Prof. Sali Bashota: NËNTË KUJTIME NË 40 VJET PËR ALI PODRIMJEN

Dhjetë vite pa Ali Podrimjen.

Këto kujtime i kanë shenjat e veçanta për moshën e tyre më shumë se tridhjetë e sa vjeçare, kur e njoha për herë të parë poetin Ali Podrimja. Po i veçoj këto nëntë kujtime midis kujtimeve të tjera që i kam në shpirt dhe që i ruaj me dashuri.

Kujtimi i parë: Takimi në Pallatin e Shtypit “Rilindja”

Në pranverën e vitit 1980 u takova për herë të parë me poetin Ali Podrimja. Isha student i vitit të dytë në Fakultetin Filozofik. U takuam në Pallatin e Shtypit, në zyrën e tij të punës, në edicionin botues “Rilindja”. Më kujtohet fort mirë se ishte duke lexuar “Faustin” e Gëtes. Me njëri-tjetrin i ndërruam vetëm dy-tri fjalë. U përshëndeta dhe ia dorëzova dorëshkrimin tim të parë me poezi “Albumi i grisur”. I pëlqeu titulli. Më tha: “Titull i bukur”. E ndjeva veten të lumtur dhe në mendje më silleshin mendimet: si lindin poetët, si meditojnë, si ëndërrojnë, si komunikojnë me njerëzit, çka fshehin në botën e tyre apo cila është jeta e tyre e vërtetë? A vdesin poetët? Kurrë nuk kisha besuar se më vonë poetin e “Lum Lumit”, të cilit unë i thosha Bal, do ta kisha një ndër miqtë e mi më të çmuar, më të dashur dhe më të veçantë.
Kujtimi i dytë: Poezia “Drenica”
Më 2 gusht 1998 kur ushtria dhe policia serbe e dogjën shtëpinë, bibliotekën dhe tërë pasurinë time në vendlindje, me Ali Podrimjen dhe me miqtë e mi, çdo ditë bisedonim për luftën, për fatin e njerëzve dhe për fatkeqësinë që më kishte ndodhur mua. Aliu shqetësohej shumë nga çdo gjë e keqe që ndodhte në Kosovë. I përjetonte rëndë fatkeqësitë. E përjetoi rëndë djegien e bibliotekës sime. Pas disa ditëve kur u dogj shtëpia ime u takuam në kafenenë te “Qafa”, ku rrinim zakonisht në ato vite dhe ma lexoi poezinë me titullin “Drenica”. Aliu e kishte zakon dhe pasion që miqve të tij t’ua lexonte poezitë që i shkruante dhe të thoshte: “Kështu shkruhet poezia”. Atë ditë me një zë të prerë dhe plot kumbim, më tha: “Salo, këtë poezi ta kam kushtuar ty”. U shtanga. Mbeta pa fjalë. Fluturova nga gëzimi. Sikur e harrova dhembjen time për librat dhe dorëshkrimet e djegura. Sikur u ngjall shtëpia bashkë me bibliotekën apo kujtimet e Babës e të Nanës me rrëfimet e tyre për hirin e librave të djegura. Sikur u ngjall vendlindja ime…
Sa herë që e lexonte poezinë “Drenica” në takime letrare, ku isha edhe unë i pranishëm, brenda dhimbjes së saj, e ndieja një gëzim të pafund, meqë sikur më ngjallej malli për gjërat më të shtrenjta në jetë, të cilat i kisha humbur përgjithmonë dhe nuk do të ktheheshin kurrë më…
Kujtimi i tretë: Udhëtimet me Poetin
Me Ali Podrimjen kam udhëtuar në vende të ndryshme të Europës, ku merrnim pjesë në takime letrare. Kishte dëshirë të udhëtonte dhe të përhapte kudo misionin e fjalës shqipe, të angazhohej në afirmimin e vlerave kulturore dhe kombëtare. Gjithashtu, kishte përkushtim të veçantë në përkrahjen e krijuesve të rinj, si dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës. “Duhet të bëjmë më shumë për Kosovën”, më thoshte. “Po çka mund të bëjmë ne duke shkruar poezi”, i thosha. Më shikonte dhe fillonte të buzëqeshte. Nuk mund ta besoja as ta shpjegoja këtë insistim të përhershëm të tij që dëshironte ta bënte përmes poezisë, sikur dëshironte ta ndryshonte botën përmes vargjeve së tij.
Në vitin 2003 kur morëm pjesë bashkë në shënimin e 100-vjetorit të vdekjes së Jeronim de Radës në Kozencë të Italisë, më thoshte: “Është mirë që unë dhe ti të jetojmë këtu bashkë me arbëreshët. T’i marrim edhe shkrimtarët e tjerë nga Kosova dhe Shqipëria dhe të organizojmë sa më shumë takime me arbëreshët që mos ta harrojnë gjuhën e të parëve tanë”. Më rrëfente për poezinë që e kishte shkruar për Jeronim de Radën e poezi të tjera për arbëreshët dhe sidomos për poezinë e tij me titullin “Kush do ta vrasë ujkun”. Këtë poezi e lexonte shpesh në takime letrare brenda dhe jashtë vendit. Ishte njëra ndër poezitë e tij më të dashura.
Gjithashtu, një ndër kujtimet më të paharrueshme do të mbetet organizimi i 60-vjetorit të lindjes së Ali Podrimjes, që u bë në Zvicër. Në këto takime unë e prezantoja krijimtarinë e tij letrare. Këto takime u mbajtën nga 20-26 nëntor 2002 në Cyrih, Basel, Friburg, Gjenevë e në disa qytete të tjera të këtij shteti. Ali Podrimja kishte shumë miq në Zvicër. Të gjithë e prisnin me padurim leximin e poezive të tij.

Kujtimi i katërt: Imazhe nga Toka e Djegur

Më 20 shkurt 2002, Ali Podrimja, e shkroi parathënien me titullin “Imazhe nga Toka e Djegur” për librin tim “Ndiz dritën magjike”. I zgjodhi poezitë e mia me përkushtim, duke më pyetur për secilën poezi. Në këtë ese, Ali Podrimja , ndër të tjera, e shpjegoi edhe motivin inicial për poezinë “Drenica”. Botimi u mirëprit dhe u përkthye në gjermanisht dhe në frëngjisht.

Kujtimi i pestë: Miqësia dhe bashkëpunimi letrar

Për shumë vite, me Ali Podrimjen kam pasur një bashkëpunim të frytshëm letrar. Kemi realizuar bashkë shumë projekte në Shtëpinë Botuese “Rozafa”. Duhet përmendur librat e përgatitur për Nënë Terezën, të cilët u botuan në disa gjuhë, antologjitë poetike për Kosovën, për Çamërinë, si dhe botimin e shumë librave të autorëve nga Kosova dhe jashtë vendit. Në çdo bisedë më fliste vetëm për librin, për poezinë, për shkrimtarët që i lexonte dhe i adhuronte. Disa herë i pata thënë: “Bal, poet i cilit brez letrar je?”. Më thoshte: “Jam i të gjithëve. Nuk kam shqiptarë me humb.” Shpesh e përsëriste këtë frazë, sidomos në takime dhe biseda të ndryshme ku flitej për fatin e Kosovës.

KUJTIMI I GJASHTË: PARATHËNIA IME PËR VEPRËN “LUM LUMI”

Gjatë bisedave të shpeshta, Ali Podrimja, vazhdimisht më thoshte se kishte dëshirë ta ribotonte librin e tij më të dashur, librin e tij të jetës, “Lum Lumin”. Thuajse çdo vit dëshironte ta ribotonte, sigurisht për ta ruajtur të freskët kujtimin e pavdekshëm për djalin e tij, Lumin. Një ditë dëshira e tij u bë realitet. Me plotësime të reja, ku e shpjegonte edhe gjenezën e dhimbjes së vet krijuese, u bë botimi i katërt i “Lum Lumit”, me parathënien time me titullin: “Jetëshkrimi i dhimbjes njerëzore”. Kur u botua libri, pothuajse, çdo ditë më thërriste në telefon. Bisedonim gjatë. Ishte shumë i lumtur dhe i dukej vetja se me ribotimin e librit po e kryente një obligim prindor për Lumin. I pëlqyen shumë mendimet e mia për “Lum Lumin”. Disa herë ma ka përmendur këtë ese, duke i thënë fjalët më të mira për të. Më thoshte: “E ke shkruar me shpirt, Salo”.

Kujtimi i shtatë: Pagëzimi i vajzës sime me emrin Rea

Ali Podrimja e kishte një dashuri të veçantë që t’i pagëzonte fëmijët e miqve të tij. Kur e pagëzoi vajzën time me emrin Rea, ndër të tjera, më tha: “Rea do të jetë vajza më e bukur në Ulpianë”. I thashë: “Bal, Ulpiana është lagje e vogël e Prishtinës”. Më tha: “A e di se unë jetoj në këtë lagje dhe se Ulpiana është zemra e Dardanisë”. Më bindi. Vërtet, Ali Podrimja, pothuajse, në çdo poezi në fund e shënonte Ulpiana. Edhe librat e tij të rinj kur i botonte dhe ua dhuronte miqve, në vend që të shkruante Prishtinë, e shkruante Ulpianë.
Rea tetëvjeçe, të cilën e pagëzoi Ali Podrimja çdo ditë më pyeste: “Babi, pse nuk po të thërret Bali?”, “Ku ka shkuar?”, “A më ke thënë se do të shkoni bashkë në Tiranë?”, “Ndoshta telefonin e ka të prishur?”, e pyetje të tjera.
Unë nuk kisha përgjigjje për të. Një ditë i thashë: “Bali ka shkuar në parajsë”. Ajo mbeti e hutuar. Nuk më kuptonte. E kërkonte me çdo kusht përgjigjjen time. Nuk e dinte ç’është parajsa. Më në fund, për ta bindur, i thashë: “Parajsa është vendi ku jetojnë poetët si Ali Podrimja”.

Kujtimi i tetë: Takimi i fundit në Bibliotekë

Me Ali Podrimjen u takova për herë të fundit dy ditë para se të nisej në Lodeve. Ishte në zyrën time, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Në korridorin e Bibliotekës u takua me shumë punëtorë. Secilit ia zgjaste dorën dhe iu fliste me përzemërsi. Ishte shumë i hareshëm dhe i disponuar. Kurrë nuk e kam parë me aq humor, si atë ditë. Më foli gjatë për një antologji të poezisë shqipe, të cilën dëshironte ta botojë. Vazhdimisht e përsëriste frazën: “Më duhet patjetër të shkoj në Lodeve dhe kësaj radhe do ta përqafësoj Shqipërinë”. I thashë duke qeshur: “Kosova është pjesë e Shqipërisë”. “Ke të drejtë”, më tha. Ma shtrëngoi krahun. E pimë nga një “makiato” dhe biseduam për udhëtimin që do ta bënim bashkë në Tiranë, posa të kthehej nga Franca, meqë ishim caktuar anëtarë të jurisë për çmime letrare, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Më thoshte: “Do t’i propozojmë më të mirët”.
Atë ditë ma kërkoi një ekzemplar të librit “Eni vjen p’ej Çamërie”. E donte shumë këtë libër, të cilin e kishte përgatitur me një vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Sa herë flisnim për këtë libër, më thoshte: “E di ti, Kadare e ka shkruar parathënien”. Sikur ëndërronte ta botonte këtë libër në çdo gjuhë të botës. I thashë: “Po para dy ditësh e more nga unë një ekzemplar të Çamërisë”. “Më duhet edhe një”, më tha, plot gaz.
Atë ditë e kishte çantën e zezë më vete dhe në dorë e mbante një libër tjetër. Edhe librin që ia dhashë unë e mbante në dorë. Në krahun e djathtë e vendosi çantën dhe po në dorën e djathtë i mbante të dy librat. ”Bal, fute në çantë”, i thashë. Më tha: “Libri për Çamërinë nuk futet në çantë”. Më buzëqeshi, duke më shikuar drejt në sy. U përqafuam dhe i urova rrugë të mbarë. Shkoi. Iku bashkë me buzëqeshjen e tij të fundit, të ngrirë në kujtesën time, për të mos u kthyer kurrë më…

Kujtimi i nëntë: Lajmi për vdekjen

Kumtin e zi për vdekjen e poetit Ali Podrimja e mora në Shëngjin të Shqipërisë. U trondita. Mbeta pa frymë. Një mesazh nga Lodeve në celularin tim mbërriti me këtë përmbajtje:” Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja u gjet. Ngushëllime për humbjen e mikut”.
Nuk i besoja assesi këtij kumti. I thirra në telefon miqtë e mi, të cilët ishin edhe miq të Ali Podrimjes. Kumti doli i vërtetë. Ishte një pikëllim i madh. Sa shumë telefonata nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra, Gjermania, Suedia e nga shumë vende të tjera, me vetëm një mesazh të dhembshëm: “Ngushëllime për Ali Podrimjen”. Këto mesazhe të dhembjes dhe të pikëllimit i shkruanin miqtë e mi dhe të Aliut, miqtë tanë të përbashkët.
Në kokë më nguliteshin fjalët që m’i kishte thënë në Bibliotekë: “Më duhet patjetër të shkoj në Lodeve dhe kësaj radhe do ta përqafësoj Shqipërinë”. Me poetin Agim Gjakova u nisëm bashkë nga Shëngjini për t’i dhënë lamtumirën Ali Podrimjes. Të dy të pikëlluar, të mërzitur dhe pa fjalë. Vetëm e shikonim njëri-tjetrin në sy, derisa shpirtrat tanë vajtonin pa mbarim në atë mesditë gushti….

(Nga libri im me ese dhe studime letrare, “Enigma e shkrimit”, Artini, Prishtinë, 2018)

MËSOHU ME VDEKË SI ALI PODRIMJA

Këpute edhe këtë degë ulliri
Këpute si litarin
Hap shteg derisa të dalë shpirti
Shteg në majë të bregut
Merre me vete simfoninë e heshtjes
Merre nëse zbardhet qielli
Vraje shpendin e zi të natës
Vraje nga pabesia
Beso në simbolin e fjalës së dhënë
Beso aty ku fle malli
Digju brenda syrit të mirë
Digju vetëm për afshin
Mësohu me vdekë si Ali Podrimja
Mësohu me vdekë afër një lumi

*(Nga libri im me poezi, “Asnjë zë tjetër”, Botimet AAB, Prishtinë, 2018)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here