Për të hipnotizuar opinionin publik shqiptar, agjentura greke përsërit ditë për ditë refrenin se Himara është një krahinë minoritare greke.
Për të hipnotizuar opinionin publik shqiptar, agjentura greke përsërit ditë për ditë refrenin se Himara është një krahinë minoritare greke. A është në të vërtetë Himara trevë minoritare greke? Në një punim të veçantë të titulluar “Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve. Bisedë me historianët grekë”, Tiranë 2005, ne kemi dokumentuar se Himara ka qenë vazhdimisht e banuar nga popullsi shqiptare. Kemi nënvizuar faktin se deri tani asnjë historian grek nuk ka sjellë dëshmi që të provojë se gjatë shekujve të kaluar banorët e Himarës e kanë quajtur veten e tyre grekë për nga kombësia. Përkundrazi, kemi sjellë dëshmi që provojnë përkatësinë shqiptare të himarjotëve. Autorët grekë janë mbështetur vetëm te greqishtja që përdorin disa himariotë. Por, edhe në këtë çështje ata nuk pajtohen midis tyre, mbasi nuk shohin një greqishte lokale, si në Dropull dhe në Vurg, por pika takimi me greqishten e vendeve të ndryshme greke, me të cilat himarjotët kanë patur kontakte. Kjo tregon se greqishten që flasin himarjotët e kanë mësuar jashtë Himarës, madje në vende të ndryshme të botës greke. Përkundrazi, ne kemi sjellë dëshmi dokumentare ku edhe banorët e Himarës, Dhërmiut dhe Palasës kanë nënshkruar gjatë shek. XV-XVIII si shqiptarë. Për t’i rënë shkurt, ne këtu do të kujtojmë gjeneralin Spiro Milo, heroi i Revolucionit grek, të cilin Athina e konsideron si përfaqësuesin më të shquar të “helenizmit” himariot. Vetë Spiro Milo shkruan në kujtimet e veta, të redaktuara në pleqëri, pra kur adhurohej nga grekët si hero, se ai ka lindur në shkurt 1800 në Himarë, fshat i krahinës së Akrokeraunëve (Malet e Vetëtimës); se “Paraardhësit e tij që nga epoka e Gjergj Katriotit shërbenin si ushtarakë të mbretit të Napolit, në reparte të veçanta që herë cilësoheshin maqedone, herë cilësoheshin shqiptare” (pra, asnjëherë greke). Përsëri ai shkruan se: “Më 1810, gjyshi i gjeneralit Spiro Milo, Mihali, komandonte efektivin e shqiptarëve në Sicili me gradën e kolonelit”. Më 1818 kur ishte 18 vjeç ai aspironte të hynte në shërbim të ushtrisë së Napolit me qëllim që të mbetej, siç thotë vetë, qytetar i lirë për t’i shërbyer atdheut (Himarës). Por, aty u rekrutua nga Shoqëria e Miqve (Filiqi Eteria) dhe kaloi në Greqi ku mori pjesë si shumë shqiptarë, maqedonë, bullgarë, rumunë dhe serbë në Revolucionin Çlirimtar grek. Nipi i tij, Spiro Spiromilo nuk pranoi më 1914 të merrte pjesë në Kongresin e minoritarëve grekë që u mbajt në Delvinë, sepse nuk e quante veten grek. Ne, thoshte ai, nuk jemi as grekë, as shqiptarë. Ne jemi himarjotë! Himarjotë që kemi jetuar tërë jetën në një krahinë autonome. Ne pra, duam të kemi Republikën tonë dhe kërkojmë mbrojtjen nga Greqia për arsye se jemi të krishterë. Ky ishte hapi i parë që bëri kapedani i tyre për t’u shkëputur nga Shqipëria, duke shpallur “Republikën e Himarës” dhe për t’u afruar me Greqinë jo si grek, por si himarjot. Por, orvatja e tij dështoi. Himara u përfshi në shtetin shqiptar, madje himarjotët hoqën dorë nga kërkesa e tyre për t’u vetëqeverisur. Ka dhe më. Më 1935 kur u shtrua çështja e hapjes së shkollave greke në fshatrat shqiptare të Shqipërisë dhe shkolla shqipe në fshatrat minoritare të Çamërisë, në Gjykatën e Lidhjes së Kombeve u paraqit lista e fshatrave të minoritetit grek në Shqipëri. Listën e fshatrave minoritare greke të Shqipërisë, e pranoi edhe pala greke. Veç kësaj, e pranoi edhe “Trupi i përhershëm i drejtësisë ndërkombëtare” (Com Permanente de Justice Internacionale) të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Lista përmban këto fshatra: Fshatrat që kanë shkollë greqishte: Derviçan, Goranxë, Vanist, Haskovë, Grapsh, Terihat, Safratikë, Goricë, Dhuvjan, Poliçan, Zervat, Çatistë, Hllomo, Skore, Sopik, Peshkëpi e Sipërme, Peshkëpi e Poshtme, Glinë, Vllahogoranxi, Kakai, Sotirë, Klishar, Pepel, Bularat, Budrisht, Jergucat, Llongo, Lluvinë, Kakogoranxi, Selo, Koshovic, Aliko, Jermë, Halo, Kolivi Shush, Dormish, Leshnica e Sipërme, Leshnica e Poshtme, Dhivër, Dhrovian, Kakodhiqi, Lefterohor, Finiq, Mavropol, Ahinjon, Theollog, Melçan, Shendre, Cerkovicë, Lazat, Kolcat, Kalive Pasha, Kuonuricë. Gjithsej 54 fshatra, me 29.929 banorë. Fshatra pa shkolla greqishte: Radat, Vahine, Katund, Kere, Mavrojeri, Grazhdan, Hoderaga, Komasi, Memushbej, Perdhikari, Qenurie, Qesarat, Sminec, Grave, Vagalat, Metoq, Pali, Tremulli, Vremori, Cuka, Vremero, Kardhikaq, Sirakat, Brailat, Kostur, Mesopotam I Sipërm, Mesopotam i Poshtëm, Karol, Janicat, Llapsat, Krongji, Valohove, Ymerefendi, Harvasovë, Memataq, Krane, Rumanec, Shenkollë, Hoxhi. Gjithsej 39 fshatra, me 7.288 banorë. Numri i banorëve të fshatrave minoritare miratuar nga Gjykata Ndërkombëtare është nxjerrë nga regjistrimi i popullsisë i vitit 1930. Pra, atë vit në dy krahinat minoritare të Shqipërisë, në Dropull dhe në Vurg kishte gjithsej 93 fshatra, me 37.217 banorë. Sikurse shihet, në këtë listë të pranuar edhe nga qeveria greke, edhe nga Lidhja e Kombeve, nuk figuron asnjë fshat nga krahina e Himarës. Pra, deri në pragun e Luftës së Dytë Botërore folësit e pakët greqisht që banojnë në tri fshatrat nuk janë konsideruar minoritarë grekë. Ecim më tej. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore kur qeveria shqiptare e Enver Hoxhës nuk i pengoi minoritarët të deklaronin se i përkisnin etnikonit helen dhe si rrjedhim, futi mësimin e greqishtes në shkollat minoritare greke të Dropullit dhe të Vurgut, madje dhe gjimnaz në gjuhën e tyre, – nga Himara nuk doli asnjë kërkesë për shkolla greqishte. Vetëm pas përmbysjes së regjimit komunist dhe pas ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri, në Himarë filluan të dilnin si kërpudha filiza grekë. Këto filiza u rritën nga viti në vit në sajë të pensioneve mujore, që merrnin banorët e Himarës për t’u shpallur se ishin grekë. Kemi të bëjmë pra, jo me banorë etnikë grekë, as me emigrantë grekë, siç ka kudo nëpër botë, pra me origjinë nga Greqia, por me fabrikate të propagandës greke, më mirë të themi me fabrikate të euros greke, një fenomen ky që po ndodh vetëm në Shqipëri.
EMIGRANTË DHE JO MINORITET NË HIMARË
Dihet se nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare si minoritet etnik konsiderohet popullsia që i përket një kombi, shkëputur nga atdheu i vet dhe që banon prej shekujsh në një krahinë kufitare me shtetin mëmë. Nga kjo pikëpamje, përcaktimi se folësit greqisht të Vurgut dhe të Dropullit formojnë minoritetin grek në Shqipëri është i saktë. Por, kur kemi të bëjmë me emigrantë të shkëputur nga atdheu i tyre mëmë dhe të shpërndarë nëpër botë, edhe në rast se ata formojnë një bashkësi territoriale, ata nuk konsiderohen kurrë një minoritet etnik. Ata janë kur të vendosur p.sh. në ShBA, ka me miliona. Në Boston, Mass ka jo me qindra, si në Himarë, por me qindra mijë grekë etnikë, por askush nuk u ka dhënë atyre të drejtën të quhen minoritet etnik grek dhe të gëzojnë të drejtat që kanë minoritetet etnike. Në çdo rast ata janë emigrantë, pra amerikanë me origjinë greke. Në rast se ata vazhdojnë ta ruajnë gjuhën dhe tradicionin e tyre kulturor, si për shembull vllehët dhe romët në Shqipëri, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, ata mund të cilësohen vetëm si një minoritet linguistik kulturor, por jo etnik. Po kështu edhe me shqiptarët, të cilët banojnë në Uster, Mass (ShBA), të cilët thuhet se përfaqësojnë shumicën e Uster-it Mass. Me sa dimë, këto përcaktime i mësojnë edhe nxënësit grekë nëpër shkollat e Greqisë. Por, nga kjo teori universalisht e pranuar, ata e përjashtojnë veten e tyre. Të dehur nga shovinizmi grek i rrënjosur thellë në ndërgjegjen e tyre, ata vazhdojnë akoma të mbrojnë teorinë e shpikur nga dhelpra e regjur e politikës së Megali Idesë, Elefteros Venizellos, i cili thoshte se komponenti kryesor i përkatësisë etnike është jo gjuha, por ndërgjegjja, e thënë shkurt, ndjenja se si e ndjen veten njeriu. Madje, ai shkonte kaq thellë, sa dhe fenë e konsideronte pjesë përbërëse të ndërgjegjjes kombëtare. Sipas teorisë së tij butaforike, shqiptarët e krishterë të jugut, edhe në rast se nuk dinin greqisht, edhe në rast se nuk kishin identitet etnik grek, që në atë moment që ata ishin të krishterë ortodoksë dhe praktikonin greqishten në kishat e tyre, ata ishin etnikisht grek dhe trojet e tyre i takonin Greqisë. Dihet se ku e çoi Greqinë çmenduria politike greke. Më 1914, për të dëbuar shqiptarët myslimanë nga fshatrat e Shqipërisë së Jugut dhe për t’i reduktuar këto vise me banorë të krishterë, – andartët grekë me kryqin në kësulat e tyre u vunë zjarrin fshatrave të Shqipërisë së Jugut. Ne kemi menduar se kjo histori e dhimbshme nuk duhej kujtuar. Por, nuk qenka në duart tona. Ne e kemi pranuar se minoritetet janë urë lidhëse miqësie dhe progresi midis dy vendeve. Por, po shohim nëpërmjet z. Vangjel Dule dhe hirësisë së tij se ata po e kthejnë minoritetin grek në minë të armiqësisë midis dy vendeve. Shkurt, Athina edhe nëse në sajë të eurove që derdh arrin ta shndërrojë shumicën e banorëve të Himarës në fabrikate greke, ajo përsëri nuk do t’ia arrijë qëllimit të saj. Himara do të jetë sot e përgjithmonë krahinë shqiptare, sepse etnicitetin e një krahine nuk e japin fabrikatet, as emigrantët, por historia.
KURTHI I SIMPOZIUMIT HIMARJOT NË TETOR
Këto ditët e fundit, z. Dhori Bollano, kryetari i shoqatës së himarjotëve në Tiranë, natyrisht të himarjotëve të ashtuquajtur grekë, na ka ftuar që të marrim pjesë me një kumtesë, në një seminar a simpozium që shoqata do të organizojë në Tiranë në tetorin që vjen, për të debatuar rreth çështjes nëse Himara është ose jo krahinë minoritare greke. Ashtu si Vasil Bollano, edhe kushëriri i tij, Dhori Bollano, janë fabrikate të euros greke. Me siguri, sugjerimi së bashku me fondet për organizimin e seminarit kanë ardhur nga kryeqyteti grek. Na thanë se në këtë seminar pjesëmarrësit kanë liri të plotë të shfaqin mendimet e tyre. Por, ne e dimë se edhe sikur në këtë seminar shumica e pjesëmarrësve të pohojnë tezën se Himara nuk është një krahinë minoritare greke, për Athinën mjaftojnë dy-tre vetë të ashtuquajtur historianë, që të shpallin se Himara është krahinë minoritare greke. Jemi të sigurtë se të nesërmen e simpoziumit zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, apo ndonjë tjetër borizan, do të deklarojë zyrtarisht se në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë u vërtetua se Himara është një zonë minoritare greke. Ne kemi parasysh ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën. Më 1914, dhespoti grek i Korçës së bashku me 3-4 korçarë grekomanë, mori pjesë në kongresin vorio-epirotik në Delvinë. Për qeverinë greke të asaj kohe mjaftoi firma e dhespotit dhe e tri-katër grekomanëve për të pretenduar para opinionit evropian se Korçaishte qytet minoritar grek. Kemi si shembull edhe skandalin që po ndodh në ditët tona me këngët popullore të Himarës. Dihet se para dhjetë vjetëve himarjotët këndonin vetëm shqip. Edhe kënga më prekëse e Himarës ku është kondensuar historia e saj, “Vajza e Valëve”, është kënduar shqip. Tani, ka disa vite që gregarët e Athinës këngët popullore himarjote po i përkthejnë greqisht. Shumë shpejt do të dëgjojmë që këngët shqipejanë variante të përkthyera të këngëve greqisht. Unë personalisht nuk do të marr pjesë në këtë skenar të djallëzuar. Do të ishte mirë që asnjë historian shqiptar, i bindur për shqiptarësinë e Himarës, të mos marrë pjesë në këtë kurth. Të mos e gënjejë veten se është më mirë të vejë në simpozium dhe të rrëzojë haptas tezën e Bollanove, sepse do ta shohë veten të zhgënjyer. Shqipëria është shtet i pavarur. Ka president, ka parlament, ka qeveri, ka prokurori, ka gjyqe dhe mbi të gjitha, ka dinjitetin e saj. Shqipëria nuk ka vetëm politikanë që bëjnë lëshime vetëm për të ruajtur karrigen. Por, ka edhe qytetarë që shqetësohen për ardhmërinë e atdheut të tyre. Ne e respektojmë dhe do ta respektojmë minoritetin grek. Kemi shkuar si vëllezër me ta. Kemi dhëndurë e kunetër minoritarë. Kemi kushërinj dhe kushërira minoritare, kolegë dhe shokë minoritarë. Për fat të keq, disa prej shokëve dhe miqve minoritarë kanë filluar të na shohin jo si dikur me ngrohtësi si bashkatdhetarë, por me rezerva. Po krijohet kështu, jo për fajin tonë, një hendek që më parë nuk ekzistonte, midis bashkatdhetarëve të dy kombësive. Kjo na shqetëson. Qeveritarët e Athinës kanë një sëmundje të keqe. Pasi megalomania e tyre dështoi gjithandej, pasi humbën Stambollin dhe Anadollin, pasi nuk e aneksuan dot Thrakën dhe Maqedoninë, pasi dështuan në lakminë e tyre për të aneksuar Shqipërinë e Jugut, tani duan t’i japin popullit të tyre një fitore, sado e vogël qoftë. Në pamundësi për t’iu hakërryer Turqisë, për të arritur një fitore i janë qepur Shqipërisë dhe Maqedonisë, dy shtete të vegjël, të cilat ata mendojnë se mund t’i nënshtrojnë lehtë. Maqedonisë kërkojnë t’i diktojnë emrin e vendit. Kanë apo nuk kanë të drejtë, kjo është një çështje më vete. Por, nuk kanë të drejtë kur e kushtëzojnë ndryshimin e emrit me pëlqimin e Athinës për ta përfshirë Maqedoninë në Bashkimin Evropian. Ata harrojnë se nuk janë më Zeusi i dikurshëm që diktonte nga Olimpi jetën e popujve. I janë qepur Shqipërisë. Duan medoemos Shqipërinë e Jugut, ku minoriteti grek, përveçse përfaqëson një përqindje tepër të ulët të popullsisë të saj, po vete për shkak të mërgimit në Greqi, nga dita në ditë duke u firasur. Çfarë fitimesh do të ketë Greqia po të marrë malet e Shqipërisë së Jugut, banorët e së cilës nuk sigurojnë dot jetën e tyre në vend, por kanë mërguar vazhdimisht jashtë trevave të tyre? I janë qepur Shqipërisë së Jugut, sepse mendojnë se qeveritarët tanë janë gati të bëjnë lëshime vetëm për të siguruar heqjen e vizave, sidomos për të hyrë në Bashkimin Evropian, ku Athina ka të drejtën e vetos. Ta zëmë se qeveritarët e sotëm të Shqipërisë ia dhanë Greqisë ashtu si më 1914 koncesionin që ajo kërkon në Himarë. E pastaj? Harrojnë se edhe qeveria e Vidit u shtrëngua nga Fuqitë e Mëdha ta njohë autonominë e Vorio-Epirit. E më pas çfarë ndodhi? E mori? Harrojnë Kongresin e Lushnjes (1920), i cili hodhi poshtë si Protokollin famëkeq të Korfuzit (1914), ashtu edhe Traktatin e fshehtë të Londrës (1915) tek të cilët mbështetej Athina? A ia vlejnë, i pyesim zotërinjtë e Athinës, shpenzimet e tepërta që kryejnë dhe shqetësimet e mëdha që shkaktojnë, synimet megalomane kur ato hapin një hendek midis dy popujve, prishin pa ndonjë përfitim me vlerë marrëdhëniet miqësore midis dy shteteve fqinje? Si përfundim, vetëm dy fjalë për zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë: Nëse nuk na e merrni për ofendim, porositeni zotin Vangjel Dule të mos llogarisë vetëm të tashmen, por të ketë parasysh të ardhmen, se në rrugën e përbashkët që kanë shqiptarët dhe grekët, të dyja palët – Shqipëria dhe Greqia, kanë nevojë për miqësi dhe jo për armiqësi me njëra-tjetrën. Sa për Vasil Bollanon, në marrëdhëniet me të si individ ne do presim që shkeljet e tij ligjore në mos sot nesër, do t’i zgjidhin gjyqet shqiptare.
Tirane, 2010