Prof. Dr. Milazim KRASNIQI : PËR CILËT KUFIJ TË PRISHUR PO FLET MINISTRI LLAVROV?

Sergej Llavrovi ka deklaruar në Shkup se gjoja në vitin 2008 me pavarësinë e Kosovës është shkelë rezoluta 1244 dhe parimi i OSBE-së për mosndryshimin e kufijve. Deklarata e tij është vetëm një mashtrim tipik pansllavist. Pse? Sepse kufijtë e shtetit federativ, RSFJ-së, i ka ndryshuar me dhunë Serbia, duke proklamuar Republikën Federative të Jugosllavisë, tutje Bashkësinë e Shteteve Serbia e Mali i Zi. Meqë RFJ ishte formacion shtetëror jolegal, në bazë të propozimit të Këshillit të Sigurimit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më19 shtator 1992 e pati refuzuar RFJ-në nga anëtarësia në atë organizatë, duke mohuar se mund të ishte trashëgimtare e RFSJ-së. Pra, RFJ (Serbia e Mali i Zi) nuk ka pasur kontinuitet me RFSJ. Pranimi në OKB i RFJ-së më 1 nëntor 2000, pas tetë vitesh nga mospranimi, i bërë me procedurë të shpejtuar dhe pa votim në OKB, ka qenë jo i rregullt, sepse RFJ nuk ka qenë trashëguese e RSFJ. Shpërbërja e asaj kuazifederate, të emërtuar në vijim si Bashkësia e Sheteve Serbia dhe Mali i Zi ndodhi në vitin 2006, pas referendumit në Malin e Zi. Pra shpërbërja e RFJ-së ndodhi dy vite para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kur u shpall Kosova e pavarur, më 17 shkurt 2008, nuk kishte kurrfarë federate, bile as kuazifederata Serbia dhe Mali i Zi nuk ekzisotnte më. Me atë shpërbërje në vitin 2006, pati marrë fund çdo element federalizmi. Rrjedhimisht pranimi i kontinuitetit të Serbisë në OKB nuk ka qenë legal, aq më pak me Kosovën brenda, meqë Kosova ka qenë edhe njësi e federalizmit të RSFJ-së.
Në tërë këtë ngatërresëka edhe një situatë absurde: referimi në rezolutën 1244 në shtetin e RFJ, (së cilës nuk i është pranuar kontinuiteti me RSFJ) nuk ka qenë i logjikshëm e as legal. Rezoluta 1244 është miratuar para se të pranohej RFJ në OKB! Pra, rezoluta i është referuar një entiteti shtetëror që nuk ka qenë anëtare e OKB-së, sepse siç u tha, RFJ është pranuar në OKB më 1 nëntor 2000! Prandaj rezulton se edhe bombardimet e NATO-s janë bërë ndaj një shteti që nuk ka qenë fare anëtar i OKB-së e për atë arsye, as nuk ka pasur nevojë të kërkohej leja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për bombardimet e NATO-s kundër caqeve usharake në RFJ (Serbia e Mali i Zi.)
Prandaj pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk ka të bëjë aspak me atë shtet (RFJ-Serbia e Mali i Zi) që nuk ka asnjë kontinuitet me RSFJ, ku Kosova ka qenë njësi e federalizmit jugosllav. Faktikisht as rezoluta 1244 nuk është në kolizion me shpalljen e pavarësisë, gjë që e ka konfirmuar edhe opinioni i Gjykatës së Drejtësië. Pra, ngado që të shihet problemi, shihet se Llavrovi tenton të mashtrojë. Pse? Sepse kufijtë për të cilët flet Llavrovi, i ka prishë RFJ përkatësisht Serbia e Mali i Zi, jo komuniteti ndërkombëtar. As Kosova. Kosova e ka shpall pavarësinë në kufijtë e vet, të njohur me Kushtetutën e RSFJ-të vitit 1974, ndërsa siç u dëshma tashmë, RFJ (Serbia e Mali i Zi) nuk ka pasur kontinuitet legal më të. (Nuk jam i sigurt se i kanë kuptuar si duhet këto gjëra qeveritarët-negociatorët tanë që nga viti 2007 e deri sot. Po t’i kishin kuptuar, nuk do ta shndërronin dialogun në një “çështje të brendshme” të Serbisë, siç faktikisht e kanë shndërruar.)
Kjo sa i përket aspektit legal. Ndërsa sa i përket aspektit moral, Sergej Llavrovi nuk ka fytyrë të flasë për ruajtjen e kufijve të shteteve, meqë Rusia e tij me ndërhyrje imperiale dhe me aggresion ushtarak i ka shkelë kufijtë e shteteve sovrane dhe anëtare të OKB-së, si Gjeorgjia, Moldavia e sidomos Ukraina, ku në emër të kërkesës për ndryshimin kufijve, Rusia e Llavrovit është duke bërë urbicid, kulturocid dhe gjenocid. (30 nëntor 2023)