( Dokumenti diplomatik italian si dëshmi e vazhdimësisë së projektit serbo-bullgar për shkombëtarizimin e shqiptarëve )
Prof. Dr. Skender Asani
Historia e Ballkanit nuk mund të kuptohet vetëm përmes luftërave, ndryshimeve të kufijve dhe përplasjeve ushtarake. Pas këtyre zhvillimeve ka vepruar një mekanizëm shumë më i ndërlikuar, i ndërtuar mbi administratën shtetërore, diplomacinë, propagandën dhe manipulimin juridik të identitetit. Pikërisht në këtë dimension duhet kërkuar një nga projektet më afatgjata të transformimit etnik në Evropën Juglindore: strategjia sistematike për reduktimin e pranisë shqiptare në trojet e veta përmes ndryshimit të identitetit administrativ, përpara se të realizohej shpërngulja fizike e popullsisë. Dokumentet arkivore dëshmojnë se spastrimi etnik nuk fillonte domosdoshmërisht me armë; ai niste shumë më herët në regjistrat civilë, në administratën shtetërore, në institucionet fetare dhe në procedurat burokratike.
Kjo strategji u kodifikua gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore në Mbretërinë e Jugosllavisë përmes marrëveshjeve serbo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve drejt Anadollit. Në pamje të parë, këto marrëveshje paraqiteshin si instrumente për menaxhimin e migrimit, por në të vërtetë ato përfaqësonin fazën përfundimtare të një projekti shumë më të gjerë shtetëror. Për ta larguar shqiptarin nga vendlindja e tij, më parë duhej t’i mohohej identiteti shqiptar në regjistrat zyrtarë. Përkatësia fetare u shndërrua në instrument për mohimin e identitetit kombëtar. Regjistrimi i shqiptarëve myslimanë si turq krijonte bazën juridike që shpërngulja e tyre të paraqitej si zbatim i një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy shteteve dhe jo si dëbim i dhunshëm i një popullsie autoktone.
Kjo doktrinë politike nuk u ndërpre me Luftën e Dytë Botërore. Përkundrazi, dokumentet diplomatike italiane dëshmojnë se, pas pushtimit bullgar të Maqedonisë, administrata bullgare vazhdoi të zbatonte të njëjtën logjikë, duke ndryshuar vetëm instrumentet, por jo objektivin strategjik. Regjimet ndryshonin, por synimi mbetej i pandryshuar: dobësimi gradual i elementit shqiptar përmes manipulimit të identitetit, kontrollit administrativ dhe krijimit të kushteve për shpërngulje. Vazhdimësia e kësaj politike dëshmon se nuk bëhej fjalë për masa të rastësishme apo të izoluara, por për pjesë përbërëse të një koncepti afatgjatë të inxhinierisë demografike.
Një nga dëshmitë më domethënëse për këtë projekt ruhet në fondet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, veçanërisht në dokumentacionin që lidhet me Bashkësinë Islame në Maqedoni. Raportet diplomatike italiane nuk ishin materiale propagandistike, por burime parësore të hartuara ekskluzivisht për përdorim të brendshëm qeveritar. Pikërisht ky karakter u jep atyre një vlerë të jashtëzakonshme historiografike. Në raportin e Konsullit Mbretëror Italian në Shkup thuhet qartë se autoritetet bullgare kishin filluar regjistrimin sistematik të myslimanëve si turq. Diplomacia italiane theksonte shprehimisht se shumica dërrmuese e tyre ishin në të vërtetë shqiptarë. Ky dokument rrëzon narrativat që për dekada e paraqitën këtë proces si pasqyrim të një realiteti etnik autentik dhe provon se ai ishte rezultat i një ndërhyrjeje të vetëdijshme shtetërore në identitetin kombëtar të komunitetit shqiptar.
Dokumenti italian zbërthen mekanizmin real të funksionimit të këtij projekti. Ai dëshmon se objektivi nuk ishte komuniteti etnik turk, por shqiptarët myslimanë të Maqedonisë, të cilëve duhej t’u hiqej identiteti kombëtar përpara se t’u mohohej e drejta mbi vendlindjen. Në këtë mënyrë, regjistrimi civil pushoi së qeni një instrument statistikor dhe u shndërrua në armë politike. Administrata nuk regjistronte më realitetin, por krijonte një realitet të ri juridik, i cili më vonë përdorej për të legjitimuar transformimet demografike. Shqiptari zhdukej fillimisht si kategori juridike dhe vetëm më pas si prani fizike në trojet e veta.
Paralelisht zhvillohej edhe një goditje sistematike ndaj elitës fetare shqiptare. Burgosja, internimi dhe dëbimi i imamëve dhe myftinjve shqiptarë, si dhe zëvendësimi i tyre me klerikë të afërt me politikat shtetërore, synonte të shkëpuste lidhjen midis Islamit dhe vetëdijes kombëtare shqiptare. Institucionet fetare u shndërruan në instrumente të inxhinierisë së identitetit. Dobësimi i rolit të tyre kombëtar krijoi terrenin psikologjik dhe administrativ për realizimin e projektit të shpërnguljes.
Po aq e rëndësishme ishte edhe politika ndaj pronës. Siç dëshmojnë dokumentet diplomatike italiane, autoritetet ndërhynin në procedurat noteriale dhe vendosnin kufizime në shitblerjen e pronave të shqiptarëve myslimanë. Këto masa nuk ishin veprime të izoluara burokratike, por pjesë integrale e të njëjtit projekt strategjik. Cenimi i sigurisë juridike mbi pronën dobësonte bazën ekonomike të komunitetit shqiptar dhe e bënte largimin e tij pothuajse të pakthyeshëm. Kështu, identiteti, prona dhe pushteti administrativ u shkrinë në një mekanizëm të vetëm të transformimit etnik.
Në këtë kontekst historik, diplomacia shqiptare mori një rëndësi të veçantë. Hamit Kokallari, konsull i Shqipërisë në Shkup, dhe Xhafer Belegu, konsull i Shqipërisë në Manastir, e tejkaluan funksionin tradicional të përfaqësuesit diplomatik dhe u shndërruan në mbrojtës të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përmes raporteve diplomatike, ndërhyrjeve pranë autoriteteve kompetente dhe mbështetjes për institucionet arsimore, kulturore e fetare shqiptare, ata iu kundërvunë politikave të shkombëtarizimit dhe dëshmuan se shteti shqiptar nuk kishte hequr dorë nga përgjegjësia e tij morale ndaj shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Konsullatat shqiptare në Shkup dhe Manastir u shndërruan kështu në qendra të rezistencës diplomatike kundër politikave që synonin ta reduktonin shqiptarin në një kategori thjesht fetare, të zhveshur nga identiteti i tij kombëtar.
Rëndësia e dokumentit diplomatik italian e tejkalon historinë shqiptare. Ai ofron një model universal të përdorimit të administratës shtetërore si instrument për transformimin e identitetit etnik. Në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore, praktika të tilla përbëjnë shkelje serioze të të drejtave kolektive, të drejtës së pronës dhe parimit themelor të mosdiskriminimit. Për këtë arsye, dokumenti duhet të konsiderohet një burim themelor për studimin e fazave fillestare të spastrimit etnik, ku burokracia i paraprin dhunës dhe veprimet administrative hapin rrugën për shpërnguljen me forcë.
Kjo logjikë nuk i përket vetëm së kaluarës. Zhvillimet bashkëkohore tregojnë se mekanizmi themelor shpesh mbetet i njëjtë, edhe pse format e zbatimit ndryshojnë. Rasti i pasivizimit të adresave të banimit të shqiptarëve në Medvegjë është një shembull domethënës se si një procedurë në dukje administrative mund të prodhojë pasoja të thella politike dhe demografike. Humbja e adresës së regjistruar nënkupton kufizime në të drejtën e votës, në të drejtën e pronës, në qasjen ndaj dokumentacionit zyrtar dhe, në fund, dobësimin e lidhjes juridike ndërmjet individit dhe vendbanimit të tij. Nuk bëhet fjalë për një krahasim mekanik të epokave të ndryshme historike, por për ilustrimin e vazhdimësisë së një logjike, sipas së cilës administrata përdoret për të transformuar realitetin demografik.
Reflektime të ngjashme imponojnë edhe zhvillimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfaqëson themelin kushtetues mbi të cilin janë ndërtuar stabiliteti ndëretnik, përfaqësimi i drejtë dhe orientimi euroatlantik i shtetit. Në këtë kontekst, çdo përpjekje për ta relativizuar frymën e saj, për të dobësuar mekanizmat e barazisë ose për të zbehur gradualisht pozitën kushtetuese të shqiptarëve nuk prek vetëm një komunitet etnik, por cenon vetë arkitekturën politike dhe kushtetuese të ndërtuar pas vitit 2001. Pikërisht në këtë prizëm duhet parë edhe ndërhyrja në legjislacionin që ndan popullsinë në kategori rezidente dhe jorezidente, e cila, ndonëse paraqitet si një zgjidhje tekniko-administrative, prodhon pasoja të thella juridike, politike dhe demografike. Në momentin kur kategorizimet statistikore fillojnë të ndikojnë në përmasën e të drejtave kolektive, në përfaqësimin institucional, në zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat, në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe në shpërndarjen e burimeve publike, statistika pushon së qeni një instrument neutral administrimi dhe shndërrohet në mekanizëm të sofistikuar të inxhinierisë institucionale të identitetit, përmes së cilit balanca kushtetuese mund të rikonfigurohet pa ndryshuar formalisht rendi juridik. Njëkohësisht, nëse këto ndërhyrje reflektohen edhe në të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, pasojat mund të ndihen veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, ku diaspora shqiptare përbën një faktor me peshë në strukturën demografike dhe në ekuilibrin elektoral, duke krijuar rrezikun e ndryshimit të balancave të përfaqësimit politik në një numër komunash të Maqedonisë Perëndimore. Për këtë arsye, debati nuk lidhet thjesht me metodologjinë e regjistrimit apo me administrimin teknik të zgjedhjeve, por me ruajtjen e frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me garantimin e standardeve kushtetuese e demokratike dhe me pengimin e një forme bashkëkohore të transformimit gradual të realitetit politik dhe identitar përmes mekanizmave statistikorë e institucionalë me legjitimitet të dukshëm formal.
Në këtë kontekst merr rëndësi të veçantë veprimtaria diplomatike e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, në mbrojtje të frymës dhe substancës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Një angazhim i tillë nuk duhet të interpretohet si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër, por si vazhdimësi e traditës së diplomacisë shqiptare, e cila në momentet kyçe të historisë është përpjekur të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimit euroatlantik. Edhe pse në rrethana krejtësisht të ndryshme historike, kjo qasje pasqyron të njëjtën filozofi diplomatike që dikur mishëruan Hamit Kokallari dhe Xhafer Belegu.
Ky shkrim nuk synon të ringjallë antagonizma të vjetra. Përkundrazi, ai synon të dëshmojë se mbrojtja e së vërtetës historike të dokumentuar është parakusht themelor për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe të një shoqërie demokratike funksionale. Shoqëritë që nuk analizojnë mekanizmat burokratikë përmes të cilëve janë prodhuar padrejtësitë historike rrezikojnë t’i riprodhojnë ato në forma të reja dhe më të sofistikuara.
Prandaj, ndërkombëtarizimi i dokumentacionit arkivor, botimi shumëgjuhësh i burimeve diplomatike, bashkëpunimi ndërmjet arkivave të Shqipërisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe organizimi i konferencave ndërkombëtare shkencore nuk duhet të konsiderohen thjesht detyrime akademike. Ato janë elemente të domosdoshme të diplomacisë parandaluese, të projektuara për të mbrojtur të vërtetën historike dhe për të parandaluar rikthimin e mekanizmave administrativë të transformimit të identitetit, të cilët kanë shënuar thellësisht historinë e Ballkanit gjatë shekullit XX.
Dokumenti diplomatik italian, fondet arkivore të Bashkësisë Islame, veprimtaria e konsujve shqiptarë Hamit Kokallari dhe Xhafer Belegu, si dhe përpjekjet bashkëkohore te ambasadorit Denion Meidani për ruajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit përfaqësojnë hallka të një vazhdimësie të vetme historike. Së bashku, ato dëshmojnë se mbrojtja e identitetit shqiptar nuk është zhvilluar vetëm në fushën e betejës, por edhe në diplomaci, në kërkimin arkivor, në administratën publike dhe në mbrojtjen e rendit kushtetues. Pikërisht kjo vazhdimësi historike e bën mbrojtjen e së vërtetës dokumentare, garantimin e paprekshmërisë së të drejtave kolektive dhe parandalimin e mekanizmave të padukshëm të inxhinierisë së identitetit një përgjegjësi të përbashkët të diplomacisë shqiptare dhe të komunitetit ndërkombëtar, në funksion të një Ballkani demokratik dhe euroatlantik.
Shkup, 20 korrik 2026


















