Prof. Dr. Lisen Bashkurti, në një rrëfim ekskluziv për ‘Nacional’ flet për 68 vitet e jetës së tij

 

 

68 VITE PASION PËR DIJEN, KULTURËN DHE KOMBIN

Prof. Dr. Lisen Bashkurti, në një rrëfim ekskluziv për ‘Nacional’, ndan kujtime nga fëmijëria në Shkodër, sfida dhe aspirata nga jeta e tij akademike, diplomatike dhe familjare, pasioni për të lënë pas një trashëgimi dijesh për brezat që vijnë dhe  vizionin për të ardhmen e arsimit dhe diplomacisë shqiptare”.

 

 

 

Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj

PYETJE PËR 68-VJETORIN E LINDJES DHE NDJENJAT PERSONALE

  1. Profesor, si ndiheni në këtë moment të jetës tuaj, ndërsa keni mbushur 68 vjet?

-Ndjehem normal. Nuk kam ndonjë ndryshim as sasior dhe as cilësor. Natyrisht vitet kalojnë dhe bashkë me të edhe jeta rrjedh. Por, unë vazhdoj të ndjehem normal.


  1. Çfarë do të thotë për ju ky përvjetor personalisht dhe profesionalisht?

-Kjo ditëlindje po mbyll një fazë të aktivitetit tim, në kuptimin e ngarkesdës. Po bëhem gati për pension. Por, mendoj të kem një pensionim aktiv ne aspektin professional dhe akademik. Do vijoj lektorimin në auditor, veprimtaritë shkencore dhe më së shumti planet botuese. Këto ditë kam dërguar në shtyp një monografi dhe pres të shohë dritën e botimit së shpejti. Ndërkohë kam skicuar një tjetër monografi në vijim.

 

  1. Cilat janë mendimet dhe ndjenjat që ju shoqërojnë kur bëni bilancin e jetës deri tani?

-Nuk e kam shpenzuar jetën pa dobi. Qysh nga vitet studentore dhe në vijim, sidomos mbas viteve ’90-të kam punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike si dhe me plane personale të qarta dhe përgjithësisht të përmbushura. Nga kjo pikpamje ndjehem mirë. Natyrisht, po të rikthehesha pas disa gjera edhe mund t’I bëja ndryshe. Por, jeta kështu e ka. Jo cdo gjë ecen lehtësisht dhe plotësisht sipas parashikimeve. Ka faktorë të ndryshem që ndërfuten në agjendat personale dhe herë më hi dhe herë me pahir i ndryshojnë ato.

 

Pyetje për fëmijërinë dhe familjen

  1. Si do ta përshkruanit fëmijërinë tuaj në qytetin e Shkodrës?

-Ka qënë një fëmijëri shumë e bukur, e pasur dhe dinamike. Kam pasë fat që kam lindur dhe rritur në Shkodër. Shkodra është një qytet që ofronte gjithcka edhe kur në qytetet e tjera mungonin. Ka ofruar shumë kulturë, art, dije, shkencë, tolerancë, diversitet, kozmopolitizëm. Shkodra ka qënë qyteti më mendjehapur, dhe mesa duket vazhdon te jetë e tillë edhe në ditët tona. Në lagjen time ku kam lindur dhe rritur kanë pasë qënë lindur dhe rritur artistë të mëdhenj si Cesk Zadeja, Tish Daija, Prenk Jakova, Zef Coba, instrumentistë me famë si Aleksandër Gashi, Lorenc Radovani, Gjon Shllaku, shkencëtar të mëdhenj si Kolë Ashta, Jup Kastrati, piktorë të ndritur si Vladimir Jani e Ferdinant Paci, skulptorë të njohur si Ferid Kola dhe Hashim Kruja, shkrimtarë e poetë si Skender Drini, Alfred Capaliku e Xhahid Bushati etj. Në lagjen time në mjaft shtëpi kishte biblioteka të mrekullueshme, instrumenta muzikorë, piano. Kudo fluiteshin gjuhët perëndimroe anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, më pak flitej rusisht dhe aspak kinezshe. Në zonën ku kam lindur kishte gjithashtu sportistë kampionë në mjaft sporte. Asgjë nuk mungonte nga pikpamja kulturore e shkencore në atë pjesë të qytetit.

Jeta në fëmijëri dhe rini ka qënë e larmishme. Notonim nga lumi Kir, në lumin Bunë, në Liqenin e Shkodrës, në Drin e deri në Adriatik. Vozitnim bicikleta me shumicë. Luanim instrumenta muzikorë, shkonim në orkestrën simfonike, bënim koncerte dhe madje edhe opera komplet. Shpenzonim kohë në bibliotekën e qytetit, ku kishte libra dhe enciklopedi të shumta. Shkruanim në gazetat lokale. E kështu jeta rridhte e bukur, plot larmi dhe shumë dinamike. Shkodra ishte një oaz lirie dhe shprese nën atë regjim të vrazhdë e represiv. Për këtë i jam shumë, jashtëzakonisht shumë mirënjohës qytetit tim të shtrenjtë-Shkodrës.

  1. Çfarë ndikimi kishin prindërit tuaj dhe familja në zgjedhjen tuaj për rrugën akademike dhe profesionale?

-Ne kemi qënë familje e madhe. Prindërit dhe pesë fëmijë. Babai kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik në akademinë ushtarake, Nëna ishte teknologe për duhan cigare. Babai ishte nga Tropoja ndërsa nëna nga Korca. Të pesë fëmijët kemi mbaruar shkolla të larta me rezultate të shkelqyera. Për këtë ndikimin më të madh e ka pasur babai. Ai ishte pak i vrazhdë, por shumë i dashur dhe i përkujdesur për familjen. Babai studionte shumë gjatë gjithë jetës. Dashurinë për librin, studimet dhe shkrimin ai ma ka ngulitur më së shumti. Ka qënë ai që më nxitur në studimet pasuniversitare dhe kualifikimet shkencore. Ndërsa nëna ka qënë e urtë , e buta, e dashur dhe shumë e përkushtuar për jetët tona. Ajo bëhej copash që të mos na mungonte asgjë. Prindërve të mij i jam mirënjohës. Më mungojnë shumë, që nga koha kur janë ndarë nga jeta.

  1. A ka ndonjë kujtim të veçantë nga vitet e shkollës që ju ka shënuar dhe frymëzuar në karrierën tuaj?

-Po, vitet 1985-1987 janë vitet që shënuan kthesë të fortë në jetën dhe drjetimin tim drejt dijes e shkencës. Ishin vitet e studimeve pasuniversitare. Pata fatin të kem profesorë të mëdhenj si Albert Paparisto, Servet Pëllumbi, Alfred Uci, Zija Xholi, Cesk Zadeja, Gjovalin Shkurtaj, Adriatik Kalluli, Tonin Harapi – akademikë me dimensione botërore që na dhanë në auditor gjithcka nga vetja e atyre, pa kursyer asgjë. Ishin akademikë të mëdhenj, por edhe njerëz të jashtzakonshëm. U jam mirënjohës përjetë. Nuk e di si do ishte jeta ime pa rolin e tyre. Me të gjithë e kam ruajtur miqësinë derisa janë ndarë nga jeta. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

  1. Sa rëndësi ka familja për ju dhe si e balanconi jetën profesionale me atë familjare?

-Për mua familja është gjithcka. Pa familjen jeta do ishte e zbrazët, pa kuptim, pa motive, thjeshtë pa kurrëfarë vlere. Ne jemi familje e vogël. Në familjen e prindërve kemi qënë familje e madhe. Babi më thohste që të bënim më shumë fëmijë. Por, brezi ynë qëlloi të ishte më egoist. Unë kam gruan, Majlindën dhe dy fëmijë, Arbërin dhe Dean. Të dy janë martuar dhe më kanë bërë gjysh katër herë, më një nip dhe tre mbesa. Po rritemi si familje edhe ne. Jam shumë i lumtur me të gjithë.

 

  1. Si ju kanë mbështetur bashkëshortja dhe fëmijët në rrugëtimin tuaj të gjatë akademik dhe diplomatik?

-Asnjë antarë i familjes nuk më ka zhgënjyer. Të gjithë, secili në masën e mënyrën e tij më kanë ndihmuar në jetë, Sidomos ime shoqe, Majlinda ka qënën gjithcka për mua. Roli e kontributi i saj është i pranishëm në cdo punë, veprimtari dhe arritje timen. Në mënyrë të vecantë më ka nxitur dhe mbështetur në veprimtarinë akademike dhe diplomatike. E falenderoj shumë për këtë.


  1. Cila është një kujtim i veçantë familjar që ju mbush me gëzim dhe energji?

-Kujtimi më i bukur është kur jam bërë baba. Dhe akoma më i lumtur kur jam bërë gjysh. Nuk ka fjalë më ledhatuese se fjala “gjysh’ kur del nga gojët e vogla të nipit dhe të mbesave. Më bën me krahë. Zoti i ruajt të gjithë!

 

Pyetje për shkollimin dhe studimet

  1. Cilat ishin sfidat kryesore gjatë studimeve tuaja në Akademinë e Arteve në Tiranë?

-Akademia e Arteve, sot Universiteti i Arteve ka qënën një shkollë e lartë shumë cilësore. Stafi akademik i tëri kishte studiuar në universitetet më të mira në Moskë, Pragë, Varshavë, Sofie, Bukuresht, Romë, Vjenë. Universiteti është stafi akademik. Pestaloci, akademik cek thoshte “më jepni një livadh, t’ju ngre një universitet’. Profesorët e mi ka qënë të gjithë personalitete absolute në fushat e veta. Ishin gjithashtu shumë njerëzor, komunikues, pothuajse prindëror me ne studentët. Ata kanë ndikuar jashtëzakonisht në dashurinë time për dijen, kulturën dhe shmëncën. U jam shumë, shumë mirënjohës të gjithëve!

 

  1. Si ndihmuan studimet universitare dhe specializimet ndërkombëtare në formimin tuaj intelektual dhe profesional?

-Specializimin e parë pasuniversitar e kam bërë në periudhën 1985-1987. Mbas specializimit m’u dha titulli “Kandidat i Shkencave”. Në atë kohë titujt lëshoheshin me shumë shtërngesa. Mbas specializimit dhe kualifikimit, si dhe të marrjes së titullit shkencor, i hyra me vërtik fushës së shkencës dhe botimeve. Për një periudhë, 1987-1991 më ngarkuan me disa detyra të larta me rininë. Fillimisht si dejtues i rinisë në Shkodër dhe më pas si drejtues i lartë i rinisë në shkallë vëndi. U përpoqa që dijet dhe kulturën time akademike e shkencore t’i vija në dobi të punës me rininë, natyrisht me kufizimet që kishte koha. Por, me rëndësi për mua ka qënën fakti, se pavarësisht punëve që m’u besuan, sërisht nuk kam hequr dore asnjë moment nga puna akademike, shkencore dhe botuese. Në vitin 1992 më zgjodhën deputet në Kuvendin e parë pluralist. Shumë shpejt e ndjeva veten jo komod në jetën politike të atyre viteve. Kishte shume ashpërsi, polarizim, konfrontime dhe revanshe e hakmarrje. Këto tipare të politikës më shtynë që pas afro nëntë muajve të tërhiqesha dhe të kërkoja të shkoja në diplomaci. Këtij vendimi i parapriu një kualifikim shumë akademiko-diplomatik në Bon, në Gjermani. Kualifikimin na e udhëhoqi ish Kancelari, Vili Brand, fitues i cmimit Nobël për Paqen dhe akademik e ambasadorë të tjerë të shquar gjermanë. Ky ishte momenti i dytë kryesorë që orientoi studimet e mia në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci.

  1. Ju keni arritur gradën Doktor Shkencash dhe titullin profesor; cili ka qenë momenti më i rëndësishëm në këtë rrugëtim?
    -Po, i kam këto grada e tituj. Por, për mua më e rëndësishme është veprimtaria dhe botimet që kanë pasuar këto grada e tituj. Gradat dhe titujt akademik nuk janë komardare për të lundruar mbi to. Ato janë vetëm baza e formimit kulturor, shkencor dhe metodologjik për të kontribuar me studime, kërkime shkëncore, aktivitetet akademike dhe botime gjithë jetën.

 

 

PYETJE PËR ANGAZHIMET INTELEKTUALE DHE PROFESIONALE

  1. Ju jeni autor i mbi 28 librave botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Evropë, ShBA, Korenë e Jugut dhe më shumë se 650 artikujve shkencorë. Cila është frymëzimi juaj kryesor për të shkruar kaq shumë?

-Është dashuria për vëndin tim-Shqipërinë dhe Kombin tim shqiptar. Unë herët e pata kuptuar se për aryse politike dhe ideologjike, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia shqiptare kudo vuante nga diletantizmi, niveli amator, kufizimet ideologjike dhe indoktrinimi politik. Shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia janë shkenca dhe si të tilla duhen studiuar me rrënjë në rrafshin akademik dhe shkencor. Arsyet që politika dhe diplomacia shqiptare vuajnë së tepërmi nga diletantizmi, eksperimentimet boshe, luhatjet e panevojshme, anarkia dhe kaosi, nga mungesa e strategjive të qëndrueshme dhe afatgjate, efikasiteti e masave dhe veprimeve që ndërmerren – burojnë pikërisht nga fakti që politika dhe diplomacia shqiptare vuajnë thellë nga mungesa e burimeve dhe e kapitalit njerëzor të arsimuar dhe kualifikuar akademikisht në këto fusha. Tek njerëzit e politikës dhe diplomacisë vijnë me formime të ndryshme ose krejt pa formim dhe mësojnë dhe eksperimentojnë në punë e sipër. Ndërkohë koha vazhdon dhe për këto arsye eksperimentimet ne punë e sipër na lënë mbrapa në politkë dhe diplomacy. Mirëpo këto fusha janë veprimtari themelore në politikat publike që afektojnë negativisht thuajse gjithë fushat e tjera të interest kombëtar e publik.

Nxitur nga kjo problematikë shumë serioze vendosa që t’i përkushtohem me gjithë mundësitë dhe energjitë e mija plotësimit të këtij boshllektu në politikë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci. Kam botuar libra monografik pothuajse për cdo fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, në gjuhën shqipe dhe anglishte. Synimi im i jetës është të lë pas një korpus botimesh për studentët, studiuesit, politikanët dhe diplomatët shqiptar dhe të huaj që interesohen për Shqipërinë dhe Kombin tonë. Jam shumë i lumtur që shumica e këtyre librave ndodhen në librari dhe biblioteka të rëndësishme universitare, akademike dhe publike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe kudo në botë. Jeta ime e ardhshme është e lidhur ngusht me këtë synim, që shpresoj ta realizoj.

 

  1. Në cilën prej veprave tuaja ndiheni më krenar dhe pse?

-Librat janë si fëmijët që nuk i ndanë dot nga njëri-tjetri. Megjithatë edhe disa dallime mund të bëhen, kur janë pa dhimbje. Vepra imë më madhore është Historia e Diplomacisë Shqiptare, vepër me tre vëllime. E dalloj këtë vepër jo vetëm që është shumë e dobishme, e pasur me burime, me literaturë dhe dokumenta, por edhe sepse për herë të parë shqiptarët mund të lexojnë historinë e diplomacisë tonë, nga një kendvështrim shqiptar, shoqëruar gjatë tërë kohës me analiza të thella dhe metodë krahasuese. Historia e Diplomacisë Shqiptare, po të kem kohë dhe shëndet do të botohet e pasuruar akomë më tej me materiale që vijnë nga botime të tjera të mijat që kanë vijuar në vite.

  1. 15. Si e shihni rolin e akademikut dhe diplomatit në kohët e sotme, veçanërisht në rajonin tonë?

-Padyshim është rol kyç. Akademikët janë mëndjendriturit e shoqërive tona. Pa ato shoqëria ecën si e verbër drejt mugëtirave të errta dhe pa dritë. Tryezat akademike lypet të shtrohen, të dëgjohen dhe konsiderohen në cdo fushë. Pa rolin dhe kontributin e akademikëve nuk ka iluminim të kombeve dhe shoqërive tona. Pa mendimin e akademikëve nuk ka rrugë të hapura dhe tunele me dritë fund të tyre. Akademikët janë gurë diamanti në qafën e popujve të tyre. Në mënyrë të vecantë politikat publike lypet të bazohen thellësisht në mendimin, kontributin dhe përvojat akademike. Lidhja akademizëm-politikë ku e para ndricon rrugën dhe e dyta udhëheq drejt arritjes së saj është binomi që do të garantonte përparimin e shpejtë dhe të qartë të shoqërive dhe kombeve tona.

Lidhur me diplomacinë do tërhiqja vëmendjen në mënyrë të vecantë. Specifikisht diplomacia është nevojë alarmante për Kombin dhe shoqërinë tonë. Për Kombin e them sepse vijmë pas një izolimi të gjatë dhe të thellë, pasojat e të cilit nuk kapërcehen më një të rënë të lapsit, nuk lihen pas me mjete të sforcuara propogandistike dhe as me përpjekje manipulative për të ndikuar në imazhin ndërkombëtar. Diplomacia është instrumenti i ndërtimit të marrëdhënieve të Kombit tonë me botën. Kombi ynë ka nevojë për tu rivendosur në panteonin ndërkombëtar që i takon. Këtë mund ta bëjnë diplomatët e shquar, të arsimuar e kualifikuar, me atdhetarizëm dhe profesionalitet. Diplomacia është punë permanente. Ajo nuk pushon. Ajo ka follow-up. Diplomacia nuk ndërpret lidhjet me botën Nuk ndalon kurrë dialogun.  Nuk pushon së komunikuari. Ne këtu, pra në aspektin diplomatik kemi nevoja të jashtzakonshme. Anshtajni thoshte se kombet e vegjël kanë nëvojë për diplomatë të mëdhenj, për të kompensuar me aftësitë e tyre në marrëdhëniet me botën atë që u mungon realiteteve të tyre.

 

PYETJE PËR GJENDJEN E ARSIMIT DHE SITUATËN RAJONALE

  1. Si e vlerësoni gjendjen aktuale të arsimit në Shqipëri dhe në rajon? Çfarë sfidash dhe mundësish shihni?

-Shkaku kryesor i prapambetjes së Kombeve dhe shoqërivë ballkanike qëndron tek niveli arsimor i tyre. Kombet e shoqëritë ballkanike vuajnë nga sistemet arsimore të izoluara, të fragmentuara, të indoktrinuara, të nacionalizuara. Këto sisteme në vënd që ta ofrojnë rininë me arsimin, po e ftohin dhe po e largojnë atë prej tij. Të rinjtë nga Ballkani po arratisen drejt sistemeve arsimore Evropiane duke u arratisur kështu edhe nga vetë realitetet e vendlindjeve të tyre që kanë aq shumë nevojë për energjitë dhe inovacionin e tyre. Sistemi arsimor në Ballkan po i përzë të rinjtë tanë. Sistemi arsimor lypet të jetë i dashur, i afrueshëm dhe joshës për rininë. Sistemi arsimor në Ballkan po prodhon papunësi, në vënd që të nxitë punë-krijimin, po prodhon pasivitetin në vënd që të nxitë iniciativën, po krijon plogështi rinore në vënd që të krijojë sipërmarrjen, po prodhon qënie mekanike në vënd që të krijojë inovacionin. Sistemi arsimor po thahet dhe në vënd që të krijojë vetë treg po i largohet edhe tregut egzistues.  Reformat në asrim lypet të nisen nga këto prerogativa dhe jo nga sajime e kompilacione teknike që nuk e cojnë arsimin asgjëkundi.

 

PYETJE PERSONALE DHE VISION

 

  1. Çfarë e motivon sot Prof. Dr. Lisen Bashkurtin në punën dhe jetën e tij?

-Mbas afro gjysëm shekulli punë motivimet burojnë nga brënda. Jeta dhe puna e gjatë krijojnë stereotipet e veta. Unë nuk rri dot pa lexuar libra, studime, analiza dhe artikuj nga sferat politike, marëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacia. Çdo ditë për mua hapet me faqet e mediave nacionale, Ballkanike, Evropiane dhe globale. Janë një oksigjen për mua. Pa u ushqyer çdo ditë me lexime nuk mund të kem frymëzime për kërkime shkencore dhe botime. Pa ndjekur dinamikat në sistemin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacine kombëtare dhe ndërkombëtare nuk mund të përcaktoj prioritetet e punës time kërkimore e shkencore. Në stilin tim të punës janë mbajtja kurdoherë e më shumë se e një punimi në dorë. Kam gjithnjë dy ose më shumë punime që i ndjek paralelisht. Kur njërin e kam drejt përfundimit, me punimin tjetër jam në rrugën e thellimit. Kështu has pas hapi e shkallë pas shkalle ecën jeta dhe veprimtaria ime.

 

  1. Cilat janë planet dhe aspiratat tuaja për të ardhmen në fushën e arsimit dhe diplomacisë?

-Në bërjen publike të planeve të mija jam relativisht hesitant. Nuk dëshiroj që kur të largohem nga kjo botë të më thonë pas që “nuk e bëri këtë ose atë, nuk e mbajti fjalën ose premtimin” e kështu me radhë. Mund t’ju them që do vazhdoj projektin tim madhor te jetës: të lë një korpus të tërë librash të shkruar për marrëdhëniet ndërkombëtare e diplomacinë shqiptare, Ballkanike dhe botërore.