Profesor Agim Vinca boton në Shkup librin “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”

Libri është botim i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup

PROFESOR AGIM VINCA BOTON NË SHKUP LIBRIN “SAGA E SHKRONJAVE SHQIPE (KONGRESI I MANASTIRIT: TË THËNA DHE TË PATHËNA)”

Fjala është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe
kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit,
atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908.

Në botim të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, doli nga shtypi libri i Profesor Agim Vincës me titull “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)”. Fjala është për një studim kritik mbi këtë ngjarje të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e Manastirit, atëbotë qendër e Vilajetit, prej 14-22 nëntor 1908. Autori konsideron se Kongresi i Manastirit zgjidhi një nga çështjet fundamentale të kulturës shqiptare: atë të alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe, që I hapi rrugë edhe njësimit të drejtshkrimit të saj rreth shtatëdhjetë vjet më vonë. “Ky libër – thekson prof. Rami Memushaj në recensionin e tij – është një reflektim i autorit për këtë ngjarje historike dhe për aktorët e saj kryesorë. Faktet të cilave u referohet autori
interpretohen me gjakftohtësi e paanësi dhe bëhen përpjekje për t’u dhënë vendin e duhur disa delegatëve të Kongresit, meritat e të cilëve nuk janë vlerësuar si duhet e sa duhet”, ndërsa recensenti tjetër, prof. Avzi Mustafa, nënvizon se studimi i prof. Agim Vincës është jo vetëm i vlefshëm e dobiprurës, por edhe i domosdoshëm, sepse dëshmon me akribi shkencore se gjuha shqipe, me alfabetin e saj, është
stabilizuar tashmë dhe ka një zhvillim të shkëlqyer, duke u përfaqësuar në mijëra botime, vepra letrare, shtyp, tekste shkollore e shkencore etj. Ndërkaq, publicisti Mustafa Nano në fjalën e tij, pasi e vlerëson librin si një interpretim të ri të Kongresit të Alfabetit dhe të vendimeve të tij, autorin e librit e cilëson si “një nga zërat
e veçantë të botës intelektuale e akademike të Kosovës” dhe shton: “Unë rrallë kam njohur në Kosovë (por edhe në Shqipëri) dikë që ta
dojë, ta njohë e ta mbrojë gjuhën amtare ashtu si Vinca”. Libri “Saga e shkronjave shqipe (Kongresi i Manastirit: të thëna dhe të pathëna)” përbëhet nga dhjetë kapituj dhe shoqërohet me rezyme në gjuhën shqipe, në anglisht e në frëngjisht, si dhe me një album të vogël dokumentesh dhe fotografish.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here