Ai burri që pi cigare njera pas tjetrës në parkingun tonë është i biri i zonjës T. Nuk i flet askujt. Vetëm të sheh në sy me një vështrim që të le të kuptosh se as që do t’ia dijë për ty,por as ti nuk ke pse merakosesh për të.
Vonë,fare vonë, e mësova, nga një prej fqinjëve tanë,se ai burrë që ende nuk ia di emrin viziton të ëmën,zonjën T. një herë në muaj. Ai vjen prej një shtëpie ku jeton në grup me nja tre burra të tjerë si vetja. Dhe ata janë të sëmurë mendorë. Ata janë skizofrenë…
Dikush, kujdeset që ta sjellë atë burrë tek mëma në fund javë, çdo fundmuaji. Kështu ata çmallen me njeri tjetrin dhe e shohin njeri tjetrin si nënë e bir.
Kur i vjen i biri,zonja T. gatuan gjellët më të mira ,aq sa gjithë ndërtesës sonë të banimit i vjen era e gjellëve. Çfar bisedojnë ata nënë e bir askush nuk e di.Veç një gjë e kam mësuar : zonja T. gjithnjë i lutet ta lerë duhanin…
Në fillim kur komshinjtë e morën vesh se i biri i zonjës T. ishte skizofren me kartelë,nja dy prej tyre i zuri frika, se mos ndoshta, larg qoftë, një ditë prej ditësh, burri që pi cigare njera pas tjetrës në parking, mund të shfaqte ndonjë gjest dhune. Por, lavdi Zotit, gjer më tash,ai nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël se mund të ushtrojë dhunë…Zonja T. na ka siguruar se i biri nuk është nga ata që ushtron dhunë po të mos e ngasë kush…
Kur, dikur, para disa vitesh, një burrë i bardhë e kishte ngacmuar në stacionin e trenit në Boston, i biri i zonjës T. ishte xhindosur aq keq sa e kishte bërë pothuaj për vdekje atë të bardhin.
Të nesërmen gazetat e kishin njoftuar lajmin duke u kujdesur ta thoshin në detaje të imta se si një i zi kishte rrahur për vdekje një të bardhë.
Në stacionin e policisë e kishin patur shumë të vështirë të merreshin vesh me dhunuesin,pasi ai as e dinte se ku ishte dhe nuk e kuptonte se pse gjendej aty.
Me shumë vështirësi policët kishin mësuar se ai ishte i biri i zonjës T. Pas dy ditësh zonja T. e vizitoi të birin në stacionin e policisë .
U panë sy më sy nënë e bir. Ai ishte matanë frëngjisë së hekurave, kurse mëma ishte në korridor, në anën tjetër. Zonjës T.i ishte prerë goja krejt dhe lotët i rridhnin çurk në mollza…
Kur erdhi polici t’i thoshte se koha e takimit me të birin po mbaronte,zonja T. u rrek t’i thoshte policit historinë mjeksore të të birit . Por, koha nuk premtonte t’ia thoshte të gjithën fill e për pe…
Thjesht , zonja T. i tha policit se i biri kishte mbetur fëmijë në tru, se ai nuk dinte as të lexonte as të orientohej për asgjë prej gjëje në këtë botë. I tha se për nja dy dekada të mira ajo kishte bredhur sa në një spital në tjetrin sepse i biri ishte tepër i sëmurë. I tha,gjithashtu, se gjithë ushqimin që ia jepnin, ai pothuajse e pështynte për tokë dhe, një zot e di se si ia ka dalë të mbijetojë…
Dhe vu,lotët e zonjës T.
– Po pse qan?- e kishte pyetur polici.
– Qaj, se unë jam shkaktarja e vuajtjeve të tij – iu gjegj zonja T.
I biri i zonjës T. tashmë e ka bërë një gjysëm shekulli jetë. Dhe është endur sa nga një spital në tjetrin, sa nga një qendër rehabilitimi në tjetrën, sa nga një burg në tjetrin, derisa më në fund ka përfunduar në një shtëpi me tre skizofrenë si vetja, një shtëpi që mbikqyret prej dikujt që ata të ushqehen dhe të gëzojnë jetën, aq sa mund ta gëzojnë…
Por, ka një ditë që zonja T. e ka të fiksuar mirë në kujtesë. Ajo është dita të cilën zonja T. ia njeh vetes si dita e mallkuar, si dita e gabimit të saj të pafalshëm ndaj djalit të saj. Atë ditë ai ende pinte gji në sisët e saj. Por ajo ishte pikërisht dita kur ajo, ia ndërpreu gjirin foshnjes së vet…
Ishte dita kur ajo, në vend që t’i jepte qumështin e gjirit,filloi t’i japë një lloj qumështi që e përgatiste vetë duke holluar me ujë të nxehtë qumështin e kavanozit të blerë në dyqanin e vogël të lagjes…
Që prej asaj dite,foshnja gjithshka e villte dhe për atë dhe zonjën T. filloi ngjitja e malit të vuajtjeve.
Zonja T. e ka një peng, pengun që ia ndërpreu qumështin e gjirit të birit.Ajo e ka bindur veten se të gjitha vuajtjet e të birit vijnë prej gjirit të saj të shkëputur prej buzëve të foshnjes.
Ai burrë që ka mbetur fëmijë pi cigare njera pas tjetrës në parking.Nuk i flet askujt dhe askush nuk i flet.
Ndërkaq,e ëma, zonja T, e sheh duke mënjanuar perdet e dritares së ballkonit. Dhe, ashtu, ndërsa ai pi cigare në parking, ajo pi helmin e fajit për qumështin e gjirit të saj…


















