Prof. dr. Spiro Mëhilli: SHQIPTARËT NË UKRAINË STALINI DHE SHQIPTARËT

Mё 24 maj 1794, me urdhёr te Ekaterinёs II, në jug të Ukrainës, buzë Detit të Zi, u ndёrtua njё port ushtarak, që nё vitin 1795 e quajti Odesё, dhe mё 1796 e futi atë nё gubernёn e Novorosiskut. Ka të ngjarë që shqiptarë të ketë pasur me kohë në atë qytezë, sepse, menjëherë pas themelimit të qytetit, takojmë dy rrugё shqiptare: “Bolshaja Arvanitskaja Ulica” (Rruga e madhe arvanite-shqiptare-S.M.) dhe “Mallaja Arvanitskaja Ulica (Rruga e vogёl arvanite-shqiptare- S.M.), që datojnë në vitet 1794-1795, si dhe bukën e famshme të zezё, “Arvanitskij hljeb” (bukё e gatuar alla shqiptarshe me thekёr dhe shumё e shtrenjtё- S.M.).
Vite mё vonё, drejt verilindjes sё Europёs filloi emigrimi nё masё i shqiptarëve që u quajt “lёvizje shqiptare” me bullgarё, me vlleh dhe me shqiptarё nga Maqedonia Perёndimore, nga Shqipёria e Mesme (Qendrore) si dhe nga ajo Juglindore, kryesisht nga rrethi i Korçёs dhe krahina e Devollit. Fillimisht, ata u vendosёn nё juglindje tё Bullgarisё, nё fshatin bullgar tё Mandricёs. Koloni shqiptare ka pasur jo vetёm nё Bullgarinё Jugore por dhe nё verilindje. Rreth 10 km larg nga Varna, që për disa vite në komunizëm, u quajt “Stalino”, ndodhej fshati bullgar Devino (Devna, Devnja, Devnje) i ujezdës Provadijskij, emёr qё e mori nga lumi Devino, qё rridhte aty pranё. Nё atё fshat, ose pothuaj ngjitur me të, u vendos njё koloni shqiptare me rreth 300 familje, dhe e quajtën atё vend Devi. Nё vitet 1809-1810, nga fshati Devi, shqiptarёt bashkё me bullgarё shkuan nё Besarabi duke kaluar nga qyteti Galac pёr t’u vendosur nё fshatin tartar Çumaj, të Ujezdës Kagulskij, afër Jallkuçit dhe më vonë nё bregun e djathtё tё liqenit Jallpug, pranë lumit Sarlik e më pas në fshatrat Tabak, kёshtu quhej para vitit 1819 qyteti Bollgrad, Vollkanesh, Çadër-Lunga, Besh-Gjoz, Verhnebuxhaskij dhe Kagullo-Prutskij. Nё vitin 1811, prej andej u shpërngulën një pjesë e mirë e fshatarëve dhe shkuan nё anёn e majtё tё liqenit Jallpug, jo larg lumit Sarllik, dhe themeluan fshatin Karakurt, qё aktualisht bie nё qarkun e Odesёs, afёrsisht 6-8 km në juglindje të fshatit Tabak, nё veri tё qytetit Izmail. Dhe që nga ai vit, ata vazhdojnë të banojnë në atë vend duke ruajtur zakonet dhe deri diku gjuhën amtare. Të moshuarit, tregojnë se të parët e tyre rridhin prej anëve të Korçës, dhe për mos t’u persekutuar nga turqit u shpërngulën nga atdheu. Nё vitin 1861, njё pjesё e shqiptarёve që banonin në Karakurt, u shpërngulën duke kaluar në rrugën Akerman-Odesë-Nikollajev-Berisllav nëpërmjet dy kalimeve të mëdha: përmes Bugit në Nikollajev dhe Dnjeprit në Berisllav, dhe në rajonin e Berdjanit ata u sistemuan nё bregdetin Azov, dhe nё vitin 1862 themeluan tri fshatra: Taz, Gjandran dhe Qushki ( emra sikundër i kanë pagëzuar banorët e parë shqiptarë), qё mё vonё u quajtёn me emrat e ri rusë ose ukrainas, pёrkatёsisht Devnjenskoje, Gamovka dhe Georgievka. Devnjenskoje, Gamovka dhe Georgievka ndodhen nё rrethin Priazovsk tё qarkut Zaparozhje , 30 km në juglindje të qytetit Melitopol dhe shumё afёr njëra-tjetrёs. Gamovka buzё lumit Domuzlli, qё derdhet nё Detin Azov, ndёrsa Georgievka dhe Devnjenskoje shtrihen nё bregun e djathtё tё lumit tё vogёl Akiokrak, qё ёshtё degё e lumit Domuzlli. Karakurti dhe këto tre fshatra ndodhen në territorin e Ukrainës. Banorët ruajnë folklorin gojor dhe koreografik. Nё vitin 1949, sipas Selim Islamit, deri në vitin 1949, në ato tre fshatra banonin 1050 shqiptarё, banorё nga Korça dhe mё pak nga Maqedonia dhe ishin tё bashkuar nё kolkozin “Kaganoviç”.
Në vitet 1877-1878 në kohën e Aleksandrit II, një numër i madh shqiptarёsh morën rrugën dhe u vendosёn kryesisht nё Odesё, në një komunitet prej 5000 vetash, sepse e patёn mё tё lehtё tё shkonin me anije sesa me rrugё tokёsore dhe më pas u shpërndanë në qytete të ndryshme të Perandorisë Ruse. Një pjesë e tyre u vendosën në një lagje të Odesës, që dhe tani mban emrin “Mali Arnauti”. Të tjerë u vendosën në Sank Petërburg, në Harkov, në Irkutsk, në Inovgentevsk afër Irkutskut, në Verhneudinsk, në Svjerdllovsk, në Kamenec, në Sevastopol, në Siberi, në Kutaisk, në Suhumi dhe në Vladivostok.
Autorët Musliu dhe Dauti që kanë hulumtuar mbi shqiptarët e Ukrainës, në një titull të veçantë “Stalini vrau 2000 shqiptarë të Tazit, varreza masive e viktimave të “murtajës”, e vërteta e fshehur me vite” shkruajnë sesi e tregon ngjarjen banori vendas Mihajl: “Thonin se është çuma (kolera) që kjo botë të vdesë, por kjo nok klinka kështu. Ata botë i hidhkan të gjallë në këtë baltë. Po ne këtë nok e dinim.Tashti kur u bë slobodna (e lirë) Ukraina, tashti na thanë drejt. Ata donin të na unishtitin (likuidojnë), na të mos ishim hiç në jetë.Qysh dëften ime mamo, dhe botë (shumë) pleq, këtu janë edhe ime tatë, ime totë (baba dhe tezja), këtu janë edhe imë pesë ulshur. Ata nok na dashkan neve në këtë baltë, imi të gënjurë (gënjyer), nok na dashkan hiç në këtë baltë. Por neve na gënenin. Kjo u bë në kohën kur ishte Stalini, në motmot 1933. Hecnin nëpër fshat, kush kish një cërkë bukë, kush kishte një cërkë koqe (drithë) na merrnin, të mos ket ç’të hajë vdisnin botë. Mamo më dëftente, vajta në Kladovë të marr një cërkë mill, nga mbrapa ngarend i jatë, vëllau thot vdekka. Ajo nok vjen prap, mbet të marrë një cërkë millë jatër të mos vdesë. Ajo nuk e paska të vëllanë kur e sollën këtu dhe e hedhkan në këtë baltë të mos vdesë të tjerë fëmijë. Unë ndoshta nok shqipton (kuptoj) mirë si tantë, por kush dilingon neve, desha të tregoj drejt se ata neve deshën të na bënë fiziçeski unishtozhe (likujdojnë fizikisht). Botës tanë atje ku na dilingojnë, desha të tregoj drejt se ata neve deshën të na likujdojnë. E tashti tantë botë, nga një cërkë, ngas një cërkë e gjetën të vërtetë se Stalini tantë botë desh në na unishtat (likujdojë)…..jer të vdes bëjë skarbit (*uratë) për tantë botë, për motra dhe vëllezër tantë….Ju e shihni këtë poljanë (fushë), këtu të gjithë të mbulut të tantë botë, në vitet tridhjetetre. Fshati tanë ishte nga tantë botë, pastaj këtu sollnë preselencë (të ardhur). ‘u desh kjo punë, dhe ku do klahesh (ankohesh)”. E vështirë të pranohet si shifër kur dihej sesa shqiptarë kishte ai fshat. Po të besojmë Gertruda Josifovna Ejntrein që thoshte se “Në Karakurt shqiptarët janë rreth 2000”, duke shtuar dhe të tjerë nga Odesa dhe nga vende të tjera ku banonin shqiptarë, atëherë kjo shifër duhet të jetë e pranueshme. Në kohën e LIIB, sipas Ramadan Çilkut, “Stalini nuk i pranonte ushtarët shqiptarë nga Karakurti e gjetkë. Ai i merrte vetëm në armatën e punës, për të punuar nëpër miniera. Kështu ishte deri në vdekje të tij dhe shumë shqiptarë kanë lënë eshtrat në Basenin e Donit”. Nga këto thënie, Stalini që nga ajo kohë nuk i kishte në konsideratë shqiptarët dhe për analogji edhe Shqipërinë.
Në Konferencën e Moskës, në tetor të vitit 1944, në takimin që patën delegacionet e Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, me pjesëmarrjen e Stalinit, Molotovit, Çërçillit, Idenit, Herrimanit dhe përkthyesve Birs e Pavllov, në tavolinën e bisedimeve, pa i vënë në dijeni udhëheqësit e SHBA-ve, sipas propozimit të Çërçillit dhe dakortësisë së Stalinit, ata vendosën influencën e tyre në Ballkan. Sipas tyre, Rumania do t’i takonte 90% Rusisë dhe pjesa tjetër prej 10% do t’i takonte të tjerëve, për më tepër që Rumania kishte dërguar në BS 26 divizione. Greqia do t’i takonte 90%-100% ose 90% Britanisë së Madhe dhe 10% Rusisë. Jugosllavia dhe Hungaria do të ndaheshin në mes, pra, 50% me 50%, midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe. Përsa i përkiste Bullgarisë, Rusia propozoi që t’i takonte 75% asaj dhe 25% të tjerëve. Shqipëria nuk u zu me gojë, sikur ajo, sipas tyre, të mos egzistonte si shtet, pavarësisht të ndonjë deklarate të lëshuar prej Tre të Mëdhenjve, ku vlerësohej lufta e popullit tonë kundër pushtuesve nazist. Duket, që, në atë mbledhje, fati i Shqipërisë ishte caktuar që t’i takonte Jugosllavisë. Edhe tentative për zbarkimi e anijeve britanike në bregdetin e Himarës dhe të Sarandës duhej të ishte një truk, sepse ushtria jonë nuk kishte takat t’i kundërvihej asaj britanike. Si përfundim, me propozimet e Çërçillit, Stalini ishte më se dakort.
Edhe në Konferencën e Jaltës, në vitin 1945, Stalini do të shprehej: “Është qesharake të mendosh që një vend i vogël si Shqipëria, që në Organizatën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara të ketë një zë të barabartë me Rusinë dhe a janë të detyruara Fuqitë e Mëdha të derdhin gjakun për t’i çliruar ata? Jam dakort me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe për t’i mbrojtur të drejtat e fuqive të vogla, por, nuk do të pranoj kurrë që çfarëdo vendimi ose aksioni i Fuqive të Mëdha t’i nënshtrohet gjykimit të të vegjëlve. Dhe më tej do të shprehej: “Jugosllavia, Shqipëria dhe vendet e tjera të vogla analoge nuk kanë të drejtë të jenë në këtë tavolinë me të tjerët. Dëshironi ju që Shqipëria të ketë të njëjtin status me SHBA-të? Ç’ka bërë Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë? Duhet ne, të Tre, të vendosim si të mbrojmë paqen në botë, paqe që do të ruhet vetëm po e ruajtëm Ne të Tre”? [Jugosllavia ishte shtet më i madh se Rumania ose Bullgaria, përkatësisht 255 km2, 237 km2 dhe 111 km2 dhe se lufta i kushtoi me 1750000-1850000 të vrarë. S.M.].
Sipas Illy Macrout, Stalini “ishte i gatshëm të deklaronte të bashkoheshin SHBA-të dhe Britania për të mbrojtur të drejtat e vendeve të vogla, por, ai, nuk mund të pranonte kurrë që të shkonte i bindur mbi gjykimin e të vegjëlve në aktet e fuqive të mëdha”. Ndërsa sipas Fransua Fejtos, Stalini do të shprehej: “vendet e vogla si Jugosllavia, Shqipëria dhe vende të tjera analoge nuk kanë të drejtë të jenë në këtë tavolinë”. Çuditërisht, sipas tij, edhe Çërçilli do të shprehej: “Shqipëria duhet lënë me zogjtë e vegjël të këndojë dhe nuk duhet të shqetësohemi për arësye së ato këndojnë”.
Mendimi i Stalinit në vitin 1947 do të ishte akoma më i avancuar. Sipas Andrey C. & Gordievskij O, ai do t’i thoshte Milovan Gjilasit: “Ne jemi dakort që Jugosllavia ta gllabërojë Shqipërinë dhe duhet ta gëlltisni sa më shpejt aq më mirë”. Këtu mund të jap dy fakte kokëfortë: Të gjitha ndihmat që Bashkimi Sovjetik i akordonte Shqipërisë në ato vite, kalonin nëpërmjet Jugollavisë si dhe në Bashkimin Sovjetik ka pasur grup kursantësh shqiptarë që kanë qenë në një klasë me kursantë jugosllavë. Mendimi i tij duket se ndryshoi po atë vit, kur ai priti Enver Hoxhën, dhe kjo, me sa duket, pasi në atë kohë, Titoja kishte filluar t’i kundërvihej hapur Stalinit. Sipas Fatos Voshtinës, më 9 dhjetor 1948, pesë muaj pas prishjes së marrdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, nëntë anije italiane: kryqëzori “Jul Çezari”, – 25000 tonë; kryqëzori i lehtë “Emanuele Filiberto Duka d’Ostia”, kaçatorpedinerët “Artilieri” dhe “Fuçilieri”; minaçminueset “Animoso”, “Artimendoso” dhe “Fortunalia, si dhe nëndetëset “Marea” dhe “Nichelo” u nisën nga Taranto, kaluan në Augusta dhe më 15 dhjetor u futën dhe qëndruan në radë në Gjirin e Vlorës. Më 3 shkurt 1949, në një ceremonie zyrtare të lartë, admirali sovjetik G.I.Lavçenko, kryqëzorit “Jul Çezari” i vuri numrin simbolik “Z 11”, për ta pagëzuar në Rusi me emrin “Novorosisk”, i mori ato në dorëzim dhe më 26 shkurt i ankoroi në Sevastopol. Gjithçka që mbeti nga flota ushtarake Italiane dhe disa anije tregtare i mori Bashkimi Sovjetik si reparacione nga Lufta II Botërore. Në vitin 1949, kur Enver Hoxha shkoi për të dytën herë në Bashkimin Sovjetik, midis të tjerash u diskutua mbi krijimin e një Baze Ushtarako-Detare në Shqipëri. Molotovi kundërshtoi sepse në një rast sulmi imperialist mbi Shqipërinë, Bashkimi Sovjetik duhej të luftonte për të mbrojtur një vend të vogël. Do të ishte Nikita Hrushovi që do ta ngrinte Bazën Ushtarako-Detare në Pasha Liman duke e bërë vendin tonë kërcënim për perëndimin.
Kush ishte babai i kombeve, Josif Stalini? Një i sëmurë mendor. Vladimir Mihailloviç Bekterievi, neurolog i shquar ruso-sovjetik, promotor i Kongresit të Parë Gjithërus të Neurologjisë dhe të Psikiatrisë që u mbajt në Moskë në dhjetor të vitit 1927 dhe President Onorifik i atij kongresi, më 23 dhjetor, pasi mbajti një referat mbi neurologjinë infantile, u thirr në Kremlin që të vizitonte Stalinin. Tri orë më vonë, ai do t’u thoshte disa kolegëve: “Sapo kam vizituar një paranojak me një dorë më të shkurtër dhe të tharë”. Të nesërmen, më 24 dhjetor, i spiunuar nga ndonjë koleg, profesor Bekterievi vdiq papritur, i helmuar me urdhër të Stalinit si hakmarrje për diagnozën që i vuri. Urrejtja e tij për atë mjek të shquar me njohje në të gjithë botën, arriti deri aty sa të arrinte që jo vetëm emrin, por edhe të gjitha veprat e tij të hiqeshin nga librat dhe tekstet sovjetike. Fenomeni i paranojës takohet shpesh te fëmijët që keqtrajtohen ose dhunohen në moshë të vogël. Një i tillë ishte dhe Stalini, që shpesh rrihej në mënyrë brutale nga i ati pasi dehej dhe nuk i kontrollonte veprimet e tij të dhunshme.
Duke filluar nga viti 1945, në ish-Bashkimin Sovjetik shkoi një numër i madh shqiptarësh, djem dhe vajza për të studiuar në degë të ndryshme të ekonomisë, artit, kultures, sidomos për llogari të ushtrisë. Një pjesë e mirë e tyre studiuan në Republikën e Ukrainës. Oficerët dhe kursantët atje studiuan për tanke, artileri, mjekësi, llokacion, radioteknikë, inxhinieri detare, për nëndetëse etj. etj. era…dhe i takojmë sa më poshtë: në Sevastopol, 579 veta; në Harkov (Kharkiv), 316 veta; në Kiev, 172 veta; në Odesë, 131 veta; në Simferopol, 95 veta; në Polltavë, 53 veta; në Evpatoria, 33 veta; në Proskurov, 18 veta dhe në Zhitomir, 9 veta. Po ashtu, në Ukrainë studiuan mbi 40 studentë civilë, duke kapur numërin e përgjithshëm 1439 veta. Ne duhet t’ia dijmë për nder atij shteti që tani ndodhet nën zjarrin e predhave të lëshuara nga anijet, tanket, topat dhe raketat e ushtrisë ruse. Fatkeqësisht, diktatori Vladimir Putini i ka shpallur luftë Ukrainës me pretendimin sikur ajo është pjesë e Rusisë. Sa për dijeni, Ukraina historikisht ka qenë shtet më vete. Në vitin 1654, Bogdan Hmelinski dhe Rada e Ukrainës vendosën që Ukrainën ta bashkonin me Rusinë dhe nga ai vit u quajt shteti Rus. Në vitin 1708, Mazepa, u bashkua me Karlin XII të Polonisë për të mundur Pjetrin e Madh, në Betejën e Polltavës, por u thyen keqazi dhe Ukraina mbeti “pjesë” e Rusisë dhe pas 31 dhjetorit 1922, u bë njëra nga 15 shtetformueset e BRSS. Ja, këtë shtet, jashtë llogjikës njerëzore, ai njeri do ta pushtoj nën kërcënimin e armëve, duke i shpallur luftë me të njëjtin skenar sikundër Adolf Hitleri Bashkimit Sovjetik më 21-21 qershor 1941, dhe jo vetëm me armë konvencionale por edhe me ato të ndaluarat duke kërcënuar me predha bërthamore, që përdorimi i tyre do ta çonte botën në Epokën e Gurit. Reagimi i SHBA-ve dhe i Europës së Bashkuar qe i shpejtë në përkrahje të një populli martir, duke i vendosur Rusisë saksione masive dhe të targetuara si në sektorin financiar, atë të energjisë dhe të transportit, ndalimin e eksporteve dhe pjesëve të këmbimit për avionë, politikën e vizave etj. regjimit të Putinit, i cili kërkon të rikthejë Perandorinë e Madhe Sovjetike. Për të thelluar dijet mbi çfarë kam shkruar më sipër, mund të lexoni librin tim “Shqiptarët në Perandorinë Ruse”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here