Qendra Kombëtare e Librit dhë Leximit shpall “Romanin më të mirë të vitit” librin “Fati i marrë” i shkrimtarit Besnik Mustafaj Fitues edhe Pëllumb Xhufi, Shpëtim Kelmendi, Ana Kove, EntelaTabaku, Ledjona Braho

Qendra Kombëtare e Librit dhë Leximit shpall “Romanin më të mirë të vitit” librin “Fati i marrë” i shkrimtarit Besnik Mustafaj Fitues edhe Pëllumb Xhufi, Shpëtim Kelmendi, Ana Kove, EntelaTabaku, Ledjona Braho

Qendra Kombëtare e Librit dhë Leximit organizoi sot (dt.10.01.2025) ceremoninë e ndarjes së çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023.
Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023, të akorduara nga juria e posaçme e drejtuar nga Koloreto Cukali, janë:

“ROMANI MË I MIRË I VITIT” i jepet autorit Besnik Mustafaj

Për romanin “Fati i marrë” për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave; dhe Fati i Marrë i Shqipërisë, kthehet në Fatin e Bukur, që si një shi i butë, pasuron e mbush me imazhe të pasura shqipen dhe të bën të ëndërrosh për historinë.

“VEPRA MË E MIRË STUDIMORE E VITIT” I JEPET AUTORIT PËLLUMB XHUFI

Për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” për hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare.

“PËRKTHIMI MË I MIRË I VITIT” I JEPET PËRKTHYESES ANA KOVE

Për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass, për punën mjeshtërore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit.

“VËLLIMI MË I MIRË ME TREGIME I VITIT” I JEPET AUTORIT SHPËTIM KELMENDI

Për librin “Dashnia asht”, për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë, autori na fton të dëshmojmë bukurinë pa e prekur, duke na dhuruar një përvojë letrare që ngjall emocione dhe meditime të thella.

“VËLLIMI MË I MIRË POETIK I VITIT” I JEPET AUTORES ENTELA TABAKU

Për librin me poezi “Qeramikiana”, për eksplorimin mjeshtëror në poezinë e saj të brishtësisë dhe reziliencës; për mënyrën se si përvojat e saj personale filtrohen në një gjuhë poetike më të madhe se jeta, duke kapur thelbin e emocioneve njerëzore me imagjinatë të gjallë dhe thellësi të jashtëzakonshme; si dhe për pasurimin e poezisë shqipe me zërin e saj lirik unik.

“LIBRI PËR FËMIJË MË I MIRË I VITIT” I JEPET AUTORES LEDJONA BRAHO

Për librin “Kroni dhe Pulëbardhat”, për kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore në raport me fëmijët dhe prindërimin, për rrjedhshmërinë e stilit dhe mënyrën origjinale të rrëfimit në vetën e parë, që nga momentet e para të jetës deri në eksplorimin e botës përreth. “Kroni dhe Pulëbardhat” i Lediona Brahos është një kontribut i vyer për letërsinë për fëmijë.

ÇMIMET KOMBËTARE TË LETËRSISË

Në ceremoninë e organizuar e rastin e dhënies së cmimeve, morri fjalën Zv.Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj. Blerta Rama e cila tha:
“Të nderuar shkrimtarë, përkthyes, botues, njerëz të letrave.
Jam e nderuar të jem sot para jush në një moment shënjues sic janë Çmimet Kombëtare të Letërsisë, ku vlerësohen prurjet më të mira në skenën letrare shqiptare.
Ne jetojmë për librat, shprehej shkrimtari italian Umberto Eko, si për të na kujtuar në kohë se vetëm libri, fjalët do jenë gjithnjë një qetësi e shpëtim për botën.
Rilindasit tanë, e ndjenë herët nevojën për një Shqipëri që mbështetet tek kultura, leximi, duke besuar në shpirtin e saj europian, shpirtin e kulturës së madhe.
Forca e fjalës ka qënë gjithnjë pararojë e ndryshimeve, reflektimeve, ideve që janë përshfaqur në kohë të qenësishme për historinë tonë. Ndaj roli i shkrimtarëve, njerëzve të fjalës do të jetë gjithnjë një rol i rëndësishëm dhe aq i nevojshëm për shpirtin njerëzor në çdo kohë.
Jam e prekur përballë prurjeve të shumta që letërsia shqipe vijon të ketë çdo vit, duke treguar pasionin por dhe dëshirën për të bukurën që është në gjenezën tonë.
Të nderuar anëtarë të jurisë. Në këtë takim të veçantë, nuk mund të mos ndalem për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për punën tuaj të palodhur dhe të ndershme. Roli juaj është një nga më të rëndësishmit dhe njëkohësisht më të vështirët në këtë proces. Ju keni pasur përgjegjësinë e madhe për të lexuar, për të analizuar dhe për të vlerësuar vepra që përfaqësojnë zëra të letërsisë sonë bashkëkohore. Puna juaj kërkon jo vetëm njohuri të thella dhe sens kritik, por edhe një ndjenjë të madhe të drejtësisë dhe respektit ndaj çdo krijuesi.
Secila vepër që ju keni shqyrtuar është një botë më vete, një dritare drejt shpirtit të autorit, dhe përzgjedhja mes tyre ka qenë padyshim një sfidë e madhe. Ju falënderojmë që keni sjellë në këtë proces jo vetëm profesionalizmin tuaj, por edhe dashurinë për letërsinë shqipe duke bere zgjedhjen tuaj.
Vendimet që keni marrë nuk janë thjesht çmime; ato janë edhe një formë e rëndësishme inkurajimi dhe orientimi për krijuesit tanë, një vlerësim për përkushtimin dhe artin e tyre. Ju falënderojmë që keni qëndruar roje të fjalës së shkruar dhe që me punën tuaj ndihmoni në ngritjen e vlerave të letërsisë shqipe”.

Mes të pranishmëve mori fjalën edhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

LETËRSIA NJË AKT DASHURIE NDAJ GJUHËS

“Sot jemi mbledhur për të nderuar shpirtin krijues të gjuhes sonë, atë që ndriçon mendjen dhe pasuron jetën tonë të përditshme: letërsinë shqipe. Nëpërmjet fjalës së shkruar, rrëfimeve që prekin zemrat tona dhe poezive që ngjallin ndjenja të thella, autorët tanë vazhdojnë të ndërtojnë ura mes të kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes. Letërsia është më shumë sesa art. Ajo është një akt dashurie ndaj gjuhës sonë të bukur dhe një pasqyrë e shpirtit. Është dritarja që na tregon se kush jemi dhe ku po shkojmë. Çdo fjalë, çdo varg, çdo tregim është një dëshmi e pashlyeshme e identitetit dhe pasurisë kulturore të këtij vendi.
Sot, në këtë ngjarje të rëndësishme, nderojmë ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin e letërsisë shqipe. Vepra e tyre na frymëzon, na ndihmon të kuptojmë botën dhe na bën më të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit. Letërsia e një gjuhe është pasqyrimi më i thellë i shpirtit dhe përvojës së një kombi. Ajo është një arkiv i përbashkët ku ruhen ndjenjat, mendimet, vlerat dhe ëndrrat e një populli. Në thelb, letërsia nuk është thjesht një grumbull librash apo tekste të shkruara; ajo është një mënyrë për të kuptuar dhe interpretuar botën përmes fjalës. Disa aspekte kyçe që e përkufizojnë letërsinë e gjuhes shqipe jane: Pasqyrimi i identitetit kulturor dhe historik .
Letërsia ruan kujtesën kolektive të një kombi. Nëpërmjet saj, përjetësohen ngjarje historike, vlera kulturore, dhe ndjenja që përndryshe mund të harroheshin. Në këtë mënyrë, letërsia është kujdestare e trashëgimisë shpirtërore.
Shprehja e individualitetit dhe universales.
Letërsia e një gjuhe shpesh i përket jo vetëm një kombi, por edhe njerëzimit në tërësi. Përmes saj, shkrimtarët e një gjuhe sjellin në dritë çështje të përjetshme njerëzore – dashurinë, humbjen, luftën, dhe shpresën – duke bërë që ajo të jetë si e veçantë, ashtu edhe universale.
Zhvillimi dhe mbrojtja e gjuhës .
Letërsia është motori që e mban gjuhën gjallë dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Shkrimtarët i japin gjuhës shprehje të reja, e pasurojnë atë dhe e mbrojnë nga harresa apo varfërimi. Ndërmjetës mes brezave, letërsia lidh të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes tyre. Nëpërmjet saj, ide, histori dhe vlera kalojnë nga një brez te tjetri. Ajo është zëri i ndryshimit dhe reflektimit .Në shumë raste, letërsia është pasqyra që shfaq realitetin shoqëror dhe politik të një kohe. Ajo shpesh ngre pyetje, sfidon status kuo-në dhe nxit reflektim për të ndryshuar botën për mirë. Përfundimisht, letërsia e një gjuhe është më shumë sesa një art. Ajo është një thesari i përbashkët, një mjet i fuqishëm për të shprehur shpirtin njerëzor dhe për të lidhur individët, kombet dhe kulturat në një përvojë të përbashkët. Dua të përgëzoj të gjithë krijuesit që janë pjesë e kësaj gare fisnike. Pavarësisht kush ngjitet në skenë për të marrë çmimin, të gjithë ju që shkruani jeni fitues. Përmes fjalëve tuaja, ju mbani gjallë traditat tona, thelloni të menduarit tonë dhe i dhuroni letërsise një trashëgimi të pashlyeshme.
Le të jetë ky çast një kujtesë se letërsia shqiptare është një fuqi e madhe. Ajo mund të na bashkojë, të na ngrejë mbi vështirësitë dhe të na japë një arsye për të shpresuar. Faleminderit që e mbani gjallë fuqinë e fjalës shqipe
*Pjesë nga fjala, e mbajtur gjatë ceremonisë së Cmimeve Kombëtare të Letërsisë