Prof. Dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike tregon se si Justiniani i dha një rëndësi të madhe Dradanisë ilire, duke e shpallur qëndrën më të madhe të krishtërimit apo “Justiniana Prima”
– “Rruga Lezhë-Nish, është ndër rrugët kryesore që ka patur në periudhën romake, por dhe post romake të Justinianit. Buzë kësaj rruge në shekullin e tretë lulëzuan disa qytete ilire si Ulpiana, Nishi, Shkupi etj. Kjo rrugë fortifikohej nga 120 kështjella të cilat unë i kam shkelur dhe sot po përgatis një botim që quhet “VIA LISSUS- NAISUS” e kam në proces dhe mund ta quaj librin e jetës, i cili përmban një material jashtëzakonisht të madh që merret që nga shekulli I deri në të VI të asaj periudhe.”
-Justiniani i dha një rëndësi të madhe Dradanisë ilire, duke e shpallur qëndrën më të madhe të krishtërimit apo “Justiniana Prima.”
-“Popullata sllave u kthye në të krishterë në shekullin e nëntë. Atëherë kur mbreti Boris i Bullgarisë në kishën e Ballshit iu dedikua fesë së krishterë dhe ktheu popullin e tij në rrugën e zotit, të krishterë. Ndërsa kishat tek ne kanë ekzistuar që në shekullin e pestë dhe te gjashtë. Kjo është një bazë shumë e rëndësishme historike.
Vetë studiuesit, arkitektë sllovak e thonë se sllavët nuk e kanë njohur ndërtimin më gurë muri deri ne shekullin e njëmbëdhjetë. Dhe vetë mbreti i tyre e ka pasur shtëpinë të ndërtuar me dru.”
Pjesa e dytë
Intervistoi: Dr. Mujë Buçpapaj
-Nacional: Profesor, keni kryer zbulime të reja në Koman, në Lezhë, në Grazhdan, në Drisht, në Sarandë, në Kosovë, në Tetovë, buzë liqenit të Shkodrës, apo në Kotorr.Ndërsa keni pohuar se këto zbulime arkeologjike kanë përmbysur edhe datat historike për periudhën Ilire. A mund të na jepni detaje rreth objekteve të zbuluara ?
-L.Përzhita: -Të gjithë këto zbulime të reja që përmendët ju, por dhe të tjera që kanë bërë kolegët tanë në gjithë territorin e Shqipërisë janë të rëndësishme. Ne gjithnjë dhe më shpesh po bashkëpunojmë edhe me universitetet ndërkombëtare, falë futjes edhe të shkencave ndihmëse për cilat ne bashkëpunojmë, siç janë edhe analizat laboratorike që kanë dhënë datime të ndryshme nga ato tradicionale që ne kemi patur deri tani.
Për shembull në fushën e neolitit ne kemi thënë gjithmonë që ishte mijëvjeçari i gjashtë që startoi neolitin e hershëm në territoret tona, tani faktohet që kemi 1000 vite diferencë, pasi analizat e fundit që janë bërë ne Sovian të Korçës tregojnë se neoliti në Shqipëri fillon në mijëvjeçarin e shtatë para erës sonë.
Nga studimet nënujore, kemi ndryshime edhe për sa i përket siteve në ujërat e liqenit të Prespës dhe në ujërat e liqenit të Ohrit, ku analizat tregojnë se kemi të bëjmë me vendbanimet më të hershme të liqenit në gjithë territoret e Ballkanit, mendohet që lidhen me periudhën e hekurit, por ato janë që në periudhën e bronxit.
Ndryshime të tjera kanë ndodhur gjithashtu në kohën e mbretërisë Ilire, madje kemi së fundmi një botim te grupit shqiptaro-polak për Shkodrën që ka të dhëna të reja që i japin Shkodrës një pamje krejt tjetër, si një qëndër e Teutës, Agronit, të mbretërisë së ilirëve, jo vetëm ne përcaktimet e sakta të datimit, por dhe në mënyrën e organizimit të vetë qytetit pra si kryeqendër e mbretërisë së Agronit.
Kemi ndryshime dhe në kërkimet në periudhën e Mesjetës ose siç njihet me kulturën e komanit, kemi gërmime të reja që bëhen në Koman, në Kosovë edhe në territore të tjera të Malit të Zi që kanë dhënë një datim më të saktë të elementeve kulturorë që përmban kjo kulturë meqenëse përpara ne jemi mësuar t’i përkasin shekullit të 8-të, por tani faktohet qe fillon në shekullin e 7-të dhe kemi një fazë tjetër në shekullin e 11-të, të 12-të dhe 13-të. Pra kemi një periodizim, një kronologji e cila po shkon drejt një stabiliteti që ka të bëjë me kronologjinë e hershme banorëve në territorin e Shqipërisë.
Nacional:Pra kjo është harta e gjërë e Ilirisë, nuk ka më pyetje në diskutim, kudo provohet që kanë qënë shqiptarët në këto rajone?
L.Përzhita: Po është e njejta kulturë që zbulohet si në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, pra kultura iliro-shqiptare. Për shembull, varreza e zbuluar buzë liqenit të Ohrit quhet Shën Erazmi, është e njëjtë, siç është Varreza e Komanit, ose varreza e zbuluar në Vir Paza të Malit të Zi është e njëjtë me atë të zbuluar në Liqenin e Komanit. Të gjitha varrezat e tjera që janë zbuluar, ose që kemi zbuluar ne së fundmi, qofshin ato në Matican ose në Banjën e Malishevës ose ne Graboc të Poshtëm është e njëjta kulturë në fazën e dytë që lidhet me kulturën e Komanit.
Pra kemi të bëjmë më një element autokton shumë të rëndësishëm i cili natyrisht kundrejt rrugëve tregëtare, ka edhe elementë të tjerë të cilat ndërthuren, por asnjëherë nuk duhet të ngatërrojmë elementët kulturorë, etnikë me ato tregtarë.
-Nacional: Jeni drejtues i projektit të kërkimeve në intinerarin e rrugës antike Lissus-Naissus (Lezhë-Nish), rrugë që i takon shekullit të parë por që ka shërbyer edhe për periudhën mesjetare. Si kanë ecur këto kërkime dhe cila është rëndësia e tyre, pasi kjo rrugë njihet pak në studimet tona arkeologjike?
-L.Përzhita: Me të vertetë, kjo është një rrugë që njihet pak në literaturën arkeologjike, pasi të gjitha kërkimet janë fokusuar në rrugën Egnatia. Kjo mosnjohje vjen për shkak të mungesës së kërkimeve arkeologjike në territorin shqiptar që kishte lidhje pikërisht me rrugën që lidhte Lezhën dhe Nishin. Kjo është rruga që lidhte Shkodrën, Lezhën dhe Shqipërinë e Veriut të sotshëm me Kosovën dhe kishte dy drejtime, njëri që shkonte në drejtim te jugut të sotëm të Serbisë, Nishit, dhe tjetri që shkonte në drejtim të Shkupit, të cilat ndahen në qytetin antik të Ulpianës.
Kjo rrugë është e dokumentuar që në shekullin e parë të erës tonë, si rrugë e karvaneve që lidhte tregëtinë e ilirëve dardanë me fiset tjera ilire më në brendësi. Kemi shumë njoftime të tjera që vijnë nga historianë të asaj kohe si Polibi apo Tit Livi apo të tjerë që përmëndin këtë rrugë e cila përdorej për tregti, por edhe për komunikime të ndryshme mes ilirëve Dardanë me Ilirët tjerë.
Këtu kemi dhe martesën e mbretit Gent me vajzën e Mnunit që ishte mbreti i Ilirëve Dardan.
Kjo është ndryshe rruga qe lidh Bregdetin Adriatik me Danubin. Rruga Lezhë-Nish, është ndër rrugët kryesore që ka patur në periudhën romake, por dhe post romake të Justinianit. Nëpërmjet këtij aksi ka patur dhe lidhje me rrugën Egnatia. Për shembull, Pellgu i Drinit të Zi ka shërbyer gjithmonë si një transversal që ka lidhur këto dy rrugë. Rruga Egnatia duke qenë që shkonte në drejtim të liqenit të Ohrit, duke u futur në Strugë në pellgun e Drinit të Zi, vinte në Grazhdan, kalonte të gjithë Drinin e Zi ku janë zbuluar edhe gjurmë të kësaj rruge, sidomos në fashatrat e Dibiagës dhe Veleshit dhe kalonte në Prizren.
Studimet arkeologjike kanë treguar që rëndësia e kësaj rruga ka qënë e madhe.
Lezha ka qënë dikur një stacion i rëndësishëm rrugor tregtar. Duke qenë se kishte statusin e një monocipiumi të pavarur që ishte marrë nga Roma, shërbimet tregtare kanë qënë të shumta, si të kripës dhe të produkteve të tjera. Në Kastën e Vigut, që është një kala e shekullit 3-4, kanë dalë fakte të shfrytëzimit të minjerave. Këtu dislokohej një kohortë Romake e cila ruante minjerat dhe rrugën e cila kalonte në drejtim të Lezhës.
Më pas kjo rruë kalon në Atpikaria ose në Pukë. Eqerem Çabej thotë që emri Pukë vjen nga latinishtja Publica Via që do të thotë rrugë publike dhe ka qënë një stacion rrugor Ad picaria. Më pas nëpërmjet luginës së Drinit ka përfunduar në Kreveniu që është Vaspasi i sotëm, pastaj një degë vazhdonte në drejtim të Kosovës së sotshme dhe tjetra në drejtim të Kukësit ku kemi një stacion që quhet Gabuleu që sipas Majerit do të thotë vend që bashkohen dy lumenj ose dy rrugë.
Ndërsa Kukësi ka qënë një ndër stacionet e kësaj rruge që natyrisht kishte një vend të shkëmbimit tregtar. Kjo pasi kjo nuk ishte rrugë qerresh, ajo vinte deri në Vig dhe pjesa malore kalonte në rrugë karvanesh dhe Kuksi ishte vendi ku vinin të gjithë mallrat e Kosovës. Ka të dhëna nga Polibi që Lumi Drin i Bardhë ka qënë i lundrueshëm dhe përdorej për mallra që vinin nga Rrafshi i Dukagjinit të sotshëm.
Kështu krijohej një rrjet apo sistem i madh i kësaj rruge. Madje kishte dekrete nga Senati romak për ruajtjen e këtyre rrugëve.
Buzë kësaj rruge në shekullin e tretë lulëzuan disa qytete ilire si Ulpiana, Nishi, Shkupi etj. Kjo rrugë fortifikohej nga 120 kështjella të cilat unë i kam shkelur dhe sot po përgatis një botim që quhet “VIA LISSUS- NAISUS” e kam në proces dhe mund ta quaj librin e jetës, i cili përmban një material jashtëzakonisht të madh që merret që nga shekulli I deri në të VI të asaj periudhe.
-Nacional: Pra duket që Ilirët Dardanë kanë qënë të integruar mirë me pjesën tjetër të Ilirisë.
-L.Përzhita: -Dardanët janë një fis ilir. Kjo provohet edhe nga burimet historike, por përmendet edhe nga autorë antik të asaj kohe që i shquajnë dardanët si një ndër fiset e mëdha Ilire. Vetë dardanët ilir, kanë fise të tjera brenda tyre, por natyrisht fisi më i madh ishtë ai i dardanëve, ai që u dha edhe emrin.
Dardanët janë inkuadruar gjithmonë në provincat e Ilirikumit. Nëse ne do të flasim për organizimin qoftë edhe të periudhës të Romës apo të periudhave te mëvonshme të Konstantinit dhe Justinianit, në provinacat e Ilirikumit kemi Prevalitana me qëndër Shkodrën, Epirin e ri me qëndër Durrësin, Dardaninë me qëndër Shkupin dhe Epirin e vjetër me qendër Nikopolosin. Këto ishin katër provincat Ilirike të dekretuara që njihnin një lloj unifikimi të ilirëve.
-Nacional: Historiani Isuf Buxhovi thotë se historianët shqiptar ua kanë lënë në mënyrë të gabuar grekëve tezën e Epirit të jugut grek, ndërkohë që siç e theksuat edhe Ju, faktet historike janë te tjera, Epiri i Jugut është shqiptar?
-L.Përzhita: Pjesa e Epirit te Jugut, në aspektin e periudhës antike të studimeve, jo vetëm studiues shqiptarë, por edhe grekë dhe të tjerë, nuk e mohojnë që ka qënë pjesë e një territori Këto teza kanë dalë shumë më vonë. Jo rastësisht edhe pashakllëku i Ali Pashës u zhvillua pak a shumë në të gjithë territorin e Epirit të vjetër, Epirit të Jugut. Ai është një traditë sepse ka edhe rregulla. Në anën juridike e drejta historike i jep të drejtë një kombi ose një populli për të pasur asetet e veta. Por këto janë tema që dolën në kohën kur Turqia ishte në largim dhe ishte koha e krijimit të shtetit shqiptar, kur jo vetëm grekët, por edhe shumë fqinj të tjerë kishin pretendime për territorin shqiptar. Nga ana jonë shumë herë studiuesit nuk e kanë patur mundësinë që kanë sot të interferojnë dhe shprehin mundësitë e tyre, kjo edhe për shkak të sistemit që ka qënë dhe kufizimeve që kanë ekzistuar.
-Nacional: Libri juaj “ Mbretëria Dardane, histori e shkurtër e shtetit 2400 vjeçar”, ka sjellë argumente të reja të autoktonisë shqiptare në këtë hapsirë shqiptare. Sa keni punuar për këtë libër?
-L.Përzhita: -Këtë libër unë e botova me rastin e shpallajes së Pavarësisë së Kosovës si një dhuratë intelektuale për këtë ngjarje të shënuar. Kjo ishte mundësia ime për të falenderuar sakrificën e madhe që bëri populli i Kosovës për t’u çliruar nga ajo sëmundje sekullare, dhe e kam shkruar me një frymë.
Ai është një libër që ka në vetvete disa çeshtje që ndryshon nga mënyra se si është konceptuar nga autorët e tjerë klasikë. Kjo më dha edhe një mundësi tjetër, pasi duke qënë i fushës së arkeologjisë dhe duke e plotësuar me të dhëna arkeologjike edhe pjesa historike u pasqyrua më bukur në lidhje me ngjarjet historike, dominuese. Për shembul nëse më përpara ka patur kufizime për sa i takon emërtimeve të qyteteve apo ngjarjeve të ndryshme historike nga mungesa e kërkimeve arkeologjike, tashmë na është krijuar kjo mundësi. Gjithashtu nuk jam ndalur vetëm në Mbretërinë Dardane, por kam trajtuar edhe mardhëniet e dardanëve me Romën, me perandorë siç ishte Konstandini ose Justiniani, por edhe kohën kur ilirët dardanë u kthyen në arbër. Momentalisht kam në dorë variantin tjetër, i cili do të botohet në fund të vitit si një monografi për historinë antike të Dardanëve.
-Nacional: Thuhet se serbët që erdhën në shekujt e gjashtë apo të shtatë, mbi themelet e kishave katolike, ilire ngritën kishat e tyre ortodokse. A keni argumente rreth kësaj teze?
-L.Përzhita: Në një vizitë që bëmë në manastirin e Pejës, ishim një grup arkeologësh. Personi që na shpjegoi historinë e krijimit të manastirit ishte një motër, e cila na çoi në kishën e vjetër ku zë fill ndërtimi i manastirit. Ajo tregoi se kjo ishte një kishë e shekullit të gjashtë rreth së cilës është ndërtuar manastiri dhe i takonte popullatës sllave. Unë ndërhyra duke thënë që në shekullin e gjashtë sllavët kanë qënë paganë, dhe si shpjegohej kjo gjë? Ajo u zu shumë ngushtë dhe u mjaftua duke me thënë se “ashtu ja kishin mësuar”. Kjo kishë është dëshmi e krishtërimit të dardaneve që ka nisur qysh në shekullin e parë. Sipas letrave të Shën Palit del që kjo periudhë pasohet më një zhvillim shumë të madh të krishtërimit në Dardani në fund të shekullit të pestë dhe të gjashtë, e cila lë shumë mbrapa edhe shumë vende të tjera që ne i kemi kërkuar në territore të ndryshme.
Përveç kësaj Justiniani i dha një rëndësi të madhe duke e shpallur qëndrën më të madhe të krishtërimit Justiniana Prima, që sot është në Caricingrad. Mund të bëjmë pyetjen se si serbët bombarduan kisha që deri dje ishin të shënuara si kisha sllave, i bombarduan në luftë si kisha antisllave siç është kisha mesjetarë e Ujmishtit dhe në Klinë, apo kisha disa kisha të tjera. Ne kemi vënë re si në manastirin e Pejës ashtu dhe Bellacerkva afër Prizërenit, ashtu dhe në vende se krishtërimi ka qënë aty.
Popullata sllave u kthye në të krishterë në shekullin e nëntë. Atëherë kur mbreti Boris i Bullgarisë në kishën e Ballshit iu dedikua fesë së krishterë dhe ktheu popullin e tij në rrugën e zotit, të krishterë. Ndërsa kishat tek ne kanë ekzistuar që në shekullin e pestë dhe te gjashtë. Kjo është një bazë shumë e rëndësishme historike.
Vetë studiuesit, arkitektë sllovak e thonë se sllavët nuk e kanë njohur ndërtimin më gurë muri deri ne shekullin e njëmbëdhjetë. Dhe vetë mbreti i tyre e ka pasur shtëpinë të ndërtuar me dru.
-Nacional: Koleksioni arkeologjik i Institutit të Arkeologjisë numëron mijëra objekte, ndërsa hapsira ekspozuese është shumë e vogël. Kur mendoni se do ta këtë Tirana një muze arkeologjik të ri dhe cilat janë pengesat?
-L.Përzhita: një muze kombëtar arkeologjik dhe në debate të ndryshme, takime të ndryshme që kemi me Ministrinë e Kulturës dhe institucione të tjera që kanë këtë përgjegjësi, ne jemi shprehur në gadishmëri të plotë për të dhënë ndihmesën tonë me hapjen e një muzeu të tillë.
Gjithashtu shohim që Shqipëria po vizitohet nga shumë turistë të huaj dhe interesi për trashëgiminë kulturore shqiptare është i madh. Këtë interesim në rritje ne e shohim nga vizitat që ndodhin në muzeun tonë modest ku ka pasur një dyndje vizitorësh. Ne disponojmë rreth 70,000 objekte në të gjithë territorin shqiptar të gatshme për t’u vendosur në stendat e këtij muzeu nacional. Natyrisht kjo është çështje përqasje e qeverisë, një vizioni që mendon Ministria e Kulturës dhe natyrisht çështje e suportit financiar. Nga ana jonë ne jemi të gatshëm që të suportohet nga Instituti i Arkeologjisë dhe qëndra Albanologjike Etnografike. Ne disponojmë fonde të mrekullueshme etnografike që janë rreth 300, 400 vjeçare të cilat sot janë unikale. Ky është një potencial i madh që duhet patjetër t’i shpaloset këtij zhvillimi turistik dhe kulturor që ka sot Shqipëria.
-Nacional: Si ka qënë bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe qendrat e tjera universitare shqiptare në rajon?
-L.Përzhita: Ne kemi arritur që të krijojmë një punë të përbashkët ndërmjet këtyre qëndrave arkeologjike dhe jemi shumë të kënaqur me këtë aktivitet të përbashkët. Madje pak para disa ditësh ne nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për të gjitha veprimtaritë e vitit 2022 të cilat kanë të bëjnë me 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me përvjetorin e Kongresit të Manasitrit që bëhët çdo vit në Shkup, me 210 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë etj. Këtë vit kemi “Vitin e gjuhës”, që e kemi quajtur “Një komb një gjuhë”, e cila do të realizohet në tre qëndra, që do të nisi në Kongresin e Manastirit, pastaj në Prishtinë dhe në mbyllje në Tiranë. Pas kësaj kemi promocione të përbashkëta, botime të përbashkëta, dhe ne mendojmë që të gjitha aktivitetet e vitit 2022 të kurorzohen në një botim të përbashkët për herë të parë në historinë e krijimit të Qendrës Albanologjike të një pune që do t’i shërbejnë studiuesve dhe atyre që janë të interesuar. Përsa i takon akademive të shkencave ne kryesisht jemi fokusuar në qëndrat relevante që kemi në fushën e albanologjisë.Këtë bashkëpunim do ta shtojmë edhe më shumë.
-Kemi vënë re se gjatë viteve të fundit jeni fokusuar në organizimin e konferencave ndërkombëtare si dhe në publikimin në gjuhë të huaja të akteve të këtyre konferencave ndërkombëtare ?
-L.Përzhita: Kjo punë e rëndësishme është fokusuar në dy drejtime kryesore, në organizimin e konferencave ndërkombëtare dhe në publikim e akteve të këtyre konferencave ndërkombëtare. Duke qënë se ne jemi pjesë e kërkimeve arkeologjike mesdhetare, duke qënë se në këto kërkime zëmë një vend të caktuar, natyrisht edhe studiuesit e këtyre fushave janë të interesuar të marrin pjesë në këto konferenca të realizuar nga ana jonë. Pra ne kemi bërë disa konferenca që janë botuar në gjuhët kryesore ndërkombëtare anglisht, italisht, frëngjisht. Kështu që shkenca shqiptare mund të komunikojë drejt për drejtë me botën. Menjëherë kemi marrë një vlerësim shumë të mirë. Për shembull botimet e akteve të Kongresit Ndërkombëtar të Arkeologjisë Shqiptare në revista të njohura amerikane, si revista Antiques, është vlerësuar si një botim i nivelit ekselent në atë vit në fushën e arkeologjisë.
-Çfarë dëshironi të shtoni tjetër?
-L.Përzhita: Faleminderit për intervistën, por edhe për hapsirën që i kushtoni prej 15 vjetësh, posaçërisht, tarshëgimisë kulturore shqiptare, studimeve albanologjike, por edhe letërsisë dhe kulturës në përgjithësi.