Fjalë përuruese për librin e Kadrush Radogoshit ”Palimpsest Orfeik 2”, botuar nga Shtëpia Botuese NACIONAL, Tiranë, 2018, 131 faqe
Kadrush Radogoshi është tashmë një krijues i njohur, një burrë me përvojë e veprimtari të gjerë, i ngarkuar tashmë me plot 70 shëngjergja, çdonjëri prej të cilëve, si rrathët në bririn e degëzuar të drerit , kanë regjistruar e fiksuar përjetimet, bëmat e pësimet e tij gjatë një jetë të tërë, të ndarë, për një ngjashmëri të pazakontë, si dy hemisferat e rruzullit, njëra e kaluar në Kosovë, e mbushur me tmerr e llahtari,siç do ta thoshim me një term Lazgushian: vite të tëra ka qenë i papunë dhe i përndjekur (persekutuar), tjetra, për fatin e tij të bardhë, ndonëse larg vendlindjes, në një vend të madh e demokratik,sikundër është Kanadaja, ku autorit i takoi të shkonte sefte si mërgimtar,por ku, në rrjedhë të moteve, do të gjente edhe frymëzimin e mundësinë e të shkruarit,duke dalë tashmë si autor i një vargu veprash letrare, në prozë e në vargje, për të cilat ai ka pasur edhe gëzimin të jetë jo vetëm i lexuar dhe i njohur në mjediset ku shkon fjala shqipe, po edhe ka fituar çmime të rëndësishme për poezi e prozë në konkurset letrare. Poezi të tij, sikundër del edhe nga shënimet shoqëruese në fund të faqeve, janë përfshirë e botuar edhe në antologji të rëndësishme në Kosovë e në Kanada.
Së pari e kryekreje, në fjalën time përuruese do të them se dola këtu për ta përgëzuar autorin për librin e tij më të ri “Palimpsest Orfeik 2”, botuar nga Shtëpia Botuese NACIONAL e me kujdestarinë e dy redaktorëve: Richard Davies dhe Mujo Buçpapaj, një vëllim që më joshi për ta marrë në dorë qysh nga veshja tipografike e atillë që, sikur na paranjofton se do të gjejmë aty edhe krijime orfeike, të gjakueshme shpesh edhe nga poetë të tjerë shqiptarë pararendës a bashkëkohës të Kadrushit, si Fan Noli, Martin Camaj, Irfan Bregu etj. E lexova këtë libër dhe dola për të shprehur edhe disa kundrime për gjuhën e stilin dhe këtë do ta bëj, jo vetëm pse merrem me gjuhësi, por më fort për të vënë në spikamë pikërisht disa anë të vjershërisë dhe krejt shkrimtarisë së Kadrush Radogoshit, për hir të të cilave ai, guxoj ta them pa drojë, do ta gjejë vendin që i takon në hapësirat e gjeografisë letrare të poezisë së sotme shqiptare, që krijohet në trojet amtare ballkanike, si dhe në diasporën e re shqiptare.
Pa dyshim se, në hapësirat tashmë aq të shtrira gjerë të diasporës shqiptare të hershme e të re në Evropë e në Botë, edhe gjeografia letrare e shkrimtarisë në gjuhën shqipe po bëhet gjithmonë e më e gjerë, gjë që do të thotë edhe përherë e më pamundshme për t’u rrokur në një vështrim përmbledhës, qoftë edhe të tipit të pasqyrimeve historiko-letrare tradicionale, e aq më tepër për të lakmuar një trajtim gjithëpërfshirës.
Dikur, sikundër e dimë të gjithë, kishte një kryesim apo “presidium” të autorëve, sikundër quhej me një dozë të pranueshme ironie, ashtu si kishte edhe një “presidium” të atyre që shkruanin kritika ose që hartonin faqet e historisë së letërsisë shqiptare dhe zërave të FESH-së, mbi atë bazë metodologjike, caktohej edhe vendi që u takonte autorëve në hierarkinë e shkrimtarisë. Sot vlerësimet, kritikat dhe pëlqyeshmëria e lexuesve për botimet letrare është, gjithmonë e më shpesh, më e shpejtë se zëri i kritikës letrare.
“Prefksat” tashmë të lartë të viteve që mbaj mbi shpatulla,më detyrojnë jo vetëm ta shpall se do të jem “i hapur”, por edhe më duhet të shtrëngoj dhëmbët që të jem vërtetë i tillë, d.m.th. të pohoj qysh në krye se dola këtu jo për të bërë ndonjë përcaktim me mëtime të mirëfillta historiko-letrare e kritike, detyrë që nuk do të përputhej me fushën e kërkimeve të mia si gjuhëtar; pra, do të them disa fjalë si lexues e adhurues i hershëm i vjershërisë shqiptare, po edhe si mik i shumë prej poetëve të brezit të Kadrushit, mbase edhe të disave më të vjetër se ai, që kam pasur fatin e bardhë t’i kem njohur qysh në vitet shtatëdhjetë kur shkoja në Kosovë për kërkime dialektologjike dhe, gjithmonë, kthehesha i ngarkuar jo vetëm më botime gjuhësore, që na i dhuronin kolegët e Institutit Albanologjik e të Universitetit të Prishtinës, po edhe vëllime poetike që m’i dhuronin poetë të njohur si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Ibrahim Kadriu, Agim Vinca, Eqrem Basha, Agim Deva, Xhevat Syla e shumë të tjerë. Kjo ka qenë dhe vijon të jetë për mua një mundësi e mirë për të ndjekur edhe kahet e zhvillimeve të sotme të ligjërimeve e të gjuhës poetike, natyrisht edhe në kuadrin e marrëdhënieve të sotme të dialekteve të folura me gjuhën e shkruar zyrtare (apo të shqipes standarde), po edhe më ka shtyrë që, në rrjedhë të moteve, herë në artikuj përgjithësues, herë në shkrime të veçanta për dukuri të ligjërimeve vjershërinë shqiptare, kam shkruar shpesh, ndonëse jo aq sa do të kisha dashur, për autorë të traditës, si për gjuhën e Naim Frashërit, të Mjedës e Fishtës, të E.Koliqit, L.Poradecit, Mitrush Kutelit, si dhe të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Anton Pashkut, Rexhep Qoses, Agim Vincës etj. dhe , në atë hulli, edhe të një vargu poetësh të tjerë, më të rinj në moshë, duke u dhënë përparësi sidomos disa prej krijuesve të arealeve gjeografike më anësore,sikundër janë poetët e Alpeve, Anton Papleka, Skënder, Mujë e Flamur Buçpapaj, si dhe të anëve të Mbishkodrës, duke synuar të hidhet dritë edhe për prurje e vlera të reja ligjërimore prej krijuesve të tillë si Sokol Zeka, Nikolla Spathari, Dodë Kaçaj etj. Me sa kam mundur, n` shkrimet e mia, kam kundruar edhe prurjet e poetëve të diasporës së sotme shqiptare në Evropë, prej nga kam pëlqyer e përmendur sidomos krijuesin shumë origjinal Nokë Gjelosh Sinishtaj, që përfaqëson poetin e mallit të pashuar për vendlindjen e tij, Kshevën e Grudës; sikundër kam shkruar edhe për Lulash Palushajn nga Tuzi, që jeton e krijon në Detroit të Amerikës, apo për poetin Gjekë Marinaj, birin e Brutit të Malësisë së Madhe, një penë nga më të zhdërvjellëtat e me perspektivë në krijuesit e brezit të mesëm. Kam shkruar edhe për shumë të tjerë, për Viron Konën, Visar Zhitin, për Mimoza Agollin apo për Shpresa Ramën dhe, kohët e fundit,edhe për poetin kosovar Flamur Shala.
Shkurt e shkoqur: kundrimi dhe vlerësimi i hijeshisë ligjërimore dhe i prurjeve leksikore gjuhëruajtëse e gjuhëpasuruese të shkrimtarisë në gjuhën shqipe ka qenë dhe vijon të jetë për mua një nga projektet e dashura, që shpresoj e lus të kem jetë e shëndet edhe ta shtoj e ta plotësoj më tej me ravijëzime e kundrime konkrete për krijues të tjerë.
Hera e mbarë e pruri që, për hir të kujdesit dhe ftesës që më bëri me kohë botuesi, ish-studenti e miku im, Mujë Buçpapaj, këta rreshta për vëllimin “Palimpsest Orfeik 2” të Kadrush Radogoshit, i shkrova duke e “kapërcyer” rendin e piketuar më herët, madje, edhe jo pa një skuqje në fytyrë,sepse ende nuk kam mbërritur t’i redaktoj e t’i botoj disa prej shkrimeve kushtuar ligjërimit poetik të disa prej miqve të mi poetë, si Sulejman Mato, Ibrahim Kadriu, Irfan Bregu, Skënder Rusi, Izet Çulli, Bardhosh Gaçe etj., që gjithmonë m’i dhurojnë vëllimet me vjersha që botojnë dhe, pa dyshim, kjo gjë më bën të ndihem jo mirë, sepse”noblesse oblige”-si thonë francezët.
Por, le të vijmë tashti te disa kundrime më të hollësishme e sa më konkrete për vëllimin që kemi në dorë.
Vëllimi“Palimpsest Orfeik 2”, sikundër e shfaq edhe titulli, na fton të jemi të kujdesshëm, sepse ai ka një bazë të mirë mbështetëse në mitologjinë dhe letërsinë e lashtë greke, madje, prej saj, ashtu si shumë poetë të mirënjohur të traditës klasike e të Rilindjes Evropiane, ai ka marrë edhe emrin e figurës së zgjedhur si “muzë” e që në këtë rast është Euridika. Krejt ajo mbështetje në dijet nga lashtësia dhe letërsia antike, përfshirë edhe mitologjinë e lashtë greke, shtuar edhe me krijesa të sajuara nga imagjinata e vetë Kadrushit,si p.sh. toponimi Orfeanë, janë si të themi kërkesa që e ftojnë lexuesin të ndalet e të bëjë lexim të ngeshëm, lexim të atillë që kërkon edhe qëmtime e zhytje në rrathët e kujtesës, ndoshta edhe në shqyrtime të burimeve e shpjegimeve, që shkojnë përtej shënimeve jo të pakta që ka sjellë në shënimet në fund të faqeve.
Ashtu si gati të gjithë krijuesit me synime për një udhëtim poetik sa më frymëgjatë, edhe K.Radogoshi i qaset shpesh simbolizmit, duke na lënë shije shumë të këndshme e duke na ndjellë të hyjmë sa më thellë në nëntekstet e mineralet e fshehura në të. P.sh. te poezia “Ke lindur për të qenë e Bukura e Dheut” na rrëmben apoteoza e tij për të zgjedhurën e zemrës,së cilës i drejtohet:
Euridikë,
As Kështjella e Rozafës e as Ura e Shenjtë
Nuk e kërkojnë më flijimin tënd
As unë nuk jam vëllai i tretë
I baladës për kështjellën apo për Urën e Shenjtë!
Nëse atëherë vëllezërit e thyen besën
Në emër të dashurisë ndaj grave
Unë e mbajta në emër të mbrojtjes së Urës
Që do të lidhte dy brigjet e dashurisë
Të ndara nga shpata e urrejtjes
E mbi të cilën mund të ecte
Këmba tradhtare e vëllezërve. (f.27)
Unë e lexova me ëndje këtë vëllim, gjeta shumëçka që të vë në mendime e të detyron t’i kthehesh një rileximi më të vëmendshëm e për të thithur palcën ideo-emocionale të ngërthyer në të, natyrisht, edhe duke shijuar atë hap të sigurt e të përmbajtur të atyre vargjeve të zotëruara mirë, të ngjeshura me mendim e të një vetjakësie mjaft të dukshme. Ka edhe përngjasime (reminishenca) të bukura, herë me ndonjë element të lirikës popullore e të Eposit, sikundër ka edhe një mbështetje të natyrshme në mjeshtërinë e paravajtësve të tjerë, herë duke i përngjarë M.Camajt, herë ndonjë ditirambi Migjenian (“Ku lulëzon dhembja e pikëllimi vret” (Kujtoni metaforën e Migjenit “Bukuria që vret”), herë, përkundrazi, duke ecur në shtigjet e veta, ashtu si udhëtari në borën e bardhë, që ecën duke lënë mbrapa “borën e thyer”. Shihni, sa e këndshme dhe e hijshme na vjen në sy kjo hiperbolë te vjersha “E vështroj syrin tënd, Euridikë”:
Kur flisje Ti
Euridikë
Gjelbëroheshin të gjitha pyjet
Çelnin të gjitha lulet
Këndonin të gjithë bilbilat
Fluturonin të gjitha fluturat
Gurgullonin të gjitha burimet
Kur flisje Ti. (f,63)
Ju lus t’i shijojmë së bashku,disa elemente të thekura të leksematikës dhe formësimit të disa prej vjershave që mua m’u dukën më të bukurat, si: “Jeta letër e bardhë”,”Zonja Anabel Lee më flet nga qielli i shtatë”, ”Vetëm Unë dhe Ti, e dashur”,”Komandante supreme e ushtrisë së luleve”, “Vashë me sy të zjarrtë”, “Dialog me gruan time”,”Shiu shkruan partiturat e një simfonie” e plot të tjera.
Po ndalem të citoj një pjesë nga vjersha “UDHËTIMI I PARË I ORFEUT”:
Dhjetë mijë metra mbi tokë
Mbi bashkët e bardha të reve
Askush nuk ma zë diellin.
Në hapësirën e pafundme
Zbrazësia më buzëqesh
Me dhëmbët e saj akull.
………………………………..
(Në këto çaste jetën nuk e quaj
Vetëm një udhëtim nëpër këtë botë)
Para sysh më del Anteu* i pikëlluar
Më mungon toka ku i kam rrënjët
Më mungojnë njerëzit.
Më duhet fjala, shikimi
Përqafimi i tyre më duhet. (f.16)
Po e mbyllim me një pohim që është brenda asaj që më takon ta them si gjuhëtar,sidomos si sociolinguist e gjurmues i marrëdhënieve gjuhë e shkruar –gjuhë e folur, apo, thënë më qartë, për marrëdhëniet gjuhë e shkrimtarit me normat e shqipes së shkruar apo zyrtare. Kadrush Radogoshi e di mirë shqipen, jo vetëm pse e ka gjuhë të parë e gjuhë amtare, por edhe pse është nga ata që ka edhe formim të shëndoshtë gjuhësor, i di rregullat e gjuhës dhe i ruan ato me mjaft kujdes e me mëtimin që të jetë një krijues sa më i përkushtuar në zbatimin e normës së sotme letrare. Dhe do të theksoj në dukuri me rëndësi. Teksa e lexoja më bënte përshtypje dhe madje kam nënvizuar sasinë bukur të madhe të formave normative, për dukuri të shqipes së sotme ku, përndryshe, në shkrimtarinë bashkëkohore vihen re edhe lëkundje e shkelje të pafalshme të normës. P.sh.format rasore të përemrave pronorë,si sime, sate, sonë etj. autori ynë i përdor mrekullisht drejt e ashtu si duhet,p.sh.: duke dëgjuar tingujt magjikë të lirës sate;në ngrehinën e këngës sate; tinguj të lirës sime. Po ashtu, vjershat me folje në mënyrën habitore, që i përdor në funksion të caktuar ideo-emocional të goditur, po edhe duke zbatuar format e rregullta apo normative, a thua se ka synuar t’u tërheqë veshin shumë shkruesve, deri edhe autorë studimesh e tekstesh universitare që i ngatërrojnë trajtat e rregullta me të parregulltat si pa gjë të keq. Do të kisha dëshiruar që ato vjersha të përzgjidhen në tekstet e shkollave të mesme, si pjesë antologjike që t’u kujtojnë mësimdhënëseve e nxënëseve se cilat janë format normative dhe t’i zbatojnë ato ashtu si duhet.
KOHA E TASHME E MËNYRËS HABITORE
Vrapuakam, vrapuakam
Nëpër fusha të lulëzuara
Nëpër pyje me drunj të lartë
Mbi të cilët pushuaka qielli
Me re të bardha si dele
Që kullotkan kaltrinë e tij…
Vrapuakam, vrapuakam
Nëpër buzëqeshjet e vajzave të reja
Tek i gjuanin djemtë
Me shigjetat vrastare të shikimeve
Me atë alfabet të përjetshëm
Të dashurisë.
Vrapuakam, vrapuakam
Nëpër vargjet e mia
E të shokëve të njohur e të panjohur
Nëpër vargjet e shndërruara
Në romane dashurie
Asnjëherë të shkruara në letër…
Vrapuakam, vrapuakam
Nëpër rrugët e mermerta
Të qytetit të projektuar në ëndrra
Të qytetit me dritë qumështore
Mbi bulevardet…
Vrapuakam, vrapuakam
Për t’ia mbyllur dyert muzgut
Muzgut për t’ia mbyllur dyert
Vrapuakam, vrapuakam, vrapuakam…(f.107)
KOHA MË SE E KRYER E MËNYRËS
HABITORE
Tufa e reve të bardha
Qenkesh vendosur si vello e bardhë
Mbi hënën e plotë
E nuse të romantikës qiellore
E paskësh bërë…
Një arushë resh të zeza
E paskësh kafshuar hënën e plotë
Nga goja i paskëshin rrjedhur jarg
Në të katër anët e qiellit…
Unë e Ti
Paskëshim qëndruar të përqafuar
Nën bishën e reve të zeza
E jargët e saj na paskëshin rënë
Si shiu…
Dashuria jonë qenkësh lagur
E qenkësh bërë qull… (f.90)
Merreni këtë libër me vjersha, lexues të nderuar. Unë gjeta aty shumëçka që më tërhoqi, po edhe që më vuri në mendime, si dhe mbajta shënim shumë fjalë e mënyra të thëni të pëlqyeshme e, pa dyshim, të atilla që meritojnë të shërbejnë edhe si model pune me ligjërimin poetik,krahas plot prurjeve të këndshme që lidhen natyrshëm edhe me mjedisin e tematikën e vjershave.
Përgëzime autorit dhe urime për jetë të gjatë, frymëzim e vlagë për vepra të tjera si ato që na ka dhënë deri tashti.
Tiranë, 22 maj 2018