Prof. dr. Milazim KRASNIQI: POEZIA ËSHTË MË QËNDRESTARE SE SA POETI

Botimi i veprës komplete të një autori, pas vdekjes së tij, hap një mundësi të re të komunikimit edhe më të shpenguar me atë vepër, kësaj here pa ngarkesën psikologjike që vetvetiu e prodhon prezenca fizike e autorit në publik. Kështu është edhe me botimin e veprës komplete të autorit të ndjerë Basri Çapriqit, e cila po i vihet në dispozicion publikut, si botim i PEN Qendrës së Kosovës. Poezia e Basri Çapriqit në kuadër të këtij botimi të veprës komplete, me siguri që do të marrë pjesën më të madhe të shkëlqimit të veprës së tij, përballë studimeve dhe publicistikës, sepse Basriu në rend të parë ishte poet e vetëm pas kësaj edhe studiues letërsie dhe publicist.
Poezia e tij ka bërë jetë intensive relativisht të shpenguar në relacion me publikun edhe për gjallje të autorit, me anë botimesh, ribotimesh, dramatizimesh, recitimesh e përkthimesh, sepse autori ka qenë nga ata që nuk imponohen vetë në vend të veprës së tyre. Në të gjitha rastet, pra edhe kur autori ka qenë pak a shumë ndikues a prezent e edhe kur nuk ka qenë as ndikues e as prezent, është konfirmuar vlera e lartë estetike e kësaj poezie. Përfshirja e saj në antologji të shumta të poezisë shqipe, përkthimi i saj në disa gjuhë, dramatizimi i saj për teatër dhe suksesi i saj edhe në atë medium, janë dëshmi të atyre vlerave. Prandaj jam i bindur se ajo vlerë e lartë estetike do të konfirmohet edhe me këtë botim, po edhe në të ardhmen. Kur vepra artistike e tij e bën jetën e vet pa prezencën e autorit, ajo funksionon vetëm si vlerë estetike, paçka se në prapavijë gjithmonë e ka statusin e një testamenti të lënë prej si të tillë prej autorit.

Për poezinë e mikut tim të shtrenjtë, Basriut, kam folë në shumë e shumë raste, që nga ndenjat e hallakatura në kafe “Bagrem” e deri te udhëtimet e shumta me avion nëper dynja, përfshirë edhe udhëtimin drejt vendeve të shenjta. Një poezi që e pati shkruar aty, menjëherë pas tafavit, e patëm diskutuar shumë gjatë, në mes të përjetimit jetësor, i cili në atë rast ishte shumë më i fuqishëm se sa përjetimi estetik. Ndërsa për një poezi për pasojat e gjakmarrjes, besoj se jam munduar duke sjellë në vëmendje nene të Kanunit, novelen “Gjaku” të Ernest Koliqit, romanin “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, romanin “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë, në përpjekje për ta vendosur në një kontekst estetik personazhin e asaj poezie të dominuar nga figura e paradoksit.
Për poezinë e Basriut kam shkruar në disa raste, qoftë në kuadër manifestimesh letrare, qoftë vetëm si tekste autoriale në revista letrare. Shumë nga ato që kam thënë më heret, vetëm do të mund të përsëriten, pasi që disa konstanta të vlerave estetike të saj janë të verifikuara në çdo vështrim timin kritik. Prandaj edhe me këtë rast do të ketë një përsëritje të disa vlerësimeve të mia të mëhershme kritike për poezinë e Basriut, por kësaj here duke e lënë anash qëndrimin subjektiv, që pata shprehur veçmas në një konferencë për veprën e Basriut, e cila qe mbajtur para disa vitesh në Ulqin. Botimi i veprës komplete, për ndryshim nga aktiviteti në një përvjetor të vdekjes së autorit, e konfrmon jetën sovrane të veprës.

Libri i parë i Basri Çapriqit, “Ulli e dymijë unaza”, siç na thoshte para se të botohej redaktori i saj, Ali Podrimja, ihste një “alamet libër.” Aliu e potenconte posaçërisht motivin patriotik të poezive, të një poeti që vinte nga një zonë periferike e shqiptarisë, nga një zonë që ishte ekspozuar politikihst e kulturalisht procesit të deshiptarizimit. Vërtete, nëse shikohet në kuadër të ambientit kulturor e social të Ulqinit të fundit të viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë, kur ajo zonë ishte në një proces të thelluar dekulturimi e deshqiptarizimi, poezia e Basriut duket si një bimë që lind vetvetiu, në një tokë të shndërruar gati në djerrinë. I atillë dukej vëllimi i parë poetik i tij, “Ulli me dymijë unaza”, kur u botua në vitin 1983, me poezitë me motive nga kujtesa kombëtare si: “Buna”, Në kalanë e vjetër të Ulqinit, “ Ubla e Krajës”, Rremb gjaku (Shime Deshpallit), Rrënjë e fortë (Eqrem Çabejt), Shpella e Gadimes, etj. Ideja themelore që u shqiptua në vëllimin e parë të tij ishte se ambienti jetësor e kombëtar ishin vlera sublime që participonin në integritetin shpirtëror të njeriut dhe që duhej të vëzhgoheshin e të vlerësoheshin. Në një ambient siç ishte Ulqini i viteve shatëdhjetë e tetëdhjetë, i cili për një shekull i ishte ekspozuar projektit të deshqiptarizimit, fshirjes së kujtesës historike, kjo qasje për nxjerrjen e disa shenjave e figurave të jetës kombëtare nga amnezioni, estetikisht ishte pothuajse revolucionare.

Në fakt, Basriu nuk ka qenë revolucionar në asnjë drejtim, por ishte poet kërkues. Kjo shihet menjëherë në vëllimin pasues,”Në fund të verës”(1986), ku spikasin motive dhe tema që nuk kanë të bëjnë vetëm me vendlindjen, po edhe me botën mbarë. Fjala vjen, poezia “A vdiq humanizmi”, e paralajmëronte qartë dhe ashpër fillimin e një procesi të shpërbërjes së atyre vlerave e rrjedhimisht edhe fillimin e preokupimit të këtij autori me nyjat e disekuilibreve emocionale e shpirtërore të njeriut shqiptar.
Në vëllimin “Ma qet gjuhën”, (1989) në kontekstin e të ndodhurave historike, në një cep krejt tjetër të hapësirës shqiptare, në Çamëri, ky preokupim kombëtar, bëhet dramatik. Tash e tutje, shprishja e ambientit jetësor e kombëtar, nuancohet si preokupim i vazhdueshëm intelektual e poetik i Basri Çapriqit.

Por, në vëllimin “Frutat bizare” Basriu e shqipton më radikalisht nivelin e stresit dhe të dramës personale. Kjo sigurisht lidhet me ndryshimin e botëvështrimit për jetën, në kohën kur autori po i afrohej moshës dyzetvjeçare, një moshë që është e njohur si pikë kthese në jetë për reflektim dhe rivlerësim të përvojës, për ndryshim të botëvshtrimit. Kësodore, individi i shkëputur nga ambienti i vet jetësor e kulturor, shket nëpër jetë, me identitet të deformuar e të përdhunuar. Poezia “Ikja”, që është në ballë të vëllimit, shpalos konfiguracionin e neurozës së individit me identitet të humbur në ambientin e huaj. Vargu i kësaj poezie është i ndërtuar ashtu që dalin të ngjizura çastet, idetë fikse (gjysmëvargu:ja tash është momenti), përshkrimet, gjestet, duke e krijuar të plotë idenë e stresit, të frikës dhe të humbjes së identitetit.

Poezia pasuese “Dhoma ime në Londër”, e detajizon edhe më tutje këtë rrezik depersonalizimi. Përmasat e depersonalizimit kanë arritur deri atje sa edhe gjymtyrët e trupit të duken të frikshme, dhe që ikja, fshehja, të jetë e kotë, ngase procesi degjenerativ e bren integritetin e individit edhe nga brenda. Njeriu i tillë nuk mund ta zgjidh dilemën se a është më mirë që deri sa të kthehet në Prishtinë, ta mashtrojë veten duke e mbajtur simbolin e rojes së shtëpisë, pra mbajtjen e fijeve të jetës të lidhura për traditën, apo një revolver të rrejshëm, për t’u mbrojtur nga e panjohura që është e barazvlefshme me atë që është e huaj, si ambient, si mënyrë jetese dhe si mendësi, siç ndodhë te poezia me titull eksplicit, “Frika.”

Vetmia skicohet si gjendje reale dhe psikike e rëndë, që kërkon shpëtimin në klithmën ”dritaren lëre hapur”, e cila përsëritet rrafsh 24 herë në 36 vargjet e poezisë me të njëjtin titull! Ndërsa, poezia “Dhoma ime në Ulqin”, është një rikthim në ambientin e parë dhe në vlerat sublime të tij, ku rrezaton figura e nënës me përgjërimin dhe përkushtimin e përjetshëm.

Është evidente se në këto poezi kanë një denduri fjalët: dera, dritarja, muri, shkallët, kopshti, pasqyrat, që bëhen qendra kuptimore që e figurojnë më fort mallin për ambientin familjar. Kjo do të thotë se është shumë intensive prejardhja emocionale e disa imazheve.

Gjendje stresante e disekuilibra të ndryshëm socialë, politikë e shpirtërorë që ndodhin në ambientin që ka fytyrën e atdheut, Basriu ka shqiptuar në shumë vargje në vëllimin “Frutat bizare.” Çrregullimet morale dhe shoqërore, humbja e gjasave për ta gëzuar jetën, pendesa për krimin, vrujojnë nëpër vargjet e poezive: Striptiz në Prishtinë, Vullneti i popullit, Vasha nga Lindja prostitutë në Romë, Portret gjaksi të falur, etj. Fenomenet sociale dhe politike të transfromimeve të funshekullit XX, janë kontekstet tematike të këtyre poezive, mirëpo ato nuk janë përshkruar, nuk është dhënë ndonjë kronologji a faktografi e tyre, duke e evituar atë rrezik që e parasheh Teodor Adorno, kur thotë se ai që pledon për artin si fakt, e shndërron artin dhe ideologjinë në një gjë të vetme. Pikat tragjike dhe absurde të këtyre fenomeneve sociale dhe politike janë vështruar të përthyera në shpirtin e subjekteve. Fjala vjen, drama e gjaksit që i hiqet ndëshkimi moral për krimin e bërë, fillon tek detaji më i paparashikueshëm: atij për të dalur nga ngujimi, atij duhet t’i blihen këpucë, ndërsa ai nuk e di sa duhet të jetë numri i tyre! Distiku: një mijë vjet këpucë s’kishte mbathur/ sa s’plasi e tha: 1990 numri ta zëmë/ e krijon figurën e spirales tragjike të gjakmarrjes e të ngujimit dhe e kontekstualizon një pikë kohore që merr të shënojë mbylljen e asaj spiraleje tragjike. Figura e gjaksit merr përmasa mitike, del nga humnera e mijëvjeçarit dhe e njëjtëson vitin e rifitimit të lirisë me numrin e këpucës. Është një prerje e fortë ndërmjet logjikës së ligjërimit të zakonshëm dhe logjikës së ligjërimit poetik, që i jep ngarkesë semantike dhe bukuri artistike kësaj poezie.

Basriu e ruan shprehjen poetike nga intonimi triumfalist dhe nga retorika vulgare, duke iu përmbajtur asaj që ka thënë vetë për Shejmus Hinin: ” Nuk ka forcë destruktive që e shtyn shkrimtarin fisnik të fjalës humane të militarizojë gjuhën si mjetin kryesor të ekzistimit të veprës artistike”.

Duke qenë poet dhe duke ndier si poet, Basriu ka qenë i preokupuar edhe me fatin e poetëve dhe iluminuesve të tjerë, që janë ushqyer rëndshëm me kotheret e moskuptimit dhe injorimit nga bashkatdhetarët e vet.. Poezitë Lasgush Poradeci, Vdekja e poetit (Mirko Gashit), dhe Lindja e poetit (Ali Musajt) janë shqiptime të dhimbjes për moskuptimin dhe mosvlerësimin ndaj ndriçuesve shpirtërorë. Është një ndërlidhje, një konstantë e moskuptimit.

Si për ta shpalosur edhe më fort këtë absurd, këtu janë përfshirë edhe poezitë Punëtorët fizikë të komunales dhe Lëmi i argatëve, ku mjerimi social, moskuptimet dhe padrejtësitë sociale rrotullohen si dhëmbëzorë të çrregulluar dhe me rrezikshmëri të lartë për fatet e shoqërisë dhe të kombit.

Në vëllimin “Frutat bizare”, po edhe poezitë e mëvonshme, Basriu vazhdon të inkuadrojë në tekstin poetik një leksik dhe një sintagmatikë që vjen nga fusha e disiplina të ndryshme të realitetit të sotëm, të cilat nostalgjikëve të poezisë së pastër mund t’u duken të ashpra, trup i huaj në poezi. Nga kjo pikëpamje ai është një poet me prirje të fortë urbane.

Bartjet e vargjeve në disa tekste poetike, që në planin sintaksor nganjëherë duken si proza poetike, e afirmon shumësinë e mundësive të leximit të tekstit, ballafaqimin dhe opozicionin e asociacioneve si dhe virtuozitetin shprehës të gjuhës poetike. Përsëritja e fjalëve, gjysmëvargjeve apo edhe vargjeve, inkuadrimi i fjalëve të urta në kontekste semantike ironizuese, krijon një shtresë të veçantë intonative e semantike, duke nuancuar ligjërimin e duke e rritur mundësinë e shpalosjes së kuptimeve poetike. Një ekzemplar i veçantë dhe antologjik i këtij fahu është poezia “Sizifi.”

Basriu poet ishte nga fillimi e deri në fund kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare, personale e njerëzore dhe mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrujtur në vete vërtetësinë artistike. Nganjëherë zbulimet e të vërtetave artistike të tij duken si të kishin qenë aty pranë syrit e mendjes sonë. Pikërisht ashtu siç thotë Lotmani: “Në tekstin e mirë çdo gjë perceptohet si të jetë krijuar ad hoc”.
Për një lexim më specifik të poezisë së Basriut, ia vlen të koncentrohemi edhe në vëllimin e zgjedhur, “ Përkryerja e shiut”, botim i ArtClub të Ulqinit në vitin 2013. Pse? Meqë përzgjedhja është e vetë autorit, mund të ndiqen nga afër jo vetëm evoluimi dhe oscilimi i botëvështrimit, po edhe i qëndrimit kritik të autorit ndaj poezisë së vet. Përgjithësisht, përzgjedhja ka synim përjetësimin e një hierarkie të vlerave, e kjo mund të jetë edhe në rastin e autopërzgjedhjes. Ndërsa, në këtë përzgjedhje ndodhë një ndryshim i rendit kronologjik, një ndryshim i hierarksië së poezive sipas motiveve e ideve, në favor të lojës stilistike dhe vlerave estetike. Pra, Basriu ka aspiruar drejt kompletimit të idealit të vet poetik, gjë që ndihet në këtë përzgjedhje. Për studiuesin më pikant të kësaj vepre, kjo mund të kihet para sysh si element leximi e studimi, por gjithnjë fakultativ.

Megjithatë, për një vlerësim final të vlerave të poezisë së tij, na u desh të presim edhe botimin e poezive që ka lënë në dorëshkrim, po veçmas botimin e veprës komplete.
Me këtë pamje që kemi tash për poezinë e Basriut, një vlerësim i sigurt mund të bëhet me këto fjalë: ai vërtet ishte poet me ndjeshmëri për të bukurën e me dije të lartë për sekretet e artit letrar. Ai krijoi poezi me vlera të larta estetike. Ai mbetet një poet urban dhe postmodern, por edhe poet mitik shqiptar. Një kala e shqipes, në këtë cep të botës sonë shqiptare. Një kala që nuk bie, deri sa në këto vise t’i thuhet bukës bukë e ujit ujë. Kjo është fuqia e poezisë. Poezia është më qëndrestare se sa vetë poetët. Prandaj jeton shumë më gjatë se sa ata dhe bile e pavarur prej tyre, siç vërtetohet edhe me këtë botim. (Parathënie për vëllimin e parë të veprës komplete të Basri Çapriqit, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë 2024)