Glaukia mbetet një nga figurat më domethënëse, por edhe më pak të vlerësuara të historisë së lashtë ballkanike. Ai përfaqëson rezistencën ilire ndaj hegjemomisë maqedonase, mbrojtjen e pavarësisë së Dardanisë dhe një model të udhëheqjes politike që shikonte përtej interesit të ngushtë territorial.
Në historinë e lashtë të Ballkanit, emri i Glaukias zë një vend të veçantë, edhe pse për publikun e gjerë mbetet ende pak i njohur. Mbret i taulantëve dhe një nga figurat më të rëndësishme politike të Ilirisë në shekullin IV p.Kr., Glaukia del në burimet antike si kundërshtar i vendosur i ekspansionit maqedonas dhe si aleat strategjik i Dardanisë, në një periudhë vendimtare për fatin e rajonit. Epoka e tij përkon me një nga momentet më dramatike të historisë antike: ngritjen e Maqedonisë nën Filipin II dhe Aleksandrin e Madh, shpërbërjen e ekuilibrave tradicionalë ballkanikë dhe përpjekjet e popujve ilirë për të ruajtur pavarësinë e tyre politike dhe territoriale
Sipas Diodorit të Sicilisë (Libri XIX), Glaukia paraqitet si një mbret ilir me sovranitet të plotë, i cili vepron i pavarur nga pushteti maqedonas dhe ndërhyn aktivisht në zhvillimet politike të Ballkanit antik. Figura e tij merr peshë ndërkombëtare, pasi ai shfaqet si aleat strategjik dhe mbrojtës i Pirros së Epirit, duke e strehuar dhe duke kontribuar në rikthimin e tij në fron. Në të njëjtën kohë, Glaukia del si kundërshtar i hapur i Kasandrit, një prej Diadokëve më të fuqishëm, çka dëshmon se mbretërit ilirë nuk ishin aktorë periferikë, por pjesë aktive dhe vendimmarrëse e politikës së Mesdheut lindor në fund të shek. IV p.K.
Mbreti ilir Glaukia, i biri i Pleurias shfaqet në ngjarjet historike të kohës, në konfliktin e vitit 335 p. Kr., përkrah Klitit, njëri nga bijtë e Bardhylit të famshëm, kundër Aleksandrit, i cili do të sulmonte qytetin Pelion. I vënë midis dy zjarresh, Aleksandri provoi për herë të parë dhe të fundit shijen e hidhur të disfatës, por u kthye përsëri pas disa ditë dhe zuri në befasi dhe e shkatërroi ushtrinë ilire para qytetit Pelion. Në këtë situate, Glaukia u tërhoq përtej maleve të Ilirisë, në trevat bregdetare të taulantëve, ku u mërgua edhe Kliti, pasi dogji Pelionin, për të mos ua lënë maqedonasve.
Një nga episodet më të njohura të veprimtarisë së Glaukias lidhet me Pirron e Epirit. Sipas Plutarkut, Pirroja, ende fëmijë, u detyrua të largohej nga Epiri dhe gjeti strehë te Glaukia, i cili jo vetëm që e mbrojti, por edhe e rriti në oborrin e tij. Ky akt kishte një dimension të qartë politik dhe strategjik. Duke mbrojtur Pirron, Glaukia ndikoi drejtpërdrejt në të ardhmen e Epirit dhe në historinë e botës antike. Pirroja do të bëhej më vonë një nga strategët më të famshëm të antikitetit, kundërshtar i Romës dhe figurë qendrore e historisë mesdhetare. Lufta për pushtet në Maqedoni pas vdekjes së Aleksandrit të Madh implikoi edhe Epirin me një kryengritje promaqedone dhe ndërhyrjen e armatosur të mbretit maqedonas Kasandrit në vitin 317 p.Kr. Nga vala e terrorit që shpërtheu kundër pasuesve të mbretit të përmbysur epirot, Ajakidit, mundi të shpëtojë fëmija dyvjeçar i tij, Pirrua, të cilit historia i kishte rezervuar disa faqe në shekullin pasues.
Në burimet historike mësojmë se:- Pas vdekjes së Neoptolemit fronin e trashëgoi i vëllai, Aiakidi, i cili me përleshje të parreshtura e ne luftë kundër maqedonasve, e lodhi popullin dhe meritoi përbuzjen e qytetarëve; për këtë arsye u hodh në mërgim dhe la në mbretëri djalin e vetëm të tij, Pirron vogël dyvjeçar. Meqë populli, nga urrejtja kundrejt të atit kërkonte vdekjen e tij. atëherë këtë e morën fshehurazi dhe e shpunë tek ilirët e ia dorëzuan Berojës, bashkëshortes së mbretit Glaukia, për ta mbajtur, se edhe ajo ishte nga familja e aiakidëve. Atje mbreti, për mëshirë të fatit të djalit, apo i tërhequr nga përkëdheljet fëminore, e mbrojti për shumë kohë nga Kasandri, mbreti i Maqedonisë, i cili e kërkonte duke e kërcënuar edhe me luftë; përveç kësaj. Glaukia e ndihmoi Pirron edhe duke e bërë bir në shpirt. Epirotët, të prekur në zemër nga këto gjëra, e kthyen urrejtjen në mëshirë dhe atë djalë, në moshën njëmbëdhjetë vjeçare, e ftuan rishtazi në mbretëri dhe i vunë kujdestarë, që të qeverisnin, gjersa ai të vinte në moshë. Pastaj ai, që në moshë të re, bëri shumë luftëra dhe aq shumë zuri të çmohej kur i shkuan punët mbarë, sa që e pa se edhe i vetëm mund t’i mbronte tarentasit kundër romakëve.
Në këtë menyrë Glaukia, tregon edhe njëherë forcën dhe diplomacinë e mbretërisë ilire në ngjarjet rajonale duke qëndruar kundër Maqedonisë.
Nga ngjarjet historike të kohës mësojmë se kur Pirro, ishte afërsisht shtatëmbëdhjetë vjeç dhe kujtonte se e kishte siguruar fronin, iu desh të bënte një udhëtim mbasi, njëri nga djemtë e Glaukisë, me të cilin ishte rritur së bashku, do të martohej. Kjo vakancë e tij nxiti grupet kundërshtare të molosët të cilë, i rrëmbyen pasurinë dhe thirrën në fron Neoptolemin.
Në situatën e re të krijuar Pirro pasi kishte humbur mbretërinë dhe i braktisur nga të gjithë, shkoi pranë Demetrit, dhe luftoi së bashku me ushtarët e tij, i vuri përpara ata që ishin drejtuar kundër tij dhe u bë i shquar midis luftëtarëve. Këtu i dha Ptolemeut prova të mëdha të forcës dhe guximit të tij në gjueti dhe në ushtrimet gjimnastikore dhe si e pa që Berenika kishte fuqi të madhe dhe, nga vyrtyti e urtësia, ua kalonte grave të tjera të Ptolemeut, iu tregua shumë i respektueshëm. Meqenëse ishte i shkathët për të bërë për vete më të fortët, ashtu sikurse urrente frikacakët dhe ishte mbi të gjitha i sjellshëm e i urtë në jetë, u zgjodh midis princave të tjerë të rinj për t’u martuar me Antigonën, njërën prej vajzave të Berenikës, që e kishte me Filipin, para se të martohej me Ptolemeun. Kjo martesë e rriti më tepër emrin e Pirros; duke patur edhe ndihmën e gruas së tij të mençur, Antigonës, ia arriti të mbledhë të holla dhe ushtri dhe u nis për në Epir, për t’u rivendosur në fron. Këtu u prit me gëzim nga një shumicë e madhe populli, që e urrenin Neoptolemin, i cili sundonte në mënyrë mizore dhe të egër.
Në përpjekjen për të siguruar ekzistencën e shtetit të vet, që rrezikohej vazhdimisht nga Maqedonia, Glaukia kishte nevojë për një Epir aleat. Epiri promaqedon i solli telashe shtetit ilir më 314 p.Kr., sepse i nisur që andej Kasandri me ushtrinë e tij pushtoi një pjesë të mirë të bregdetit ilir, duke përfshirë edhe Apolloninë e Dyrrahun.
Pushtimi i Dyrrahut dhe Apolonisë nga Glaukia duhet vendosur me shumë gjasë në vitet 317–314 p.K., në kuadrin e dobësimit të pushtetit maqedonas gjatë luftërave të Diadokëve. Ky veprim dëshmon zgjerimin e autoritetit të mbretërisë taulante drejt bregdetit adriatik dhe konsolidimin e Glaukias si një nga aktorët kryesorë politikë të Ilirisë në fund të shekullit IV p.K.
Në këtë periudhë mbreti Glaukia zgjeron bashkëpunimin e tij me mbretërinë ilire të dardane. Dardania, e vendosur në pjesën qendrore të Ballkanit, ishte një nga formacionet politike më të rëndësishme ilire. Presioni maqedonas ndaj saj ishte i vazhdueshëm, veçanërisht pas fushatave të Filipit II në veri. Aleanca midis Glaukias dhe dardanëve përfaqëson një nga shembujt më domethënës të bashkëpunimit ndërilir në antikitet. Përmes kësaj aleance, Glaukia jo vetëm që forconte pozitat e veta, por kontribuonte drejtpërdrejt në ruajtjen e pavarësisë së Dardanisë, duke penguar shndërrimin e saj në një territor të varur nga Maqedonia. Kjo politikë e përbashkët rezistence tregon se mbretërit ilirë nuk vepronin në mënyrë të izoluar, por ishin të vetëdijshëm për nevojën e një strategjie rajonale përballë një fuqie në rritje si Maqedonia.
Pas vdekjes së Filipit II në vitin 336 p.Kr., shumë mbretër ilirë dhe thrakas panë një mundësi për të rimarrë territoret e humbura. Edhe Glaukia ishte ndër ta. Burimet antike përmendin kryengritje dhe lëvizje kundër sundimit maqedonas në Iliri, të cilat Aleksandri i Madh u detyrua t’i shtypte para se të nisej drejt Lindjes. Edhe pse Aleksandri arriti të imponojë autoritetin e tij, rezistenca e Glaukias dëshmon se pushteti maqedonas në Iliri nuk ishte as i plotë dhe as i qëndrueshëm. Përkundrazi, ai mbështetej në ndërhyrje të vazhdueshme ushtarake dhe në aleanca të brishta.
Dy vjet më vonë një kryengritje e të dy qyteteve, e shoqëruar me sulmin e ushtrisë së Glaukisë dhe ndihmën e korkyrasve, i dha fund pushtimit maqedon në Ilirinë bregdetare. Diodori, duke folur për këtë ngjarje, përfundon se Apollonia dhe Epidamni kaluan pas kësaj nën sundimin e Glaukias.
Të gjitha këto tregonin se shteti ilir ruajti gjatë gjithë shek.IV p.Kr., peshën e vet të rëndësishme në ngjarjet e ndërlikuara të historisë ballkanike, duke pasur si synime kryesore politike frenimin e Maqedonisë në ekspansionin e saj drejt Adriatikut në një aleancë me shtetin e Epirit.
Nga të gjitha këto episode del qartë se Glaukia nuk ishte thjesht një mbret luftëtar. Ai ishte një aktor politik me vizion rajonal, një strateg që dinte të përdorte aleancat, diplomacinë dhe forcën ushtarake për të ruajtur interesat ilire.
Mbrojtja e pavarësisë së Dardanisë, përballja me Maqedoninë dhe ndikimi në fatin e Epirit e vendosin Glaukian në radhën e figurave më të rëndësishme të historisë ilire. Edhe pse burimet antike janë të kufizuara, ato mjaftojnë për të ndërtuar profilin e një udhëheqësi që luajti një rol kyç në një periudhë vendimtare.
Glaukia mbetet një nga figurat më domethënëse, por edhe më pak të vlerësuara të historisë së lashtë ballkanike. Ai përfaqëson rezistencën ilire ndaj hegjemomisë maqedonase, mbrojtjen e pavarësisë së Dardanisë dhe një model të udhëheqjes politike që shikonte përtej interesit të ngushtë territorial.


















