Prof. dr. Bardhosh Gaçe: “KLUBI I VANIT”-NGA ALBERT HAJNAJ-NJË PASQYRIM I JETËS ME BRENGAT DHE HUMORIN BASHKËKOHOR

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

“KLUBI I VANIT”-NGA ALBERT HAJNAJ-NJË PASQYRIM I JETËS ME BRENGAT DHE HUMORIN BASHKËKOHOR

 

Intelektuali dhe shkrimtari Albert Hajnaj, edhe pse ka kryer studimet e larta në degën Kimi Industriale, pas specializimit në Algjeri e Francë, punoi me një përkushtim të rrallë si kryeinxhinier në Azotikun e Fierit, si dhe në industrinë kimike dhe të energjitikës në Këshillin e Ministrave.

Ashtu si shkrimtarë dhe studiues të tjerë, që kanë kryer studimet jashtë letërsisë, si: Teodor Laço, Anastas Kondo, Mihallaq Qilleri, Naum Prifti, Dhimitër Xhuvani etj, pasioni i tij në udhët e jetës u bë edhe letërsia. Ka botuar librat: “Fisi Hajnaj në Lekdush”, “Një përvojë algjeriane”, “Loci” (novelë), “Midis miqve minoritarë” (ese), “Vargjet e jetës” (poezi), kohët e fundit botoi edhe vëllimin “Klubi i Vanit” (tregime). Siç thoshte, diplomati Nasip Kaçi, “midis intelektualëve të shquar dhe inxhinierëve të zotë kam njohur edhe Albert Hajnajn, me një botë të madhe letrare e njerëzore”.

“Klubi i Vanit” nuk është thjesht rrëfim për një lokal në kryeqytet. Në thelb, libri flet për jetën e një brezi shqiptarësh që kanë jetuar dy sisteme dhe tani përballen me realitetin e pensionit, tranzicionit dhe ndryshimeve të mëdha shoqërore. Në përgjithësi, nga libri kuptojmë se: Njeriu nuk mund të jetojë pa shoqëri: Pensioni sjell boshllëk, vetmi dhe ndjenjë të humbjes së rolit shoqëror. Klubi bëhet një vend ku këta burra rikthejnë ndjenjën e përkatësisë, diskutimit, humorit dhe aktivitetit. Pra, shoqëria është nevojë jetike, jo luks. Tranzicioni ka lënë plagë: Përmes bisedave ekonomike e politike kuptojmë zhgënjimin ndaj mënyrës si u shkatërrua industria, si u braktis fshati shqiptar, si emigruan të rinjtë, si ranë pensionet dhe si u krijua pasiguri. Libri pasqyron mendimin e një brezi që ndjen se sakrificat e tij nuk u vlerësuan.

Emigracioni është dhimbje dhe shpëtim njëkohësisht: Fëmijët e tyre jetojnë jashtë. Nga njëra anë dërgojnë para dhe sigurojnë jetesën e prindërve. Autori nga ana tjetër, shpërfaq mungesën dhe mallin si plagë të përhershme. Kjo tregon realitetin shqiptar të viteve të fundit. Humori zhvillohet si mënyrë mbijetese: Edhe kur flasin për varfërinë, sëmundjet apo problemet, personazhet përdorin humorin. Autori na tregon se shqiptari, edhe në vështirësi, gjen forcë për të qeshur.

Në klub nuk ka dallime mes ish-inxhinierit, ish-ushtarakut apo punëtorit të thjeshtë. Të gjithë janë të barabartë. Kjo tregon se në fund të jetës, më e rëndësishme është njeriu. Beni (narratori). Është i matur dhe i mençur. Analizon jetën me qetësi dhe thellësi. Ka përvojë të madhe jetësore. Edhe pse ndjen nostalgji për të kaluarën, përpiqet të përshtatet me realitetin e ri. I qetë dhe reflektues, i mençur dhe realist, i lidhur me traditën, i ndjeshëm ndaj ndryshimeve shoqërore, përfaqëson intelektualin e brezit që analizon jetën me maturi dhe kujton të kaluarën me nostalgji. Përmes tij kuptojmë më mirë emocionet, zhgënjimet dhe shpresat e brezit të tij. Ai nuk është ekstrem në mendime, por përpiqet të kuptojë dhe analizojë hapsirat e reja europiane.

Vani (pronari i klubit): mikpritës, i drejtë dhe tolerant, organizator i mirë, bashkues i njerëzve. Vani është figura që mban grupin të bashkuar. Ai simbolizon stabilitetin dhe arsyen brenda komunitetit. Nashua: humorist, ironik, pak impulsiv, argëtues. Ai sjell gjallëri në biseda dhe përfaqëson tipin popullor që përballon vështirësitë me shaka. Malua: filozof në biseda, mendimtar, kritik dhe realitetit. Ai analizon politikën, ekonominë dhe tranzicionin me tone serioze. Lelo: i dhënë pas pijes, emocional, i sinqertë. Përfaqëson dobësitë njerëzore, por edhe çiltërsinë.

Klubi si metaforë e shoqërisë shqiptare, nuk është vetëm një lokal, por paraqitet si një “Shqipëri e vogël”, ku ka: mendime të ndryshme politike, debate, konflikte të vogla, bashkëjetesë. Kjo tregon se autori e përdor klubin si simbol të gjithë realitetit shqiptar. Bilardoja si metaforë e jetës: kur personazhet flasin për lojën dhe thonë se “nuk është steka që fiton, por mendja”, kjo nënkupton se edhe në jetë nuk mjafton forca, por zgjuarsia dhe strategjia.

Në bisedat për politikën dhe tranzicionin, personazhet shpesh flasin me tone tallëse. P.sh., kur flasin për premtimet e shumta të politikanëve dhe për realitetin e pensioneve të ulëta, përdoret një gjuhë që duket sikur lavdëron, por në fakt kritikon. Këtu ironia shfaq zhgënjimin ndaj realitetit. Kur ankohen për vështirësitë ekonomike, ndonjë personazh e tepron me shprehje si: “Na lanë pa asgjë.” “U shkatërrua çdo gjë.” Këto janë forma zmadhimi për të theksuar gjendjen e rëndë.

Në përshkrimet e jetës së kaluar shpesh bëhen krahasime midis: jetës në fshat dhe jetës në qytet, kohës së kaluar dhe kohës së sotme. Këto krahasime theksojnë ndryshimet e mëdha shoqërore. Personazhet mblidhen në klub dhe zhvillojnë biseda të gjalla për jetën, politikën dhe kujtimet e së kaluarës. Kjo pjesë shpërfaq një botë njerëzore të thellë, miqësinë e sinqertë mes tyre, ku përziejnë humorin me realitetin e vështirë. Na bën të kuptojmë sa e rëndësishme është shoqëria në moshën e tretë. Sidomos momentet kur debatet bëhen të zjarrta, por në fund gjithçka mbyllet me një shaka apo me një gotë raki, tregojnë se respekti dhe miqësia janë më të forta se mendimet e ndryshme.

Mosha e tretë nuk është fundi i jetës, por një fazë tjetër e saj. Shoqëria, miqësia dhe komunikimi e bëjnë jetën më të durueshme. Një vend i vogël si “Klubi i Vanit” mund të bëhet simbol i gjithë shoqërisë shqiptare. Pra, në përgjithësi, libri është një pasqyrë reale e jetës shqiptare pas viteve ’90, me dhimbjet, ndryshimet, humorin dhe shpresën e saj.

Autori Albert Hajnaj ndërton një minibotë, përmes profileve dhe karaktereve të ndryshëm, e cila reflekton botën e madhe-shoqërinë me hallet dhe problematikat e saj. Klubet bëhen kështu referenca të problematikave të ndryshme sociale, politike dhe kulturore. Ky konceptim është i veçantë edhe pse nuk është i panjohur në letërsi që ngata Vajeanis, i cili ka shkruar poezinë e bukur “Taverna” përkthyer nga Xhevahir Spahiu, por edhe klubet, ku frekuentonte Shvejku apo Klubi “Petëf” e klubet e “parnasianëve” në Paris.

Autori hedh edhe idenë tjetër, se klubi u bë një normë sociale e një shoqërie tranzitore, e cila mund të quhet një shoqëri-klub, si rezultat i çoroditjes orientuese të një shoqërie në tranzicion, e cila ende nuk po e gjen veten e saj-të një shoqërie që kërkon të realizohet dhe mungesën e vetërealizimit e gjen në ngushëllimin që i jep mjedisi i klubit. Autori ndërton kështu një oaz qetësie, por edhe një atmosferë turbulence, si dhe një kërkim të identifikimit të pakuptuar të njeriut në një vend çlodhës. Klubi është humnera ku mbushet shpirti-dhe për njëfarë kohe njeriu harrohet nga hallet dhe brengat e përditshmërisë, në këtë kuptim, këto tregime mbeten interesante dhe bashkëkohore.

Autori Albert Hajnaj, me intuitën e vet, pohon idenë se nga këta njerëz jeta shënon shfaqjen e saj më të sinqertë, ata diskutojnë, shfryjnë, ironizojnë, hiperbolizojnë, gëzojnë dhe trishtohen, duke gjetur te njëri-tjetri atë që u mungon dhe duke pohuar vetiu se ajo që u mungon sikur plotësohet pikërisht këtu në këtë humnerë ku besohet se është gjetur stabilja. Klubi me rutinën e tij e çarmatos rutinën, përmes bisedave ai sjell projeksionin se si mund të çlirohesh nga mërzia e rutinës, nga keqkuptimet dhe deliret psikologjike të një shoqërie që e mbush vetëm me egërsi dhe mungesë perspektive. Klubi i jep shpresë mungesës dhe egërsinë e shoqërisë e zbut jo vetëm me raki, por më tepër me avujt dehës të saj, të cilat, sapo del jashtë, kondensohen dhe kthehen në lot.

Duke i bërë një përshkrim Klubit të Vanit, autori thotë “Ne e kemi bërë atë vend si “derë ‘babe.” Në klub shikon se si njerëz dikur të rëndësishëm, ndërtues, ish-gjeneralë, agjentë policie, por edhe drejtues dikasteresh, tashmë të dalë në pension, njëjtësohen me të tjerët dhe lavdërojnë ose shajnë kohën e tyre të shkuar. Atyre u kanë rënë pendët dhe nuk merakosen pse pendët u kanë rënë, sepse klubi është një tempull zbutës, por sepse kur dikush ua shan ato, ata befas egërsohen dhe në klub plas sherri. Njeriu nuk e harron dinjitetin që i jep përjashtësia, por klubi është një vend i ngushtë për t’ia përfillur dhe ai drejtohet sërish gotës e nga syri i saj djallëzor shkëlqen ironia, të cilën ai e ndjen si miklim, si fuqi të fundit të tij për t’u hakmarrë. Aty shikon se si njerëzit befas lypin me edukatë, të vënë në sedër, por edhe qerasin pa hesap kur kanë para.”

Të gjitha këto karaktere njerëzish autori i ka skalitur me mjeshtëri, me një informacion jetësor, ku zotëron fjala përmes dendurisë së saj dhe me një ritëm që shpreh dashamirësinë ndaj këtyre njerëzve. Por aty shfaqen edhe cingunët, koprracët, por edhe dorëlëshuarit, një ferr dashamirës brenda një konceptimi që shpërfaq e përcjell tipa të ndryshëm nga më interesantët. E gjithë kjo paraqet një atmosferë që e ka pothuajse çdo klub i këtij niveli, dhe mund të themi se tregimet e Albert Hajnajt nuk kanë subjekte me fabula të veçanta e të jashtëzakonshme, por subjekte ku përshkruhet e zakonshmja, ku autori është vënë në pozicionin e një rrëfimtari që na tregon gjëra që ti i di, por i tregon bukur. Ai di ta impulsojë atmosferën me shfaqjet e shqetësimeve të kohës dhe ta tendosë atë me problematikat e ndryshme, si një torbë mbi shpatullat e pijetarëve, që kërkojnë ta shkarkojnë aty, duke paguar edhe gjobën e saj. Prandaj kjo mënyrë e shpëton librin nga rëndomtësia dhe i jep natyrës së rrëfimit të tij bukurinë e jetës. Libri përcjell humor përmes groteskut të figurave-një grotesk që vjen nga jeta, mosha, pensionimi dhe rënia e pozitës sociale.

Personazhet janë gazmorë ndërsa Vani vihet në epiqendër nga njëra pjesë në tjetrën, duke ndërtuar kështu një qerthull gazmor, i cili ka domethënien e tij. Në atmosferën e gëzuar dhe dollitë e rralla, fshihet nganjëherë një shqetësim, por ai mbytet nga vala e gëzueshme e fjalës që i nxit dhe i freskon të gjithë. Marrëdhëniet që krijon rrëfimtari me personazhet, janë një marrëdhënie e shkrirë, ai rrëfen në vetën e parë dhe unin gati e shkrin në “ne”, duke krijuar kështu një personazh kolektiv-tipologjik.

Rrëfimtari intelektual Albert Hajnaj tregon për shokët si për veten e tij dhe në rrëfim mungon privatësia, gati çdo gjë është e hapur. Kjo mënyrë i jep tregimit të tij një frymë lirike dhe gazmore, prandaj mund të themi se rrëfimi i Albert Hajnajt ka shumë dritë dhe në këtë dritë reflektohet ngrohtësia e atmosferës së kohës, që sjell klubi dhe familjarizimi që vetiu e sjell ai. Në rrëfim nuk ka distancë dhe koha sikur rrjedh në një kah. Pikëvështrimi i autorit ndonjëherë me një humor të butë dikensian përqendrohet në rrëfimin e vetvetes, të shkrirë me qasjen e butë dhe plot humor, që ai u bën të tjerëve, sa të duket se kjo lojë narrative nuk mbaron kurrë, se jeta është e gëzueshme vetëm aty, në klub, e përtej tij, ajo zymtohet.

Tregimi “Klubi i Vanit” nuk është thjesht një narrativë zbavitëse. Përtej tekstit, ky rrëfim na sjell jetën e ngushtë të individit në një botë me halle, por edhe me vlera artistike e estetike. Personazhet nuk vijnë nga shtresa të pasura, ata janë nga shtresa, të cilat vuajnë mungesat e jetës. Klubi nuk është thjesht një ngushëllim që vjen nga pija, por edhe një sofër miqësore e debatit. Aty zhvillohen biseda ekonomike-politike, probleme të emigracionit, dallohen sjelljet e ndryshme karakteriale, lexohen gazetat, flitet për traditat e zakonet. Nuk ka një rend të përcaktuar se ku fillon e mbaron një bisedë, ajo ndërpritet kur dikush kumton një lajm të rëndësishëm dhe biseda e parë harrohet shpejt dhe askush nuk ofendohet. Një zallamahi miqësore, një rrjedhë e shtruar dhe e ndërprerë prej muhabetit që e fiton lirinë vetëm në klub. Kjo zhvillohet me një rrëfimtari të sinqertë, duke dhënë detaje realiste dhe zhargonin tipik të njerëzve që frekuentojnë klubet.

Duket se autori e njeh mirë jetën shqiptare, njeh mirë edhe tipa të ndryshëm dhe nuk e ka pasur të vështirë ta përshkruajë atë. Njohja e karaktereve dhe tipave të ndryshëm është premisa kryesore për një shkrimtar-dhe pastaj zotërimi i masës së rrëfimit në përshkrim, në dialogje apo në evidentimin artistik të detajeve e rrit dhe e zhvillon artistikisht këtë njohje, premisa kthehet në zhvillim. Dhe autori ka ditur të paraqesë gjithçka me realizëm, me humor, dritë, duke ngritur me artin e tij e shpalosur një botë njerëzore, në dukje të shkëputur, por që reflekton problematikat e jetës në tërësi në shoqërinë bashkëkohore shqiptare.

 

Tiranë, shkurt 2026.