Mision i vështirë, të përzgjedhësh fjalët për një figurë kaq poliedrike, shumëpërmasore, jashtë & larg së zakonshmes dhe mbi të gjitha, kaq të pakohshme. E po aq, është privilegj të dëshmosh për pakohësinë e saj, edhe në vetë të parë. Sepse, duke u njohur që prej brezash në familjen tonë, Ali Mula u shndërrua lehtësisht në mik dhe vëlla edhe për ne.
Heronjtë kërkojnë dhe meritojnë lavdi, prandaj edhe nuk e ekzagjeroj aspak, nëse them se ky personazh mitik, rrëmbeu dritën & zjarrin dhe e shpërndau atë siç di ta bëjë vetëm një hyj.
Ai, si një zhanër i përsosur e sipëror, i mbrujtur me shpirt e me inteligjencë mbi të zakonshmen, u bë promotor i dijes, transmetues i kulturës dhe paraardhës e pasardhës i denjë i cdo artisti. Emri i tij ngrihet vigan, dinjitoz e duke iu bashkëngjitur emrave të të mëdhenjve të artit shqipfolës, si Daija, Zadeja, Tukiçi, F.Sokoli e F. Breçani.
Një profesionist i rrallë edhe në fusha të tilla si shkencat mjekësore, ai diti t’i jetonte në kohezion të admirueshëm, edhe një profesion human e të vështirë si ai i stomatologut, me një galeri të pafundme talentesh, dhuntish e qasjesh artistike, sa rrallë mund të gjesh të dytë ndër këto troje.
U nda mes humanizmit dhe artit, për t’i sintetizuar keto pilaster të jetës, për t’ju dhënë e për t’ju marrë, duke mos u kursyer kurrë.
Atdhetar e patriot, artist e krijues, veprimtar e artizan i fjalës, studiues e themelues, aktivist e sfidant, udheheqës e promovues, folklorist e modernist, mik e vëlla….., çfarë tjetër nuk mundi të ishte Ali Mula gjatë jetës fizike?!
Ai gjeti kohë të punonte e të përhapte pareshtur impulse jete dhe dijesh, si rrallëkush. Shembujt më të mirë për t’jua lënë amanet brezave, i kemi kaq pranë dhe Ali Mula është një i tillë, me meritë dhe kontribut epokal.
Trashëgimi të tilla, kaq universalizuese, mund t’i lënë veçse ata që dijnë ta jetojnë jetën. Ata që i përkasin vetëm përkohësisht tokës, e shenjojnë atë me gjurmë të pashlyeshme, e më tej përjetësohen. E ç’është përjetësia?! Asgjë më shumë, veçse kjo gjurmë. Për Ali Mulën do të flasin gjenerata të tëra, do ta transmetojnë pavdekësine e tij, ashtu siç bëhet për çdo emër të mirë, që ka ditur të kthehet në lider dhe udhërrëfyes shpirtëror i ndjekësve të tij.
Si artist, e shoh personazhin e tij me ndjenjë dhe mall të shtuar, si një monument njerëzor e leksion mjeshtëror.
Veçanërisht, në Artin Skenik, kontributi i tij i çmuar solli ngritjen e grupeve artistike, ansambleve dhe ekspeditave artistike, te cilat sollën një frymë të re dhe zhvillim kulturor me rëndësi të veçantë.
Drama, librete dhe koncerte, u lëvruan nën kujdesin e tij, duke përbërë një moment kthese në jetën kulturore të rrethit, që nga gjysma e parë e shek. të XX.
Që nga viti 1950, kur ai u ngjit për herë të parë në skenë, e deri në fund të jetës, Ali Mula ktheu në vepra artistike shumë pjesë letrare e drama. Ktheu në grupe artistike të mirëfillta, e në vatra kulture, dhjetëra grupime amatoreske. Kulminacione të tilla, si formimi i Ansambleve Valbona e Dardania, e kthyen atë në promotorin më të mirë të kulturës vendase.
Vitet ’70 janë ato më pjelloret, kur ai nisi punën sëbashku me të tjerë për të themeluar Estradën e parë, për të cilën u punua me tekste, skeçe e parodi të reja të përgatitura enkas.
Këto kohë njohu lulëzim teatri dhe i gjithë arti skenik dhe kontributi i tij u shtri edhe në Kinematografi, duke asistuar në filmat “Udhëtim në pranverë”, “Nusja” etj. Premiera të tilla si “Lahuta e Malcis”, “Vllazni e Interesë”, apo “Dritë ne Malësi”, ashtu si edhe dhjetëra të tjera, i falën atij emrin e paharruar dhe mirënjohjen e tërë krahinës. Ishte koha kur niveli interpretativ u rrit ndjeshëm, thuajse duke rivalizuar grupet e trupat profesioniste. Me emër mbetën shfaqje të tilla, si: “Emision miqësor”, “Kështu po”, “Këshilli i Ndrikullave”, etj.
Po në vitet 1970, ai bashkëpunoi me të parin tropojan të arsimuar në Arte Skenike, Sali Doçi. Sëbashku, nisën punën për teatro amatore, duke kulmuar me vënien në skenë të dramave të tilla, si: “Qielli i kuq”, “Cuca e maleve”, “Sinjalet e natës” e deri tek “Familja e Peshkatarit”, e Pitarkës.
Tjetër moment kulmor në punën e tij me skenën, ishte edhe organizimi për herë te pare në shkallë rrethi të Olimpiadës së Teatrove Amatore, më 1982.
Personalisht, e kam admiruar për mënyren si ka ditur ta dekorojë fjalën, nëpërmjet fluturimeve më të larta të mëndjes; për mjeshtërinë me të cilën ka përdorur tingujt, nëpërmjet drithërimeve më të holla të shpirtit, e për parimet me të cilat ka kultivuar shijet estetike të një zone të tërë, e më gjërë akoma.
Heshturazi, do të vazhdoj ta falenderoj gjithmonë për çfarë ka sjellë e bërë për këto troje, për njerëzit dhe rrethin e Tropojës në veçanti, duke u kthyer në një gjenerator të karizmës, një novator idesh dhe ndër kontribuesit më energjikë të kulturës e traditës shqiptare.
Filozofikisht thuhet se: “E ardhmja i perket atyre që besojnë në magjinë e ëndrrave të tyre!”
Unë besoj se vetëm një ëndërrimtar idealist si Ali Mula, mund t’ia dilte të kthehej në një realitet kaq brilant, të cilit i referohemi sot!
Bjeshka, Tropoja dhe i gjithë vendi, kanë lindur edhe njeherë një personazh krejt unik, i cili më mirë se çdo art, lëvroi artin e të kthyerit në një monument njerëzor të një shpirti hyjnor.
Faleminderit!
Prof. Petrit MALAJ