 2000.
Në këtë libër nuk flitet shkoqiturazi (në mënyrë eksplicite) për Nikaj-Merturin, por aty përmenden princat shqiptarë kryesorë që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës: “Mirëpo Skënderbeu, duke qenë shumë i mençur, dinte mirë se ç’duhej të bënte dhe, njëkohësisht, duke njohur mirë vendosmërinë dhe synimin e Turkut, shkoi menjëherë në Lezhë, qytet në Shqipëri, atëherë nën qeverisjen e venedikasve, ku, me kërkesën e tij, të gjithë princat e Shqipërisë mbajtën një këshill, në të cilin merrnin pjesë gjithsejt tridhjetë fisnikë, ku ndër të tjerë shquheshin princat Aranit Komneni, që më pas u bë vjehrri i Skënderbeut, Andrea Topia, Pal Dukagjini, Nikollë e Pjetër Spani, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia, të dërguarit e nderuar të Senatit të Venedikut…“1)
Në citimin e mësipërm, në mënyrë të veçantë, ne na interson përmendja e Nikollë e Pjetër Spanit, në principatën e ose në zotërimin e të cilëve përfshihej edhe krahina e Nikaj-Merturit. Kur flet përt kapedanët e dëgjuar që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, Fan Noli e lokalizon principatën e secilit, siç bën edhe për Pjetër Spanin: “…Pjetër Spani, kryezot i Malësive të Shoshit edhe të Shalës, me katër të bijtë, Lekën, Bozdon, Oroshin dhe Markun…“2)
Nuk ka dyshim se në zotërimin e Spanëve përfshihej edhe krahina e Nikaj-Merturit. Një pohim të tillë e mbështetim më disa fakte. Së pari, disa shekuj më parë, Shala shtrihej në një pjesë të territorit të fisit Nikaj, deri në vendin e quajtur Bricull. Mirëpo ajo që kë rëndësi më shumë, është se zotërimi i Spanëve përfshinte krahinën etnografike, të njohur me emrin Pult . Sipas Thalloczit, në shekullin XII, Pult thirrej krejt vendi prej liqenit të Shkodrës e deri në Drin të Bardhë…3)
Studiuesi i mirënjohur Selami Pulaha shkruan :”Krahinat që dikur ishin në zotërim të Pjetër Spanit, formonin më 1485 një nahije të vetme dhe përfshinin Pultin e sotëm, Shalën dhe Shoshin.”4)
Studiuesit kanë shprehur mendimin se kryeqendra apo një nga qendrat e Spanëve ka qenë në kufi të krahinës së Nikaj-Merturit, në Geghysenin e sotëm. Famur Buçpapaj thotë:“ Të dhënat mesjetare tregojnë se këtu ka qenë kulla e Pjetër Spanit, sundimtar i krahinës së Pultit. Në lindje të kësaj kulle, është një fushë e quajtur Qytezat. Afër saj, u zbuluan copëra enësh të shek. I të erës sonë si amfora, vorba të lyera me zmalt jeshil ashtu dhe copa enësh mesjetare. Poshtë kalasë së Selimajve, në disa rrafshe ruhen rrenojat e disa kishave mesjetare. »5)
Edhe studiuesi Mark Palnikaj ka vërtetuar se Geghyseni ka qenë një kryeqendër e rëndësishme fetare, pra edhe politike : « Ne kemi gjetur shumë dokumente që provojnë se qendra e dioqezës së Pultit ka qenë në Gash, në fshatin e sotëm Geghysen. »6)
Hulumtuesi Nuredin Lushaj më ka dhënë një informacion gojor, sipas të cilit në rrënojat e kalasë së Lekës në Geghysen është gjetur një gur ku shkruhej me shkronja latine emri « LEKA », i cili ka të ngjarë t’i referohej pikërisht Lekë Spanit, djalit të Pjetër Spanit.
Vetëm duke zotëruar një principatë kaq të gjerë, siç ishte Pulti mesjetar, Spanët mund të kishin një peshë politike dhe ushtarake të tillë sa të radhiteshin midis kryezotëve më të rëndësishëm të Shqipërisë. Veç pjesëmarrjes së tyre në Kuvendin e Lezhës, këtë gjë e vërtetojnë edhe marrëdhëniet e tyre me Venedikun apo me mbretin Alfonsi V : « Si me Skënderbenë, Alfonsi lidhi traktate me Gjerq Aranitin, Gjin Muzhaqin, Pjetër Spanin, Gjerq Stres Balshën, Pal Dukagjinin, Muzhaq Thopinë… » 7)
Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Spanët, ashtu si me të gjithë feudalët e tjerë, kaluan edhe periudha krizash, siç ndodhi gjatë konfliktit me Republikën e Venedikut, kur kjo e fundit rrëmbeu me pabesi kështjellën e Danjës dhe principatën e Lekë Zaharisë : « Lek Dukagjini mbeti neutral, Pjetër Spani, kapedani i Shalës dhe i Shoshit, edhe Gjergj Dushmani, kapedani i Zadrimës, muarnë anën e Venetisë .» 8)
Më 1455, Skënderbeu u detyrua të përdorte autoritetin dhe pushtetin e tij për t’u dhënë fund grindjeve dhe gjakderdhjes midis anëtarëve të familjes së Spanëve. Mënyra se si e paraqet këtë ngjarje Fan Noli, të lë të kuptosh se Skënderbeu do të ketë vajtur në vend për të shuar një konflikt që dobësonte edhe aleancën e kapedanëve shqiptarë : « Pasi pa që nuk ardhi asnjë ushtri turke gjer në fundin e vjeshtës, Skënderbeu shkoi në krye të dhjetorit nga Dibra në Pulàt, ku e kishte thirrur Pal Engjëlli, peshkop i Drishtit. Pjetër Spani, kapedani i Shalës dhe i Shoshit, kishte vdekur, të bijtë ishin zënë midis tyre, dhe pushka po jepte e merrte në malësitë. Skëndebeu i pajtoi dhe e qetësoi vendin ca me të urtë, ca me forcë. Vëllanë e vogël, Mark Spanin, i cili nuk bindej me asnjë mënyrë dhe i cili ishte shkaku i trazirës, e lidhi me hekura dhe e hodhi në burk. » 9)
Në traditën gojore të Geghysenit, është ruajtur deri në ditët e sotme një gojëdhënë që flet për grindjen midis dy vëllezërve, Lekës e Markut. 10)
Duke saktësuar detyrimet që kishin pjesëmarrësit e Lidhjes së Kapedanëve Shqiptarë, Noli shkruan : « Të gjithë kyezotët u zotuan ta përkrahin kundër sulltan Muratit II me para, me ushqime dhe me ushtëri ».11)
Vetëkuptohet se në ushtrinë e Skënderbeut kanë marrë pjesë edhe Spanët së bashku me ushtarë të mbledhur nga principata e tyre. Prania e Spanëve dokumentohet qysh në betejën e parë, të zhvilluar në Torvioll, më 29 qershor 1444 : „Vrana Konti komandonte kalorësinë e kësaj dhe Marin Spani këmbësinë. » 12)
Marin Spani i qëndroi besnik kryezotit të Krujës, edhe atëherë kur pjesëtarët e tjerë të familjes Spani u lëkundën : « Kur Skënderbeu luftonte në Oranik, venecianët me një ushtëri të fortë u nisnë kundër fortesës së Balshit, kumandar i së cilës ishte Marin Spani. Ky, i lajmëruar prej vëllait Pjetër Spanit, i cili mbante anën e Venetisë, dhe duke parë që ishte e pamundur ta mpronte këtë fortesë të ndërtuar përgjysmë, e neveriti në fatin e saj, pasi e hoqi tërë ushtërinë përkëtej Drinit. » 13)
Besnik i Gjergj Kastriotit deri në vdekje, Marin Spani u vra në betejën e zhvilluar më 20 maj 1456 kundër ushtirsë turke të komanduar nga renegati Moisi Golemi : « Nga ana e tyre ( shqiptarët, A. P.) humpnë afro 1000 ushtarë dhe 42 oficerë të vrarë, midis të cilëve Dhimitër Erizin dhe Marin Spanin, dy trima veteranë, dhe afro 2000 të plagosur. » 14)
Kur flitet për pjesëmarrjen e banorëve të krahinës së Nikaj-Merturit që kanë jetuar në shekullin XV, në ushtrinë e Skënderbeut, ndokush mund të pyesë: a kanë lidhje gjaku banorët e sotëm të kësaj krahine me banorët e atëhershëm? Unë jam i mendimit se një lidhje e tillë nuk mund të mohohet, së paku për dy arsye. Ashtu siç e përmendin edhe studiuesit Dodë Progni e Zef Doda, në regjistrimin e vitit 1485, figurojnë disa fshatra të kësaj krahine si Brisë, Salç, Palç, Bllakë, Noranjë, Nikijt etj. 15)
Në qoftë se popullsia e këtyre vendbanimeve apo e Nikaj-Merturit në përgjithësi mund të jetë shpërngulur, është e pamundur që ajo të jetë larguar tërësisht. Këtë gjë e vërteton ekzistenca e një popullsie të hershme, mbi të cilën është mbivendosur një popullsi e ardhur nga territorre të tjera. Këtë dukuri e kanë vënë në dukje edhe studiues të tjerë: “Është e vërtetë se të gjitha fiset kanë pasur në territoret e tyre „minoritete“ që quhen „anas“, që nuk kanë lidhje gjaku me fiset ku banojnë. Në Nikaj, anas janë Kapiti dhe Ndrevatajt. […] Në fisin e Mërturit, ka nga këta anas në fshatrat Bëtoshë, Rajë, Palç dhe Salcë.“ 16)
Sipas studiuesve, Nikajt kanë ardhur nga territori i Krasniqes. Si të tillë, stërgjyshërit e tyre kanë bërë pjesë në territorin e Pultit mesjetar që ishte në zotërim të familjes feudale të Spanëve. Në relacionin e tij të dytë, të vitit 1638, Frang Bardhi thotë se Krasniqja i përkiste Pultit: “…në mbramje vonë mbërrijtëm te një katund i Iballës, i quejtun Apëripa, për të cilën do të flasim, ku kalova Drinin dhe hyna ndër popuj të Pultit dhe mbasi perëndoi dielli, shkuem në një katund të quejtun Krastenigjeja…“ 17)
Për lidhjet e banorëve të Nikaj-Merturit me epokën e Skënderbeut do të përmend edhe një fakt nga tradita poetike, nga Cikli i Kreshnikëve. Pikërisht në fshatin mesjetar të Brisës, nga goja e lahutarit të përmendur Sokol Martini, është mbledhur rapsodia „Musa Qesexhi“, e cila me sa di unë nuk është regjistruar në ndonjë krahinë tjetër dhe është ekzemplar i vetëm. 18) Sipas historianit të shquar Kristo Frashëri, Musa Qesexhi, i quajtur edhe Musa Arbanasi (Shqiptari), që bën dyluftim me një personazh historik si Kraljeviq Marku, i cili ka rrojtur në shekullin XV dhe ka qenë vasal i Sulltanit, i referohet pikërisht një figure të njohur të historisë shqiptare, Moisi Golemit. Dihet se trajta Musa është një modifikim i emrit hebraik Moisi në gjuhën turke. Mund të hamendësojmë se në këtë këngë të kënduar nga lahutari malësor ruhet ndonjë jehonë e largët e ngjarjeve që i kanë jetuar luftëtarët e Skënderbeut. Ndryshe si mund të shpjegohet fakti që një malësor i pashkollë flet për qytetin e Prilepit, për Musa Arbanasin dhe për Marko Kraleviqin si vasal i sulltanit?… Natyrisht për çështje të tilla duhet të bëhen studime të thelluara, të cilat u takojnë hulumtuesve të rinj.
Duke u nisur nga burimet historike dhe nga traditat gojore që parashtrova, mund të arrijmë në përfundimin se krahina e Nikaj-Merturit dhe banorët e saj mesjetarë, ashtu si të gjithë banorët e principatës së Pultit, kanë qenë të lidhur me veprimtarinë politike dhe ushtarake të Skënderbeut dhe të shtetit të tij, kanë qenë pjesëmarrës të epopesë skënderbejane, e cila mbetet si pikë referimi për shqiptarët e të gjitha kohërave.

Referenca bibliografike:
1.Dhimitër Frangu, Luftërat e turqve kundër Skënderbeut. Tiranë, 2000, f. 10
2.Fan S. Noli, Vepra 4, Tiranë f. 514
3.Dodë Progni- Zef Doda, Nikaj – Merturi, Shkodër, 2003, f.19
4.Studime për epokën e Skënderbeut, I, Tiranë, 1989, f. 337
5.Flamur Buçpapaj, E kaluara morfo-arkeologjike e rrethit të Tropojës, Tiranë, 2016, f.14-15
6.Mark Palnikaj, Pulti, Prishtinë, 2017. f.22
7.Fan S. Noli, vep. e cit. f. 548
8.Po aty, f.530
9.Po aty, f. 559
10. Tregoi Nuredin Lushaj, materiali ndodhet në dosjen e autorit
11.Fan S. Noli, vep. e cit. f. 514
12.po aty, f. 519
13.Po aty, f. 533
14.Po aty, f. 560
15.Studime për epokën e Skënderbeut, f. 338
16.Mark Palnikaj, vep. e cit. f. 254
17.Tonin Çobani, Frang Bardhi dhe relacionet e tij, Zagreb, 2006, f. 99-100
18.Këngë popullore legjendare, Tiranë 1955

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here