ASA një vit punë për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor
“Mund të përmendim me krenari se, pjesë e partneritetit tonë në fushën e kërkimeve arkeologjike dhe studimeve albanologjike në fushën e gjuhësisë e të letërsisë, antropologjisë e historisë, janë universitete e institucione shkencore europiane e botërore si ai i: Këlnit, Goethe-s, Humbold-it , Regensburg-ut (Gjermani); Montpelier-së, Lumiere Lyon 2, Aix en Provence-ës (Francë); Paul Valery-së, Universiteti i Gjenevës (Zvicër); Studimeve të Catanias, La Sapienza-s, Romës, Bolonjës, Chietti, L’Orientale -Napolit (Itali); Shkolla e Konservimit dhe Restaurimit iePonteverde-Galicias (Spanjë), Dipartamento di Scienze dell’Ambiente e della Terra (Milano), Shkolla Franceze e Athinës (Greqi); “ST. Kliment Ohridski” i Sofjes (Bullgari), Oxfordit dhe Liverpulit (Britani e Madhe); Universiteti i Buffalos (SHBA) etj.”
Nga prof. dr. Luan Përzhita
Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë
Jemi mbledhur sot për të kurorëzuar arritjet dhe punën e palodhur njëvjeçare të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Mund të themi me bindje të plotë se ka qenë një vit me realizime në fushën kërkimore-shkencore, i frytshëm përsa i përket veprimtarisë botuese dhe i mbushur plot me aktivitete të rëndësishme të organizuara nga institutet përbërëse të ASA-s.
Për asnjë çast, nuk kemi ndalur punën për të prezantuar para botës akademike europiane e më gjerë, arritjet më të mira të albanologjisë shqiptare.
Po ashtu në respektim të orientimeve për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor, Akademia e Studimeve Albanologjike është përpjekur dhe ka punuar shumë në këtë drejtim dhe kjo është reflektuar në një sërë bashkëpunimesh me universitete të huaja.
Mund të përmendim me krenari se, pjesë e partneritetit tonë në fushën e kërkimeve arkeologjike dhe studimeve albanologjike në fushën e gjuhësisë e të letërsisë, antropologjisë e historisë, janë universitete e institucione shkencore europiane e botërore si ai i: Këlnit, Goethe-s, Humbold-it , Regensburg-ut (Gjermani); Montpelier-së, Lumiere Lyon 2, Aix en Provence-ës (Francë); Paul Valery-së, Universiteti i Gjenevës (Zvicër); Studimeve të Catanias, La Sapienza-s, Romës, Bolonjës, Chietti, L’Orientale -Napolit (Itali); Shkolla e Konservimit dhe Restaurimit iePonteverde-Galicias (Spanjë), Dipartamento di Scienze dell’Ambiente e della Terra (Milano), Shkolla Franceze e Athinës (Greqi); “ST. Kliment Ohridski” i Sofjes (Bullgari), Oxfordit dhe Liverpulit (Britani e Madhe); Universiteti i Buffalos (SHBA) etj.
Studiuesit e instituteve tona janë pjesë e projekteve të rëndësishme me partnerë ndërkombëtarë. Ata kanë botuar 86 artikuj në revista shkencore të huaja, kanë marrë pjesë në 80 konferenca ndërkombëtare, kanë dhënë mësim apo kanë mbajtur lektoriume si të ftuar nga katedra të rëndësishme në Itali, Greqi, Suedi, Gjermani, Francë, Angli, Austri etj.
Janë organizuar konferenca e aktivitete të përbashkëta me universitete dhe institucione të Bashkimit Europian për çështje gjuhësore ku ASA-ja është përfaqësuar nga studiuesit e Institutit të Gjuhësisë, si dhe konferencat të organizuara nga Instituti i Historisë për marrëdhëniet diplomatike të shtetit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Austrinë, si dhe bashkëpunimi me Fondacionin “Konrad-Adenauer”.
Gjithashtu jemi kujdesur në përfshirjen në projekte të studentëve të fushave të albanologjisë, në mënyrë që të krijojmë një brez të ri studiuesish, që do të vazhdojnë punën e profesorëve të tyre me të njëjtin pasion dhe përkushtim.
Paraqita para jush sot një ekspoze të përgjithshme të veprimtarisë së ASA-s për t’ia lënë fjalën secilit drejtor të instituteve tona përbërëse për të na bërë një përmbledhje më të detajuar.
Në mbyllje do të shtoja se roli dhe veprimtaria e Akademisë së Studimeve Albanologjike është elitar dhe udhëheqës për të gjitha fushat në të cilat shtrihen studimet tona.
Shfrytëzoj rastin për të risjellë në vëmendje se institucioni ynë duhet të jetë një organ i rëndësishëm konsultativ, përmes ekspertëve tanë për të gjitha tekstet mësimore që kanë lidhje me fushat e studimit tonë, si dhe për një respektim të gjuhës standarte shqipe në të gjitha tekstet mësimore.
Duke ju falënderuar për praninë tuaj, mbështetjen dhe inkurajimin për të dhënë maksimumin, ua lë fjalën drejtorëve të instituteve të ASA-s.