Më 18.V.1990, në një atmosferë të përzemërt, mysafir i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte Adem Demaçi, njëri nga ata që krijoi bërthamën e saj dhe njëri nga pionierët e letërsisë shqiptare që krijohet në Jugosllavi.
Në këtë pritje të shkrimtarit, fjalën e rastit e mbajti dr.Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, i cili, midis tjerash, tha:
I dashuri dhe i nderuari Adem Demaçi, ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Më lejoni që këtë fjalë rasti ta filloj me moton e romanit Tuaj të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, njërit nga romanet më të njohura shqiptare: ”Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, po atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.
Po e filloj me këtë moto, sepse është një formulë universale, e dalë nga shpirti i shkrimtarit, për paqe e mirëkuptim midis njerëzve. Pra, Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, sepse shkrimtari deshi me veprën e tij të heq e të zhdukë një të keqe të popullit të tij – gjakmarrjen. Po ashtu, vizionin e ndritur të romanit po e përjetojmë sot, kur, si në antikën greke dhe ilire, shqiptarët po i falin gjaqet, po i shuajnë gjarpinjtë e gjakut dhe po bëhen pajtimet.
Sot, thuaja të gjithë, jemi bërë personazhe të mesazhit të romanit Tuaj – të pajtimit dhe të harmonisë. Kjo ngjet vetëm te popujt e moçëm, që dinë të falin, që dinë të mos harrojnë, e po ashtu, që nuk dinë të hakmerren. Sot në këtë ditë gëzimi për gjithë shkrimtarët shqiptarë, nuk do të flas për burgjet Tuaja 30-vjeçare. Të gjithë këtë po e quaj qëndresë njerëzore dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore. Fati Juaj është fati i një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë dhe i letërsisë shqiptare. Ju nuk pësuat vetëm për bindjet politike, që bolshevizmi i shpalli armiqësore, po edhe pse ishit ndër të parët dhe më të rinjtë që shkruanin në shqipe, pse ishit shkrimtar i mirë dhe me aftësi të rrallë letrare dhe me bindje të thella humaniste për popullin Tuaj dhe për të tjerët. Pushteti totalitar gjithmonë u frikësohet shkrimtarëve të mirë dhe të aftë.
Më lejoni, i nderuari Adem, ta mbyll këtë fjalë me dëshirën tonë të madhe që t’ju mbajë shëndeti dhe të na dhuroni edhe ndonjë kryevepër, sepse ende jeni në moshën e burrërisë, ende jeni me Diellin, siç i klasifikonte moshat shkrimtari ynë i vjetër Pjetër Bogdani.
Ju faleminderit që gjetët kohë të jeni me ne – me trup e me shpirt, sepse me shpirt dhe me vepër gjithmonë keni qenë me ne. (“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)
Nga libri i Ibrahim Rugoves “Pavarësia dhe demokracia”, 1991, përgatitur nga Faruk Tasholli