Prof. dr. Shyqri Galica: GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË POEZINË SHQIPTARE, NGA DE RADA DERI NË DITËT TONA , STUDIM

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka qenë vazhdimisht figura historike që më së shumti i ka frymëzuar krijuesit
GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË POEZINË SHQIPTARE, NGA DE RADA DERI NË DITËT TONA

“Krijuesit që kanë gdhendur vargun me përkushtim, emrat që kanë dëshmuar prirjen e tyre poetike në konceptimin e realitetit historik e imagjinar, kanë arritur që këtë figurë ta trajtojnë me dashurinë që kishte Skënderbeu për atdheun dhe lirinë. Prandaj, poetët tanë Kolë Jakova, Llazar Siliqi, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Ernest Koliqi, Jakup Ceraja, Dritëro Agolli, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Karmell Kandreva, Mark Gurakuqi, Bilal Xhaferri, Beqir Musliu, Neki Kalaja, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Sabri Hamiti, Bedri Hysa etj. do t’i qasen me invencion kësaj figure, duke thurur poezi, sonete e kurora sonetike, poema dhe forma të tjera, duke ndriçuar personalitetin, bëmat dhe epokën e Skënderbeut, si dhe raportet e tij me luftëtarët dhe pushtuesin..”

Nga prof. dr. Shyqri Galica

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka qenë vazhdimisht figura historike që më së shumti i ka frymëzuar krijuesit e studiuesit e fushave të ndryshme të artit, kështu që është bërë një figurë e përjetshme e letërsisë shqipe,[1] si një personalitet i veçantë që ka zgjuar edhe interesimin e botës. Madje pothuajse s’ka poet që në një a mënyrë tjetër nuk i ka kënduar kësaj figure historike kombëtare, bashkëluftëtarëve a periudhës së tij, duke gjetur tek ai atdhedashurinë, dinjitetin dhe prosperitetin kombëtar, si një figurë sa reale, aq edhe mitike. Pra, kjo figurë e madhe e kombit dhe e historisë sonë ka gjetur shprehje edhe si histori, edhe si art, edhe si fakt, edhe si fiksion. Skënderbeu në fushën e krijimtarisë letrare artistike ka qenë figurë qendrore që nga penat më të hershme deri te krijimet e ditëve tona. Për Skënderbeun janë publikuar më shumë se një mijë punime të ndryshme historiografike, në më tepër se njëzet gjuhë të botës,[2] kurse sa i përket krijimtarisë imagjinare, numri i krijimeve artistike është shumëfish më i madh.
Vizioni i tij i ndritshëm për atdheun dhe lirinë, qëndresën e dinjitetin dhe për luftërat çlirimtare, përherë ka frymëzuar edhe shkencëtarët, edhe artistët. Fryma skënderbejane është reflektuar deri në ditët tona, në betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku Skënderbeu ishte figura prijëse, mbase sa vetë historia. Figurat e mëdha historike dhe ngjarjet e rëndësishme e vendimtare të së kaluarës bëhen gjithherë faktorë të rëndësishëm frymëzues të luftërave çlirimtare të popujve të robëruar.[3] Këtë figurë të madhe historike e kanë përjetësuar krijuesit në botën artistike, duke e bërë edhe mit, si një arketip që ka frymëzuar përherë poetët, prozatorët e dramaturgët me trimërinë, heroizmin dhe dashurinë e madhe për atdheun e lirinë. Kështu, ndër temat e figurat historike, Skënderbeu ka mbetur aktual gjithnjë, si një figurë madhështore e kombit dhe e historisë, si një shembull i veçantë edhe në historinë e përbotshme. Prandaj, Skënderbeu dhe epoka e tij jo rrallë janë trajtuar edhe nga studiues e krijues të huaj.

SKËNDERBEU – KRIJUESI I HISTORISË

Poetët tanë të të gjitha periudhave, që nga De Rada e këndej, u kanë kënduar Skënderbeut dhe bëmave të tij, qëndresës së tij heroike e mitike, që është kultivuar nëpër shekuj, është skalitur nga mendjet shkencore e krijuese letrare e artistike, duke gjetur te kjo figurë personalitetin e fuqishëm në aspektin njerëzor, ushtarak, strategjik, moral e kombëtar.
Skënderbeut, bashkëluftëtarëve dhe epokës së tij iu kënduan pothuajse të gjithë poetët tanë, duke përjetësuar nëpërmjet krijimeve e figurave poetike madhështinë, heroizmin, zgjuarsinë e lavdinë e epokës.
Në këtë kontekst historik artikulohet më mirë dhe më qartë dashuria e jashtëzakonshme për atdheun e lirinë, si një kryepersonazh krijues i historisë kombëtare.
Penat më të mprehta dhe më brilante, krijuesit që kanë gdhendur vargun me përkushtim, emrat që kanë dëshmuar prirjen e tyre poetike në konceptimin e realitetit historik e imagjinar, kanë arritur që këtë figurë ta trajtojnë me dashurinë që kishte Skënderbeu për atdheun dhe lirinë. Prandaj, poetët tanë Kolë Jakova, Llazar Siliqi, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Ernest Koliqi, Jakup Ceraja, Dritëro Agolli, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Karmell Kandreva, Mark Gurakuqi, Bilal Xhaferri, Beqir Musliu, Neki Kalaja, Ali Podrimja, Xhevahir Spahiu, Sabri Hamiti, Bedri Hysa etj. do t’i qasen me invencion kësaj figure, duke thurur poezi, sonete e kurora sonetike, poema dhe forma të tjera, duke ndriçuar personalitetin, bëmat dhe epokën e Skënderbeut, si dhe raportet e tij me luftëtarët dhe pushtuesin. Këtë artikulim poetët e bëjnë me mjete artistike, me fuqinë e fjalës dhe figurat poetike, duke krijuar imazhe poetike për Skënderbeun. Prirja e pikturimit fizik e psikologjik[4] përshkon këto krijime poetike, si një portretizim i shëmbëlltyrës së tij me virtyte sublime morale për ta mbrojtur atdheun, së këndejmi edhe qytetërimin evropian nga invazioni osman:

Njëzet e katër luftëra bëri,
Njëzet e katër vdekje theu,
Çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.[5]

(“Portreti i Skënderbeut”)

Veprimtaria vigane e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut artikulohet figurshëm nëpërmjet këtij vargu të Kadaresë, si një përpjekje titanike për ta mbrojtur kombin e atdheun. Në këtë poezi shquhen figura e lavdishme historike e Skënderbeut, njohja e së kaluarës dhe përjetimi i saj poetik. Virtytet kryesore të karakterit të tij, si trimëria, zgjuarsia atdhedashuria etj., Kadareja do t’i shquajë në poezinë “Portreti i Skënderbeut”, kurse në “Baladën e zhvarrimit” do të poetizojë legjendën e zhvarrimit të eshtrave të Skënderbeut nga turqit, që ishte një veprim makabër i pushtuesit.
Me një konceptim retorik dhe me një qasje të mëvetësishme poetike, Jakup Ceraja në poezinë “Skënderbeu” trajton në mënyrë metaforike figurën e këtij fatosi. Dy vargjet që nisin këtë krijim poetik shprehin gjithë madhështinë dhe forcën mitike të tij:

Legjenda thotë dy diej rrezitnin atëherë n’atë rrëmujë:
Njeni i zjarrtë në qiell e tjetri ma i zjarrtë në Krujë.[6]

(“Skënderbeu”)

Patosi i heroizmit reflektohet si rrezatim në krijimtarinë e poetëve tanë, që frymëzohen nga ngjarjet dhe figurat historike, duke mitizuar këto figura dhe duke gjallëruar estetikisht receptuesin. Interesimin e poetëve e grishin figura e bëmat e Skënderbeut në kontekstin e dashurisë së tij të jashtëzakonshme për atdheun, për pamjen e tij, për karakteristikat si luftëtar i zgjuar dhe si strateg i jashtëzakonshëm ushtarak.
Epoka e Skënderbeut ishte shumë e pasur me ngjarje sa tragjike, aq edhe të madhërishme, të denja për trajtim artistik. Të gjitha përpjekjet e pastajme të popullit tonë u lidhën me emrin e këtij heroi kombëtar, me kohën e tij dhe me sakrificat popullore, të ngritura deri në mit. Në këtë rrjedhë, poeti Fatos Arapi[7] ka trajtuar në mënyrën më specifike artistikisht e emocionalisht këtë figurë madhështore dhe epokën e tij në ciklin e poezive për Skënderbeun. Ky cikël poezish gjithsesi është një sintezë poetike e idealit të jetës, të vdekjes dhe të lirisë. Në të vërtetë, është një kompleks artistik modern, një konceptim poetik që fillon me lirinë, vazhdon me jetën dhe përfundon me vdekjen për lirinë. Poeti ka kapur ato çaste për të vënë në spikamë të përgjithshmen nëpërmjet së veçantës, fare të zakonshme, por shumë emocionuese, duke krijuar mozaikun që plotëson konturat e përmasës së kohës. Hapësira aty është një kategori tjetër poetike, jo vetëm si këngëtim, por edhe si konceptim i kushtëzuar nga prania e njeriut dhe e idealit të tij për liri. Shqipëria ishte skena ku tragjedia ishte luajtur “në një shekull të tërë…”:

Aty përgjakeshin shekujt e shkuar,
Përlesheshin të tjerë e të tjerë që vinin.
Ajo ishte tragjedia e madhe e Lirisë…
Dhe kishte për skenë Shqipërinë.[8]

(“Mbi majë të shpatës”)

Këtu krijohet një lëvizje interesante poetike e përmasës së kohës, që ndoshta është elementi thelbësor i realizimit artistik të poezisë. Mbi këtë lëvizje të kohës, përmbi ato rrokullisje që kishin ndodhur e që ndodhnin edhe më pas, edhe sot, ishte prania e njeriut, që poeti e ka dhënë përmes figurës së Prijësit:

Prijësi i madh i lirisë nga varri
përgjonte mbi fatin e popullit. Aty ishte…[9]

Çështja e pranisë së idealeve të lirisë, të jetës dhe të vdekjes imponon edhe mënyrën e identifikimit artistik të këtij trekëndëshi në poezinë e këtij cikli. Prandaj, identifikimin e Skënderbeut me popullin, përkatësisht të popullit me të dhe me lirinë, e ka realizuar nëpërmjet këtij kontrasti poetik:

Jeniçerët ç’mund t’i bënin Burrit të Dheut
Ishim ne, të djeshmit, të sotmit, të nesërmit,
– ishim ne Skënderbeu.[10]

(“Ishim ne…”)

Në këto dhe poezi të tjera të këtij cikli për Skënderbeun, Fatos Arapi trajton figurën dhe epokën e tij në mënyrë komplekse, me një shprehje karakteristike poetike, që shfaqet jo vetëm si një përjetim estetik, por edhe si një mesazh artistik që aktualizon historinë dhe idealin e lirisë. Fuqia artistike e kësaj poezie është e veçantë edhe si trajtim poetik, edhe si rrezatim estetik.

Aluzioni për aspiratat dhe vizioni për të ardhmen

Konteksti poetik sugjeron në ndërdijen e krijuesit dhe të receptuesit rrugën e mundimshme të popullit tonë nëpër histori, nëpërmjet një ligjërimi inventiv dhe të qëndrueshëm, që poezisë i japin një ton përkatës me objektin e këngëtimit. Në këtë kontekst, Ernest Koliqi në 500-vjetorin e lindjes së Skënderbeut do t’i këndojë atij, duke parë praninë e përhershme të heroit, madje “ai kthen” sa herë që e kërkon nevoja, siç ishte në shumë raste:

Mblidhni copat e thyeme
të shtizave,
ndeni leckat e shkyeme
të flamujve:
n’qe se vllaznija n’zemra
flakon me hove t’reja,
e Besa, hyll i kombit,
n’bashkimin t’on’ shkelqen,
Ai kthen.[11]

(“Ai kthen”)

Aluzioni për aspiratat dhe vizioni për të ardhmen shprehin në këtë poezi dashurinë e poetit për ta parë atdheun të bashkuar, ndërsa fuqia dhe zgjuarsia e Skënderbeut janë ato që mund ta bëjnë këtë. Sepse, siç do të vërë në dukje Karmell Kandreva:

Po arbëreshi gjën shpinë
ku luftohet për lirinë.
Skanderbeku kështu e mësoi
e Arbëreshi ng’ e harroi.[12]

(“Skanderbeku”)

Figura e Skënderbeut është parë nga krijuesit si një personalitet që nuk ndalet dot. Ai jo vetëm që është gjallë, por me luftën për lirinë, siç do të theksojë poeti Ali Podrimja, ka fituar përjetësinë:

Kohëve bredh dherave
Në Kështjellë thonë zgjuar rri
Unë besoj: Mbi kokë të Njeriut
Dritë bën Ai.[13]

(“Skënderbeu”)

Zhvillimet e reja të kësaj epoke kanë grishur krijuesit e të gjitha fushave, ndërsa poetët veçanërisht, të cilët botën e tyre të pasur poeti¬ke e artikulojnë nëpërmjet figurave, duke piketuar çaste të veçanta të jetës sonë. Edhe atëherë kur ndihet ngushtë, edhe në raste gëzimi, figura e Skënderbeut gjithsesi mbetet e qëndrueshme e legjendare.
Vetëm pas luftës së fundit Skënderbeu hyri në Kosovë me për¬ma¬sa të mëdha, me gjithë madhështinë e tij. Monumenti aq madhë¬shtor në bronz dhe vetë akti i vendosjes në zemër të Prishtinës bëri të frymëzohen shumë poetë për t’i kushtuar vargje Heroit tonë kombëtar. Njëri ndër ta, poeti Bedri Hysa, këtë çast të rrallë do ta përjetësojë kështu në vargjet e tij:

Në Prishtinë po vjen Skënderbeu
Bletë e plotë bëhet Gjithdheu

dhe poezinë do ta përfundojë me vargjet:

Dhe të vdekurit u ngjallën hynë në valle
Rritet Prishtina Kosovë Lule Alle[14]

(“Skënderbeu në Prishtinë”)

Tërë atmosferën entuziaste e shpreh me këto vargje të fillimit e të fundit të poezisë, duke përkujtuar edhe realitetin e ri funksional, që shquan rrjedhën historike nëpërmjet një çasti emocionues.
Është theksuar se krijimet poetike rreth figurës së Skënderbeut kryesisht janë krijuar sipas dy modeleve artistike – glorifikimit dhe heroizimit të historisë dhe atyre që janë trajtuar nga qasje realiste kritike.[15] Migjithatë, që të dyja synojnë paraqitjen e figurës dinjitoze të heroit, varësisht nga koncepti dhe mënyra e realizimit artistik.
Poetët tanë kanë artikuluar në krijimet e tyre nëpërmjet figurës së Skënderbeut botën e shqetësuar shqiptare, preokupimet e saj dhe përpjekjet për të dalë nga zgjedha e pushtuesit. Ky personalitet historik ka përvetësuar botën artistike e shkencore me veprimet, me strategjinë luftarake, me synimet dhe përkushtimin ndaj atdheut e lirisë. Prandaj, si dje, edhe sot, edhe nesër për krijuesit dhe shqiptarin Skënderbeu, pa dyshim, do të jetë burim i përhershëm frymëzimi dhe krenarie kombëtare.