Për ta njollosur, pastaj për ta groposur bashkë me veprën e tij, Gjergj Fishtën e akuzuan si shovinist. (Xhavit Aliçkaj, 2000, f.43, 48). Për herë të parë këtë akuzë të rëndë ia bër “Enciklopedia e Madhe” e Bashkimit Sovjetik, e botuar më 1950, e cila e quajti Fishtën “armik të racës sllave” (Xh. Aliçkaj,, f. 49). Këtë verdikt të dhënë nga qarqet politike dhe intelektuale të një perandorie që tradicionalisht kishte menduar dhe kishte vepruar në dëm të kombit shqiptar, e bëri të sajën, e vuri në zbatim propaganda e shtetit shqiptar në periudhën e diktaturës së proletariatit.
Megjithëse më 1946, në intervistën që i kishte dhënë një reviste beogradase, historiani i letërsisë Dhimitër S. Shuteriqi kishte thënë se “poeti më i dashur i shqiptarëve është Naim Frashëri, por, për nga fryma poetike dhe përsosuria artistike, poeti ynë më i madh është Gjergj Fishta” (Xh. Aliçkaj, f.48), më vonë instancat politike nuk e lejuan ta botonte studimin e tij për Fishtën, të parashtronte gjykimet e tij objektive për veprën e këtij autori, të cilat nuk përputheshin me qëndrimin mohues ekstremist të Partisë – shtet dhe të udhëheqjes së saj.
Kaq e fuqishme dhe kaq sistematike ishte propaganda kundër Fishtës dhe veprës së tij, sa ajo nuk mund të mos ndikonte te disa shtresa të popullsisë, sidomos te të rinjtë. Edhe mua që isha i indoktrinuar nga ideologjia e internacionalizmit proletar nuk më tingëllonin mirë vargje të tilla si: “…un Shqiptar, ata janë Shkje:/ ne na dan nji gjak e i fe,/ n’ mni t’shoshoqit kemi lé:/ kem’ ndërmjet nji qiell e ‘i dhé!…” (Kanga XIV, f.161)
Siç ndodh në poezinë epike, kjo mikrostrukturë përsëritet disa herë në epopenë Lahuta e Malsisë: Kanga XXI, f. 306; Kanga XXIII, f.374… Duke pohuar se shqiptarët dhe shkiet (sllavët) e urrenin njëri-tjetrin, sot mendoj se Fishta nuk shpifte, nuk trillonte, nuk ishte aspak zjarrvënësi dhe nxitësi i urrejtjes ndëretnike. Përkundrazi, ai kishte ndershmërinë dhe burrërinë për ta parë në sy realitetin historik, për ta shpallur botërisht këtë dukuri që nuk përputhej me qytetërimin e vërtetë, pra, për t’ia vënë gishtin një plage, për ta paraqitur atë me karakterin e saj të përbindshëm. Vetëm pasi të njihej, kjo dukuri do të bëhej e urryer, e papranueshme nga të gjithë njerëzit e qytetëruar e vullnetmirë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Cilido që e njeh sadopak historinë e popujve të Ballkanit, e ka të qartë se urrejtja ndëretnike nuk filloi kur u botua “Lahuta e Malsisë”. Siç dëshmon epika jonë legjendare që i bën jehonë konfliktit të përgjakshëm midis shqiptarëve dhe sllavëve, rrënjët e kësaj urrejtjeje zgjateshin nëpër shekuj. Plagët e shkaktuara nga ky konflikt, u malcuan dhe u gjakosën keqas, sidomos pas daljes në skenë të monarkive sllave, të cilat fituan pavarësinë nga Perandoria Osmane. Në librin e Cyprien Robert-it “Les Slaves de Turquie”, botuar në Paris më 1844, thuhet: “Më 1839, malazezët shkretonin me çetat e tyre të gjitha rrethinat e Shkodrës. Vetëm një nga bandat e tyre solli nga Hoti gjashtëqind koka njerëzish, me një kope prej një mijë lopësh e qesh…”
Deri më sot, as francezët, madje as vetë sllavët nuk e kanë akuzuar për shovinizëm autorin e radhëve të mësipërme. Ca më tepër do të ishte absurde t’i akuzoje si shovinistë gjashtëqind hotianët kokëprerë apo ata banorë që mbetën gjallë, që u përpoqën të mbronin qenien e tyre fizike, shtëpinë dhe pasurinë, me të cilën mbanin frymën gjallë. Në epopenë e tij “Lahuta e Malsisë”, Gjergj Fishta, paraqet pikërisht fakte historike si ai që përmend C. Robert-i, përpjekjet e malësorëve për të mbrojtur qenien e tyre njerëzore e kombëtare. Siç dihet, e drejta për t’u vetëmbrojtur nga një vrasës njihet nga të gjitha kodet penale të vendeve të qytetëruara.
Të kërcënuar për t’u shfarosur si individë dhe si komb, të mbetur pa përkrahje dhe pa mbrojtje nga ndonjë shtet kombëtar apo nga ndonjë fuqi e madhe, malësorëve shqiptarë nuk u mbetej rrugëdalje tjetër përveç vetëmbrojtjes. Tërë “Lahuta e Malsisë” është epope e vetëmbrojtjes. Që nga vargu i saj i parë deri tek i fundit, asgjëkundi nuk bëhet fjalë për të pushtuar viset dhe vendbanimet e fqinjëve, nuk bëhet thirrje për agresion e për pushtime, për dëbim të sllavëve nga trojet e tyre dhe për aneksimin e këtyre trojeve nga shqiptarët.
Në poemën e mirënjohur të Ndre Mjedës “Lirija” thuhet: “Se ndër djepe rrisin/ Nanat e Hotit djelmnin ushtore, /E idhnim n’armikun nëpër gji ju qisin” (f.175). Megjithëse në këtë sekuencë me një frymë të zjarrtë atdhetare e me një bukuri artistike të rrallë, pohohet se nënat e Hotit, bashkë me qumështin e gjirit, u mëkonin fëmijëve të tyre edhe urrejtjen kundër armikut, asnjë kritik vendas apo i huaj, asnjë instancë politike e shtetit totalitar nuk e ka akuzuar Mjedën si shovinist. Dhe mirë kanë bërë, sepse Mjeda nuk ka qenë i tillë, por me këtë përqasje desha të theksoja se qëndrimi mohues ndaj Fishtës ka qenë tendencioz, arbitrar.
Gjergj Fishta nuk është shovinist, sepse në disa raste, siç ndodh në Kangën XXI të Lahutës së Malsisë, urrejtjen ndëretnike, ai e quan një gjëmë, një mallkim perëndish, e shpreh hapur dhimbjen që shqiptarët dhe sllavët gjakosin e vrasin njëri-tjetrin: “Eh, mo’ Zot ma keq për ne,/ si na ra kjo namë-rrfe:/ mos me mujtë Shqiptarë e Shkje, / me ba hije bashkë mbi dhé, /por me u vra e por me u pre, / kudo ata me i qitë neshtrasha…” (L.M., f.273).
Gjergj Fishta nuk është shovinist, sepse më se një herë ai flet me simpati e nderim për luftën çlirimtare të malazezëve kundër pushtuesve osmanë, ngre lart shpirtin e tyre liridashës, vlerat e tyre luftarake: “Heshtu, Zanë, mos qesh me mue, / se mërzitshëm kam qillue!/ Paj për t’gjallë s’lidhet Nikolla, se ai po i kish do djelm sokola, / që për fe e liri t’Parit, / që për nder të Gospodarit, / ndryshe s’bien, jo n’fushë t’mejdanit,/ ndryshe s’rrâjnë n’asqer t’Sulltanit, / veç si krushku shkon në dasëm, / të tanë plumbet presin n’parsëm.” (Kanga VI, f.75)
Ai nuk flet me simpati vetëm për luftën çlirimtare të malazezëve, por edhe për kohezionin e tyre shpirtëror e politik, për vetëdijen e thellë patriotike, për përpjekjet e tyre për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm dhe për të ecur në rrugën e përparimit: “E pse rreth t’tanë Karadaku / asht nji gjuhe, ’i feje e ’i gjaku, / e nuk don veç Qeverinë / sa për t’ngopë me ar Parinë,/ por don Atdhenë e don lirinë, / don me shkue përditë ma para,/ për kah dija e punët e mbara…” (Kanga VI, f.76)
Treguesi më i qartë se asnjëherë Fishtës nuk ia ka errur sytë shovinizmi, është fakti se në epopenë e tij, ai vlerëson me objektivitet disa luftëtarë të palës kundërshtare edhe atëherë kur pretojnë viset shqiptare apo vriten e priten me shqiptarët. Për Vulo Serdarin, ai thotë: “Hikne cubat porsi zhgjeta, / kush teposhtë, kush kah përpjeta,/ Veç se Vulja çue dollamën, / ai aq shpejt s’e ndërrote kambën:/ Kish kenë trim, eh, i bafsha gjamën!” (Kanga III, f. 35). Fishta nuk ngurron të vërë në dukje cilësitë e larta morale të luftëtarit malazez Millosh Pera: “Me gjith këta por zogu i shkinës / m’ kish pasë kenë zemërfisnik:/ n’bukë e n’krypë e n’kupë të shllinës, / lente nder ai me çdo mik.” (Kanga XXIII, f. 347) I madhërishëm e mbresëlënës është portreti fizik e moral i Kërstiq Vukut, i cili mund të konsiderohet si një figurë që përfaqëson popullin e thjeshtë malazez: “E shitoi qai Kërstiq Vuku,/ djalë me bre hekur me dhambë,/ lesht e hundës si qime uku,/ dredh mustakun gjatë nji pëllambë: / n’daç për pushkë, në daç për krushk, / djalë ma t’mirë s’ke pasë pse lypë:/ lidhë në tjegull, rritë në dushk/ pr’i parë armë, për bukë e krypë / lete kryet për Knjaz të vet,/ e as Fe e Atdhe s’do t’ kish mohue, / me e pasë ba jo beg, po mbret, / n’dorë Misirin me ia lshue.” (Kanga XXIII, f.352)
Kur ndeshen në kulmin e betejës shqiptari Rrushman Duli dhe shkau Jeliq Gjura, Fishta tregohet i paanshëm, duke mos ngritur njërin dhe duke mos ulur tjetrin, por duke nxjerrë në pah vlerat e secilit: “… të dy trima, s’ke shka u thue: / njani bishë, tjetri drangue.” (Kanga XVIII, f. 228)
A mund të akuzohet si shovinist Gjergj Fishta, i cili, duke i qëndruar besnik kultit të së vërtetës historike dhe duke qenë i zhveshur nga kompleksi i inferioritetit, flet për meritat e komandantit të ushtrisë pushtuese të Malit të Zi në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “Pritën n’ballë e Limin detë, / prej Shqiptarësh futë mbrenda ’i rrjeti, / kah t’ia mbajë tash Marku i shkretë? / Ç’do të mendojë, vallë, vetmeveti?/ Me qindrue si e ka zanatë, /qe, shka Marku ka ndër mend. / N’Mal të Zi luftojnë dhe gratë / për liri, për fe e për vend: /jo s’qindron nji Mark Milani /derë bujare gjet me gjet, / larg n’Europë i ka vojtë zani,/ e i druen sherrin krajl e Mbret.” (Kanga XXV, f. 439-440).
Fishta nuk është shovinist, sepse ai e ka njohur mirë dhe e ka dashur kulturën sllave. Poemën e Ivan Mazhurançiqit “Vdekja e Smajl Agë Çëngiqit”, e pëlqente aq shumë, sa ai e kishte mësuar përmendsh. (Xh. Aliçkaj, f. 13). Në epopenë e tij, Fishta gjen rast të japë disa vlerësime për poemën e Petar Petroviç Njegoshit (1813-1851) “Kunora e Maleve”, të cilën e quan këngë hyjnore, këngë zulmëmadhe, e shkruar me lot e me thëngjij baruti. Ka të ngjarë që autori i “Lahutës së Malësisë” ka dashur të shprehë nderimin e tij ndaj një poeti që e kishte për zemër, i cili mund të ketë ndikuar në rrugën poetike që zgjodhi poeti i ri shqiptar. (Xh. Aliçkaj, f.13) Ashtu siç vepronin hyjnitë në epopenë homerike, Ora malazeze merr pamjen e poetit kombëtar të Malit të Zi: “Ora, atëherë, hijen e randë, / marrë të Petar Njegosh : motit/ n’atë Cetinë, n’atë falme agzotit, / kenë Vlladikë, mjekrën dy pëllambë, / e që larg edhe n’ditë t’sotit/ ai përmendet rrokullisë / për njatë “Kezën e Malsisë”:/ kangë hyjnore, kangë me nam, / shkrue me lot e shkëndillë barotit…” (Kanga XXV, f.414)
Fishta nuk është shovinist, sepse ashtu siç bën epika jonë legjendare, krahas konfliktit të ashpër e të përgjakshëm midis shqiptarëve dhe sllavëve, ai u lë vend edhe marrëdhënieve miqësore midis individëve që u përkasin dy etnive të ndryshme, dy palëve ndërluftuese. E tillë është miqësia e kaçakut shqiptar Bec Patani me malazezin Mil Spasi. I ndjekur nga autoritetet turke që donin t’i hidhnin prangat ose ta vrisnin, kryengritësi shqiptar gjen strehë, bukë e besë në vatrën e mikpritësit të tij malazez: “… der n’va Belaj që kanë shkue,/ ku ata Bunën kanë kalue, / edhe dalë kanë n’Mal të Zi. / Fill Mil Spasit vojtë kanë n’shpi / Edhe Mili pritë i ka, / bukë e krypë me ta tue da,/ porsi pasë t’i kishte vllá/ Burrit t’mirë kurr nuk i asht ndalë/ pushka, sofra e fjala fjalë.” (Kanga XX, f.282)
Disa vite më vonë, kur fillon përleshja midis shqiptarëve dhe malazezëve, rasti e sjell që Bec Patani të gjendet përballë Mil Spasit. Megjithëse janë të egërsuar nga rrapëllima e armëve, nga tymi i barutit dhe nga duhma e gjakut të derdhur, kur e njohin njëri-tjetrin, miqësia e tyre e mposht armiqësinë e urrejtjen, ata ulin armët dhe përqafohen si vëllezër: “-Jo, po, Milo Spasi vetë/ jam, lum Beci, probatimi / po ia kthen; n’mill dhe trimi / qet taganin m’gjak përlye./ I â avitë Becit e t’dy krye n’krye / janë falë trimat.” (Kanga XX, f. 282-283).
Fishta nuk është shovinist, sepse ai është humanist. Në asnjë rast, ai nuk e himnizon luftën në vetvete, nuk u thur lavde luftërave pushtuese, grabitqare. Luftën për vetëmbrojtje, ai e quan si një të keqe të domosdoshme. Kur paraqet të vrarët e të plagosurit në fushën e betejës, atij i ther në zemër për ta, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo malazezë: “Lmuç për tokë shqiptarë e shkje, / shtremtë shoshoin për t’gjallë shikjue, / n’atë log deka ka vëllaznue:/ ke herrë krenash, keq shemtue, trupat shyt ranë krah për krah/ si ata cujt e zez në rrah,/ ndërsa krenat nëpër lugina, /rrokullisun ndër rudina, / po u rrijnë grumbull mbi ledina […] edhe ulkonja tue ulrue, / tue ulrue, tue ugrue / mbi të mjerën moj Sutjeskë,/ që t’asht bâ sot zhari e eshkë, / me iu dhimbtë minit në mur, me iu dhimbtë gjarpnit nën gur!” (Kanga XXI, f. 290-291)
Qëndrimin e tij human, Fishta nuk e shpreh vetëm përmes keqardhjes që ndien për viktimat e nji lufte kobzezë, por edhe për nuset, për fëmijët e vegjël, për prindërit e moshuar, të cilët do të mbështillen nga zia për vdekjen e të afërmve të vrarë: “… ç’t’janë mbërthye, ç’t’janë kapërthye,/ Hot e Grudë e Vasoviq!/ T’dyja palët po trima n’za, / ka tri zemra ata nën parzëm, / ma se i nanë, thom, ka me fsha,/ ma se ‘i çikë me u plakë pa dasëm, / edhe nusja pështjellë në zi...” (Kanga XXV, f.420-421)
Po të kishte qenë shovinist Gjergj Fishta, veprën e tij poetike nuk do ta kishin vlerësuar studiues të njohur vendas e të huaj si E. Koliqi, E. Çabej, M. Lambertz, R. Elsie etj. Po të kishte pasur si strumbullar shovinizmin, po të kishte qenë një vepër që përcjell mesazhe shoviniste, “Lahuta e Malsisë” nuk do të ishte përkthyer në disa gjuhë të mëdha të botës si gjermanishtja, italishtja, anglishtja. Me siguri, opinioni publik dhe qarqet intelektuale të atyre vendeve do të kishin reaguar ndaj një vepre me frymë shoviniste. Pikërisht pse nuk ka qenë e tillë, ajo është mirëpritur dhe është vlerësuar. Për vlerat e veçanta artistike të epopesë së tij, Fishta është propozuar si kandidat për Çmimin Nobel. (Xh. Aliçkaj, 2000, f.18)
Receptimi i krijimtarisë së Gjergj Fishtës dhe veçmas i një vepre të angazhuar siç është “Lahuta e Malsisë” nuk mund të jetë i saktë dhe i plotë pa njohur kontekstin kur u krijua. Siç dihet, këngët e para u botuan në vitet 1905 e 1907. Ishte koha kur Shqipëria ishte më e rrezikuar se kurrë. Në atë kohë, propaganda serbe antishqiptare kishte arritur kulmin dhe ishin aktivizuar planet ushtarake për të pushtuar Shqipërinë
Për të kuptuar sesa e egër dhe e paskrupullt ka qenë propaganda serbe, le të përmendim vetëm librin e Vladan Gjorgjeviçit, “Les Albanais et le grandes puissances”, Paris, 1913. Autori i këtij libri i quan shqiptarët lëkurëkuqtë e Europës. Ai thotë se ata jo vetëm nuk kanë gjuhë kombëtare amtare, por madje nuk kanë as edhe një alfabet kombëtar (f.20) Ata nuk kanë as letërsi dhe nuk është për t’u habitur që shqiptarët janë i vetmi popull i Europës pa kurrfarë letërsie. (f.25). Ai nuk ngurron të bëjë pyetjen: a ekziston një komb shqiptar? (f.3) Shqiptarët i quan tribu të egra që nuk mund të zbuten. Ai ngre në qiell masakrat që bëri ushtria serbe gjatë pushtimit të trojeve shqiptare, në kohën e Luftës Ballkanike: “Mbërritja dhe vendosja e ushtrive serbe fitimtare në bregun lindor të Adriatikut ka bërë mrekullira.” (f.1) Për zgjidhjen e çështjes shqiptare, ai bën propozimin e mëposhtëm: “Përkundrazi, në qoftë se Shqipëria ndahet midis Serbisë dhe Greqisë, atëherë ky rrezik zhduket, rivaliteti midis Austrisë dhe Italisë në Shqipëri merr fund…” (f.257)
Krijimi i “Lahutës së Malsisë” nuk mund të kuptohet pa këto rreziqe, pa këto dyndje të ushtrive sllave në trojet e Shqipërisë dhe pa propagandën e shfrenuar antishqiptare të qarqeve politike dhe intelektuale të monarkive sllave. Veç të tjerash, epopeja e Fishtës është edhe përgjigjja që i jep kësaj fushate armiqësore një patriot dhe një poet i lidhur deri në palcë me kombin e tij. Fishta që luftoi gjithë jetën kundër shovinizmit sllav, pa shkarë asnjëherë në pozitat e shovinizmit, të ultranacionalizmit, për ironi të fatit, u akuzua dhe u damkos si shovinist pikërisht nga qarqet sllave, në bashkëpunim me isombajtësit e tyre shqiptarë…
Megjithëse u ndalua për një gjysmë shekulli me radhë, Lahuta e Malsisë mbeti gjallë sepse ajo ishte një vepër popullore, me tharm kombëtar, me mesazhe universale, me vlera të mëdha artistike. Ajo nuk u mbulua nga pluhuri i harresës, sepse ishte një vepër origjinale, në të cilën ishin përthithur disa nga vlerat më të mira të traditës epike shqiptare. Veç të tjerash, ajo ishte aktuale, meqenëse ende ekzistonin shkaqet që e kishin lindur: shovinizmi sllav dhe pushtimi i Kosovës nga Serbia. Jam i bindur se edhe tashti që Kosova ka fituar pavarësinë dhe ka marrë fund ekspansioni sllav në dëm të shqiptarëve, ajo do të jetë pjesë e trashëgimise sonë letrare si një vepër poetike me një gjallëri të jashtëzakonshme, me një koherencë të brendshme, me një stil të lartë e mjeshtëror, me një larmi të dukshme situatash e karakteresh, me një pasuri gjuhësore të pashoqe.
Dëshmi e karakterit unikal dhe e origjinalitetit të ”Lahutës së Malsisë” është edhe ky fakt: ca mësues fshati apo ca poetë të njohur që janë rrekur ta imitojnë, kanë dështuar, sepse ata kanë imituar formën, kallëpin, por atyre u ka munguar substanca, shkëndija hyjnore, gjenialiteti i Fishtës. Në këtë pikëpamje, Fishta më kujton poetin e madh Jorge Luis Borges, për të cilin H. Bianciotti ka shkruar: “E rëndësishme për të nuk ishte të mos imitosh, por të jesh i paimitueshëm” (f.238)
Megjithëse paraqet konfliktin e ashpër midis shqiptarëve e sllavëve, mendoj se “Lahuta e Malsisë” nuk është një vepër e tejkaluar, përderisa romani “Lufta e Paqja” i Lev Tolstoit që paraqet luftën çlirimtare të rusëve kundër armatave franceze të Napoleon Bonapartit, mbahet si një kryevepër e letërsisë botërore. Me sa di unë, askush nuk ka marrë guximin ta akuzojë Tolstoin si shovinist, nuk ka kërkuar të ndalohet vepra e tij, nuk e ka quajtur romanin e tij një vepër të panevojshme, të tejkaluar, që pengon marrëdhëniet miqësore midis Francës e Rusisë.
Çdo vepër letrare është dëshmia artistike e një kohe të caktuar. Kriteri kryesor për ta gjykuar atë është kriteri estetik. Jetëgjatësia e saj varet nga mesazhet universale që përcjell dhe nga forca artistike që ka. Jam i bindur se “Lahuta e Malsisë” i ka këto të dy përmasa. Si e tillë, ajo nuk do të vdesë as nga ndonjë verdikt politik, as nga vjetrimi që sjell koha.