PUTHJA E ENGJËLLIT
Nga Jorida Satka
EKUACION
Trishtohem mjaftueshëm
kur më zgjedhin ushqimin,
pa m’i ditur shijet.
Menu e shkuar dëm.
Shpretkën nuk mund ta ha të gatuar.
Vera e saj sjell demonët të më përqafojnë.
MALLKIM
Sa afër vdekjes jam?
S’e di!
Nuk do ta besonit dhe po ta dinit:
Unë vdes të të dua ty.
NA ISHTE NJËHERË
Dikush, diku, dikur,
më tha: – Je poezi!
Dikush, diku, dikur,
më tha: – Je ndjenjë!
Dikush, diku, dikur,
buzëqeshi.
Ishte një poet.
RRUGË PA KTHIM
Mblidhet grusht
distanca e rrudhur.
Edhe?!
Asgjë!
Veç vdes diçka që më s’kthehet.
PARANOJË
Ëndrra niset drejt teje,
në errësirën e bardhë,
ku të intrigron misteri,
me mjeshtërinë e frikës.
Dridhen gërmat e pathëna,
të plotësojnë vargun në buzët e tua.
Gërvisht hijen e natës
akrepi i agut.
Kam frikë,
kam frikë të hap sytë dhe më merret fryma në errësirë.
Kam frikë se s’do ta mbaj mend ëndrrën.
Kam frikë se s’do jem zanafilla e natës.
MALL
Grindem pa pushim me kryqëzimet.
Tymnajë që rrëmben disa mendime.
Stoike qëndron veç palca e mallit.
Indet lidhin hallkat për “Itakën”.
SKANER
Dua të vendos buzën mbi lëkurën tënde
e të di se të kam jetuar.
Avujt e fjalëve më kumtojnë
ngjyrat e mishit të mendimit tënd.
Shpirtrat mërmërisin tinguj të përlotur.
THYEJ DHE NDREQ
Me daltë gdhend muret e brendisë së trurit.
Hemorragji që ndot qenien.
Bota ime mbytet në botën tuaj.
Thyhem e ngjitem.
Një qiri ndez për shpirtrat tuaj!
Amen!
BARRIERË
Puthja e ndali vrapin,
tek gurët rrokulliseshin rrugëve.
Pengonte heshtja fjalën.
Purgator duke pirë lotin.
KOLOR
Mund të këndoj së bashku
me ndonjë ndjenjë.
Tingujt e kësaj dite Indigo
të më sjellin te ti.
PUTHJA E ENGJËLLIT
Ma puthe zemrën,
duke më dashur dehjen.
S’kishte ardhur koha e qiejve tanë,
diku gjaku i muzave qe trashur.
Rëndonin krahët nga thumbat,
digjeshin nga zjarri i diellit.
Nga hiri formoheshin prapë.
Engjëll i thyer për pak.
– Ngrihu, dëgjon?
Ngrihu, më puth prapë!
Të puth një gërmë, të puth një varg!
Të dashuroj një fjalë.
Mos i vrit engjëjt,
mos u bëj edhe ti, poet i marrë!
INDIKATOR
Më jep një gllënjkë
nga epshi yt,
të ndez një zjarr
në shpirtin tim
e të rrethohem me tela gërmash.
Mendoj se kështu
e shuaj vetminë.
REFLEKTIM
Fytyra ime në pellgun e lotit.
Ata që më njohin,
shikojnë pasqyrimin tënd
dhe mungesën time.
SHËRIM
– U vrave?
– Egoja m’u mavios.
Shërohet me injorimin dalëngadalë.
HIPOKRIZI
Thuhet se sinqeriteti
ka kohë i varrosur,
madje lexohet se hipokrizia
vishet nuse e virgjër bordellove
të mediave sociale.
Para tri dekadash njoha dikë.
Ishte po njësoj dhe sot; as një presje
nuk i mungonte.
MANUAL PËRDORIMI
Tani!
Ankohu te vetmia jote natën!
Gëzoju puthjeve të paprekura!
Harro trishtimin e trupit tim!
Ushqehu me ironinë e fatit mjeran!