Prof.dr Skender Asani: Maqedonia e Veriut midis reformimit dhe stagnimit të procesit eurointegrues

 

 

Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike. Kjo është edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

Nga Prof.dr Skender Asani

Draft-raporti i fundit i raportuesit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputetit Thomas Weitz, përfaqëson një moment kritik reflektimi për drejtimin strategjik të shtetit dhe për qëndrueshmërinë e perspektivës së tij evropiane. Dokumenti, i cili pritet të diskutohet dhe të amendohet në kuadër të procedurave institucionale të Parlamentit Evropian dhe në kontekstin më të gjerë të politikave të zgjerimit të Bashkimit Evropian, artikulon një kritikë të thellë ndaj stagnimit reformues, mungesës së vullnetit politik dhe dobësive strukturore që vazhdojnë ta mbajnë Maqedoninë e Veriut në një gjendje të zgjatur pezullimi në procesin e integrimit. Përtej formulimeve diplomatike që zakonisht karakterizojnë dokumentet e zgjerimit, raporti përfaqëson një sinjal të qartë alarmi për rrezikun e humbjes së momentumit historik të integrimit dhe për degradimin gradual të kredibilitetit ndërkombëtar të shtetit.

Megjithatë, një lexim më i thellë i përmbajtjes së raportit dhe i kontekstit politik në të cilin ai është prodhuar sugjeron se kriza e integrimit nuk është vetëm rezultat i stagnimit të reformave teknike apo i polarizimit të brendshëm politik. Në një nivel më të thellë, ajo lidhet me transformimin gradual të arkitekturës politike dhe kushtetuese të ndërtuar pas vitit 2001 mbi parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo marrëveshje, e cila përbën bazën e stabilitetit ndëretnik dhe të konsensusit politik në shtet, kishte për qëllim ndërtimin e një sistemi institucional të balancuar që garanton përfaqësim të drejtë, barazi substanciale dhe mekanizma të ndërsjellë kontrolli midis komuniteteve kryesore të shtetit. Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit sugjerojnë se disa prej komponentëve themelorë të kësaj arkitekture po relativizohen gradualisht në praktikën institucionale dhe në kulturën politike të qeverisjes.

Në mënyrë paradoksale, ndërkohë që institucionet evropiane insistojnë në avancimin e standardeve të mbrojtjes së komuniteteve dhe në përmbushjen e Kriterereve te Kopenhagës, realiteti i brendshëm politik në vend tregon një prirje të heshtur drejt dobësimit të disa prej mekanizmave që garantonin balancën ndëretnike të sistemit. Në vend që Marrëveshja e Ohrit të zhvillohej në drejtim të thellimit të politikave të barazisë substanciale dhe të mekanizmave të diskriminimit pozitiv për komunitetet jo-shumicë, një pjesë e ligjeve bazë që përbëjnë shtyllat funksionale të kësaj marrëveshjeje po përballen me procese relativizimi, zbehjeje apo edhe suprimimi gradual në praktikën legjislative dhe institucionale. Ky zhvillim krijon një kontradiktë të dukshme midis diskursit formal të integrimit evropian dhe realitetit të transformimeve të brendshme politike.

Në këtë kuptim, stagnimi i procesit të integrimit nuk duhet interpretuar vetëm si një problem teknik i harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, por si një simptomë e një krize më të gjerë të funksionalitetit institucional dhe të kulturës politike në vend. Reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e drejtësisë vazhdojnë të mbeten të fragmentuara dhe pa efekt transformues real, duke prodhuar një perceptim të vazhdueshëm të brishtësisë së rendit juridik dhe politik. Në këtë kontekst, stagnimi i integrimit evropian shfaqet si reflektim i mungesës së një konsensusi strategjik të elitave politike për drejtimin afatgjatë të shtetit.

Pikërisht për këtë arsye, faza aktuale e diskutimit të draft-raportit në Parlamentin Evropian përfaqëson një moment të rëndësishëm politik dhe diplomatik. Deri në fazën përfundimtare të miratimit të raportit, subjektet politike shqiptare në vend mbajnë një përgjegjësi të veçantë historike dhe institucionale për të ndërmarrë një mobilizim të koordinuar politik, akademik dhe diplomatik me qëllim që në procesin e amendimit të dokumentit të pasqyrohen në mënyrë të argumentuar devijimet që kanë ndodhur në zbatimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit. Një qasje e tillë nuk përbën internacionalizim të debateve të brendshme politike, por një kontribut legjitim për një kuptim më të plotë të realitetit institucional të vendit nga ana e institucioneve evropiane.

Një mobilizim i tillë bëhet edhe më i domosdoshëm në dritën e qëndrimeve të qarta që kanë artikuluar institucionet e Bashkimit Evropian dhe partnerët strategjikë të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve politike që kanë garantuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në diskursin euro-atlantik ekziston një përkushtim i qartë që marrëveshjet e arritura në rajon  të cilat kanë qenë rezultat i proceseve të ndërlikuara të ndërmjetësimit ndërkombëtar të trajtohen si elemente themelore të stabilitetit institucional dhe të mos relativizohen përmes kalkulimeve të brendshme politike.

Në këtë perspektivë, raporti i Thomas Weitz nuk duhet të lexohet vetëm si një dokument teknik vlerësimi mbi progresin e reformave, por si një mundësi strategjike për të hapur një debat më të thellë mbi drejtimin institucional të shtetit. Nëse në procesin e miratimit përfundimtar të raportit nuk adresohen edhe dimensionet që lidhen me degradimin gradual të arkitekturës konsensuale të ndërtuar pas vitit 2001, ekziston rreziku që analiza evropiane të mbetet e pjesshme dhe e paplotë. Për këtë arsye, artikulimi i qartë i devijimeve nga parimet e Marrëveshjes së Ohrit dhe i procesit të zbehjes së mekanizmave të barazisë substanciale duhet të bëhet pjesë integrale e debatit evropian mbi progresin demokratik të shtetit.

Në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ky moment përkon edhe me një fazë të ndjeshme të konkurrencës së ndikimeve strategjike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Stagnimi i reformave dhe paqartësia strategjike e orientimit politik krijojnë kushte të favorshme për depërtimin e ndikimeve alternative gjeopolitike, të cilat shpeshherë nuk e shohin integrimin evropian si prioritet strategjik. Nëse perspektiva evropiane vazhdon të mbetet e bllokuar dhe procesi i reformave i paralizuar nga kalkulimet e brendshme politike, ekziston rreziku që vendi të hyjë në një fazë të re të paqartësisë strategjike dhe të një balancimi të pasigurt midis orientimeve të ndryshme gjeopolitike.

Prandaj, draft-raporti aktual duhet të interpretohet si një paralajmërim politik me peshë për të ardhmen institucionale të shtetit. Ai nuk është vetëm një dokument vlerësimi mbi progresin e reformave, por edhe një mundësi për të rikthyer në qendër të debatit evropian respektimin e kontratës politike ndëretnike që ka garantuar stabilitetin e vendit për më shumë se dy dekada. Pa një rikthim të qartë të vullnetit politik për reforma reale, pa respektimin e plotë të parimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe pa një orientim strategjik të pakontestueshëm drejt Bashkimit Evropian, procesi i integrimit rrezikon të mbetet i bllokuar për një periudhë të gjatë. Në këtë kuptim, momenti aktual përfaqëson jo vetëm një test për kredibilitetin e elitës politike të Maqedonisë së Veriut, por edhe një provë për përgjegjësinë historike të aktorëve politikë shqiptarë për të mbrojtur dhe artikuluar në mënyrë të qartë parimet mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i shtetit.

 

Shkup, 09 mars 2026